RAMSESI i II-të: Perandori i Eksodit të Madh


Ramsesi është nja nga faraonët pushtues, nga më të njohurit, të Perandorisë së Re të Egjiptit (1304-1238 p.e.s.),ishte bir i Amonit,që asnjë armik nuk mund ta përballojë. Gjatë 67 vjetëve të mbretërimit të tij, ai ndërtoi shumë tempuj dhe monumente, po aq mbresëlënës për madhësinë, sa edhe për bukurinë e tyre. Gruaja e tij e preferuar, Nefertari, ishte shumë e nderuar që në vitin e parë të mbretërimit dhe paraqitet pranë mbretit në shumë monumente.
Ramsesi saktëson në disa mbishkrime se ishte shumë i ri, kur babai i tij e zgjodhi si trashëgimtar dhe e bëri prijës lufte.Egjipti dhe perandoria e rimëkëmbur nga gjyshi i Ramsesit ishin kërcënuar shumë herë gjatë mbretërimit të tij. Ai ndërtoi në perendim të rajonit të Deltës, ku Ramsesi themeloi kryeqytetin e tij, disa fortifikata për të sprapsur sulmet e Libisë. Ai nënshtroi shumë revolta në Siri.
Ramsesi ndërtoi një kryeqytet të ri, të cilin e quajti "Shtëpia e Ramsesit të Madh, në saje të Fitoreve". Vendosja e tij në zemër të rajonit të Deltës e bëri këtë një port që lehtësonte shkëmbimet ndërmjet Egjiptit dhe veriut të perandorisë, Ramsesi përfundoi veprat e mëdha të filluara nga babai i tij në Karnak, Luksor dhe Abidos, por cilësia e skulpturave shtesë është më e ulët.
Madhësia e monumenteve të Ramsesit të bie më tepër në sy se detajet e tyre. Ai ngriti në anën perëndimore të Tebës një tempull madhështor mortor, Rameseeumin. Tempujt e Abu Simbelit, të ndërtuara brenda malit, parapriheshin nga statuja kolosale që përmbanin shëmbëlltyrën e tij,të cilat ishin më tepër se 20 metra të larta.Tempulli i madh duhet të jetë zhvendosur në fillim të viteve 60-ta,gjatë ndërtimit të digës së Asuanit.Gjithashtu, Ramsesi ia atribon vetes,sikur janë bërë gjatë mbretërimit të tij,shumë ndërtime të faraonëve të mëparshëm.Ai synonte që me anë të këtyre monumenteve të siguronte përjetësimin e figures së vet.
Programi i ndërtimeve të Ramsesit mbështetej në ekzistencën e rezervave të mëdha të krahut të lirë të punës: skllevërit me prejardhje nga perandoria. Ndryshe nga piramidat e Perandorisë së Vjetër, që i ndërtuan vetë egjiptianët si nderim për faraonin e tyre, kantieret e mëdha të Ramsesit vareshin nga krahu i huaj i punës. Ndërmjet popujve të huaj të përdorur për ndërtim ishin edhe hebrenjtë. Dokumentet egjiptiane përmendin shumë popuj të huaj, ndërmjet të cilëve edhe hebrenjtë, dhe konfirmojnë fakte të ngjashme që përmenden edhe në Bibël. Ankesat e kryepunëtorëve, të cilët qaheshin se u mungonte kashta për prodhimin e tullave, të kujtojnë këshillën që u është dhënë hebrenjve për të mbledhur kashtën e tyre për të bërë tulla. Dokumentet egjiptiane u referohen, gjithashtu, ekipeve të punëtorëve, të cilët nuk punonin në ditët e festave fetare, privilegj i kërkuar nga Moisiu për popullin e tij.
Ekspedita më e famshme ushtarake e Ramsesit II ka qenë beteja e Kadeshit kundër hititëve, mbretëria e fuqishme e të cilëve ndodhej në veri të territoreve të perandorisë. Kadeshi, qytet-shtet në veri të Sirisë, kishte bërë aleancë me hetitët. Në vitin e pestë të mbretërimit të tij, Ramsesi filloi një fushatë kundër hetitëve, duke shkelur, me sa duket, një traktat paqeje të realizuar nga babai i tij, Seti I-rë. Arsyeja për të cilën ai ndërmori një sulm kundër një perandorie kaq të fuqishme, siç ishte ajo e hetitëve, mbetet e paqartë. Sidoqoftë, Ramsesi tregohet më krenar për fitoren e Kadeshit sesa për çdo fushatë tjetër, Tregimi që bën ai për betejën dhe për rolin që luajti në të, është gdhendur në mbishkrimet dhe basorelievet e shumë tempujve, ndërtimi i të cilëve përfundoi nën mbretërimin e tij.
Tregimi i Ramsesit për betejën e paraqet atë të veçuar nga luftëtarë të tjerë dhe të rrethuar nga armiqtë. "Kur madhëria e tij u kthye, ai pa dy mijë e pesëqind karro që e rrethuan. Asnjë prijës nuk ishte me mua, asnjë drejtues karroje, asnjë oficer." Atëherë, faraoni thirri perëndinë Amon, e cila e dëgjoi dhe i dha kurajën dhe forcën për t'i bërë ballë i vetëm armikut. Ai i shpartalloi karrot që e kishin rrethuar. Ai e masakroi armikun më nge përpara syve të "princit të mjerë të Hatit", që qëndronte i pafuqishëm dhe i pavendosur. Armiku u arratis dhe fitorja i takoi Ramsesit.
Sipas Ramsesit, prijësi i hetitëve u lut ditën e dytë për të bërë paqe. Por edhe hetitët pretendojnë se fitorja ishte nga ana e tyre dhe thonë se i ndoqën ushtritë e Ramsesit drejt jugut, deri në Egjipt. Kjo betejë la gjurmë të thella te Ramsesi, pasi ishte gjendur në rrezik vdekjeje dhe i ishte dashur të jepte prova të një kuraje mbinjerëzore. Por, duket se strategjia linte për të dëshiruar dhe se ushtrisë së tij i mungonte disiplina. Beteja e Kadeshit nuke arriti paqen. Ramsesit iu desh të mposhte tri revolta në veri dhe do të kalonin 16 vjet derisa një traktat ndërmjet faraonit dhe mbretit hetit të siguronte paqe jetëgjatë në veri të Perandorisë Egjiptiane.
I drejtuar nga Moisiu, Eksodi i hebrenjve jashtë Egjiptit ishte një ngjarje me rëndësi thelbësore në historinë e popullit izraelit. Kjo shënon lindjen e Izraelit si komb. Zoti pohoi përgjegjësitë e tij kundrejt popullit të zgjedhur, të cilin e drejtoi deri në Tokën e Premtuar. Në momentin e Eksodit, Izraeli mori bazat e Ligjit të tij dhe njohu organizimin e parë shoqëror dhe politik. Roli i Moisiut si udhëheqës fetar dhe ushtarak ishte vendimtar. Zëdhënës i popullit të tij në oborrin e Egjiptit, ai e çliroi atë, megjithëse u ndalua nga faraoni. Atij iu diktua Ligji. Nuk ka asnjë mënyrë për të vërtetuar mrekullitë që lidhen me historinë e Moisiut. Por një himn fitoreje i pasardhësit të Ramsesit konfirmon ekzistencën e Izraelit ndërmjet kombeve të Palestinës Perëndimore.

JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E RAMSESIT TË II-të
* Ramsesi II mbante një harem shumë të madh, në të cilin kishte princesha të huaja. Ai pati më shumë se 150 fëmijë. Tani vonë, arkeologët kanë zbuluar një varr të madh 30 metra larg varrit të Ramsesit, në të cilin gjendeshin, me sa duket, eshtrat e 50 nga të 52 djemve të tij. Kërkimet për dy varret e tjera në qendrën arkeologjike nuk kanë përfunduar ende.
* Është shumë interesante të theksohet fakti, se paraardhësit tanë ilirë Dardanët kanë marrë pjesë në luftën e Trojës dhe në betejën e Kadeshit. Homeri përmend në "Iliadën" disa fise që luftojnë në muret e Trojës, lidhja e të cilave me ilirët ballkanikë nuk mund të mohohet. Aty janë poenët, të cilët në periudhën protohistorike i gjejmë si fis ilir rreth rrjedhës së mesme të Vardarit, mandej dardanët, fis që më vonë do të ketë rol të rëndësishëm në historinë e brendësisë së Ballkanit. Këto fise marrin pjesë në luftën e Trojës, kurse pas shkatërrimit të Trojës, dardanët i gjejmë edhe si pjesëmarrës në betejën e famshme të Kadeshit në vitin 1286 para erës së re në anën e hetitëve, kundër faraonit egjiptian Ramzesit të II-të. Materiali i zbuluar në të ashtuquajturën shtresë homerike në Trojë tregon, sipas disa ekspertëve, disa veçori të kulturës materiale ilire (më saktësisht protoilire), e kështu edhe ai material do të duhej të vërtetonte atë që thuhet edhe në "Iliadën" për praninë e protoilirëve ballkanikë në luftën e Trojës. Në përpjekjet për të identifikuar këtë element ilir në Trojë dhe përgjithësisht në Azinë e Vogël, më së largu kanë shkuar filologët, të cilët shumë trimave të njohur nga epet e Homerit ua kanë veshur kombësinë ilire. Përmenden kështu emrat e Prijamit,Parisit,Kasandrës etj.
* Mbishkrimet e monumenteve e paraqesin faraonin si një prijës ushtarak, të cilin princat dhe mbretërit e vendeve të tjera e kishin frikë. Ramsesi i II-të mori pjesë në betejat e Sirisë për të siguruar pushtetin e Egjiptit në veri të perandorisë. Nëse do t'u besonim lëvdatave zyrtare, del që mbreti Ramses e ka fituar betejën e Kadeshit fare i vetëm. Asnjë tekst egjiptian nuk e përmend eksodin e popullit hebre, të cilin studimet biblike e përmendin të jetë bërë gjatë mbretërimit të këtij faraoni.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk