PLOTINI: Gjithçka ekzistuese del nga emanacioni i «Njëjës»



 
Plotini (greq: Πλωτνος,lat. Plotinus) lindi në Likopolis të Egjiptit (Asiuti i sotëm), rreth vitit 204–270 të erës sonë. Ai iu kushtua filozofisë që në moshën njëzetetetëvjeçare. Ndoqi në Aleksandri bisedat e filozofëve me emër, para se të bëhej një shikues entuziast i Amonios Sakës (rreth viteve 175-242), themeluesi legjendar i neoplatonizmit - që nuk ka lënë, ashtu si Sokrati, asnjë shkrim. Plotini qëndroi njëmbëdhjetë vjet nxënës i tij, deri më 242, datë e hamendësuar e vdekjes së mësuesit. I shtyrë nga dëshira për të njohur mendimet dhe filozofët e kulturave të huaja, shoqëroi më 243 perandorin Gordian III në fushatën kundër sasanidëve të Persisë. Pas dështimit të turpshëm të kësaj ekspedite ushtarake, u kthye për të shkuar në Antiokë, në Oronto, pastaj në Romë. Po atë vit hapi aty një shkollë filozofie, të cilën e drejtoi për njëzet e pesë vjet. Plotini, duke qenë se sistemoi neoplatonizmin, mbahet si themeluesi i kësaj doktrine filozofike. Ai kishte një publik të vëmendshëm dhe të dendur, tek i cili mund të mbështetej pikërisht perandori Galian dhe gruaja e tij, Salonina. Ata mbështetën idenë e Plotinit për të themeluar në Kampanjë një "qytet të filozofëve", që do të pagëzohej Paltonopolis, por intrigat e Oborrit perandorak bënë të dështonte ky plan.
Plotini vdiq më 270 në zotërimin e një prej nxënësve të tij, në Minturnë, ku ishte tërhequr për arsye të keqësimit të vazhdueshëm të gjendjes së tij shëndetësore. Për vite të tëra, si mësuesi i tij Amonios Sakasi, ai u kënaq duke dhënë mësime thjesht gojore; gjithashtu filloi, rreth të pesëdhjetave, të shënonte përbërësit e filozofisë së tij. Ai ngarkoi për botimin e shkrimeve të veta nxënësin e tij më të rëndësishëm, Porfirin e Tirit (234 e deri rreth vitit 305), që i rregulloi sipas rendit alfabetik dhe i botoi pas vdekjes se mësuesit, në gjashtë libra me nëntë kapituj secili, dhe tërësise së librave iu dha emri Eneades. Një biografi - Mbi jetën e Plotinit dhe rregulli i shkrimeve të tij - plotësonte veprën dhe saktësonte datën e konceptimit të përbërësve të ndryshëm të sistemit. Marsilio Fiçino (1433-1499), humanisti fiorentinas i rrethit të Mediçëve, botoi më 1492 një përkthim latinisht të Eneades.
Shkolla neoplatonike vazhdoi katër shekuj pas vdekjes së Plotinit, u formuan tri rryma, të pagëzuara sipas qendrës se rëndësisë gjeografike: shkolla siriane, shkolla aleksandrine dhe shkolla athinase. Përfaqësuesit e tyre më të rëndësishëm qenë përkatësisht Zhambliku (rreth viteve 250-330), Sinesiosi dhe Proklusi (412-485), "skolastiku më i madh i Antikitetit të vonshëm", me të cilin neoplatonizmi njohu lulëzimin e tij të fundit.
Ungjilli i Gjonit - që nuk ishte përpiluar nga ndonjë nxënës i Krishtit - bashkoi bashkësinë e krishterë me elitat hebreje të helenizuara. Fillimi i Ungjillit është (neo)platonizëm i pastër. "Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Zotin, dhe Zoti ishte Fjala. Ajo ishte në fillim me Zotin. Të gjitha gjërat jane bërë nga ajo, dhe asgjë nga ajo që u bë nuk u bë pa të. Tek ajo ishte jeta, dhe jeta ishte data e njerëzve" (Gjoni 1-4).
Tradita na tregon se peshkopi i pare i Athinës, Dionisios (shekulli I pas Jezu Krishtit), ishte konvertuar nga Shën Pali pas një predikimi të bërë ne Aeropag. Më pas i atribuan Denis Areopagitës shkrime fetare dhe mistike, që ka të ngjarë të datojnë më shumë të shekullit V. Ai ishte shumë popullarizuar në Mesjetë, sidomos në Paris, ku e ngatërruan më pas me një shenjt martir vendas me të njëjtin emër, Denis (shekulli III pas Jezu Krishtit). Ndikimi i shkrimeve të Denis Aeropagitit mbi Sugerin e Madh (rreth viteve 1081-1151), abati Sen-Denisit- abaci shumë e madhe mbretërore, që ndodhej në veri të Parisit - është ndoshta në zanafillën e një veçorie të arkitekturës gotike: të çarat e bëra në mure për tua lënë vendin vitrazheve të mëdha me ngjyra do të përputheshin te Denisi me kërkmin e shpirtrave, të burgosurve të errësirave, të dritës mistike, simbole të një hyjnori.
Veprat kryesore: Sipas shembullit të mësuesit të vetë Amonios Sakasit, Plotini ligjëroi vetëm gojarisht, kështu që me siguri edhe nuk mund të vërtetohet origjinaliteti i të gjitha veprave të cilat i atribuohen këtij. Eneadet që i botoi Porfirie, dolën në përkthimin gjerman në 2 vëll. (1878,1880), kurse në Paris i botoi B. Brehier (1926).
JETSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E PLOTINIT
* Filozofia e Plotinit është një përtëritje specifike dhe origjinale e platonizmit dhe në të gjejmë shumë elemente aristoteliane, stoike, gnostike dhe mistike. Plotini është filozof me natyrë sublime dhe askete, të cilit trupi i duket burg i turpshëm dhe si mistik, i cili në ekstazën religjioze sheh aktivitetin më të lartë gnoseologjik. Plotini konsideron se gjithçka ekzistuese del nga emanacioni i «Njëjës». Kjo «Njëja», «E para», kjo hyjni me këtë nuk humb, sikurse drita, asgjë nga ekzistenca e vet, që vazhdimisht emanon, hedh dritë në errësi. Por megjithëkëtë, vëtë shkëlqimi humb gjithnjë e më shumë intenzitetin sa më tepër largohet nga burimi i vet, dhe, duke kaluar nëpër sfera të ndryshme, në fund bëhet e errët, kundërti e keqe ndaj hyjnisë - materie.
Pra, mbi gjithçka është qenia e lartësuar, Njëja, që njëherësh është edhe e mira, por për të cilën në të vërtetë asgjë nuk mund të pohohet ngase është mbi gjithçka të shqiptuar. Njëja është gjithçka, por asgjë e veçantë, kurse shkëlqimi i drejtpërdrejtë i saj është nus-i (mendja ose fryma), në të cilin tashmë ekziston të qenët e dyfishtë të subjektit dhe të objektit, të menduarës dhe të përfytyruares. Produkt i frymës është shpirti, i cili përbën shkallën më të ulët të mbishqisores dhe njëherazi urën ndaj shqisores. Me gjithë, pra, kundërshtitë ndërmjet mbishqisores dhe shqisores, gjithçka që ekziston përbën një gradacion unik. Madje edhe materia, e cila është pol i kundërt i mbishqisores, e gjithashtu edhe joqenie, nuk është përjashtuar nga kjo hierarki, por është vetëm pikë përfundimtare e së njëjtës vijë të krijimit. Kështu, në të vërtetë, Plotini e shndërroi dualizmin platonian në monizëm. Pikërisht për këtë arsye shumë historianë të estetikës mund të konsiderojnë (Bojmleri, Kroçeja) se vetëm te Plotini edhe estetika bëhet pjesë përbërëse integrale e një sistemi të mbyllur, ngase në të metafizika e së bukures është e lidhur (ndryshe nga Platoni dhe Aristoteli) në mënyrë jokontradiktore me filozofimin mbi artin. Këta interpretues madje pohojnë se në këtë drejtim «Plotini në fund të epokës helene është si Hegeli në fund të epokës së filozofisë së krishterë».

* Sipas Plotinit detyra fundamentale e artit qëndron në faktin që në të veçanten të paraqesë pajtimin e plotë të idesë dhe të materies, domethënë të paraqesë idenë si është kthyer dhe ulur në materie, ndërsa materien sesi është ngritur në ide. Vepra artistike qetëson luftën e amshueshme dhe ndryshimin e idesë dhe të materies. Syri i «brendshëm», i cili fillon të shohë kur mbyllet i jashtmi, nuk është i aftë menjëherë të shohë shkëlqimin e plotë të së bukurës. Afrimi ndaj bukurisë më të lartë të shpirtit plotësohet me refuzimin e çdo gjëje trupore, me një ekstazë specifike. Burim i së bukurës është shpirti i bukur, bukuria është, pra, qenësisht subjektive, shpirtërore, çështja e brendshme. Çdo gjë e jashtme në art është e paqenësishme -puna për shembull në materialin prej gurit është punë e skllavëve dhe jo e artistëve - ajo e jashtma, shqisorja në veprën artistike është vetë refleks i së brendshmes dhe në të bazohet. Pikërisht për këtë arsye bukuria është e thjeshtë - dhe jo me kualitet kompleks. Nocioni i të bukurit dhe nocioni i artistikës paraqesin një funksion qenësisht të përbashkët, sepse edhe arti edhe të bukurit shkrihen në një ekzaltacion mistik të frymës. Prandaj, bukuria nuk është ndonjë simetri e pjesëve, ajo nuk gjendet në ndonjë raport objektiv dhe në proporcion ndaj tërësisë, ngase gjërat e bukura janë shpesh shumë të thjeshta, kështu që e bukur është ajo që e pranojmë si gjë të natyrës sonë vetjake, kurse e keqe ajo që për ne është e neveritshme, sepse është në kundërshtim me natyrën tonë të madhërishme. E bukura perceptohet nëpërmjet shpirtit, kurse e keqja është formë e të drejtuarit ndaj trupores dhe materiales, e bukur është diçka që ka formë, kurse e keqe që është pa formë. Për të mundur shpirti ta kuptojë dhe ta pranojë të bukuren, ai duhet të jetë i pastruar, i thjeshtë, i sinqert - duhet edhe vetë të jetë shpirt i bukur. Arti nuk imiton natyrën, por e plotëson natyrën me bukuri atje ku vetë natyra është memece. Çdo gjë tokësore, çdo gjë e njëmendtë është vetëm hije - deri këtu Plotini pajtohet me Platonin. Por arti nuk është - si mendon Platoni - vetëm diçka tokësore, ndijore, por pikërisht në artistikën çdo gjë ndijore tejkalohet për t'u ngritur mbi ekzistencën tonë materiale. Në çastin e frymëzimit, të ekstazës, njeriu e ndien veten si pjesë e një bote më të lartë, bëhet njësoj sikurse edhe pjesa më e vlefshme, më e pafajshme, më e sinqertë e shpirtit të tij.

* Teoria gnoseologjike idealiste e Plotinit, metafizika, psikologjia, filozofia e religjionit dhe sidomos estetika - plot me mendime lucide dhe frymëzuese, por edhe me fantazi mistike, me përbuzje ndaj materiales dhe me synime të errëta religjioze ekstaze, madje edhe me pseudozgjidhje - në tërësi paraqesin përparim historik dhe mendor në krahasim me sistemet e mëdha racionale të antikës. Edhe me ndikimin e tij largpamës të mëvonshëm - direkt ose indirekt në Gj. Brunon, Sheftsberin, Herderin, Jakobin, Shelingun, Gëten, Nevalisin dhe në kohë « re edhe në E. v. Hartmanin dhe Kroçen - kjo filozofi herë-herë -pavarësisht nga fakti se ka ditur të iniconte mjaft mendimin e huaj - shërbeu si bazë ideore për shumë synime irracionale dhe mistiko-romantike.



PLATONI             
PLATONI (greqishtja Πλάτων; latinisht Plato; origjinal "Aristokles"), emrin Platon, që në greqishte do të thotë «i gjerë», e mori me siguri për shkak të ndërtimit ateltik të trupit), filozof grek (427-347 p.e.r.). Athinas për nga lindja, bir i një familjeje aristokrate të pasur, në rini merrrej me poezi dhe gjimnastikë. U shqua edhe si luftëtar, ndërsa dy herë fitoi shpërblimin në Lojërat Istimike. Filozofinë ia mësoi heraklitiani Kratil, mirëpo ndikim vendimtar mbi të pati vetëm Sokrati, të cilin e njohu në moshën e tij 20 vjeçare dhe i mbeti 8 vjet (deri sa vdiq Sokrati) nxënësi më besnik. Pastaj shkoi në Megarë te Euklidi, mandej në Egjipt dhe në Kirenë. Pastaj tetë vjet veproi si mësues në Athinë dhe rreth vitit 388 shkoi në Itali dhe në Sicili, ku u njoh me pitagoristët dhe arriti në oborrin e Dionisit të vjetër. Mirëpo, së shpejti Dionisi u mërzit nga këshillat e tij dhe - pasi Platoni provoi të realizonte shtetin e tij ideal - ia dorzoi deputetit spartan Polisit, i cili si skllav e solli në Egjinë për ta shitur. E bleu dhe e çliroi kirenasi Aniqerid dhe e ktheu në Athinë, ku Platoni themeloi shkollën (Akademinë). Kur, pas vdekjes së Dionisit të Madh, Dioni e ftoi në ekspedita te trashgimtari i tij, dhe përsëri nuk pati sukses te sunduesi, njësoj sikurse mezi iku edhe pas udhëtimit të tretë (në vitin 361) në Sicili. Nga tërbimi i Dionisit dhe nga vdekja e shpëtuan tani miqtë e tij. Pasi u kthye në Athinë, dha mësim në Akademi deri në vdekje. Vdiq i famshëm si filozof i lavdëruar anembanë botës.

Në filozofinë e Platonit, nocionet (të cilat te Sokrati ende janë të bazuara në subjekt) marrin vlerën e ideve të veçanta ontologjikisht të themeluara, autonome, të pavarura, nga njeriu.Bota e dukshme e formave materiale dhe proceset janë vetëm pasqyrim i papërsosur i botës mbifenomenale të ideve. Këtij koncepcioni fundamental idealist Platoni i nënrendon edhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të tjera etike, gnoseologjike, antropologjike dhe estetike. Sipas Platonit, çdo ide është e amshueshme dhe identike në vete, shkak dhe moster për çdo gjë fenomenale që kurrë nuk mund të arrijë vetë idenë. Objekt i studimit të shkencës së vërtetë, objekt i diturisë, nuk mund të bëhen format e ndryshueshme të materies, por vetëm nocionet e kulluara abstrakte, përkatësisht idetë. Dialektika është shkencë, e cila studion idetë, ajo është aftësi që maria e sendeve të kuptohet si unitet dhe që gjatë bisedës të fitohet njohja e nocionit të kulluar. Nga fenomenet dhe nga sendet sipërfaqësore me të cilat takohen shqisat tona, ekziston universaliteti, ligjshmëria, që nuk mund të vërehet me shqisa, por mund të sqarohet në mendje. Këto ligje, nocione, përkatësisht ide, janë më të qëndrueshme dhe andaj më reale sesa tërë përceptimi ndijor i sendeve; disa sende për shembull, qëndrojnë ose bien, mirëpo ligjet që përcaktojnë se çfarë trupash, kur dhe si do të bien, nuk kanë fillim, por ekzistojnë gjithnjë.

Duke kritikuar Protagorën, Heraklitin, Demokritin, madje edhe Anaksagoren, Platoni ua sheh për të madhe preferimin e njohjes ndijore relative dhe paraqet tezën e tij radikale mbi botën e vetme substanciale të ideve mbindijore, në të cilën sendet ndijore vetëm mund të participojnë. Idetë - dhe jo realiteti materiai - janë e vetmja qenie e botës, këto janë format e amshueshme substanciale dhe shprehin atë që është e përbashkët, e përgjithshme, e vlefshme, identike dhe e qëndrueshme në sendet e veçanta.Thelbi i vërtetë i sendeve, i shprehur në ide, mund të njihet vetëm me arsye, dhe duhet dalluar nga fenomenet që i perceptojmë me shqisa. Në mesin ndërmjet njohjes racionale të ideve dhe perceptuarit shqisor qëndron mendimi matematik, të cilin Platoni e konsideron përgatitje për filozofi.Format gjeometrike dhe numrat janë ndërmjetës midis botës ndijore dhe botës së ideve. Andaj, thonë, Platoni në dyert e Akademisë së vet shkroi këto fjalë: «Le të mos hyjë askush që nuk di gjeometrinë».

Ideja e së mirës është më e larta në mbretërinë e ideve, sepse e mira në vetvete, është e mirë absolute, përkatësisht hyjnia, shkaku i gjithë ekzistimit dhe i njohjes. Përkundër ideve, materia është diçka krejt e pacaktuar, e papërsosur dhe e pakufizuar. Ajo është masë kaotike që plotëson hapësirën, e cila vetëm nëpërmjet ideve mund të fitojë formën, ndonëse u bën rezistencë të vazhdushme ideve si domosdoshmëri e verbët, mekanike. Kjo materie e pakufizuar, e cila pikërisht për këtë shkak nuk mund të njihet, është në realitet - joqenie.
Njeriu është i ndarë në trupin, i cili i takon botës kalimtare të materies, dhe në shpirtin, i cili është i pavdekshëm dhe i amshueshëm, kjo ishte dhe do të jetë, andaj përfshihet në botën shpirtërore të ideve. Shpirti edhe para kësaj jete ekzistonte njësoj si ideja, si shpirti i kulluar pa trup, ndonëse në formë njerëzore. Andaj edhe njohja e vërtetë nuk është gjë tjetër veçse kujtimi i shpirtit për idetë të cilat i kundroi në parajetën e vet.

Nga të gjitha veprat e Platonit më voluminoze dhe më karakteristike për të gjitha koncepcionet filozofike të tij është Shteti (Republika, Politeja), në të cilën përfshihet edhe metafizika edhe teologjia e tij, etika, psikologjia, pedagogjia, mësimi mbi rregullimet shtetërore, mbi artin e të tjera. Drejtësia është raporti midis individëve, mirëpo pikërisht për këtë shkak ajo varet nga organizimi i shoqërisë, kështu që mund të studiohet si pjesë e qenësishme e shtetit dhe jo si veçori e qëndrimit të veçantë. Duke përshkruar në mënyrë kritike sistemet e ndryshme shoqërore, Platoni do ta vlerësojë negativisht edhe demokracinë antike. Parimi themelor i saj është e drejta e barabartë e të gjithëve që të kryejnë të gjitha shërbimet dhe të marrin pjesë në zgjidhjen e problemeve shtetërore. Ky, në të parë, rregullim i shkëlqyeshëm bëhet i keq për shkak se populli nuk është mjaft i arsimuar për t'i zgjedhur ata që më me urtësi do ta udhëheqin shtetin. Andaj një demokraci e tillë në fund shpesh kalon në tirani.

Kështu Platoni me idenë e tij grandioze dhe utopike të shtetit (duke përfaqësuar në realitet pikëpamjet e klasës aristokrate) konsideron se filozofët duhet të sundojnë tërë shtetin, domethënë shtresën e mesme «të rojtarëve» dhe të nëpunësve, dhe me anën e tyre zejtarët, fshatarët dhe skllevërit. Shoqëri e përsosur do të ishte ajo në të cilën çdo klasë dhe çdo anëtar do të punonin atë për të cilën për nga natyra dhe për nga talenti, janë më të aftë.
Letra e shtatë, Shteti, Shtetari dhe në fund Ligjet e Platonit, janë jo vetëm vepra tejet ilustrative për koncepcionet e atëhershme filozofike dhe shtetërore-juridike, por edhe dokumente të thella dhe veçanërisht interesante mbi synimet e përgjithshme, mundësitë e anticipimit dhe idealet e shoqërisë, të cilat në figurën e njërit nga filozofët idealistë më konsekuentë të të gjitha kohëve, në figurën e Platonit, marrin deri atëherë zgjidhjet më radikale, më sintetike dhe më të pjekura. Në këtë vështrim, Shteti paraqiste një bashkësi të themeluar në mënyrë ideale, aq ideale, e guximshme, por edhe e parealizueshme, saqë - pavarësisht nga intencat e Platonit, që ta realizojë kështu ideale praktikisht dhe politikisht - më vonë u detyrua edhe në vetë idenë të pësojë disa korrigjime. Dinamika e gjallë e jetës dhe njeriu konkret me të gjitha dobësitë e veta, me tendencat dhe dëshirat individuale, madje edhe disa përvoja të pikllueshme praktike-politike, rrënuan idealet ëndërruese të Platonit mbi pronën e përbashkët, zgjedhjet e bashkëshortëve, bashkësinë e grave dhe të fëmijëve, mbi edukatën shtetërore të ashpër, si dhe mbi drejtësinë e kulluar, hyjnore dhe të madhërishme në përgjithësi. Dhe ndonëse kjo «pastërti» në Shtetin dhe në vetë sferën teorike mbështetej megjithatë në realitetin e vrazhdtë të ekzistimit të skllavëve (madje edhe të kastave saktësisht të diferencuara të zotërinjve, të cilët duhet t'u përmbahen vetëm detyrave dhe të drejtave të tyre të patejkalueshme), ndonëse, pra, është i qartë edhe karakteri klasor i saj, prapëseprapë ajo përmban edhe shumë elemente të cilat më vonë i shtynë edhe disa autorë socialistë (Maks Berin, Karl Kauckin) ta shpallin «bashkësi komuniste» të vërtetë. Dhe njëmend, Politeja me tekstin e saj jashtëzakonisht të bukur dhe artistikisht të shkruar - sikurse, më në fund, edhe pjesa dërmuese e dialogëve të Platonit - dhe me pastërtinë morale të saj, me idenë e kolektivitetit, madje edhe me disa zgjidhje ekonomike, ka mundur të shtjerë në konkluzione të tilla, në thelb gjithsesi shumë të guximshme.

Ideja e shtetit, nxjerrë nga ideja e drejtësisë - ndonëse e ngarkuar nga tri dobësi themelore të Platonit: të ndarjes në mbretërinë ideale dhe reale, në botën e ideve dhe në hijen e ideve - paraqet një krijim të menduar në mënyrë logjike dhe konsekuente, që teorikisht do të thotë utopi shembullore të bashkësisë fatlume dhe, për atë kohë, të përsosur. Platoni konsideron ekskluzivisht se vlera intelektuale dhe pjekuria morale e filozofëve është garanci e sigurt për të drejtuarit e drejtë të fateve njerëzore në bashkësinë e organizuar, kështu që për formimin dhe ekzistimin e cilatdo enteve shtetërore dhe të gjitha veprimeve ndaj njerëzve në përgjithësi - nuk nevojitet asgjë tjetër veçse shkaku i kulluar racional. Freskia e kësaj vetëdijeje të vetvetes racionale dhe synimi krenar dhe entuziast për realizimin e vlerave të larta etike ndriçojnë pa dyshim nga teksti i Shtetit me forcën e me sinqeritetin, si dhe me përkushtimin entuziast ndaj së vërtetës së vet ideale, njërit nga mjeshtrit më gjenialë të dialogëve të të gjitha kohëve. Nëse, për shembull, lexojmë atë përgënjeshtrimin temperament, të qetë dhe racional të Trasimakut elokuent - si dhe të një seri bashkëbiseduesish të tjerë të Sokratit -do ta kuptojmë shpejt tërë thellësinë dhe fuqinë filozofike të argumentit të Platonit, të bazuar në vlerat e përhershme dhe në synimin fisnik të autorit që të vërtetojë se si i drejti është edhe më i urtë, edhe më i lumtur se i padrejti.

Nga fundi i jetës Platoni megjithëkëtë - i dëshpëruar nga mossukseset reale, duke njohur më mirë njërëzit, psiken e atyre dhe të metat e tyre, lakminë e tyre për pushtet, para dhe kënaqësi, duke u bindur se sundimi i filozofëve nuk do të mund të ishte me forcën intelektuale të tyre mjaft autoritativ për masat - kuptoi se Politeja ishte vetëm një ide iluzore dhe se duhet t'u përshtatet mundësive ekzistuese njerëzore dhe shoqërore. Fryt i këtyre përvojave të mëvonshme janë Ligjet e tij.

Në një varg të dialogëve më të njohur të tij Platoni merret edhe me problematikën estetike. Ai para së gjithash, vërtetoi, se, ndryshe nga objektet e bukura, nga veprimet e bukura, nga mendimet e bukura, ekziston ideja e së bukurës, domethënë e bukura në vetvete, e cila gjithmonë është identike në vetvete. Çdo gjë që është e bukur, përveç kësaj një - ideje, është e bukur nga shkaku se në vete përmban një pjesë të kësaj së bukurës së përgjithshme. Vetëm, pra, ai që njeh idenë e së bukurës mund të konkludojë mbi shkallën e së bukurës edhe në sendet e veçanta. Platoni, pra, konsideron se nuk do të mund të vërtetohej ç'është e bukur sikur të mos ekzistonte ndonjë masë, mostër e përgjithshme, vlerë absolute, e cila sendet e bukura i bën të bukura. Në Fedrin Platoni dëshiron të tregojë sesi në agimin e së bukurës kujtojmë ato të bukurat ideore të vërteta, që i kemi përjetuar në paraekzistencën e mbretërisë së ideve, dhe kështu pikërisht ky kujtim «i jep krah shpirtit» në kontakt me të bukurën reale.

Mirëpo, metafizika e së bukurës e Platonit - ngritja e tij e idesë të së bukurës midis tri ideve më të larta (së bashku me të mirën dhe të vërtetën) -i është kundërvënë teorisë së tij mbi artin. Në këto shqyrtime mbi artin, Platoni është shumë konservativ dhe kërkon që artistët të krijojnë vetëm vepra didaktikisht të vlefshme, të cilat mund të bëhen të dobishme për shtetin. Të gjithë artistët e tjerë nxisin dhe trondisin pasionet, të cilat «secili njeri i arsyeshëm do të dëshironte t'i shuante, kështu që ndikojnë negativisht në pikëpamje edukative mbi masen». Andaj, nga shteti ideal i tij do ta dëbojë madje edhe «poetin më të përkryer dhe tragjikun e parë», të pavdekshmin Homer. Mirëpo nënçmimi i artit nga ana e Platonit nuk bazohet vetëm në këtë arsye pedagogjike-ideore dhe pragmatike, por, para së gjithash, në funksionin gnoseologjik të pavlefshëm të artistit. Ndërkaq, në bazën e moskuptimit të artit nga ai gjendet koncepcioni i tij estetik i mimezisit (imitimit). Pra, nëse arti duhet t'i imitojë sa më besnikrisht objektet reale, e edhe këto janë objekte reale, sipas skemës së Platonit, pra edhe vetë hija e botës së ideve, arti vërtet nuk bën gjë tetër veçse imiton të imituaren, ai është hije e hijes. Andaj, për Platonin tavolina reale është megjithatë më e vlefshme se figura e tavolinës e cila e imiton. Mjeshtëria poetike në tërësi nuk bazohet në dituri, por vetëm në frymëzimin, në mendimin subjektiv, andaj nuk ka karakter objektiv të të menduarit racional, por është tejet emocionale, dhe shumë pak intelektuale dhe rigorozisht konceptuale.
Platoni tregon në mënyrë jashtëzakonisht konsekuente për të gjitha pasojat e një qëndrimi, i cili nuk gjen kurrfarë forme tjetër të njohjes përveç formës intelektuale. Ai konsideronte me të drejtë se imitimi ndalet gjithmonë në të dhënat natyrore dhe nuk arrin deri te nocionet, deri te e vërteta logjike. Por ai njëkohësisht konsideronte se jashtë intelektit, që zbulon idetë, nuk ekziston asgjë tjetër përveç sensualitetit e pasionit të thjeshtë trupor të ndytë. Vërtet, ndjenja e tij e rafinuar estetike vështirë mund të pajtohej me konkluzionet logjike rigoroze të tij, që e ulën aq shumë vlerën e artit. Njëherë edhe vetë tha se do ta ndiente veten të lumtur sikur t'i tregonte kushdo e kurdoherë mënyrën me të cilën do ta justifikonte artin dhe do ta vendoste midis veprimtarisë së madhërishme njerëzore. Por meqë askush nuk mundi ta bindi në jologjikshëmrinë e rezultateve të tij dhe i dukej se arti me të vërtetën e vet fiktive ishte në kundërshtim me ndërgjegjen etike të tij, kurse intelekti përcaktonte që ta linte artin, ai dëgjoi në mënyrë konsekuente intelektin dhe ndërgjegjen e vet.

Mirëpo, pavarësisht nga kualitetet gnoseologjike dhe estetike të dialogëve të pavdekshëm të Platonit, që do të mbesin gjithmonë ndër veprat më të vlefshme dhe më frymëzuese të mendjes njerëzore në thesarin e trashëgimit kulturor evropian, Platoni nuk e kapërceu dualizmin e botës së ideve dhe të realitetit, dhe për këtë arsye edhe ngeli në suazën e një vargu kundërthëniesh të pazgjidhura, e që është karakteristike edhe për shumë sisteme të mëvonshme objektive-idealiste. Për disa nga këto kundërthënie tregoi sheshit edhe nxënësi i tij Aristoteli i Stagires.

Veprat kryesore:

Veprat e Platonit mund të klasifikohen në 4 grupe themelore:
1. Perioda Sokratike: Apologjia; Kritoni; Protagora; Ijoni; Laketi; Shteti, libri I; Lisidi; Harmidi; Eutifroni.
2. Perioda kalimtare: Georgijasi; Menoni; Eutidemi; Hipiasi i vogël; Kratiii; Hipiasi i madh; Menekseni.
3. Veprat e periodës së pjekurisë : Simpsioni; Fedoni; Shteti (përkthyer shqip): Fedri.
4. Veprat e periodës së v o n s h m e : Teeteti; Parmenidi; Sofisti; Burrë-shteti; Filebi; Timeu; Kritia; Ligjet.

JETSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E PLATONIT

* "Qëllimi i edukatës është që trupit dhe shpirtit t'u japë tërë bukurinë dhe tërësinë që mund të kenë".

* Platoni citonte:"Eshtë shumë lehtë të jesh galant me të holla të huaja".

* "Në secilin prej nesh ekziston pritja që e quajnë shpresë".Platoni shpesh e citonte gjatë jetës së vet.

* Masa adhuron aq shumë lajkatimin dhe «aq është e etshme për mjaltin» saqë në fund lajkatari më dinak, i cili veten e quan «mbrojtës të popullit», merr pushtetin më të lartë në duart e veta. Sikurse mjekun, kur jemi të sëmurë, nuk e zgjedhim dosido, sikurse që anijën nuk e drejton timonieri i zgjedhur, por ai që di të drejtojë më mirë, po kështu edhe për shtetin duhen kërkuar drejtuesit më të mirë dhe më të mençur, dhe këta, sipas Platonit, janë filozofët: «Derisa filozofët nuk bëhen mbretër, ose derisa të ashtuquajturit mbretërit e sotëm... nuk i përkushtohen filozofimit të vërtetë dhe të themelt, dhe derisa këto të dyja nuk shkrihen në një... gjatë gjithë kësaj kohe shtetet nuk do të mund të çlirohen nga e keqja...»

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk