Librat, biznes i dështuar
Librashitësit në Kosovë thonë se libri ka ngecje të
vazhdueshme, në krahasim me vitet e kaluara. “Libri duhet blerë, por në kushte
të këqija financiare, e duke dashur t’i sigurojnë të paktën gjërat elementare,
kanë pamundësi që t`i blejmë ata, prandaj edhe u mungon libri në shtëpi”,
kështu thonë librashitës në qendër të kryeqytetit. “Nganjëherë bëhet edhe “pazar”
kur kemi të bëjmë me studentë, ngase jeta e tyre është e varfër nga xhepi, por
e lidhur krejtësisht me librin, prandaj ata gjithnjë kërkojnë që të ulim çmimin
e shitjes”, tregon Mirsad Krasniqi, shitës ambulant në sheshin “Nënë Tereza”.
“Duke pa se sa keq është jeta sidomos e studentëve, kemi mirëkuptim në uljen
sadopak të çmimit mirëpo, kjo nuk varet shumë prej nesh”, tha Krasniqi. Në
librarinë universitare “Artini” thonë ka nisur të bjerë interesimi për veprat
letrare dhe veprat e fushave të tjera, si ato filozofike, sociale apo
historike, të cilat përditë e më pak po shiten, përveç atyre librave
universitarë që janë obligim të blihen nga studentët, thotë Jahir Ahmeti,
drejtor i librarisë. “Vizitorët më të shpeshtë i kemi studentët që kërkojnë
libra që u nevojiten për studime, të tjerë blerës duken shumë më pak”. Ndërsa
qytetari kosovar që jeton në Suedi, Muharrem Krasniqi, tregon se në bibiotekën
e qytetit ku jeton ai ekzistojnë vetëm dy libra në gjuhën shqipe, edhe atë me
botim të Shqipërisë dhe shumë të vjetëruar. “Jam i zhgënjyer pse s`ka libra
shqip në Suedi, ndërsa shoh se libra të rajonit gjenden aty, kurse për çmimet
mendoj se nuk janë shumë të shtrenjta”, tha Krasniqi. Blerta Pllana, studente
në Fakultetin e Edukimit, thotë se librat që i kemi për obligim në fakultet
duhet blerë patjetër, kushtojnë sa kushtojnë, por për librat e “qejfit” siç i
quan ajo, mendon se janë paksa të shtrenjta krahasim me standardin që ka vendi
ynë. “Krahasuar me vendet e rajonit, librat që botohen atje kushtojnë më lirë,
ndërsa e njëjta procedurë në Kosovë kushton më shtrenjtë. “16% i TVSH-së e bën
librin më të shtrejtë, pse duhet të jetë libri me TVSH. Nuk e kuptoj”, shton
ajo. Botuesit thonë se interesimi i blerësve në përgjithësi kohëve të fundit ka
kaluar në libra të përkthyer nga gjuhët e huaja, ngase shitësit tregojnë se
arsyetimi i blerësve është se nuk po munden ta njohin botën ndryshe pasi nuk
kanë mundësi qarkullimi, janë një numër i madh i lexuesve që thonë se “po e
njohim botën nga autorët e huaj”.
Për botuesit e librit ka pak optimizëm për ndryshimin e
situatës, ndërsa kërkojnë që të ndërmerren edhe fushata që do të nxisin leximin
te të rinjtë, si lexuesë të së nesërmes. Kështu mendon edhe kryetari i Unionit
të Botuesve, Behxhet Bici, “Në rajon ndoshta e ka koston më të ulët, përkundër
shumë specifikave si në procesin e bërjes së librit absolutisht mendoj se në
rajon janë çmimet më të lira”, thotë Bici. Por për dallim nga vitet e shkuara
ata që merren me librin, thonë se ndonëse nuk ka shitje të mjaftueshme, kjo
sipas statistikave vjetore të librashitësve, kohëve të fundit ka rritje të
botimit të librave.
Drilon Pulaj-Zeri.info
Comments
Post a Comment