Makivel: Tiraninë e krijon ose populli ose aristokrati
NIKOLLA MAKIAVELI
Nikola Makiaveli (Niccolò di Bernardo dei Machiavelli) lindi
në Firence më 3 maj 1469. Ai ishte djali i një juristi. Për rininë dhe formimin
e tij dihen shumë pak gjëra. Por është e qartë se ishte familjarizuar me poetët
kryesorë, filozofët dhe historianët grekë dhe latinë. Zotërimi i shkencave
politike dhe njohja e thellë e intrigave të kohës së vet, të dukshme në veprën
e tij, të shtyjnë të hamendësosh se Makiaveli u përzie që shumë i ri në jetën
politike të qytetit. Më 1498 u bë sekretar i Këshillit të të Dhjetëve,
organizëm i ngarkuar me politikën e jashtme dhe ushtarake të Senjorisë. Në
vitet që pasuan, shumë ambasada e çuan në qendrat e mëdha të pushtetit, si në
Itali ashtu edhe jashtë. Më 1512, kur ra Republika, Makiaveli humbi detyrat e
tij për arsye të pjesëmarrjes së hamendësuar në një përbetim kundër Mediçëve të
ardhur në pushtet. I arrestuar dhe i torturuar, u shtrëngua të tërhiqej në
pronën e tij në San Kashiano, jo larg Firences. Po atë vit shkroi veprën e tij
më të njohur Il Principe (Princi, që u botua vetëm më 1532), dhe punoi për
veprën Fjalë për dekaden e parë të Tit Livit, botuar më 1531. Makiaveli, gjatë
këtyre gjashtë viteve, shkroi pjesën më të madhe të shkrimeve të tjera, midis
të cilave poema didaktike mbi modelin antik dhe një komedi, Mandragora, botuar
më 1524. Më 1518, ai u bashkua me rrethin politiko-letrar të "Orti
Oriçelari" në Firence dhe lexoi aty pjesë të zgjedhura nga vepra e vet. Me
ndërmjetësinë e lidhjeve të reja, u fut në punë pranë Mediçëve, nderet e të
cilëve kishte kohë që i kërkonte me ngulm. Duke filluar nga viti 1519, zotërit
e Firences i besuan detyra të shumta, pa ndonjë rëndësi të veçantë, dhe sidomos
pa ndonjë lidhje me politikën. Për llogari të kardinalit Xhulio de Mediçis, ai
krijoi të famshmen Histori të Firences, botuar më 1523. Makiavelit iu kthye më
në fund qytetaria e tij prej borgjezi të Firences, që e lejoi të zgjidhej në të
gjitha detyrat e Senjorisë. Më 1526, atëherë kur trupat e Karlit V kërcënonin
qytetin, u emërua, me urdhër të papa Klementit VII (një Mediçi), kancelar i
shërbimit mbrojtës.
Pas marrjes dhe plaçkitjes së Romës nga Karli V më 1527,
Mediçët u detyruan të linin pushtetin në Firencë dhe Makiaveli i humbi përsëri
të gjitha funksionet e tij. Vdiq më 22 korrik të po atij viti, në moshën
pesëdhjetetetëvjeçare dhe u varros në kishën e Santa Kroçes, kisha më e madhe
françeskane e Italisë, një panteon i vërtetë i lavdive fiorentinase.
Lëvizja europiane e humanizmit filloi nga zbulimi i
shkrimeve të Antikitetit në Itali, në fillimet e skekullit XV; ai njohu kulmin
e tij me veprën e Erazmit të Roterdamit, që bëri një përkthim të ri kritik të
Biblës, sipas teksteve origjinale në hebraisht dke në greqisht. Filologjia
moderne kishte lindur, me diskutimin kritik dhe me verifikimin e burimeve për
shkrimet e përcjella nga tradita, ndërsa përsosuria e shtypshkronjës nga
Gutenbergu siguroi një shpërndarje të gjerë të këtyre punimeve. Shpirti kritik
dhe i vetëdijshëm i humanizmit u kap pas teksteve të shenjtëruara nga dogma dhe
tradita, duke çuar në një komentar "laik", përballje e vërtetë midis
individit dhe Shkrimeve të Shenjta, që eci me shpejtësi në një hap me Reformën.
Reforma e Martin Luterit, e Ulrish Zvinglit dhe e Kalvinit,
që filloi në Europën e Veriut rreth njëzet vjet pas ekzekutimit të Savonarolës,
kishte elemente të përbashkëta me protestën fetare të dominikanit fiorentinas:
një kundërshti ndaj ideve tepër laike dhe vetëkënaqësisë krenare të njerëzve të
Rilindjes dhe nënshtrim ndaj besimtarisë absolute, ndaj "nderit" të
vendimeve hyjnore. Reformatorët patën megjithatë më shumë sukses, sepse ishin
më pak radikalë dhe fanatikë se kryemurgu i San Markos të Firences dhe sepse
një numër i madh intelektualësh dhe princash u rreshtuan në krah të tyre.
Thënja "Qëllimi i përligj mjetet" i atribuohet
Injacio de Lojolës (1491-1556), themelues i urdhrit të jezuitëve, qëllim i
fundit i të cilit ishte t'u shërbente gjithmonë interesave të Papës. Fetarët
duhet t'i binden atij perinde ac cadaver ("si një kufomë") dhe të
përpiqen me të gjitha forcat të përcjellin vullnetin e tij me bëma, në
përputhje me shpirtin makiavelik. Jezuitët u bënë arma kryesore e Papatit për
të organizuar Kundërreformën dhe modeli i aparateve burokratike mbi të cilat u
themeluan shtetet absolutiste duke filluar nga skekulli XIV.
Nikola Makiaveli (Nicolas Machiavel), ka qenë mendimtari i
parë që hartoi teorinë e racionalizmit praktik, duke i kthyer kështu shpinën
mendimit mesjetar, për të cilin qëllimi i çdo veprimi tokësor ishte dhënë që më
përpara: vullneti hyjnor, frymëzimi platonik i shpirtit në unitet me Zotin e
nderit, ose energjia vepruese dhe e dobishme aristoteliane (kërkimi i formave
të zhvillimit superior, si për gjërat, ashtu edhe për qeniet e gjalla). Atëherë
kur mendimi mesjetar i linte pak vend lirisë së vendimit të individit, që madje
nuk kishte të drejtë të vendoste kundër urdhrit të Krijimit, pra kundër
shpëtimit të tij, njeriu i Rilindjes është thellësisht i pushtuar nga ndjenja e
jetës: ai mund dhe duhet të vendosë vetë, si individ, për atë që është e mirë
dhe e drejtë për të.
Në gjysmën e parë të shekullit XV, një fiorentinas i ri me
kulturë nuk e vriste shumë mendjen nëse i ishte ruajtur ndonjë vend i vogël nën
diell; ai e përmblidhte energjikisht veten (zbatimi i virtu) dhe nuk linte t'i
shpëtonin nga duart të gjitha rastet që i paraqiteshin (si pasojë e
fortuna).Një varg i tërë përvojash të reja e kishin nxitur në Firence shfaqjen
e kësaj vetëdije krenare për veten. Familjet e mëdha fiorentinase, me në krye
Mediçët, kishin grumbulluar pasuri të jashtëzakonshme, falë industrisë dhe
tregtisë së pëlhurave dhe kishin tërhequr rreth tyre artistë dhe intelektualë
që shërbenin për vlerësimin e pasurisë dhe lavdisë së tyre, si në qytet ashtu
edhe jashtë tij. Falë punimeve të Filipo Bruneleskit, që kishte ndërtuar
kupolën gjigante të katedrales, fiorentinasit e shihnin veten në gjendje të
realizonin të njëjtat suksese teknike si të parët; konsili i mbledhur në qytet
më 1439, që duhej të çonte në pajtimin (në dukje) të kishave të Lindjes dhe të
Perëndimit, ndihmoi gjithashtu në mënyrë vendimtare për të përhapur diturinë e
Greqisë antike.
Kozmo de Mediçi, burri më i fuqishëm i Republikës
fiorentinase, themeloi më 1459 Akademinë e qytetit të tij. E prirë për të
ripërtërirë filozofinë antike në një perspektivë platonike, ajo lindi në fakt
një fe filozofike të afërt me neoplatonizmin e Plotinit, të pajtueshme me
doktrinën e krishterë dhe krejt të kënaqshme në rrafshin intelektual. Zbulimi i
natyrës zinte shumë vend te neoplatonizmi, synimet e të cilit ishin krejtësisht
praktike. Të nxitur nga teoria e Nikolas Krebsit mbi ngjashmëritë midis
"mikrokozmosit" dhe "makrokozmosit", filozofët e Rilindjes
kërkonin gjithashtu ta bënin të dobishme "simpatinë" e tokësores dhe
të qiellores nëpërmjet praktikash magjiko-alkimike, duke synuar të arrinin
shndërrimin e materies - për shembull për të prodhuar ar. Spekulime të tilla
përmbanin rrezikun e besimit te fati astrologjik, kundër të cilit u ngrit
Xhovani Piko dela Mirandola (1463-1494), përfaqësuesi më i rëndësishëm i
Akademisë fiorentinase dhe zëdhënësi i saj; ai u nis nga ideja se çdo njeri
duhet të arrijë të përcaktojë lirisht fatin e vet.
Vetëdija e re e njeriut të Rilindjes nuk kishte një themel
botërisht të shëndoshë; sidomos në shtresat e thjeshta të popullsisë, një numër
individësh kishin një ndjenjë të thellë se ishin vetëm, të brishtë dhe
blasfemues. Një murg dominikan që shihte vegime, Xhirolamo Savonarola, arriti
të përfitonte nga gjendja kritike në të cilën ndodhej Firenca - e kërcënuar nga
jashtë nga spanjollët dhe e privuar nga Mediçët, që ishin dëbuar nga francezët
- për të vendosur përkohësisht një Republikë të krishterë fondamentaliste, një
shtet të vërtetë teokratik e të ashpër. Në këtë kohë janë karakteristike
trazirat shpirtërore dhe Sandro Botiçeli, që i kishte marrë nga mitologjia
pagane subjektet e tablove të tij të frymëzuara nga Akademia fiorentinase, i
dogji vetë veprat që zotëronte ende, në "turrën e famshme të
kotësive", të organizuar nga Savonaroia. Më 1498 ai vendosi rregull në
sjelljet e papëlqyeshme të këtij fanatiku duke e arrestuar, gjykuar dhe
ekzekutuar; kolektivizmi i tij përfshirës kërcënonte individualizmin e kulturës
që po rilindte, po aq sa sundimi i princave!
Ndërsa vetëdija e re e vetvetes, karakteristikë e njeriut të
Rilindjes, po shtrihej deri në kozmologji dhe rreziku i rënies në rrëmujat
socialpolitike dhe në përmbysjen e gjendjes ishte i pranishëm, burri i shtetit,
Makiaveli, që ishte dëbuar nga Mediçët, përfitoi nga kjo gjendje. Të gjithë
këta faktorë përcaktuan planin e dytë të filozofisë politike të autorit të
veprës Princi, vepër çuditërisht "moderne", shkruar më 1513. Modeli i
princit ishte Cezar Borxhia, djali jo i ligjshëm i papa Aleksandrit VI; forca e
tij e veprimit (pasojë e virtu-s së tij), aftësia për të përfituar nga rastet e
përshtatshme (pasojë e fortuna-s së tij) dhe shmangia e zgjuar e të
pashmangshmes, i kishin dhënë mundësinë të fitonte sovranitetin mbi provincën
italiane të Romanjës dhe të mbahej aty fuqishëm.
Makiavelit nuk i interesonte aspak që një sundimtar absolut
si Borxhia kishte qenë një uzurpator; përligjja e një drejtuesi përmes nderit
të Zotit nuk i interesonte shumë, sepse nuk njihte asnjë lidhje midis
teologjisë dhe politikës. Makiaveli, sekretar i Senjorisë republikane, do të
kishte parapëlqyer drejtimin e zgjuar të një administratori të mirë të
Republikës sesa sundimin arrogant të një princi të vetëshpallur, por kjo nuk
përbënte për të ndonjë ndryshim në ushtrimin e pushtetit. Shteti, qoftë
republikë apo principatë autokratike, ka vetëm një qëllim: ruajtjen e tij dhe
mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë. Dhe ky qëllim është i natyrshëm, sepse
njerëzit janë të këqij nga natyra, duke dashur secili më shumë sesa ajo që
merr. Pra, nuk duhen lejuar të gjithë individët, të aftë për të vendosur
lirisht, të ndjekin qëllimet e tyre egoiste njëri kundër tjetrit. T'i pengosh
për këtë nëpërmjet përforcimit të shtrëngesës shtetërore, ky është një qëllim
që përligj edhe dhunën, gënjeshtrën dhe tradhtinë. Politika nuk ka të bëjë fare
me moralin. Liria e sapofituar nga njerëzit e Rilindjes u përvetësua vetëm në
dobi të atij që mori pushtetin. Megjithatë kjo liri është e kuptueshme:
virtytet themelore të trashëguara nga Platoni dhe të lidhura nga Ciceroni tek
etika stoike - zgjuarsi, guxim dhe përmbajtje - u zhveshën nga Makiaveli prej
çdo përmbajtjeje metafizike apo etike. Ato janë tani vetëm mjete për të fituar
pushtetin dhe për ta mbajtur atë.
Në mendimin politik, idetë e Makiavelit çuan në përcaktimin
nga francezi Zhan Bodën (1530-1596), të nocionit të sovranit si mishërim i
vullnetit të shtetit, përherë në bazë të teorisë moderne dhe në konceptin e
"arsyes së shtetit", që daton nga Shekulli i Dritave. Makiaveli,
mendimtari i parë i Kohëve Moderne, në historinë e filozofisë zgjeroi një fushë
të shkencave praktike, politikën, duke e shkëputur nga lidhjet e saj me
teologjinë dhe metafizikën. Natyralistët do të ndiqnin rrugën e tij.
Veprat kryesore: Shqyrtime për dekaden e parë të Tit Livit
(1502); II Principe (1532); Sundimtari, përkth. shqip (1977).
JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E NIKOLLA MAKIAVELIT
* Në misione të ndryshme diplomatike dhe në shërbime publike
të vendlindjes së tij Firencës Nikolla Makiaveli e filloi karrierën e vet
letrare duke kompozuar kancone, këngë kamevalesh dhe sonete. Në vitin 1513
shkroi veprën e tij më të rëndësishme juridike-politike Sundimtari. Duke i
vështruar realisht ngjarjet politike të kohës së tij, Makiaveli u nis nga
premisa se nuk ka dobi nga përshkrimi i ndonjë tipi ideal të sundimtarit për të
cilin rrëfejnë religjionet, flasin filozofët utopistë dhe reformatorët
shoqërorë. Tiparin e vet ai përpiqet ta karakterizojë në mënyrë që të mund të
qëndrojë në periudhën kur fjala e nderit e një diplomati dhe e një politikani
nuk vlen kurrgjë, kur bashkimet shkelen në mënyrë të paskrupullt dhe vetëm
njerëzit dorëfortë dhe dinakë ngelin në këtë lojë të vazhdueshme plot
mashtrimesh dhe vrasjesh. Prandaj. Sundimtari i tij është vetëm një apoteozë
iluzore e tiranit të vrazhdë dhe kodeks i rregullave për krime. Duke pasur një
synim të vazhdueshëm për çlirimin dhe bashkimin nacional të Italisë, ai u nis
nga njëmendësia faktike (verita effetuale) për të gjetur rragëdaljet dhe
mundësitë reale për realizimin e koncepcioneve të veta politike. Në luftërat e
ashpra që sundonin në Itali, Makaveli mendonte se vërtet mund t'u kundërvihet
vetëm me forcë, kështu që, pavarësisht nga mjetet, të arrihet çlirimi i vendit.
* Nikolla Makiaveli pohon se tiraninë i krijon ose populli
ose aristokrati, varësisht nga rasti që paraqitet. Ndërkaq, megjithatë ka
ndryshim qenësor ndërmjet synimeve të popullit dhe këtyre aristokratëve:
«Synimet e popullit janë shumë më të ndershme se synimet e aristokratëve, sepse
këta duan të shtypin, popullin që të mos shtypet». Në këtë mënyrë, duke hequr
maskën e gënjeshtarit të moralit dhe të fariseizmit, themeloi teorinë e parë
civile të bazuar gjerësisht të shtetit dhe, në të vërtetë, ndau etikën nga
politika.
* Në komeditë e tij brilante (sidomos në «Mandragolen»)
mjeshtër i të qeshurit dhe i moralit i cili i kundërvihet drejtpërdrejt hipokrizisë
priftërore dhe çdo hipokrizie «të madhërishme», Makiaveli në aspektin teorik
është i afërm me hedonizmin dhe mbron të drejtën e argëtimit dhe të qeshurit të
popullit, i cili është i kundërt me «fjalimin solemn dhe rigoroz» të
moralistëve dhe të asketëve.
* Nikola Makiaveli e liroi mendimin politik nga çdo lidhje
me konceptimin metafiziko-fetar të shoqërisë, për ta bërë një sistem qëllimesh
shkencërisht të arsyeshme. Ai hapi kështu rrugën e mendimit natyralist.
* "Makiavelizmi" është sot sinonim i një politike
force, të paskrupullt dhe pa moral, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë
të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se,
sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimit
të synimeve të tij.
* Nuk është rangu që zë në zinxhirin e Qenies ai që
përcakton veprimin e njeriut, por janë veprimet dhe realizimet ato që e bëjnë
atë të jetë ai që është.
* Shteti, qoftë republikë apo principatë autokratike, ka
vetëm një qëllim: ruajtjen e tij dhe mbajtjen e pushtetit me ta vendosur atë.
* «Konsideroj se është i lumtur ai që në veprimet e tij
udhëhiqet nga fryma e kohës, pra, së këtejmi i palumtur është ai veprimet e të
cilit nuk përputhen me kohën».
Comments
Post a Comment