Kristaq Antoniu, “një yll i ndritur” i viteve të para të kinematografisë rumune
Kristaq Antoniu, 25.12.1907 – 17.3.1979, u lind në
Bukuresht, në një familje shqiptare me origjinë nga Korça. Këngëtar lirik,
tenor e bariton, Antoniu është njëkohësisht pionier i filmit rumun, “një yll i
ndritur” i viteve të para të kinematografisë rumune. Ai shquhej si për zërin me
timbër të veçantë, të ngrohtë e të fuqishëm, ashtu edhe për paraqitjen e
jashtëzakonshme skenike. Në vitet 1924-931 interpretoi në 11 filma. Pikërisht
atëherë “u zbulua” edhe zëri i tij dhe talenti si këngëtar. Shkel për herë të
parë në Shqipëri më 1932, ku dha një koncert në Legatën Amerikane në Tiranë. Më
1934, kryen në Romë një specializim disamujor në konservatorin “Santa Cecila”.
Më pas, një koncert në teatrin rumun “Alhambra” dhe një sërë koncertesh në disa
vende të Evropës. Më 1941, martohet me piktoren e njohur Androniqi Zengo. Në
këtë kohë regjistroi në disqe tek “Columbia” dhe “Kristal” 20 pjesë vokale,
romanca e tango. Më 1942 regjistroi përsëri në “Columbia” 15 këngë popullore
shqiptare, ku e shoqëronte në piano kompozitori Pjetër Dungu. Interpretues i
shumë roleve në operat e vëna në skenë nga Teatri i Operas dhe Baletit të
Tiranës, ai ishte dhe pedagog për shumë këngëtarë të rinj.
Comments
Post a Comment