William Somerset Maugham, dramaturg, romancier dhe një rrëfimtar i mrekullueshëm


William Somerset Maugham (U lind më 25 Janar 1874 – Vdiq më 16 Dhjetor 1965). Ai ishte një dramaturg anglez, romancier dhe një rrëfimtar i mrekullueshëm i tregimit të shkurtër. Ai është një nga shkrimtarët më të mirë të kohës së tij dhe në vitet ’30 ndër më të respektuarit.

Një martesë rrethanash
Nga Somorset Maugham*
Për herë të parë e pashë francezin vogëlan dhe gruan e tij të stërmadhe, ndërsa anija gatitej të linte Bankokun. Isha në kthim nga Bankoku për të ikur në Hong Kong dhe gjendesha që herët në mëngjes në bordin e një anije të vogël.
Ndërsa po e sodisja momentin kur anija do të linte portin, këqyra sesi mbërriti francezi i vogël me gruan e tij. Ata ishin t’fundit pasagjerë që iu ngjitën anijes sonë. Sapo u ngjitën në kuvertë, burri vogëlan mori përshëndetjen e kapitenit në frëngjisht.
Nga përshëndetja e kapitenit, mësova se njeriu vogëlan ishte Guvernator i një kolonie frënge dhe gruaja e stërmadhe, që e shoqëronte, bash e shoqja e tij.
Ndërkohë, anija la portin menjëherë sapo burri vogëlan dhe e shoqja u ngjitën në bord. Pak më vonë shkova poshtë kuvertës bashkë me të gjithë pasagjerët e tjerë dhe u bashkuam në dhomën e vogël të ngrënies. Kishte fare pak pasagjerë dhe të gjithë po shijonim sillën me kapitenin.
Guvernatori së bashku me të shoqen qëndronin ulur pranë njëri-tjetrit dhe të jepnin përshtypjen e një çifti shumë të çuditshëm. Ishte një njeri i vogël, trashaluq dhe i shëmtuar. Kishte një fytyrë të rrumbullakët dhe për më tepër ishte edhe tullac. E shoqja ishte shumë e gjatë dhe qëndronte e ulur me trupin e mbajtur drejt në karrigen e saj. Ishin të dy të një moshe rreth pesëdhjetë e pesë.
Në fakt, Guvernatori ishte një person i këndshëm dhe i pëlqente të fliste shumë gjatë sillës. Përbri, e shoqja, nuk fliste asnjë fjalë por këqyra se ajo ishte e shumë dashuruar me të shoqin. Nga koha në kohë, ata dukeshin se shtrëngonin duart e njëri-tjetrit nën tavolinë. E shfaqnin hapur se kishin një martesë të lumtur.
Pas drekës, të gjithë dolëm nga kabinat tona në kuvertë. U prehëm gjatë të nxehtit të pasmesditës. Në mbrëmje, e takuam sërish njëri-tjetrin për darkë. Sërish, Guvernatori fliste këndshëm dhe e shoqja qëndronte qetësisht pafolur ndanë tij. I mbanin duart e shtrënguara nga koha më kohë dhe i buzëqeshnin njëri-tjetrit shpesh lumturisht.
Pas darkës u ngjitëm kuvertës. Unë u ula dhe po shikoja nga deti. Ishte vërtetë një natë shumë e këndshme. Qielli ishte plot me yje që shkëlqenin. Vërtetë një natë për dashuri dhe romancë. Dukeshin se Guvernatori dhe e shoqja mendonin gjithashtu në të njëjtën mënyrë. Ecnin tutje-tëhu kuvertës, të pandarë dhe  me duart e bashkuara. Fillimisht, mendova se kjo ishte disi e këndshme. Por ishte edhe kënaqësi që të shikoje një kopje të vjetër të martuar, që ishin ende në dashuri me njëri-tjetrin.
Pas pak, ndaluan pranë meje. Po i mbanin duart sërish të bashkuara. Guvernatori rrinte i heshtur, por kjo zgjati vetëm për pak. Kjo dukej jo e zakonshme për të. Ngaqë, në sillën e drekës dhe në darkë, na kishte zbavitur të gjithëve me bisedën e tij interesante. Të paktën, ai fliste, ndryshe nga ne.
“Monsieur”, filloi dikur ai. “Sot është një ditë e rëndësishme për jetën time. Sot është përvjetori ynë. Është një përvjetor që përkon me kohën kur takova për herë të parë gruan. Dhe, përkon po me të njëjtën ditë, kur ajo më premtoi të bëhej gruaja ime”.
Unë s’thashë asgjë. S’kishte asgjë të jashtëzakonshme rreth kësaj që po më thoshte. Nuk ishte e çuditshme ta takoje gruan në një ditë dhe po atë moment t’i kërkoje të martoheshe një vit më vonë ose kurdo herë tjetër. Por Guvernatori vazhdoi më tej me rrëfimin e tij.
“E di se çfarë po mendoni, Monsieur”, më tha.
“Ju po mendoni se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë histori. Por gaboheni. Është e jashtëzakonshme. E takova gruan time dhe i kërkova asaj bash në të njëjtën ditë që u njohëm të martoheshim me njëri-tjetrin”.
Unë u habita. Po, kjo vërtet ishte e jashtëzakonshme.
“Ju vazhdimisht i bezdisni njerëzit, duke i treguar këtë histori”, i tha e shoqja. Vetëm se po qeshte ndërsa ai fliste. Ndjeva se ishte e lumtur ta dëgjonte historinë dhe njëherë tjetër.
“Martesa jonë është një martesë përshtatshmërie”, shtoi Guvernatori.
“Kjo është e vërtetë”, e ndërpreu e shoqja. “Është një martesë përshtatshmërie. Por  ngandonjëherë dashuria vjen pas martesës. Është mirë kur dashuria vjen pas martesës-ajo zgjat shumë më tepër”.
Dhe, ndërsa filloi të flasë e mbante dorën e të shoqit me dashuri.
“Më lini t’jua shpjegoj”, vazhdoi Guvernatori.
“Unë iu bashkova marinës së Francës kur isha fare i ri. Kalova shumë vjet në marinë dhe dola në pension vetëm dyzetë e nëntë vjeç. Atëkohë, isha ende i fortë dhe i shëndetshëm. Doja të bëja diçka tjetër në jetë, përpara se të plakesha”.
“Fatmirësisht, kisha një kushëri, i cili kishte një pozitë të rëndësishme në Qeveri. Ai mund të më ndihmonte për këtë hall. Pasi kam pritur pak, shkova ta takoja në Ministrinë e Kolonive. Ai më propozoi se mund të bënte diçka, nëse do të më pëlqente një punë si Guvernator në ndonjë nga kolonitë. Kolonia, kuptohet, se ishte larg Francës, por kjo s’më shqetësonte. E pranova punën i lumtur.
“Ministri më tha se duhej të nisesha pas një muaji. I thashë se isha gati të nisesha madje që në atë çast. Isha i pamartuar dhe nuk kisha se për kë të kujdesesha”.
“Juve jeni beqar!” u befasua ministri, duke më ngulur sytë me shumë çudi. “Në këtë rast nuk mund ta merrnin këtë punë. Guvernatori i ri duhej të jetë i martuar”.
“Iu luta atij sinqerisht të ma linte këtë punë. Por ai refuzoi”.
“Përfundimisht, -i thashë ministrit: A ka ndonjë mundësi sesi mund ta fitoj këtë punë?”
“Po, ka një të vetme”, më tha ai. “Ju duhet të martoheni”.
“Por si mund të martohem?”, i thashë unë. “Jam dyzetë e nëntë vjeç dhe nuk njoh asnjë grua”.
“Kjo është e lehtë”, më tha ministri. “Vendos një shpallje martese në gazeta. Nëse do të vish pas një muaji dhe do të kesh një grua në krah, atëherë premtoj se do të kesh punën. Por pa grua s’ka të tillë punë”.
“Çfarë bëtë”, e pyeta Guvernatorin.
“Nuk dija se çfarë të bëja”, tha Guvernatori. ‘E lashë zyrën e ministrit me një ndjenjë pakënaqësie të thellë. E doja këtë punën. Dhe, e njihja si funksiononte kolonia. Nuk kishte shumë punë për të bërë dhe rroga ishte e mirë’.
“Papritmas, më erdhi në mëndje diçka se çfarë duhet të bëja. Shkova në një zyrë gazetarie. Vendosa një shpallje martese në gazetë’.
Francezi i vogël u hepua tashmë përpara. Ai më mori krahun dhe tash më foli shtruar.
‘ A e dini sesa përgjigje kam marrë prej shpalljes së vendosur?’ më pyeti.
‘’S’kam ndonjë lloj ideje’, iu përgjigja.
‘E vështirë që ta besoni’, tha guvernatori. ‘Po, po s’besoj ta besoni. Kam pasur plot katër mijë e treqind e shtatëdhjetë e dy përgjigje. Të gjitha arritën në zyrën e gazetës dhe mu desh një taksi që t’i sillja me vete ato në hotel”.
‘Nuk dija se çfarë të bëja. U përpoqa t’i lexoja. Kam harxhuar plot tre ditë për t’i lexuar. Shikoja fotografitë që i shoqëronin këto letra. Disa nga letrat i kishin bërë gra që s’ishin martuar kurrë ndonjëherë. Disa u takonin disa të vejave që u kishin vdekur burrat prej kohësh. Disa ishin të pasura dhe të tjerat të varfra. Ato ishin të gjitha moshave-nga shtatëmbëdhjetë e deri në shtatëdhjetë’.
‘Sa zbavitëse!’, i thashë unë. ‘ Kështu ju arritët të zgjidhnit gruan nga një shpallje”.
‘Jo! Jo!, u hodh ai. “Kishte shumë letra që unë s’dija ç’të bëja. Letrat ishin të shpërndara në të gjithë dyshemenë, mbi tavolina dhe karrige. Si mund të zgjidhja një kandidate të mundshme në mes gjithë këtyre? Pse a mund t’i takoja vallë të gjitha ato? Më duhet të gjeja një grua brenda muajit. Për më tepër, as nuk kishte kohë që të takoje kaq shumë zonja’.
“E kështu, çfarë bëtë?” e pyeta unë.
‘U ula në kafe dhe ndjehesha në një gjendje gati mizerabël. Nuk dija se çfarë të bëja. Befas, pas pak, një mik kaloi në kafe dhe më pa. Ai erdhi dhe ul pranë meje!.
“Pse dukesh kaq shumë i trishtuar?”, më pyet. “Juve jeni zakonisht një njeri i gëzuar”:
‘I tregova mikut tim historinë. Ai qeshi dhe qeshi pafund kur i tregova sesa letra më kishin dërguar dhe si tregova që ato ishin të përhapura në gjithë hapësirën e dhomës së hotelit.
Vërtetë, fillova të inatosesha.
“Kjo është e rëndësishme për mua”, i thashë. “Pse po qeshni? Dua të kem një punë”.
‘Miku im e ndaloi të qeshurën’.
“Vërtetë do të martohesh?”, më pyeti.
“Natyrisht që po”, i thashë. “Dua të martohem. Dhe, dua të martohem brenda dy javëve”.
“Mjaft u inatose me mua, më tha. Tani, më dëgjo me kujdes. Kam një kushërirë, e cila jeton në Gjenevë. Është moshatare me ty dhe duhet të keni gati të njëjtën moshë. Ajo s’është martuar kurrë sepse i është dashur të kujdesej për të ëmën e sëmurë. Nëna e saj vdiq dhe kushërira ime tashmë mund të martohet”.
“Por a do të dojë vallë kushërira juaj të martohet me mua?”, e pyeta. “Nuk jam i paraqitshëm. E, në fakt, jam ashtu si e sheh shumë i shëmtuar”.
“Nuk ka rëndësi nëse je i shëmtuar apo jo”, më tha miku im. “Asnjëherë s’do ta kuptosh në jetë se çfarë do një grua. Pse nuk shkon vetë në Gjenevë dhe ta pyesësh. Është më mirë të shkosh në Gjenevë sesa ta intervistosh këto katërmijë e treqind e shtatëdhjetë dy gra”.
‘Që ta pres shkurt, Monsieur’, vazhdoi Guvernatori”. E mora të mirëqenë këshillën e  mikut. Ne shkuam së bashku dhe blemë një kuti çokollatash. Ndërkaq, unë mora trenin e mbrëmjes për në Gjenevë.
“Mëngjesin tjetër, shkova në hotel dhe i dërgova zonjës një pusullë. I shkrova në letër se isha një mik i kushëririt të saj. Kisha me vete një kuti me çokollata për të. I kërkova një mundësi se kur mund të shiheshim”.
“Ajo mu përgjigj menjëherë dhe tha se mund të më priste në mbrëmje në orën katër”.’Ndërsa ora ra katër herë, unë po trokisja në derën e saj, e cila u hap menjëherë. Kam mbetur vërtetë i magjepsur, Monsieur. Përballë meje qëndronte një grua e mrekullueshme.
“U bëra shumë nervoz dhe gati më ra nga duart kutia me çokollata”, vazhdoi Guvernatori. “U futa brenda dhe u ula. Ia lashë kutinë me çokollata. I thashë asaj shpejt të gjitha të rejat, që lidheshin me kushëririn e saj në Paris. Ne kemi folur për gati treçerek ore. E pashë se ajo ishte shumë e këndshme dhe tepër interesante.
“Isha shumë nervoz. Por duhet t’ia thosha. Duhet t’i thosha të paktën se  pse kisha ardhur që ta takoja’.
“Mademoiselle”, i thashë, “Kam ardhur dhe për të qenë i sinqertë jo thjesht që t’ju sjellë këtë kuti çokollatash. Erdha t’ju kërkoj që të martohemi bashkë”.
“Ajo u ngrit menjëherë. Më pa me shumë habi që nga sytë e saj”.
“Monsieur”, më tha sëfundi. Besoj se duhet të jeni i çmendur”.
“Ju lutem më lini t’ju shpjegohem”.
‘Dhe përpara se të thoshte qoftë edhe një fjalë tjetër, i tregova asaj të gjithë historinë time. Kur i thashë se ç’më ndodhi me përgjigjet e letrave, ajo qeshi pafund’.
‘Po më tregon të vërtetën?, më pyeti. “Vërtetë do të martohesh me mua?”
“Mademoiselle, iu përgjigja, S’kam dashur kurrë ndonjëherë ndonjë gjë më shumë se këtë në jetën time”.
“Por mua më duhet kohë të mendohem”, mu përgjigj.
“Më vjen keq, Mademoiselle”, iu përgjigja. “Nuk kam më kohë. Nëse nuk vendosni të martoheni me mua, duhet të nxitoj për në Paris. Duhet të këqyr mirë në pirgun me letra që pret përgjigje nga unë”.
“Por s’mund t’ju jap një përgjigje kaq të shpejtë”, përsëriti. “Më duhet të mendohem. Dhe, duhet ta diskutoj dhe me miqtë por edhe me familjen time”.
“Mademoiselle”, i thashë, “Ju s’keni nevojë ta diskutoni me askënd. Ja u kam thënë të gjitha. Jeni një grua inteligjente. Dhe, nuk ka kohë të mendoheni për këtë. “Duhet që nëse do të më përgjigjeni për këtë, të ma jepni tani”.
“Por kjo është çmenduri, Monsieur!” bërtiti. “Ju doni që unë t’ju jap një përgjigje menjëherë në këtë çast?”
“Kjo është tamam ajo që po ju them, i thashë .Treni im niset për në Paris pas dy orësh”.
‘Ajo më pa krejt e menduar’.
“Qenkeni krejtësisht i krisur”, më tha ajo.
“Cila është përgjigja juaj?” e pyeta. Po apo jo?”
‘Pas një momenti, ajo më dha përgjigjen. Ishte po’.
‘Dhe, tani ajo është e ulur pranë jush, Monsieur’, tha Guvernatori. “Ne jemi martuar dy javë më vonë dhe unë u bëra Guvernator në një nga kolonitë. U martova me gruan më të bukur, Monsieur. E mrekullueshme, magjepsëse dhe një grua kaq inteligjente’.
‘Mos u bëj budalla’, e ndërpreu e shoqja. Po na bën që të dukemi budallenj përpara syve të këtij zotërie’.
‘ Jeni beqar Monsieur?’ më pyeti Guvernatori. ‘Nëse jeni, atëherë ju sugjeroj që të shkoni në Gjenevë. Qyteti është plot me gra të bukura, të mrekullueshme dhe inteligjente. Çdokush që do të martohet duhet të shkoj e ta gjej gruan në Gjenevë’.
Ishte një histori shumë zbavitëse. Ishte kaq e mrekullueshme për të parë sesi të dy ata ishin kaq të lumtur në martesë.
“Shikoj se martesa juaj ka dalë e suksesshme”, i thashë. “A mund të më thoni sekretin e këtij suksesi?’
Ishte gruaja e Guvernatorit që do të përgjigjej në këtë rast.
‘E vërteta është kjo’, tha ajo. “Në martesën e përshtatshmërisë ju nuk prisni të gjeni dashuri dhe gëzim. “Dhe, kështu, ju nuk jeni i zhgënjyer nëse ju nuk i gjeni ato”.
‘Dashuria nuk është ajo që përbën garancinë për fillimin e mirë të një martese. Për dy njerëz, të cilët duhet të jenë të lumtur në një martesë, ata duhet që ta respektojnë njëri-tjetrin. Ata duhet të kenë sfond të njëjtë familjar dhe po interesa të ngjashme. Atëherë, s’ka asnjë arsye sepse martesa e tyre s’mund të jetë po kaq e lumtur sa edhe jona’.
Por ishte sërish gruaja e Guvernatorit që tha fjalinë e fundit.
‘Natyrisht’, tha ajo, ‘Ju duhet të kujtoni edhe diçka se burri im është njeriu më i mrekullueshëm”.
 
*Përktheu nga origjinali Ben Andoni

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk