SAGA E MAHNITSHME E AMOS OZ-it
DR. MOIKOM ZEQO
Në ditët e sotme leximi i vërtetë është kthyer më tepër në një mit. Idea e (vdekjes së leximit) skajëzohet, përhapet si një mjegull. Nëse përjetojmë epokën e spektakleve, perandorinë e pakufishme të imazheve, duket sikur leximi vetiak i librave është jashtë kohës. Leximi është bërë i vështirë. Por kjo nuk vërteton zhdukjen e tij. Leximi është një proçes i ndërlikuar dhe i jashtëzakonshëm i intelektit njerëzor që përherë ka të ardhme. Në kaosin e pafund të tregut botëror të librave, librat e vërtetë mund të quhen libra soterikë, dmth shpëtimtare. Të orientohesh në kaos do të thotë të lexosh libra të vërtetë. Rralllë herë në jetën time prej lexuesi kureshtar dhe të babëzitur më ka qëlluar të njihem me një libër të tillë sic është romani "Rrëfim për Dashurinë dhe Errësirën" të shkrimtarit Amos Oz.
E mirënjohura Nadime Gordimer e ka
thënë diçka proverbiale: "Amos Oz është zëri i qartë mes
kaosit". Ky është një zë i
artikuluar me shkronja, për t'u përkthyer në gjuhë të ndryshme po nëpërmjet
shkronjave. Një hollësi: Fjalët e
shkruara në hebraisht duken pak të çuditshme dhe komike,kanë vetëm
bashkëtingëllore dhe jo zanore.
Modernizimi i gjuhës së shkruar hebraishte, duke futur shkronja të
veçanta për zanoret është një proçes, ku zanoret (sipas shprehjes së babait të
Amos Oz-it) "janë policia rrugore e të lexuarit".
Amos
Oz është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës. Ai është kandidat për çmimin Nobël, jo vetëm
për Letërsinë por dhe për Paqen. Diçka
krejt e rrallë dhe e veçantë. Kjo për
shkak të humanizmit të tij universal.
Mundet të jesh hebre dhe njëkohësisht të jesh pjesëtar i të gjithë
popujve. Kështu matrica etnike, në vend
që të mbyllet në vetvete hapet, sepse për shkrimtarin ka në të vërtetë një
matricë, atë të njerëzimit në tërësi, ku dallimet etnike dhe gjuhësore sfumohen
dhe humbin.
Amos Oz megjithatë e ka identitetin
e tij të padyshimtë. Ai shkruan ato që
di dhe kupton shumë gjëra, shumë thelbe që u përkasin dhe të tjerëve dhe botës
në përgjithësi. Ai duket se është
klasik, nuk kërkon të bëjë revolucione të shterpta të formës. Ai është i thellë në analizat e tij, pa
mëtuar të krijojë botë onirike, apo të shtegtojë në perandoritë e tymta të
metafizikës.
Amos Oz shkruan një roman ashtu si
dikur Shën Augustini shpalosi "Rrëfimet" e tij. Kështu u krijua një tipologji letrare e
frytshme dhe përherë e lakmuar. Amos Oz,
me një kulturë koncentrike, me një talent zhbirues të pazakontë, shkruan
historinë e familjes të të afërmve të tij, të të njohurve duke ndërtuar një
univers ekzotik, hebraik, njerëzor, konkret dhe shpirtëror.
Që ky roman është një sagë, ose një
ep, kjo nuk ka asnjë dyshim. Ka qenë e
vështirë vendosja e një ekuilibri të artë në tërësinë e detajeve të rëndomta,
befasuese dhe të paharrueshme dot.
Ndihet në roman institucioni i kujtesës vetiake që mbart koefiçientët e
kujtesave kolektive, të makrokozmove dhe mikrokozmove të njeriut në vetvete, si
popull dhe si njerëzim. Ky është sekreti
i patjetërsueshëm i artit shkrimor të Amos Oz-it. Kur them se ka krijuar një sagë ekzotike kam
parasysh një botë referenciale. Kam
parasysh gjithashtu mjeshtërinë e pabesueshme të komunikimit.
Rrëfimi i tij është sa
linear aq kaleidoskopik. Vizionet e tij
ripërtërijnë kujtimet, duke krijuar vorbuj mozaikësh, ku fragmentet kanë një
pushtet të plotë, plotësojnë njëri tjetrin deri në infinit.
Duhet thënë se Amos Oz beson si
askush tjetër shkrimtar sot në botë në tipologjinë e personazheve, kaq shpesh
të anatemuar dhe të përbuzur nga estetë dhe shkrimtarë të tjerë. Kjo tipologji e personazheve në të vërtetë
është një kozmogoni e shpirtit.
Kam lexuar shumë libra për
hebrenjtë dhe hebraizmin. Edhe vetë kam
shkruar disa herë për figurat e mëdha kulturore, ose religjioze të hebrenjve,
për Kabalën, për talmudizmin, për poetët dhe mendimtarët, filozofët.
E kam studiuar teologjinë negative
dhe antinjerëzore të antisemetizmit, formulat apokaliptike, teoritë e
komplotit, urrejtjen e përbindshme racore etj, etj. Kam shkruar për Sabatai Zevin, por edhe për Martin
Buberin. Kam shkruar gjithashtu edhe për
disa dëshmi të lashta të pranisë së hebrenjve që në shekujt e parë të erës sonë
në brigjet e Shqipërisë, si në krahinën e Vlorës, në Orikum, në Onhezmi, në
Elbasan, në Durrës etj. Në këtë qytet të
fundit e kam zbuluar një monument mbivarror që i takon një hebreu dhe që ka një
mbishkrim të çuditshëm.
Natyrisht që të gjitha këto më çonin tek një
njohje asnjëherë përfundimtare. Më
ndihmonin por nuk më sqaronin plotësisht.
Më grishnin por nuk më jepnin një dije përfundimtare.
Fakti që shqiptarët u shquan gjatë
Luftës së II-të Botërore si mbrojtës të hebrenjve të persekutuar, pra si
kundërshtarë të Holokaustit, më ka krijuar ndjesinë e një miqësie dhe
nderimi. Poezitë e poetit Jahuda Amikai,
(poet shumë i madh) më kanë bërë që ta ndjek prej vitesh emrin dhe librat edhe
të Amos Oz-it.
Saga
e Amos Oz-it i afron të gjithëve pa përjashtim një kujtesë të shekujve. Persekutimi i hebrenjve është i lashtë,
babilonik, egjyptian, në tërsi biblik.
Historia e tyre e shtegtimeve është një histori e mallkuar për një kohë
shumë të gjatë, frikërisht të gjatë. Kjo
është arsyeja që Amos Oz shkruan "Isha një fëmijë i mrekulluar nga
historia. Tentoja të rregulloja gabimet
e komandantëve të së shkuarës. E ngrita
dhe një herë revoltën e madhe hebreje kundër romakëve, e shpëtova Jeruzalemin
nga shkatërrimi nga duart e ushtrisë së Titusit, i çova trupat e Bar Kohbas në
muret e Romës, e mora Koloseun me sulm
dhe ngrita flamurin hebre në majë të Kapitolit. Për këtë, e transferova Brigadën Hebreje të
ushtrisë britanike në shek. I-rë para Krishtit dhe në ditët e Tempullit të Dytë
dhe u gëzova me rrënimin që dy mitralozë u shkaktuan legjioneve madhështore të
Adrianit dhe të Titusit të mallkuar. Një
avion i vogël, një Piper i vetëm, e uli në gjunjë perandorinë kryelartë romake. Unë e shndërrova luftën e destinuar për të
humbur të mbrojtësve të Masadës në një fitore bindëse të hebrenjve me ndihmën e
një mortaje të vetme dhe disa granatave dore.
Dhe në fakt e njëjta dëshirë e çuditshme që kisha kur isha i
vogël-dëshira për ti dhënë një shans të dytë diçkaje që nuk mund t'a kishjte
kurrë një të tillë-m është ende nja nga dëshirat që më shtyn akoma, sa herë që
ulem të shkruaj një histori apo tregim".
Mund të them se "shansi i dytë" është vërtetë vetëm letërsia.
Amos
Oz e di shumë mirë se urrejtja ndaj popujve të tjerë është vetshkatërrimi i çdo
populli që urren. E di se dashuria
midis popujve është një strategji e fuqishme dhe reale. Ashtu si Martin Buberi
edhe Amos Oz flet me artin e tij për miqësinë përfundimtare me palestinezët dhe
arabët, por dhe me të tjerët. Për këtë
qëndrim si kampion i humanizmit tërë ekstremistët sionistë e kanë parë
vëngër dhe me mohim Amos Oz-in. Por letërsia e çoi Amos Oz-in në të gjitha
kontinentet. I dha një shtrirje të
paimagjinueshme në hapësirë. Por ajo që
është më substancialja, i dha një shtrirje edhe në kohë.
Amos
Oz e pasaportizon historinë dhe realitetin sipas optikës humaniste. Ai është sot më shumë se kurrë një qytetar i
botës. Jo rastësisht ai tregon historinë
e familjes së tij. Të gjithë janë njerëz
të çuditshëm, plot ëndrra. Të gjithë
janë njerëz që lexojnë libra në shumë gjuhë.
Madje duken tuafë dhe të çmendur mbas librave. Kanë paragjykime, kanë të meta, bëjnë dhe
marrëzira si të gjitha qëniet njerëzore.
Por e njohin përkatësinë e lidhjeve.
Nuk i mohojnë as dashurinë, as vetmohimin dhe altruizmin.
Amos Oz është shprehur se
"familja është institucioni më misterioz në botë, më paradoksal në botë,
më i çuditshmi në botë dhe më interesanti në botë. Nëqoftëse do më jepnin mundësinë të zgjidhja
mes dy dëshirash, mundësia e parë që të jem në satelitin e parë që do të shkojë
për në planetin e Marsit dhe mundësia e dytë që të kalojë një ditë vetme dhe
një natë të vetme në shtëpinë e cilësdo familjeje, nuk ka rëndësi se e kujt
familjeje, si një mizë në mur, unë do të zgjidhja të isha miza dhe jo
astronaut". Kjo tingëllon
madhështore, pikërisht se është harruar çdo gjë e rëndomtë njerëzore por që
është absolutisht më jetike.
Letërsia është antropolgji e një
niveli tjetër të lartë. Letërsia nuk
është thjesht një shpikje mendore. Nuk
është diçka e jashtme.
Letërsia është përherë e brendshme
dhe infinitisht njerëzore.
Amos Oz është brenda njeriut që
është kështjella e tij më e pamposhtur e artit.
Amos Oz është Njeriu që kështu të jetë Shkrimtari.
Ai nuk shpik formula erudite të
ekzistencës sepse mëton të jetë vetë ekzistenca. Ai nuk troket nëpër porta sepse e di që
zemrat e njerëzve nuk kanë porta. Ai nuk
mburret dhe as nuk mban poza të bujshme.
Ai nuk i aktron fantazitë e tij, as nuk kërkon të na çudisë në aventura
stilistike. Ai është i natyrshëm, pra
është një ekologji letrare.
Bota e sotme globale konceptohet në
mënyra nga më të ndryshmet dhe më absurdet.
Politikanët, ekonomistët, strategët, filozofët, mediat etj krijojnë
përfytyrime të rreme jashtë njeriut për të qenë një skllavëri, ose
vetëskllavëri e njeriut modern dhe postmodern.
Funksioni i patjetërsueshëm i
letërsisë është të bëjë të kundërtën; të rikthehet gjithmonë tek njeriu. Kjo duket një herezi e përhershme dhe ndoshta
një utopi. Por letërsia e Amos Oz-it na
bind, na kthjellon, na fuqizon.
Faqet e fundit të romanit, ku Amos
Oz përshkruan vdekjen e nënës së tij kanë një fuqi magnetike të papërballueshme
nga askush. Mund të jenë ndër faqet më
të bukura që kam lexuar në jetën time.
Një epitaf lirik i jashtëzakonshëm si i skalitur në bronx. Faleminderit Amos Oz!
Libri
i tij i përkthyer në shqip nga Etleva Pushi dhe Sokol Bega dhe botuar nga
shkrimtarja dhe botuesja e njohur Flutura Açka e "Scanderbeg Books"
është jo vetëm një ngjarje kulturore por dhe një kumt i mbijetesës së njeriut.
Comments
Post a Comment