Androniqi Zengo Antoniu, “qind për qind impresioniste” merr çmim në Nju Jork
Androniqi Zengo Antoniu, 26.5.1913 – 10.2.2000, u lind në
Korçë në familjen Zengo, e njohur si familje artistësh të penelit, drugdhendjes
e fotografisë. E para piktore grua në historinë e artit figurativ shqiptar, ajo
studioi në Akademinë e Arteve të Bukura të Athinës për pikturë e skulpturë.
Piktore e cilësuar që në hapat e saj të parë “qind për qind impresioniste”, nga
mbi 500 vepra në vaj, 55 punë i ruhen në Galerinë e Arteve në Tiranë. Si
ikonografe ka punuar në zbukurimin e tetë kishave në Korçë, Tiranë dhe vende të
tjera të Shqipërisë. Punoi që 11 vjeçe si ndihmëse e të atit, Vangjel Zengo,
për të pikturuar sfondet dhe veshjet e shenjtorëve tek ikonat që bënte ai.
Ekspozitën e parë me punët e saj e hapi në Korçë, më 1935, të dytën në Tiranë,
më 1937, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë. Ka marrë pjesë me 15 punime në
ekspozitën botërore të Nju Jorkut më 1939 dhe po atë vit në Bari në konkursin
ndërkombëtar “Premio Albania”, ku u vlerësua me çmimin e tretë për veprën “Kalaja
e Petrelës”. Në vitin 1941 u martua me këngëtarin e njohur lirik Kristaq
Antoniu. Më 1964, realizoi pikturimin e kishës së re të Vangjelizmoit në
Tiranë. Më 1963, u organizua ekspozita e saj e katërt me rastin e 50-vjetorit
të lindjes. Po atë vit merr pjesë në Bienalen e Aleksandrisë, në Egjipt, nga e
cila i vijnë dhe dy medalje.
Comments
Post a Comment