Jani Zengo refuzon murgjërinë, nga Mali i Shenjtë kthehet në Dardhë
Jani Ndoni Zengo (Papajani) 1832 – 1912, u lind në Dardhë të
Korçës. Kaligraf (drugdhendës) fotograf, mësues. Punoi për shumë vite edhe në
Greqi. Që në vitin ‘69 të shek. XIX, filloi të punonte për të krijuar një
alfabet të gjuhës shqipe. U dorëzua prift kur ishte 60 vjeç dhe që të
ungjillizonte shqip në kishë, u përpoq të përkthente ungjillin. Fotografitë e
tij janë shumë të hershme, por e para e dokumentuar i takon vitit 1876. I ati i
Papa Janit, Papa Ndoni, mësues i gjuhës greke në shkollën e Dardhës, ishte
ikonografi i njohur jo vetëm në zonën pranë vendlindjes. Rrugëtimi si ikonograf
e kishte çuar deri në Moskë e Petërburg. Ai e dërgoi të birin në Malin e
Shenjtë, në Greqi, por Janit nuk i pëlqeu jeta e mbyllur e murgjve dhe u kthye
në Dardhë. Papa Ndoni e largoi nga shtëpia për së dyti, kësaj radhe në Korfuz,
ku Jani mësoi gdhendjen e drurit. Gjatë punës në qytete të ndryshme të Greqisë,
mësoi edhe fotografinë. Këtë profesion e ushtroi më pas kudo që vinte. Në fund
të vitit 1878, tregon midis arsimtarëve të shkollës fillore greke të Dardhës
edhe të atin, Papa Ndonin.
Comments
Post a Comment