Realizmi socialist
Nga Ismail Kadare
"Zëri i Popullit", 13 janar 1974
Dihet se qysh nga kohët më të lashta, strukturat e mëdha
burokratike e militariste, pra shtetet e mëdha agresive si psh; Perandoria
Romake, duke përkrahur letërsinë zyrtare kanë rënë shpesh herë në konflikte të
hapura me letërsinë dhe artin përparimtar. Kjo ka qënë e natyrshme, sepse ky
art në përgjithësi nuk mund të pajtohej me frymën agresive, me dëshirën për
hegjemoni dhe sundim të botës e cila ishte promotori i gjithë propagandave të
këtyre shteteve. E njëjta ndodh sot me superfuqitë e kohës sonë. Shtetet e
Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik. Letërsitë dhe artet e këtyre vendeve prej
kohësh janë përpara një alternative; ose të deformohen plotësisht sipas
interesave antipopullore të këtyre regjimeve, ose të zhduken. Pra profecitë për
vdekjen e tyre në fund të fundit, nuk janë tjetër, veçse kërcënime të tërthorta
që u bëhen letërsisë dhe artit në qoftëse ato nuk konformohen plotësisht me
qëllimet hegjemoniste agresive të këtyre superfuqive.
Për sa u përket popujve që luftojnë për liri dhe pavarësi,
historia ka treguar dhe vazhdon të tregojë se tek letërsia dhe artet ata kanë
gjetur gjithmonë një mbështetje të sigurtë në luftën dhe në aspiratat e tyre.
Historia e vendit tonë e rikonfirmon me forcë të vecantë këtë. Shoku Enver ka
thënë se 'populli ynë nuk e ka ndarë kurrë dyfekun me gjalmë, nga libri,
shpatën nga pena, trimërinë nga dituria...' Dhe kjo është një e vërtetë e
madhe. Populli ynë që e ka pasur gjithmonë në qendër të kujtesës së tij kombëtare
Skënderbeun, nuk e ka nxjerrë kurrë në periferi të saj Naim Frashërin. Popullin
tonë i është dashur shumë herë të ngrihet i vetëm kundër rrezikut të zhdukjes
nga faqja e dheut. Por as agresioni, që vdekjet, as uria, as rrebeshet e
historisë nuk ja kanë humbur atij asnjëherë bukurinë e fjalës, të gdhendjes të
titullit. Përkundrazi, ky fat i vështirë ja ka prefeksionuar ato gjerë në
virtuozitet. Ç'art i mrekullueshëm duhet të jetë ai për të cilin populli ka
nevojë në ditë të mira dhe të këqia. Ç'provë e madhe është për letërsinë dhe
artet kjo dashuri e popullit për të në momentet kyçe të historisë dhe sa
qesharakë duken ata estetë pozamëdhenjë që me sofizma të pafund në kabinetet e
tyre belbëzojnë nëse duhet ose nuk duhet të ekzistojnë letërsia dhe arti.
Fakti i madh që populli, midis varfërisë së tij të thellë, i
pa ngrënë dhe i paveshur, midis halleve, këto male të dyta të vendit, e deshi
gjithmonë artin, tregon se ai ka pasur arsye të thella për këtë. Populli
gjithmonë ka arësye të mëdha për të bërë një gjë. Arësye të mëdha për të
dashuruar, arësye të mëdha për të urryer. Ai e ka dashur poezinë shqipe,
letërsinë dhe artet e tjera sepse ato kanë qënë të lidhura me fatet e tij. Kjo
lidhje me fatet e popullit dhe të kombit është tipari kryesor më i rëndësishmi
dhe më i pavdekshmi i letërisë dhe i arteve tona. Të gjitha vlerat e tjera të
këtij arti shekullor do të asgjesoheshin pa këtë vlerë thelbësore të tij. Kjo
lidhje ka qënë fati më i madh i kësaj letërsie, ashtu si do të ishte fatkeqësia
më e madhe e saj ndarja prej popullit. Letërsia jonë e realizmit socialist e
trashëgoi si thesarin më të shtrenjtë këtë lidhje, duke pasuruar e ngritur në
një shkallë më të lartë atë me idetë e revolucionit dhe të komunizmit.
Partishmëria proletare e letërsisë sonë të realizmit socialist është shprehja
më e lartë e lidhjes së plotë të saj, si asnjëherë tjetër, me fatet e popullit.
Të gjithë ne shkrimtarët e realizmit socialist kemi një
përgjegjësi të madhe për ta ruajtur të paprekur këtë thesar shpirtëror të
pacmuar.
Në të tridhjetë vjetët e moshës së saj, letërsia jonë e re e
realizmit socialist ka njohur suksese dhe gëzime të mëdha. E vënë pa asnjë
rezervë në shërbim të revolucionit, komuniste dhe kombëtare njëkohësisht, ajo i
ka larë njëherë e përgjithmonë llogaritë me gjithë ndryshkun shekullor të artit
feudal - borgjez, me misticizmin, irealimzin, sentimentalizmin, bulevardizmin,
me historitë iluzive të vajzave të të varfërve me 'princët e kaltërt', me një
fjalë gjithë trillimet e kuzhinave shekullore të botës së vjetër. Ajo ka
vazhduar të bëj një luftë të sukesshme kur këto trillime, pasi i ka dëbuar nga
dera, janë përpjekur të hynë nga dritarja të veshura me petkun modern. Detyra e
ruajtjes së pastërtisë së artit tonë është sa e vështirë aq edhe madhështore,
sidomos në kohën e sotme plot furtuna revolucionesh e kundërrevolucionesh. E
vërteta është se megjithë sukseset që janë arritur, megjithse trungun kryesor
të letërsisë dhe të arteve e kemi ruajtur të pastër, nuk mund të themi se i
kemi mbrojtur siduhet të gjitha degët e tij. E përplasur mbi to, vala e
ndërshkimeve ka bërë dëme, disa herë thyerje, dhe për këtë përgjegjësia na
takon ne të gjithëve. Por letërisa dhe artet tona kanë një lidhje të tillë të
thellë me revolucionin dhe me kombin, sa që për një kohë të shkurtër janë në
gjendje të rigjenerojnë plotësisht degët e dëmtuara. Por kjo nuk duhet të na
verë në gjumë. Në të ardhmen nuk pritet asnjë dobësi; përkundrazi do të ketë
gjithmonë dëndësime të këtyre valëve goditëse. Agresioni është po aq i vjetër
sa edhe shoqëria me klasa (Homeri, shkrimtari i parë i planetit tonë, nuk
shkroi vecse për një agresion). Por në asnjë shekull ai nuk ka qënë aq global,
tinzar dhe i shumëfytyrshëm sa në kohën tonë. Dhe kjo është e kuptueshme,
përderisa kjo është epokë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Agresioni nuk
tregon forcën e agresorëve, por përkundrazi, frikën, panikun e tyre përpara
historisë. Gjysma e dytë e shekullit tonë po bëhet dëshmitare e një
intensifikimi të pashembull të agresionit. Nuk është më agresioni i vjetër
klasik, prania e të cilit ndihej vetëm kur shkelte cizmja e të huajt mbi tokën
tënde. Tani armikun mund ta kesh mijëra kilometra larg, me të mund të mos
shkëmbesh asnjë pushkë e, megjithatë, pa e kuptuar, mund të fillosh të biesh
viktimë e agresionit të tij. Agresioni kultural, agresioni i fjalës, i
titullit, i ngjyrave nuk është më pak i rrezikshëm se agresioni i cizmes së
ushtarit.
Një nga dëshirat e drejtuesve të superfuqive është që bota
të jetë memece, në mënyrë që ajo të mos i gjykojë dot krimet e tyre. Mirëpo
njerëzit kanë lindur me gjuhë. Atëherë, arësyetojnë, ata, nëqoftëse njerëzit
nuk i detyron dot të mos flasin, përpiqen që ata të belbëzojnë në mënyrë sa më
të pakuptueshme, si të marrët. Dhe kështu vazhdon gara e ethëshme për të
krijuar libra sa më të degraduara, poezi hermetike, prozë të çoroditur, tinguj
kafëshorë, kompozime abstrakte. I gjithë ky belbëzim, që shpesh u ngjan
belbëzimeve të të sëmurëve psikik, është një shërbim i madh që i bëhet
borgjezisë së sotme, shërbim të cilin ajo e cmon së tepërmi. Historia e
dekadentizmit, ashtu si ajo e gjithë artit, është shekullore, por në asnjë
shekull ai nuk ka pasur një shpërthim të tillë si sot. Kjo ndodh sepse në asnjë
shekull klasat sunduese nuk janë gjendur ndonjëherë kaq pranë humnerës si në
këtë shekull. Në një gjendje të dëshpëruar, ato ndodhen vazhdimisht në një
aktivitet të ethshëm në të gjitha fushat - ekonomike, ushtarake, politike,
morale, ideologjike, artistike, në mënyrë që t'i shmangen katastrofës. Në
terrenin e letërsisë dhe të arteve duke kuptuar se lidhja e letërsisë dhe e
arteve me fatin e popullit është fatkeqësia më e madhe për ta, shpejtojnë ta
shkallmojnë me të gjitha mënyrat këtë lidhja. Në qoftëse do të kërkonim të
gjenim dy fjalë që të përmblidhnin sa më qartë esencën e gjithë asaj morie
izmash të asaj flore të sotme të helmatisur borgjeze e revizioniste, këto fjalë
do të ishin 'ndajra nga populli'. Kjo ngjarje është synimi i përbashkët i
gjithë propagandave të sotme reaksionare.
Mirëpo borgjezia dhe revizionistët, duke e kuptuar se
thirrja për ndarjen e artit nga populli, ka në vetvete rrezikun e
diskreditimit, kërkojnë rrugë më të stërholluara e të maskuara për të realizuar
këtë ndarje. Ata e fillojnë rrethimin shumë larg. Për të humbur gjurmët, ata
nuk bëjnë thirrje për ndarje nga populli, por për ndarje nga njeriu në
përgjithësi. Kështu shpjegohet ai pasion për dehumanizimin e artit, për
mënjanimin e njeriut dhe për zëvendësimin e tij me fetishe e maska.
Superioriteti im është se unë s'kam zemër, ka thënë një poet dekadent. Kështu
shpjegohet për primitivizmin, për mendimin paralogjik, i cili, sipas tyre,
është më i thellë, sepse vjen që nga larg, nga barbaria. Lidhur me këto janë
përpjekjet për shthurjen e kohës në veprën letrare, për shkatërrimin e ligjeve
të kompozicionit, të sintaksës dhe më në fund të gjuhës. (Një nga
kryedekadentët, Xhojsi, është përpjekur, për shembull, të krijojë një vepër të
tij - gjuhën e ujit dhe të erës).
Edhe në rastet kur dekadentët e pranojnë njeriun në veprat e
tyre, ky nuk është njeri në kuptimin normal të kësaj fjale. Më tepër se një
njeri, ai është një surrogate i tij, një qënie biologjike, jashtë kohës,
hapësirës dhe shoqërisë. Pikërisht një njeri të tillë, dekadentizmi përpiqet ta
bëjë hero tipik të kohës. 'Njeriu pa cilësi', është titulli i romanit voluminoz
të Myzilit, një nga katekizmat e dekadentizmit modern. Dihet se njeriu që nuk i
përket asnjë shoqërie, humbet identitetin e vet dhe kthehet kështu në një
maskë. Për të tilla maska ka shumë nevojë sot reaksioni botëror. Kështu arti borgjez
përpiqet sot të krijojë një model të ri antiheroi, një autsajdër (ai që është
jashtë), sic e kanë pagëzuar në Perëndim. Ky autsajdër, i cili mbush librat,
skenat dhe filmat e botës borgjeze e revizioniste, mishëron ikjen nga bota
jonë, dezertimin e turpshëm nga koha. Ai nuk është ndonjë shpikje e re;
përkundrazi, rrënjët e tij duhet t'i kërkojmë thellë tek Bibla dhe Kurani, këto
puse të pashtershme ideshë reaksionare. S'është e rastit që një nga ideologët e
sotëm borgjezë ka shkruar: "individi e nis këtë udhë të gjatë si autsajdër
dhe do ta mbarojë, ndoshta, si një shenjt". Hipitë e sotëm, autsajderët,
antiherojtë e Kamysit ose të Beketit, nuk janë tjetër vecse modifikime të
shenjtorëve mjekërgjatë që bridhnin qysh para 2000 vjetëve e më pas nëpër shkretëtirat
e Sinait, heremitët, pelegrinët jezuitë dhe musulmanët që niseshin për
haxhillëk në Mekë. Gjithë ky arsenal errësire dhe myku është trashëguar nga
arti i sotëm borgjez e revisionist. Duke e trashëguar atë, ky art i degraduar,
megjithse pretendon të jetë i kohës e modern, në të vërtetë tregon se është i
vjetër e dogmatic sa s'ka ku të vejë më.
Në pleniumin e 4-të të Komitetit Qendror të Partisë shoku
Enver, në një mënyrë thellësisht marksiste, zbërtheu esencën e vërtetë
konservatore të borgjezisë dhe të revizionistit të sotëm. "Karakter
konservator - thotë shoku Enver, - kanë jo vetëm ideologjitë e vjetra që vinë
nga thellësitë e shekujve, por edhe ideologjia e kultura e sotme e degjeneruar
borgjeze e revizioniste, i gjithë liberalizmi e modernizmi i tyre". Duke
zbatuar tezën e shokut Enver në terrenin e letërsisë dhe të arteve, nuk është
vështirë të dallojmë në kohën tonë aleancën e shenjtë të konservatorizmit më të
tërbuar me modernizmin më të shthurur. Le të kujtojmë disa fakte nga historia e
letërsisë sonë. Cili ka qënë konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo
vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigja është e qartë për të
gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues i
çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues
i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi - ky është portreti i këtij
letrari prift. Mirëpo, nga ana tjetër po të bëjmë pyetje se cili ka qënë
liberali më i madh i letërsisë sonë, përgjigja është po ajo: përsëri Gjergj
Fishta. Filoitalian i papërmbajtshëm, agjent i Vatikanit, emisar i pushtimit
fashist, partizan i çkombëtarizimit dhe i romanizimit të kulturës sonë. Pra,
nga një anë kryekonservator fanatik, nga ana tjetër kryeliberal. Shovinist i
tërbuar dhe njëkohësisht kozmopolit i tërbuar. Kur ishte fjala për idetë e reja
shoqërore, përparimin, për revolucionin, ai ishte konservatori më fanatik. Kur
ishte fjala për fatet e atdheut, për lirinë, për kufijtë ai ishte liberali më i
madh.
Të njëjtin shembull na e jep figura e letrarit fashist
Ernest Koliqi. Konservatorizmi i tij ekstrem nuk e pengoi të shfrytëzonte në
veprën e tij reaksionare, një teori aq të shtrenjtë për modernizmin e sotëm,
frojdizmin. Kështu në tregimet e tij, ai herë na paraqitet si një namuslli
turkoshak, herë si një gagarelë evropjan.
Dhe në përgjithsi është vështirë të gjendet një teori tjetër
që t'u ketë shërbyer me aq zell si konservatorizmit ashtu edhe liberalizmit, sa
frojdizmi. Esenca e tij konservatore - thirrje për kthim drejt barbarisë, nuk e
pengon aspak, përkundrazi i ndjell akoma më shumë drejt tij dekadentët e të
gjitha ngjyrave.
Kjo aleancë e shenjtë midis konservatorizmit dhe
liberalizmit është plotësisht e shpjegueshme po ta shikojmë problemin nga
pikpamja marksiste. Në fund të fundit qëllimi i të dy palëve, konservatore dhe
liberale është një; kthimi në botën e përmbysur, rifitimi i 'parajsës së
humbur'.
Ndërsa sulen me tërbim për të shkallmuar spirancën që e lidh
njeriun dhe artin e tij me shoqërinë dhe komunitetin njerzor, dekadentët nuk
harrojnë për asnjë cast të sulmojnë spirancën tjetër, atë që e mban njeriun dhe
artin e tij të lidhur me popullin e vet, me kombin dhe karakterin kombëtar. Ata
godasin me tërbim këto dy spiranca, sepse e dinë që me shkallmimin e tyre vlerat
shpirtërore do të mbeten në mëshirën e errësirës dhe dallgëve të tërbuara të
reaksionit botëror.
Nuk është e rastit që pseudoshkrimtari dhe armiku i partisë
Fadil Paçrami i linte të mbushura pseudodramat e tij me hije dhe jo me njerëz.
Nuk është e rastit që ai bashkë me Todi Lubonjën ishin kundërshtarë të tërbuar
të karakterit kombëtar në artet tona. Në poezi, F. Paçrami urrente figurën e
baballarëve, në skulpturë figurën e nënës, në prozë përbuzte plakat shamizeza.
Ai tmerrohej nga figura e Skëndërbeut me keq se një pasha turk. Pra, ai nuk
duronte dot asgjë që kishte lidhje me themelet e popullit dhe të kombit. Nga
kjo pikpamje ai të kujtonte ata pseudodijetarë të Ishullit të Laputëve, për të
cilët Suifti tregon se kërkonin të shpiknin një metodë për të filluar ndërtimin
e shtëpive nga catia. Djathtizmi i T. Lubonjës e F. Paçramit, kozmopolitizmi,
urrejtja për folklorin dhe antishqiptarizmi i tyre, treguan dhe një herë se
lufta e klasave në terrenin e letërsisë dhe të arteve është e gjallë dhe do të
jetë e tillë për një kohë shumë të gjatë.
Si pjesë përbërëse e mekanizmit të revolucionit, realizmi
socialist ka pasur, ka dhe do të ketë po ata armiq që ka revolucioni. Tërbimi i
tyre, rrufetë që ata lëshojnë mbi të, nuk tregojnë gjë tjetër vecse fuqinë dhe
rrezikshmërinë e tij për klasat sunduese. Akuzat për gjoja ngushtësinë e tij,
për pamundësitë e tij, për rregullat kufizuese që i shkurtojnë jetë, koha i ka
hedhur do i hedhë poshtë njerën pas tjetrës. Realizmi socialist është art i së
ardhmes. Asnjë art i gjertanishëm nuk mund të jetë i krahasueshëm më të për nga
mundësitë, epiciteti, thellësia, dramaciteti dhe niveli i lartë ideoartistik.
Këtë omnipotencë ja jep atij revolucioni komunist. Liria që zbërthen
revolucioni është më e madhja liri që është parë ndonjë herë mbi këtë rruzul,
sepse ajo është liri e milionave. Përpara kësaj lirie zbehen si qirinj, liritë
e tjera të kënduara apo të pakënduara në odetet e poetëve. Realizmi socialist
si pjellë e revolucionit gëzon po atë liri të revolucionit. Ai nuk u bindet
kanoneve, rregullave dhe dogmave, sic pretendojnë armiqtë e tij të hapur, ose
miqtë e tij të rremë. Ai u bindet vetëm ligjeve të revolucionit, i njeh dhe i
respekton ato ligje, dhe pikërisht në këtë qëndron jo dobësia dhe
jetëshkurtësia e tij, por përkundrazi forca dhe pavdeksia e tij. Nganjëherë
vetë ne shkrimtarët dhe artistët e realizmit socialist, nuk i njohim, ose nuk i
përdorim dot mundësitë e pakufishme të këtij arti. Marksizmi na mëson që shpesh
herë qëllon që shija e parë e klasës së fitimtarëve mbart me vete elementë të
shijes së fundit të klasës së të mundurve. Shkëputja nga kjo shije është një
detyrë e vazhdueshme e të gjithëve, dhe veanërisht e ne krijuesve.
Duke hedhur poshtë rrënjësisht toerinë e 'realizmit pa cak'
të revizionistit frëng Rozhe Garodi, i cili ka përqëllim integrimin e një pjese
të dekadentizmit në realizmin socialist, ne jemi gjithashtu kundër kufizimeve
artificiale të fushës së veprimit të artit të ri të klasës punëtore. Realizmi
socialist ka një forcë të tillë të brendshme sa që është në gjendje të
shtjellojë në gjirin e tij të gjitha temat, duke filluar nga revolucioni
proletar e gjer në legjendat më të thella të shekujve. Ai është në gjendje ta
rishikojë dhe ta rishpjegojë artistikisht gjithë botën, që nga rrethimi i Trojës
e gjer në rrethimin imperialisto - revisionist. Këtë aftësi të re ndricuese ja
jep atij vetë revolucioni. Dhe pikërisht këtu qëndron esenca e novatorizmit të
tij të madh. Kufizimi në kohë dhe në hapësirë i sferës vepruesme të realizmit
socialist, nuk bën gjë tjetër vecse nga njëra anë, i shkëput rrënjët e këtij
arti nga themelet kombëtare dhe nga ana tjetër i njeh sundimin e plotë, mbi 5
mijë vjet të historisë së popujve, tiranisë, kulturave të të gjitha
superstrukturave të vjetra.
Epoka e kapitalizmit është në perëndim, dhe tonin e artit
botëror, kulmet e tij po i jep e do ti jap akoma më shumë në vitet e ardhshme
jo borgjezia, por klasa punëtore. Realizmi socialist është ende në dekadat e
tija të para. Në vitet e ardhshme ai do të ngushtojë gjithmonë e më tepër
perandorinë kulturale borgjeze - revizioniste, gjersa më në fund ta rrethojë
atë. Letërsia jonë e re shqipe, për vetë pozitën pararojë të partisë dhe të
vendit tonë në luftë kundër botës së vjetër në kuadrin e artit botëror
komunist, ka sot një pozitë të privilegjuar dhe mundësi të pakufishme për vepra
të mëdha.
Comments
Post a Comment