Çarls Dikens, kumti i zëshëm në zenit


Nga Albert Vataj

Dy shekuj janë një shkrepëtimë në universin e matshmërisë së kohës në art. Janë jo më pak se një e djeshme, prej të cilës zgjohemi me ngut dhe përplot kureshti, për të kumtuar dhe për të mëtuar atë që një e shkuar e rizgjuar tek ne ngucatet të dëshmojë. Eshtë kjo kohë dhe hapësirë dimesioni, prej nga erdhi në historinë e letërsisë, një korife mendimi dhe qëmtimi, një ngucatje përvoje dhe dëshmimi, një jetë e tendosur dhe e mbushur me mbrëmje të trazuara dhe netë të zymta, vrashpirtje e zemërthyerje. Oshnar i rrëfimi dhe delikat i tematikët, sarkastik dhe ndërzyes. Ai nuk mund të ishte vetëm një emër i madh, pas të cilit zvarget një galeri kryeveprash botërore, e që mundena me nxjerr prej tyre dhe për ta sejdisur në memorien e shekujt prej jush “Pikuiku”, si fillimtaria dhe tharmi i asaj britme frigane, e atij muzikaliteti të trishtë, e tançkasë në zenith. Ishte dhe mbeti një zot i gjenialitetit dhe fatit, kryerendës i kushtrimeve më të zëshme të kohës dhe tabanit ku ky naltësim do të hovej. 



Ai la pas një univers të paanë krijimtarie, botoi një numër të madh tregimesh të shkurtra, por edhe të dramave dhe novelave të mëdha, ku "Oliver Twist" mbetet padyshim një nga kontributet më të jashtëzakonshme. Korpusi i tij, natyrshëm prek edhe një tjetër majë, atë të "David Koperfildi","Pritjet e Mëdha", etj. Qëmtesat letrare, ato të sheshtat, të thukëtat dhe kreshpërueset, ngasen të gjitha nga subjekte reale. Fillimtaria e moshës së shpërthimeve në juglindje të Anglisë orvatet të mbart gjithë lëndën dhe pulsin që rreh në këtë shtat vigani të letrave. Dikensi (1812-1870), është pa asnjë mëdyshje romancieri më i mirënjohur e pa modesti mund të ngulmojmë se ai është ndër më të rëndësishmit e botës së letrave angleze. Jeta e këtij gjeniu të letrave, do të përçapej mes vështirësishë dhe nakatosjesh pafund, do të zvargej dhe çirrej, gjakosej, përbaltej, derdhej dhe ngurosej. Ai i pa të gjitha dhe bashkëjetoi me ta në rrugëtimin e mbërritjes së yllit, atij që shohim edhe sot pas 200 vitesh, teksa shndrit. Vetëm 10 vjeç, mbi supet do të hidhte torbën e emigrimit. Kohë më pas, ju bë krah sëmës, që vështirësitë e jetës po bluanin në gjithfarë punërash. Dikensi fokuson në këtë periudhë të fëmijërisë si më të mrazten e jetës. Gjendja shpirtërore atëbotë lëkundej në buzë të zgripit. Humbëtira, poshtë dhe përreth tij do të ngjishte gjithnjë e më fort brumin e kësaj shtatoreje që kryengre, atëkohë, tash e mot, ngultas dhe mrrolshëm.
Të thuash se atë e kishte mbytur një zemërim i hidhur është pak, pasi duket qartazi se ai tashmë kishte arritur të zhvillonte një syçeltësi e vëmendje të çuditshme. Në kohën kur robërisë së tij i ceku një lloj fundi, dhe të atit i kishin lënë një trashëgimi pikërisht siç kishte rënë në burg, zgjohet. Dikensi do të shihte me sytë e tij metamorfozën e rritjes dhe tjetërsimit, në veten fizike dhe sentimentale dhe botës, të cilën do të përpiqej ta bënte për vete. Një dalzotës i vërtetë i gjenialitetit. Por jo gjithherë do të zotëronte këtë kolos. Siç ndodh në rrugëtimin e çdo ylli përnda amshimi, edhe Dikens do të ulej, për tu ngjitur rishtaz. Nga hiri do të ngrihej me shkulmet e një zjarri që do të lëshohej si stuhi ferri, të atëhershmes angleze, e të përgjithmonshmes, ku gëlon ligësia në të gjitha trajtat. Vërtet, fati i tij kishte pësuar disa herë çaste kritike. Por ai ishte zgrip në gjak dhe në mish, në zë e në asht, ngase ngulmonte gjithnjë zenitin.

Shumë njerëz u përçapën të ndërhynin në jetën letrare dhe sidomos në stilin e tij të të shkruarit, por Dikensi përpiqej me mish e me shpirt të ruante gjenialitetin e tij të papërsëdytshëm. E kjo, nga ana e vet, bëri që ai ta shtynte jetën krahas shumë armiqve, smirëzinjve dhe përbestarë të së ligës. Ashtu si Pikuiku përbënte themelimin e jetës së tij tekstshkruese, po ashtu edhe martesa e tij përbënte natyrisht themelin e jetës së tij vetjake; dhe kjo ka qenë, gjithashtu, objekt kritikash dhe simpatie. Shumë pak njerëz ishin në dijeni të botës së tij shpirtërore, me gjasa tre a katër. Dhe pikërisht ky grusht njerëzish pranuan që të mos flitnin shumë për shkrimtarin në fjalë, duke mos e ngarkuar aspak me faj. Është më se e vërtetë që "Oliver Tuisti" s'është veç një përzierje fort çudane mes melodramës dhe realizmit; si realizmi, ashtu edhe melodrama janë enkas të errëta dhe zymtake. Por humori dhe llahtara e tij mund të krahasohen përnjëmend, dhe ai vërtet kishte dhunti për njëfarë lemerie, e cila në gjuhën e popullit përkthehet të ushqehesh me frikën, të hovesh nga skutat më të errëta të ferrit dhe të behësh me shkëlqimin e një ylli. Kjo gjallëri e shtypur, kjo lojë me fatin dhe me brendinë, është për shkak të dashurisë që ai ndiente për jetën, të cilën s'e humbi për asnjë çast; ndërsa dashuria për vdekjen, gjë që s'është tjetër veçse dëshpërim dhe pesimizëm, ishte i pakuptimtë dha shpirt. Kjo lloj llahtarie që më pas ngjizi vdekjen e Krukut tashmë gjendet tek "Oliver Tuisti", porsi përsëritja e padurueshme që buçet në veshët e vrastarit "do të pastrojë njollat e baltës, njollat e gjakut" e kështu me radhë. Për pjesën e mbetur, fabula është e pakuptimtë, kurse shkëndijat e haresë janë të shkëlqyera, por gjithsesi të pakta; sidoqoftë, ekziston një aspekt tjetër i librit që i jep rëndësi historisë së Dikensit. Dhe ky s'është vetëm romani i tij i parë i maktheve, por gjithashtu edhe i pari i traktateve të tij shoqërore. Megjithatë, mëtimi për të shkruar lidhur me gjithë llojet e shijeve të njerëzve, çoi në krijimin e romanit seriozo-komik. Ata priteshin me padurim të madh pikërisht si buletinet, dhe për kohën shkruheshin me të njëjtin turravrap, si edhe njoftimet e gazetave. Ndryshimi ishte pjesërisht pasojë e karakterit dikensian dhe pjesërisht pasojë e metodës së botimit. Por s'duhet harruar një gjë, ekziston më shumë se një shembull që përngjet porsi një ndryshim pozitiv i planit në historitë e Dikensit, i cili u mundësua nga ky zakon i kryehershëm për të mos e krijuar veprën e artit më së ploti. Mbase këtu struket edhe ajo pjesëz e së tërës së veçshmërisë së shkrimtarit. Disa kanë hedhur mendimin se zvetënimi i Bofinit në krye të herës ishte menduar të qe i njëmendtë, ndërsa fabula e tij e ngadaltë një ndërrim mendjeje, dhe e njëjta ide gjendet edhe në rindërtimet e "Eduin Druidit". Kumtoi pareshtur në kësi shtresimesh dhe thepisjesh, për të mbetur vetëm ai. Çarls Dikens, ky dalzotës i gjenialitetit dhe fatit, ky mjeshtër i trajtës së pavdekshme të ngulmit për të kushtruar. Zëri dhe vepra, mëtimi dhe kumtimi, sharmi dhe ngjizja e dallojnë këtë penë të mprehtë që me kryeveprën "Oliver Twist", për t’u ngjitur në më të epërmin tekstshkrim dhe më popullorin, "David Koperfildi". Ai ishte, është dhe s’ka gjas për t’u shkulur nga përmendorja e memories letrare.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk