VICENA : Çdo gjë, që të fillojë të jetë, duhet të ketë një shkak
Avicenna (Abu Ali al-Ḥusayn
ibn Abd Allah ibn Sina,i njohur Abu Ali Sina), i cili kishte lindur në Persi,
më 980, ishte një nxënës fenomenal. Ai kishte studiuar gjeometri, logjikë,
jurisprudencë, fizikë, teologji dhe mjekësi, u bë mjek praktik që në moshën
16-vjeçare. Ai ishte autor i shumë veprave. Edhe pse mendimi i tij u përqendrua
rreth Aristotelit, ai shfaqi disa ndikime neoplatonike, po aq sa edhe disa
formulime origjinale të problemeve. Avicnna vdiq më 1037.
Një rëndësi të veçantë ka formulimi nga Avicenna i doktrinës
së krijimit. Këtu ai kombinon pikëpamjet e Aristotelit me ato neoplotonike dhe
arriti të krijojë një teori, e cila shkaktoi debate të zjarrta gjatë shekullit
të trembëdhjetë. Avicenna fillon me pohimin, se çdo gjë, që të fillojë të jetë,
duhet të ketë një shkak (si për çdo gjë që ne kemi përvojë). Sendet, që
kërkojnë një shkak, quhen qenie të mundshme. Një shkak, i cili gjithashtu është
një qenie e mundshme, duhet të shkaktohet nga një qenie e mëparshme. Kjo,
gjithashtu, duhet të ketë një shkak, por nuk mund të kemi një seri të pafundme
shkaqesh të tillë. Kështu, duhet të jetë një shkak i parë, qenia e të cilit nuk
është vetëm e mundshme, por është e domosdoshme, duke e pasur ekzistencën nga
vetvetja dhe jo nga ndonjë shkak, dhe ky është Zoti. (Akuini më vonë do ta
përdorë këtë mënyrë arsyetimi në provën e tretë të tij).
Zoti është në kulmin e qenieve. Ai nuk ka fillim; është
gjithmonë në veprim (d.m.th., është gjithmonë duke shprehur qenien e Tij të
plotë) dhe prandaj Ai gjithmonë krijon. Sipas Avicennes krijimi është edhe i
domosdoshëm, edhe i përjetshëm. Ky konkluzion e çoi Bonaventurën, në shekullin
e trembëdhjetë, në një gabim serioz dhe në konflikt me nocionin biblik të
krijimit, sipas të cilit dy tiparet themelore të krijimit janë: ai është një
produkt i vullnetit të lirë të Zotit, jo i domosdoshëm dhe se krijimi ndodh në
një kohë të caktuar, jo në përjetësi. Akuini do të ishte dakord se, nga ana
filozofike, nuk ka ndonjë mënyrë për të vendosur nëse krijimi ndodh në kohë apo
në përjetësi; kjo duhet të jetë në fund të fundit një çështje e besimit.
Në qoftë se metafizika e Avicennes shkaktoi vështirësi tek
filozofët e krishterë për doktrinën e tij të krijimit, psikologjia e tij
shkaktoi shqetësime akoma më serioze. Në psikologjinë e tij Avicenna donte të
merrej me aktivitetin intelektual të njeriut. Në këtë teori çështja qendrore
ishte dallimi midis intelektit të mundshëm dhe intelektit aktiv. Për të bërë
këtë dallim Avicenna u mbështet në pikëpamjet e tij neoplatonike të shkallëzimit
të qenieve, duke e vendosur njeriun në nivelin më të ulët të qenieve
engjëllore, ose inteligjente. Kjo do të thotë se Zoti krijoi një pasojë të
vetme dhe kjo pasojë quhet inteligjenca, engjëlli më i lartë, por kjo
inteligjencë krijon inteligjenca të nënshtruara. Janë nëntë inteligjenca të
tilla, sipas rregullit zbritës, secila prej tyre krijon: (1) atë që është nën
të; dhe (2) shpirtin e sferës që vjen më pas. Nëntë inteligjencat krijojnë
dhjetë inteligjencat dhe atë të fundit, i cili është intelekti aktiv. Intelekti
aktiv krijon katër elementet e botës dhe shpirtrat individualë të njerëzve.
Intelekti aktiv jo vetëm krijon shpirtrat ose mendjet e njerëzve, por
gjithashtu "rrezaton format" në këto mendje të krijuara.
Avicenna thoshte se përderisa mendja e njeriut ka një
fillim, ajo është një qenie e mundshme, si rrjedhim njeriu ka një intelekt të
mundshëm. Këtu Avicenna bënte një dallim të qartë midis ekzistencës dhe
thelbit, duke thënë se gjenden dy lloje të ndryshëm sendesh tek krijesat. Duke
qenë se thelbi i krijesës është i ndryshëm dhe ekzistenca e saj, thelbi i saj
nuk plotësohet automatikisht dhe, sigurisht, që nuk e jep ekzistencën nga
vetvetja. Thelbi i mendjes njerëzore është të njohë, por ajo jo gjithmonë njeh.
Intelekti është në gjendje të njohë; thelbi i tij është që të njohë, por njohja
e tij është vetëm e mundshme. Intelekti është krijuar pa ndonjë njohje, por me
një thelb ose mundësi për të njohur. Ekzistenca e njohjes në intelektin
njerëzor kërkon dy elemente: (1) shqisat trupore, nëpërmjet të cilave ne
perceptojmë objektet e jashtme shqisore dhe fuqia për të mbajtur imazhet e
objekteve në kujtesë ose imagjinata e brendshme; dhe (2) fuqia për të zbuluar
thelbin ose të përgjithshmen në sendet individuale, nëpërmjet forcës së
abstraksionit. Ky abstraksion nuk realizohet nga intelekti njerëzor, por është
vepër e intelektit aktiv, i cili rrezaton mendjen njerëzore dhe e bën të aftë,
që të njohë, duke i shtuar kështu ekzistencën thelbit të mendjes. Përderisa
intelekti aktiv është krijuesi i shpirtërave të të gjithë njerëzve dhe si
rrjedhim është forcë aktive në njohjen njerëzore, atëherë ekziston vetëm një
intelekt aktiv në të gjithë njerëzit, ku të gjithë njerëzit marrin pjesë.
Ajo që e shqetëson më shumë Bonaventurën në këtë psikologji,
të cilën Siger de Brabant e mësonte në universitetin e Parisit, ishte se ajo
kërcënonte individualizmin e veçantë të çdo individi. Avicenna nuk kishte
ndërmend të merrej me këtë, përderisa ai kishte një doktrinë të pavdekësisë së
çdo shpirti, ku çdo shpirt kthehej në burimin e tij, të intelektit aktiv. Më
tej autorët e krishterë kishin tendencë të shikonin në doktrinën e intelektit
aktiv mohimin e shpirtit individual si edhe një shkëputje serioze midis njeriut
dhe Zotit, përderisa intelekti aktiv dhe jo Zoti i jep ndriçimin intelektit
njerëzor. Personi individual ekziston vetëm për aq kohë sa materia është e
formuar në trupin e tij dhe shpirti i tij është forma e trupit të tij. Pjesa
aktive e intelektit nuk i përket atij. Në këtë mënyrë Avicenna futi në
filozofinë mesjetare disa teza shumë provokative, ku përfshiheshin: (1)
përjetësia dhe domosdoshmëria e krijimit; (2) ngjitja dhe rrjedhja në
hierarkinë e qenieve; (3) doktrina e intelektit aktiv, i cili së bashku me
intelektin e mundshëm krijonte dhe ndriçonte shpirtin njerëzor; dhe (4) dallimi
midis thelbit dhe ekzistencës, i cili lidhet me mundësinë dhe domosdoshmërinë e
qenies.
Vepra kryesore e Avicenes, enciklopedia e madhe filozofike
(e cila me urdhrin e kalifit u dogj në Bagdad në vitin 1160) ndahet në logjikë,
fizikë, matematikë dhe metafizikë. Kanoni i tij u përdor disa shekuj nga mjekët
e Lindjes dhe të Perëndimit. Llogaritet se tërë vepra e Avicenes përmbante
rreth 100 libra.
JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E AVICENËS
* AVICENA (Abu-Ali ibn Sina), filozof, natyralist,
politikan, poet dhe mjek arab (980-1037). Përfaqësues i rëndësishëm i
aristotelizmit arab, mirëpo në disa vepra të veta më të vogla është i afërm
edhe me misticizmin, duke u përpjekur të bashkojë neoplatonizmin me
përfytyrimet fetare islamike.
* Sipas Avicenes, bota materiale është e amshueshme, e
krijuar nga askush, mirëpo vetëm relativisht është e domosdoshme dhe i takon
kategorisë së mundësisë. Kjo botë që ekziston në aspektin kohor në mënyrë të
përjetshme, kushtëzohet nga perëndia e amshueshme që ekziston jashtë kohës.
Shpirti i njeriut është i pavdekshëm, por jo në kuptimin fizik por në atë
shpirtëror.
* Lidhur me çështjen e universalieve, Avicena është realist
i matur: për të nocionet e përgjithshme ekzistojnë para sendeve, në sendet dhe pas
sendeve (ante res, in rebus e post res). Mendja e perëndisë, konsideron Avicena
u paraprin sendeve, kurse mendja njerëzore vjen pas tyre. Për të parim i
individualizimit është materia, kurse parimi i përgjithshmërisë është mendja.
Njohja është e pamundur pa mendjen kozmike aktive, e cila është unike te të
gjithë njerëzit. Por njohja gjithashtu nuk është e mundur pa përvojën shqisore.
* Shumica e mendimit mesjetar ishtë një përpjekje për të
pajtuar fiiozofinë me teologjinë, fenë me arsyen. Autorë udhëheqës ishin të
krishterët, të cilët shkruajtën filozofinë duke e përzier me teologjinë.
Orientimi i tyre fetar rridhte nga rryma kryesore e traditës së krishterë.
Ndërsa orientimi i tyre filozofik ishte krejt i ndryshëm, përderisa në kohë të
ndryshme dhe në vende të ndryshme ishin shfaqur filozofë të ndryshëm, bile edhe
në rastet kur ata mbështeteshin në të njëjtin filozof, si për shembull, tek
Aristoteli, ata paraqisnin interpretime të ndryshme të shkrimeve të tij.
Rëndësia e madhe e filozofëve arab në Mesjetë qëndron në atë, se ata dhanë
komente me vlerë për Aristotelin, mbi të cilat shumë autorë të krishterë u
mbështetën për të kuptuar atë. Këto interpretime të arabëve për Aristotelin,
për të njohur më shumë rreth tij, ishin një shkak i vështirësive serioze, në
harmonizimin e fesë dhe arsyes.
* Nën udhëheqjen e Muhamedit (570-632 - Paqja dhe mëshira e
Zotit qofshin mbi të!) u krijua një perandori e madhe myslimane, me qendra
kulturore në Persi dhe Spanjë, ku gjatë shekujve të nëntë deri në atë të
dymbëdhjetë, filozofë të rëndësishëm zhvilluan aktivitetin e tyre. Gjatë këtyre
shekujve, bota myslimane ishte më e avancuar sesa bota e krishterë në njohjen e
filozofisë, shkencës dhe matematikës greke. Për më tepër, bota myslimane kishte
pranuar veprat kryesore të Aristotelit shekuj më përpara se ato të arrinin në
Evropën perëndimore. Shumë tekste të filozofëve grekë ishin përkthyer në
arabisht, të cilat, më vonë, përkthyesit latinë i çuan në perëndim. Më 833, në
Bagdat, ishte krijuar një shkollë për përkthimin e dorëshkrimeve filozofike dhe
shkencore greke dhe gjithashtu për aktivitet shkollor krijues. Mjaft mendimtarë
të shquar punuan këtu, veçanërisht Avicenna (980-1037). Një pikë tjetër
qendrore e kulturës myslimane ishte Kordova në Spanjë, ku një filozof tjetër i
madh, Averroes shkroi pjesën më të madhe të filozofisë se tij. Megjithëse
Avicenna dhe Averroes shkruajtën në arabisht dhe ishin myslimanë, ata nuk ishin
arabë. Avicenna ishte persian, ndërsa Averroes spanjoll. Që të dy shkruajtën
interpretime mbi filozofinë e Aristotelit. Këto interpretime u pranuan nga disa
autorë të krishterë, si doktrinat autentike të Aristotelit. Mëqenëse këto
interpretime tregonin se Aristoteli është në mospërputhje me doktrinën e
krishterë, disa shkrimtarë mesjetarë, si Bonaventura, mendonin se është e
nevojshme të mohohet Aristoteli për të shmangur gabimet. Shën Thoma Akuini, nga
ana tjetër, kundërshtonte Siger de Brabantin, i cili ishte paraqitës kryesor i
pikëpamjeve së Averroes në universitetin e Parisit. Por Akuini pranonte versionet
e tjera të Aristotelit. Për këtë arsye Akuini debatonte me Brabantin, jo që të
mohonte aristotelianizmin, por për ta interpretuar Aristotelin në një mënyrë të
pranueshme për doktrinën e krishterë.
* Rëndësia e filozofëve arabë është e dyfishtë. Nga njëra
anë ata janë transmetues të Aristotelit dhe mendimtarëve të tjerë grekë në
perëndim dhe nga ana tjetër interpretimet e tyre mbi Aristotelin u bënë bazë
për diskutime të kundërta në filozofinë mesjetare.
Comments
Post a Comment