Halil Teodori, ngarendja vullnetmirë e një kumti rrëfimtar
Qasjet e kësodorshme artistike, si në romanin “Dritë nga
errësira”, të Halil Teodorit, përkojnë me ngulmimin përnga kumti dhe
rrëfimtaria. Më shumë se kah dimensioni estetik, kahja si shërbesë rrëfimtare,
ngulmon thelbësoren e këtij romani. Ngarendje për t’i bërë karshillëk dy
dimensioneve, gojtarisë së kallëzimit,shpesh në narrativ, ka pru një lloj
artifici jashtëletrar. Kujdesi për formën, më shumë se sa për brendinë, ka ngas
nër ne një masë marrafrymëse të letërsisë që priret në kryeherën e vet nga
përnga trukimi. Më së shumti, kjo letërsi është lëndë e mbrujtur mirë e
kundrimit dhe konstatimit, e qëmtimit dhe e larushimit të situatave dhe
shpërfaqjes së personazheve. Në romanin e Halil Teodorit, “Dritë nga errësira”
është e rëndësishme rrëfenja, “me zemër në dorë”. Si për autorin, ashtu edhe
për gjithsekënd, përvojat jetësore, janë të atilla, përnga larushia dhe shumforma, sa mjafton t’i ndjesh për t’i
kumtuar botnisht, dhe ata janë vetiu një kapërthim i epërm artistik.
Udhërrëfimi i gjendjeve në këtë roman, yshten për të patur stacionin e
rrugëtimit, një kujtim.Një fotografi e një të afërmi, e cila ka ndjekur ashtu e
kyçur në një korrnizë të drunjtë, hap pas hapi, bashkë me fatin tënd, ngado që
ti ke ikur. Dhe një ditë, jo ndryshe nga gjithë të tjerat, ajo vendos të flasë
me gojën tëndë. Vendos të rrëfejë gjithçka dhe pa droje, o sot, o kurrë. Të
duhet vetëm të bindesh. S’ka kohë për të pritur. “Dritë nga errësira”,
tekembramja është e mbarsur nga përmasat e një kushtrimi, i cili tuj gufu nga
përvojat jetësore e personazheve, të vendosur në një kënd të së tërës
tragjedike, në një realitet dramatik, ku luhet mizorisht me fatet e individit
të tufëzuar. Në këtë qasje autori nëpërmjet personazheve dhe karaktereve,
situatave dhe ngjarjeve dëshmon dhe nuk nguron t’i kumtojë tançka atë e ka
mbrujt, me fondamentin e shpirtit.Udha nëpër shtigjet e garrametshme nuk bëhet
pengesë, që ky përrua i majisun nga stuhitë, të lëshohet përposhtë turravrap,
me poterë. Autori, përkimin e situatave e shkrin me personazhet, të cilët në
diktaturë, të gjithë janë fatkeq. Armiku është i përbashkët. Trauma dhe
krrakëdhima e dhëmbëve, gjithashtu ngjajnë. Lënda emocionale është e shkrifët,
tek-tuk ajo ngjishet fort duke marrë forma solide, shpesh tëpashpërbëshme, të
padeshifrueshme. Gjithseqysh, ky është njeriu i kodifikuar sipas një rregulli
që gjehet i shumëfishuar në individin standard, që përfaqëson tiparin kryesor
të tërë shoqërisë së kohës së tij.Parakalimi që i bën autori jetës së personazheve
i ngjajnë ritmikës së shpërfaqjes së episodeve në celuloid. Gjithçka mund të
ngjasë nga faqja në faqe. Duket se karakteret e përcjellë në këtë roman, janë
të përpunuar gjenetikisht, për të perceptuar çdo të papritur, si pritshmëri.
Mëgjithatë situatat dhe ngërthimi i ngjarjeve kanë pothuaj gjithseçka, jo dhe
aq të parathënë, se sa të njëllojtë. Nëse ata kacavirren në rrëpirën e thikat
të idilit për të ndryshuar, kjo ngase dhe jeta e tyre qaset të shpërfaqet e
tillë, krejt papritur udhët e tyre bashkohen. Honi ku gremisen të gjitha qasjet
është pikëtakimi, është zgavra ku fatet e tyre bashkohen.E rishtaz ata provojnë
përsëri. Përsëri përpiqen, anipse shpërblesa është e parathënë. Ata i bashkon
honi, nga ku dhe janë startet e tyre. Rropatja është as më shumë e as më pak,
veçse një orvatje drejt një shtegu, që gjithnjë është një dhe i vetëm.
Ndoshta është koha që kanë vendosur të jetojnë, mënyra e
jetës që kanë vendosur të bëjnë, ose për të cilën janë programuar, ajo që
përcaktojnë qartazi, se çfarë kanë parashikuar orakujt për ta. Ndryshe,
thjeshtë ata binden si në një hipnozë. Dhe kështu është dhe kurrqysh
tjetër.Halil Teodori në romanin e tij, në qendër ka gjithnjë personazhin
protagonist. Ka pikmbështetjen arkimediane ngaku lëviz gjithçka, ngase gjithseçka
ndodh gjithseqysh në të dhe përreth tij. Kjo referencë është thjeshtë një
vetvete, që dirigjon gjithë këtë trupë aktorësh-personazhe. Është Uni dhe Esi i
këtij personazhi në tërësinë e vet që ushqen, deri edhe me formësimin e
situatave dhe ndodhive, galerinë e tërë të emrave dhe ngasjeve
emocionale.Destinomi për të përshkuar përgjatë gjithë jetës Golgotën, është
fatthënia që u ka vënë përpara vetëm një alternative, kryqëzimin. Bashkë me
shenjtnimin ata përcjellin mesazhin e fortë, se liria mbetet ngulmi vetëmohues,
përpjekja ngallnjimtare mbi despotizmin. Ata përpiqen. Është pikërisht kjo
trajtesë, ky ngjurim që tipizon identitetin e personazheve që luajnë në një
skenë të vetme, Shqipërinë e viteve të diktaturës komuniste. Autori në “Dritë
nga errësira” nuk shmang qoftë edhe detajet,në dukje të parëndësishme për ti
kumtuar. Pas çdo cingërime ai parasheh fillesën,zanafillën e një ngjarje, një
situate, agravimi i të cilave përvijon në një ashpërsim të terrenit, acarim të
kushteve atmosferikë, ku ngarendin shtigjet e gjarpërimit të karakterit të
personazheve. Ajo që e bën ngulmues këtë përpjekje të Halil Teodorit për të
parë dritë në errësirë është kauza vullnetmirë që vetiu motivon deri në fund,
si personazhin qendror, ashtu dhe gjithë galerinë e personazheve të tjerë.
“Dritë nga errësira” është një yshtje e autorit për të kumtuar dhe kuvenduar,
dhe këtë ai qaset ta gostit në odën e madhe të breznive, si dëshmim i një
mbamendje të gjatë dhe drithëruese.
Comments
Post a Comment