Behar Gjoka, maratonomaku i ngarendjes nëpër terrin e anatemës
Ka kohë që më ngucatë vullnesa me ndërmarr një yshtje
kumtuese dhe sakaq me dëshmu nëpërmjet një bashkëbisedimi me krijuesin dhe
studiuesin, Behar Gjoka, se ku ishte, asht, dhe për ku asht nis letërsia
shqipe. I ndjekur turravrap nga përgjegjësia promovuese, e një universi të
paanë dhe një rilievi çapraz, ftova në një bisedë, atë që pa shumë modesti
personale, më ka kand me librat dhe guximin e tij, si tekstshkryes ashtu edhe
vullnetmirë. I veshun me petkat e një modestie solemne, si në qasjet e tij
krijuese, dhe në atë kumtuese, Gjoka mëton misionarin e njeriut të sakrificës,
Maratonomakun e ngarendjes nëpër terrin e shtresum të kohës së diktaturës, për
me nxjerr prej andej dritën e bardhë që dergjej nën thundrën e harresës. Si në
krijimtari, ashtu edhe në studime, dallojmë qartazi qëmtuesin symprehtë e
kunguesin buzëhollë. Duke preferuar më shumë ishullin e tij të mrekullive, se
sa xhunglën mediatike, ai zë rendin e shumë prej atyre që i njohim pak, i
çmojmë jo sa duhet, dhe mbartim mbi veten dhe kohën pendesën e të nesërmes.
Asaj kohëardhje që do të zbulojë para nesh se kush ishin ata. Për Behar Gjokën
dhe shumëkënd tjetër të mrum në këtë maxhë, krijimi asht panteoni i
gjenialiteteve, i vendosun në përditshmërinë rutinore. S’duhet domosdo kohë e
potershme e tëhutje historike e shoqnore për me ju përkushtu një tekstshkrimi
që merr përsipër çudibërjen dhe të drejtën për me ardh tek në si një kryevepër.
Mjafton përkushtimi, dhe vullnesa dritëbardhë që një tekst të shkruhet,
masmirit, për vete, për lexuesin dhe për brezat, që tash e marrin si një
testament. Këtë, bashkëbiseduesi ynë e di fort mirë, dhe e ysht fort urtësisht
drejt shtigjeve ku i gjegjet brendia.Kontributi i Behar Gjokës në tekstet
studimore shqipe mëton një tipar dallues dhe ndikues në tekstshkrimin shqip dhe
në hedhjen dritë në terratinë e thellë që kishte mbytur personazhe dhe
protagonistë të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës shqipe. Fal punës dhe
përkushtimit, ne kemi të qartësuar në qiellin e tyre shumë yje që ndrisin në
universin letrar. Orët e pafundme dhe Golgota e gjatë dhe e mundimshme për t’i
qëmtuar deri në skutat më të errëta, ku regjimi dhe anatema i kishin degdisur
autorë si Martin Camaj, Kasem Trebeshina, Migjeni, etj, nuk u tret, por ra në
pah, sëmboi mendjen dhe shkundi plogështinë e institucioneve këqyrjes
tekstshkruese, të cilët e vlerësuan me disa çmime kombëtare për punën e tij
studimore.
Nëse do të kishim vetëm një alternativë të përftimit kumtues
profesional të Behar Gjokës, kush do të ishte; shkrimtar, studiues apo kritik?
Po të nisemi nga librat e botuar, janë nëntë tekste
studimore dhe katër libra, me prozë, ku libri i parë i përket vëllimit me
tregime, ndërsa tre tekste e tjerë janë të llojit të romanit, puna ngatërrohet
disi. Me kritikën letrare, kam lidhje të hershme, ndonëse për hir të së
vërtetës pak e kam lëvruar, mbase edhe për shkak të mungesës së hapësirës me u
shpreh, pra të një reviste apo gazete të specifikuar në këtë lami, sepse në
vitin shkollor 1986-1987, kam mbaruar specializmin për kritikën letrare, pranë
Fakultetit Histori-Filologji. Megjithatë, njeriu i letrave, para së gjithash
është i lidhur me leximin,madje edhe si e vetmja dritare për të mos humbur
ritmin e lëvrimit letrar. Me libra të botuar jam më shumë studiues se sa
shkrimtar.
A mendoni se në të tashmen kemi të bëjmë më mungesë të
kritikës së artit, institucioneve kritike, qofshin këto dhe media, apo besoni
se kjo armë mbrojtëse e vlerave është kthyer në një shtrat ku flirton
mediokriteti?
Në të tashmen i dimë të gjitha… Flasim paksa më seriozisht,
gati-gati nuk e kemi sensin e kritikës, pra të pranimit të mungesës, e mbi të
gjitha të rrekjes për ta pëmirësuar situatën. Në një klimë ku i dimë të gjitha,
ku gjithkushi rezervon të drejtën për të dhënë mendim për gjithçka, mungon
pothuajse plotësisht analiza, e mbi të gjitha mungojnë argumentat e mungesës
apo pranisë së vlerave. Atmosfera e mungestares së madhe, pra të shqyrtimeve
kritike, ka bërë që kriza të shtrihet në të gjithë hapësirat, në art dhe
letërsi, në median vizive dhe të shkruar. Në art dhe letërsi, kritika mungon,
simbas bindjes time, sepse mungon edhe letërsia, por në këtë rast argumentet
shkojnë madje deri tek niveli i shkollës së lartë shqiptare, që e ka për
detyrim të përgadisë ekspertët e fushës. Asnjëri prej universiteteve shqiptare,
të artit dhe të filologjisë, nuk ka as formalisht një lëndë tillë, aq më tepër
që mësimdhënia e këtyre kohëve, u ka rënë për hise çupërlinave, një term i
Mehmet Krajës, që kanë marrë gati të gjithë titujt e mundshëm, vetëmse librat e
mirëfilltë studimorë apo kritikë, të tyre ende nuk po duken në horizont. Pra,
në lidhje me këtë moment mungesa e sotme, do të pasohet nga një mungesë edhe më
e madhe nesër. Nga ana tjetër, në lidhje me librin, gjithnjë e më shumë po bie
në sy roli që kanë marrë përsipër botuesit, të cilët përveç moderimit normal,
pra të nivelit të paraqitjes së një libri, tashmë gjithnjë e më shumë, po hyjnë
në livadhin e kritikës dhe të studimeve letrare, duke e kundruar kështu librin
vetëm si një mall që shitet. Atëhermë, të thuash se po flirton me mediokritetin
është zbukurim, nuk ka hapësirë veprimi, prandaj më tepër po noton në paprani
të shenjave letrare.
Si dhe sa ndikon mediatizimi në promovimin e një teksti apo
autori?
Mediatizimi, është termi i gjetur, për të prekur një plagë
që sa vjen dhe po zë hapësirën kryesore, të pranisë së librit. Sa vjen dhe po
rritet numri i autorëve që i përkasin politikës, madje majave të saj, të cilët
kanë të drejtë të shkruajnë çfarë të duan, porse duke qenë të mediatizuar,
kryesisht për nivelet jashtëlibrore, tashmë po hyjnë me furi në radhën e
shkruesve të librave, veçse duke na zbritur prej së larthi, pra me një
fiktivitet të rrokshëm në marrëdhënie me vlerën, sespe paraqiten edhe si kulme
qysh në ditën e parë të daljes nga shtypi të librave. Mjerisht, media e shkruar
dhe vizive, po promovon gjithçka dhe shumëçka, vlerën dhe mungesën, e mbase
edhe për shkak të gjykimit mesatar, sidomos të opinionistëve të medias, një
term ky i Milan Kunderës, të gazetarëve dhe analistëve të shumëçkaje.
Shqetësimi tjetër, paksa më i rëndë se sa i pari, është se në median shqiptare,
pra vizive dhe të shkruar, në qendër është autori, me famë apo pa famë,
politkanë ose gazetarë, duke u lënë fare në harresë teksti, që na ka sjellë tek
gjendja, që kemi shumë gjeni, por fare pak vlera artistike, që realisht dhe
estetikisht e kapërcejnë gardhin e letrave shqipe. Ekuilibri i përmbysur, ku
dytësorja është kryesore, pra autori i pranishëm dhe teksti pothuajse i
munguar, është një tregues i tërthorët dhe konkret i nivelit të mësimdhënies,
ku dihet se doktorë-profesorat tanë, dje dhe sot, e kanë orientuar leximin dhe
vlerësimin e artit nga autori, nga fama, pra vetëm e vetëm nga dysëtorja…
Botimeve të deritashme shqipe, mendoni se shfaqin anemi dhe
problematika, apo e shihni atë premtues dhe përçues të një tipari përfaqësues
të letrave shqipshkruese?
Nëse me botime të deritanishme kuptohet ajo çfarë është
botuar pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, dallojmë tre prirje
kryesore:-Zbulimi i veprës letrare të Camajt, Pipës, Xhaferrit, Trebeshinës,
Pashkut etj. , si dhe rikthimi i veprës letrare të Fishtës, Konicës, Skiroit,
Kutelit, Koliqit etj. , si një tregues i rikthimit të pashmangshëm, të vlerave
letrare të munguara në panteonin e letrave shqipe.
- Rishkrimi i teksteve, madje edhe duke shënuar përmbysje të
formës dhe të përmbajtjes, në tekste kryesore të Kadaresë, Agollit, Qoses,
Arapit, që qysh nga vitet 44 të shekullit të kaluar, janë përcjellur si korifej
të letrave shqipe.
- Përpëlitja për të shkruar ndryshe, nga një grupim i madhë
autorësh, në Shqipëri dhe në trojet etnike, por që deri më tani më tepër ka
kultivuar një letërsi çmimesh se sa vlerash të mirëfillta letrare, gjithsesi pa
mbërritur që të shkëpusë penjtë nga letërsia e shërbesës së mëhershme.
Nëse do të kishim parasysh këtë pamje, tabloja e letrave
shqipe, nuk duket dhe aq keq, por nëse varim shpresat tek grupimi i mbramë, pra
çmimndarësit dhe çmimfituesit, gjasat janë që do të duhen edhe shumë tekste për
të rrokur ndryshimin, e kaq shumëpritur, në mënyrë që dilet nga anemia, që
askush nuk e di se si mbahet në këmbë kjo ngrehina e shpallur si letrare.
A ka ndikuar dhe a ka gjasa të ndikojë në formësimin e
mentaliteti shoqëror shqiptar, një rrymë
letrare, një autor apo një brez krijuesish. Nëse ka ndodhur dhe qaset të
kthehet në realitet, a mund të të na e rrëfeni?
Historia e kulturës shqiptare, po ashtu edhe të asaj të
letrave shqipe, është më tepër histori e individualiteteve, pra e
personaliteteve që kanë nxitur ecjen e tyre, ndonëse përgjithësisht ka patur
një mungesë koherence të evolucionit letrar, krahasimisht me atë botëror.
Megjithatë, në historinë e letërsisë, ka patur dy moment që kanë një vend të
përveçëm:
Së pari: “Shekulli i ndritshëm” ose pjesa e parë e shekullit
të XX, kur kemi një rrekje serioze për të ecur në njëkohëshmëri me letraren e
përbotshme, çka vjen edhe si larmi shkrimi, me poezinë Fishtës, Poradecit,
Asllanit, Migjenit, Nolit etj. Nga ana tjetër, kemi shkrimin e prozës moderne
prej Konicës, Koliqit, Kutelit etj. , e cila eci në hullinë e shkrimit modern.
Së dyti: Pas këtij harku kohor skena letrare sundohet nga
realizmi socialist, që i shtriu metastazat e veta në gati gjysmën e globit, që
e futi letërsinë shqipe, sidomos të Shqipërisë në kthetrat e shërbesës
ideologjike, por që në fakt e pasuroi letërsinë shqipe, sidomos me lavrimin e
romanit. Mjafton të sjellësh në mend tekstet romanore të Kadaresë, Agollit,
Qoses, etj. , por njëkohësisht me të u zhvillua edhe letërsia e ndryshme prej
saj, ku spikaten emra të tillë si Martin Camaj, Arshi Pipa, Kasëm Trebeshina,
Anton Pashku, Bilal Xhaferri etj.
Sa përfaqësuese e shihni letërsinë shqipe, përfshi atë të
deridjeshme dhe këtë të tashetutjeshmen me atë botërore. Nëse kundroni se diku,
dikush ka guxuar të ngrej krye, cilit do t’i lëshoni në duar këtë trofe?
Në fakt letërsia shqipe, edhe tani është si një ishull që
komunikon më shumë me veten, pra gjendet si e rrethekuar në gardhin e vetë.
Arsyet e moskomunikimit janë sa të “gjuhës së vogël”, ku jo rastësisht e vendos
në thonjëza, po aq të nivelit, sepse përgjithësisht kemi një vonesë faze,krahasuar
me ligjërimin letrar të përbotshëm, afër dhe larg. Megjithatë ka momente, të
përveçme të komunikimit të letërsisë shqipe, siç është letërsia e hershme
shqipe, me Buzukun, Budin, Matrëngën, Bardhin, Bogdanin, që e vendosin
letërsinë shqipe në rrathët e Kundërreformacionit, një procesi që vijontë të
sendërtonte përmasat e rilindjes europiane. Po, ashtu, ka mjaft gjasa, që për
një lojë si të maces me miun, të Kadaresë me diktaturën, tekstet e tij,
kryesisht romanet kanë zgjuar kërshërinë tek lexuesi i përbotshëm. Mendoj se
përvoja shkrimore e Camajt dhe Pipës, veçmas për shkak të largimit prej
Shqipërisë së monizmit, e ushtruar në Perëndimit, në fakt po ta kundrosh paksa
ma vëmendshëm, ka shërbyer si një enë e komunikimit të letrave shqipe me
perëndimin. Pra, ka momente kur jemi të pranishëm, por ka edhe raste që nuk
njihen shumë siç ka ngjarë me mbetjen e Kutelit, vetëm si një margaritar i
fjalës shqipe, kur bart edhe kumte të universit letrar, çka do të zbulohej nëse
do të përkthehej në përmasat përfaqësuese të prozëshkrimit.
Pse letërsia e huaj është më e kërkuar nëpër librari dhe më
e kudogjendur në bibliotekat personale?
Mendoni se tekstshkrimi shqip ende nuk e ka gjetur gjuhën e
duhur të komunikimit me lexuesin?
Prirja deri në adhurim ndaj letërsisë së huaj, që në fillim
të viteve ’90 të shekullit të kaluar shpalohej edhe si një uri shpirtërore dhe
intelektuale, ngjet për shumëçka, ku do të veçoja praninë e vlerës, po ashtu
edhe shkrimin e larmisë letrare, në shtjellat e modernitetit dhe pasmodenrnitetit,
si dhe të hapjes së qenies shqiptare me botën, me të huajën, si një nevojë
shpirtërore, së paku për ta marrë trenin e fundit. Mendoj se lëvrimi letrar i
gjuhës shqipe, ndonëse ka shërbyer si ambasadori më i mirë i prezantimit tonë,
sërish do të duhet të lirohet nga detyrimet jashtëletrare, të tipit të një
angazhmi ideologjik, të shkrimit të unifikuar si një skemë që nuk thotë shumë,
e sidomos të një zvarritje të shkrimit nëpër skutat e mëhallave dhe katundeve
të humbur. Jeta, lëviz me shpjetësinë e dritës, andaj edhe në shkrimin letrar
ka nevojë për një ritmikë tjetër, mbase ka gjasa për një temporitmikë tjetër të
brendshme të letrares dhe librores në përgjithësi.
Një krijues dhe konsumues i letërsisë shqipe për t’u
gërmushur antivlerave që kanë zaptuar të tashmen e kumtimit, i ka cilësuar ata
krijues dhe botues “si kriminel ekonologj”, a pranoni këtë notë pesimizmi dhe
rrethanat e kaosit ku ndodhet lexuesi?
Do të thoja ekziston, por askush nuk e ka matur nivelin e
pranisë së saj, me forma testimesh dhe analizash, sepse të konstatosh është
vetëmse fillim për ta parë ndryshe botën e letrave. Liria e shprehjes, pra edhe
e asaj letrare, është një e drejtë e dyfishtë, njerëzore dhe kushtetuese, por
në këtë hapësirë të lirisë, vihet re një shtesë e madhe e shkrimit, të
lloje-llojeve tipe librash, historikë, kujtimesh, refleksionesh, letrar dhe jo
të tillë, që meqenëse shkruhen nga individë të spikatur të skenës politike ose
personave periferik letrar, pra duke marrë kështu borxh famën, vihen në garën e
determiminit të skenës së librit, një betejë e fituar prej tyre, së paku në
rrafshin mediatik, por jo si konfirmim i vlerës që vjen prej leximit dhe
shqyrtimit të tyre.
A mendoni se duhet te jetë një bord botimesh, apo apo një
tip kolegjiumi, i cili të marrë përsipër të disiplinojë tekstshkruesit,
përkthyesit dhe botuesit, në një farë mënyre të bëjë ligjin në këtë gjungël
botimesh?
Në fakt është një mishmash i vërtetë, por trajtimi i
çështjes duhet bërë me kujdes, sepse një kontroll me borde, kolegjume apo me forma
të tjera na shpie tek censura e djeshme, por edhe mungesa e çdo lloji kontrolli
ka sjellë këtë amulli, ku shkrimi i librave, pavarësisht nëse ka apo jo vlerë,
kundrohet si një strehëz ku mundet të strehohet kushdo, pavarësisht moshës dhe
tipologjisë shkrimore. Shpresoj, që të marrë fund, mbase edhe si një aspekt i
shpërdorimit të lirisë, që mund të shkruhet gjithçka, ashtu siç shpresoj që të
ketë marrë fund shpërdorimi i skllavërisë si nënshtrim, në të cilën notuam për
disa mote në diktaturë. Tani, në shtëpitë botuese, në median e shkruar dhe
vizive, përgjithësisht ka fare pak ndërmjetës, ekspertë të librit, si
recensues, redaktor, korektor, jo se emrat nuk shkruhen nëpër libra, porse në
shumicën e tyre janë fiktive dhe që realisht nuk ndikojnë tek procesi i
përgaditjes dhe përcjelljes së librit.
A jeni me parimin e mundësisë, si shteg promovimi të
vlerave, kur e sotmja na përball me shumësi mundësish dhe mjerim vlerash?
Në fakt jemi në një moment reflektimi, kur edhe pse të
rrethuar nga anitvlerat dhe vlerat, skemat dhe sprovat e ligjërimit letrar, të
promovimit dhe pamundësisë së paraqitjes së librave, që dikur ka gjasa të na
nxjerrë në shtegun e lëvrimit letrar, më pertej angazhimit, shërbesës dhe
ankthit të shkrimtarëve për tu bërë të famshëm, brenda një ditënate, tashmë ia
kanë mësy edhe politikanët, për ta sunduar perëndeshën e artit të fjalës, por
le të shpresojmë se është kalimtare… Kemi gjeni, por pak tekste letrare.
Mendoni se gegnishtja është e përjashtuar, dhe njiherash me
të ata që kumtuan vetëm në këtë dialekt u kryqëzuan nga anatema e socrealizmit
dje dhe shihen vëngër nga rreptësia e standardit sot?
Mendoj se do të ishte shumë më mirë, po të kundrohej dhe
trajtohej me termin gjithëpërfshirës, Shqipja si sistem, sepse në fakt
përcaktimi i këtillë përfshin gjithçka të saj, ku bën pjesë gegnishtja,
arbërishtja dhe gjuha e njësuar, si dhe çdo dëshmi e saj, në diakroni dhe
sinkroni. Kam mendimin se gegnishtja, pandarazi me të edhe arbërishtja, qysh me
Kongresin e drejtshkrimit të vitit 1972, kanë zbritur nga froni, ku ishin në të
gjithë periudhat e ligjërimit të tyre, të folur apo të shkruar, si dy variante
të konsoliduara, qysh me librat: Meshari i Buzukut për gegnishten dhe E mbasme
e kërshtene të Matrëngës për arbërishten. Pra, me drejtshkrimin e atij moment,
ata duhet të kishin pushuar së ekzistuari. Por, me sa duket letërsia, pra falë
Camajt, Pipës, Pashkut, e ndonjë tjetri, gegnishtja e ka vijuar ekzistencën e vetë
edhe si shkrim letrar. Po ashtu, në saje të Voreo Ujkos, F. Altimarit,. M.
Mandalas etj. , ka vijuar bulëzimin e thekur, me shkrimin letrar edhe
arbërishtja. Pra, sërish kemi një mozaik letrar dhe gjuhësor, që përtej
rregulloreve të natyrës gjuhësore dhe jashtëgjuhësore, të periudhës së
realizmit socialist, megjithatë ka mbërritur të mbijetojë.
Letërsi shqipe, mendoni se i ka shpëtuar kthetrave të
socrealizmit. Apo ende shfaqen tiparet e saj karakteristike?
Mendoj se pa i bërë një analizë të hollsishme pranisë së
realizmit socialist, në poret e lavrimit të letrave shqipe, madje për një kohë
të gjatë në letërsinë dhe artin tonë, nuk kemi shanse të shpëtojmë prej tij. Në
harkun e 20 viteve, pra të shembjes së diktaturës, në lamitë e kulturës, kanë
ngjarë ndryshime më të vogla, sepse vetë artit i fjalës ka tjetër shtysë dhe
inerci. Së paku, deri më tani, ka ngjarë një ndryshim i vogël, nga pasqyrimi
bardhë e zi, tipikisht i realizmit socialist, kemi ardhur në një spektër të
përmbysur, zi dhe bardhë, që të fanit një situatë të një realizmi demokratik,
një kahje që po përgadit dhe do të sjellë ndryshimin e madhë, shkëputjen
përfundimtare nga letërsia e shërbesës dhe angazhimit ideologjik, dhe dalja
tashmë vetëmse në fushën e lavrimit estetik.
Comments
Post a Comment