Lev Tolstoi, “shenjtori” që u përndoq nga ferri



Nga : Albert  VATAJ

Një pjesë vitale, e dengur dhe e dehur nga hapësira e një lirie që formësohej mbi qiellin e tij, qiell i cili thyhet sapo ai kërkoi ta mbushte me fluturim, u fik 101 vite më parë. Jeta dhe vepra e shkrimtarit të madh të “Ana Karenina”, “Lufta dhe Paqja”, dhe një galerie të pamatë romanesh e qëmtesash letrare, nuk copëzohen nga gjithçka që e gjurmoi deri sot e përgjithmonë, lavdia dhe misteri, filozofia dhe kumti i një shpirti të madh dhe një zemrë që kungonte liri. Një zot në zotërimin e tij mental dhe fizik. Një shenjtor që u përndoq nga ferri, nga demonët e asaj realeje, me të cilën u kacafyt deri në dekikun e mbram. Luftoi, u përlesh, u kacafyt, nuk u nënshtrua kurrnjiherë. Në kryeradhën e përballjes vendosi një qëndres kumtuese. Deri në çastin e fundmë, i tillë, kryenaltë dhe i vendosur. Cingëritëse dhe kushtrues ishte zëri tij, jo dhe aq prej yshtjes së një ateisti se sa njeriu mishi dhe ndjenjash, mendimi dhe qëmtimi, zemërate dhe shtërngimi. Kungimi shpirtëror i papajtueshmërisë me çka ai e pa si heretike, u hodh si balsam mbi plagën e lirisë që sëmbonte, duke marrë krahët e zemrës së tij gjëmuese dhe duke u formëzuar: “Bota bëri çka dëshiroi, i lejoi kishës ta shpjegojë rëndësinë dhe synimin e jetës. Bota vendosi jetën krejtësisht të kundërt me mësimet e Krishtit, kurse kisha studioi veprat e shkruara me të cilat e la popullin të jetojë në kundërshti me ligjin e Krishtit, të jetojë sipas vullnetit të tij. Rezultati ishte se bota filloi të jetojë jetën më të keqe se në jetën pagane, kurse kisha jo vetëm që këtë e arsyetonte, por edhe e miratonte duke folur se kjo është në pajtim me mësimin e Krishtit …”.


Tash e 101 vite më parë, ka ndërruar rrugë vullnetmirë e më një lamtumirë të trishtë një prej penave, mendimtarëve, filozofëve dhe njiheraz një copëz e mozaikut magjeps të kumtit rus. Ikja, ashti si behja, përnjimend edhe si vepra dhe gjithçka tjetër e korpusit të tij human dhe letrar, shkrepën si vetëtim në kaltërsinë e pare dhe panoramimin që ai i mëtoi botës me kahjen e ndryshtë të vështrimit. Erdhi si një i krishter i devotshëm, dhe iku si një “murg” heretik. Lev  Nikollajeviç Tolstoj, dha kontribut të madh letërsisë dhe historisë ruse. Pikëpamjet e tij filozofike, shqyrtimet në të cilat ai ka prezantuar idetë mbi Zotin, shpirtin, dijen, dashurinë dhe shumë pikëvështrime të tjera, mbetën të pakuptueshme për kohën kur jetoi dhe ngashëruese ndër brezni. Mbase kjo dhe shumëçka tjetër e ngarendur nëpër rrebeshe dhe stuhi të qasjes dhe ngasjes.

Qysh ngjau ajo që mbeti mister.101 vjet më parë, shkrimtari i madh rus e la shtëpinë e tij në periferi të Moskës për të ndërruar jetë tre javë më pas, në një stacion të vogël treni, diku në një provincë. Iku për të lënë pas një pavdekësi, që vazhdon të emocionojë dhe mrekullojë breza të tërë. Shkrimtari la pas jo një vepër, por një planet me personazhe, vende, ngjarje, ndjesi, që duke u ndërthurur me njëra-tjetrën na përcjellin filozofinë e pavdekshme e universale të marrëdhënieve njerëzore. La atë vete të sëmbuar ngado shikoi dhe shkroi. Ishte 29 tetori i viti 1910 e një ditë më parë, midis natës së 27 e 28 tetorit, shkrimtari rus, Lev Tolstoi, pas 48 vitesh martese e me 13 fëmijë, në moshën 82-vjeçare vendos t’i japë fund një lidhjeje martesore të konsideruar e dështuar. Dhjetë ditë më vonë ai do të ndërrojë jetë, pikërisht më 20 nëntor 1910. Mbi një letër të nxituar në stil, me shumë shkarravina e fshirje do t’i shkruante gruas së tij, Sofia Andrevna: “Jam nisur… Nisja ime do të të lëndojë. Me keqardhje, por përpiqu të besosh e të më kuptosh, nuk mund të veproja ndryshe. Situata ime më është bërë e padurueshme, me vetëdijen se sa peshon jeta (midis të pasurve… të mjerëve) e përsëri vazhdoj të jetoj në kushtet kriminale të një luksi të shfrenuar në mes të mizerjes së gjithë atyre që i rrinë përqark. Bëj vetëm atë që bëjnë pleqtë, mijëra pleq, njerëz pranë vdekjes… (shkojnë më larg se kushtet e gjendjes së tyre shpirtërore ua lejojnë) e po iki. Pothuajse gjithmonë ata shkojnë nëpër manastire, edhe unë do ta bëja, po të besoja në atë çka manastiret besojnë. Duke mos i besuar, po iki thjesht në vetmi… Më është e domosdoshme të jem vetëm. Të lutem të më kuptosh e të besosh se nuk mund të sillem ndryshe. Gjendja ime në këtë shtëpi është e patolerueshme. Të lutem, mos më kërko e mos hajde tek unë, as po e more vesh se ku ndodhem. Lamtumirë shoqëruesja e 48 viteve të jetës sime…, e unë të falënderoj për 48 vitet e një jete të ndershme të kaluar me mua, për kujdesin ndaj meje e fëmijëve të lutem pranoje këtë situatë ku të shtyn nisja ime e mos më kujto për keq… Të lutem, falmi tërë gabimet që kam bërë ndaj teje e unë do të fal të tuat, të lutem pranoje këtë situatë të re, rrjedhë e largimit tim nga shtëpia e mos ki ndjenja të këqija ndaj meje, ashtu siç unë nuk kam për ty. Se do të më nisësh ndonjë lajm, bëje me anë të Sasës (e bija), ajo e di se ku ndodhem e më ka premtuar se nuk do t’i tregojë askujt”. Në shoqërinë e vajzës së tij, Aleksandra, e të mjekut privat, Lev Tolstoi braktis mes qetësisë së natës së 28 tetorit shtëpinë e tij në Jasnaja Poljana. Më 31 tetor merr trenin drejt jugut, vendmbërritja Rostov mbi Don. Gjendja e tij shëndetësore e keqësuar gjatë rrugës për shkak të poliomelitit e detyroi të zbriste në stacionin e Astapovos, 350 km në juglindje të Moskës. Banorët e kësaj qyteze e njohën menjëherë dhe e nderuan me shumë respekt. Por ky vend i thjeshtë e i panjohur më parë nuk kish një hotel për ta mirëpritur shkrimtarin. Roja e stacionit të trenit i ofron shtëpinë e tij e ku do të kalojë 7 ditët e fundit të jetës. Në mëngjesin e një dite të ngrirë me borë, Lev Tolstoi kthehet për herë të fundit në shtëpinë e tij, mbi një arkivol të thjeshtë, të mbajtur nga fëmijët. Shkrimtari kish kërkuar të varrosej pranë pyllit Zaseka e kjo ceremoni u krye me pjesëmarrjen e shumë njerëzve, nën qetësinë e një bore që binte e të kronistëve që filmonin. Vdekjen e tij dukej sikur e kish paralajmëruar në librin “Vdekja e Ivan Iliçit” 1886: “Ku ishte? Cila vdekje? Nuk kish aspak frikë, nuk kish asnjë vdekje. Në vend të saj qe drita”. Gazetat e epokës thonë se në varrimin e tij një i panjohur thërriti: “I madhi Lev vdiq. Rroftë shpirti i tij madhështor! U realizofshin të gjitha parimet e tij për Krishterimin e dashurinë”.

“Të gjitha familjet e lumtura ngjajnë, çdo familje e palumtur është e palumtur në mënyrën e saj”, – shkruante Tolstoi në rreshtat hapës të romanit “Ana Karenina” e duket sikur kish imagjinuar me to fatin e jetës së tij bashkëshortore. “Njeri i vështirë, egoist, jo e lehtë për t’i ndenjur pranë”, – shkruan në ditarët e saj Sofia Andrevna, gruaja e devotshme, kuruesja e të gjitha teksteve të tij, nënë që kish rritur e vetme të trembëdhjetë fëmijët e kësaj martese. “Sot, teksa po redaktoja tekstet e Levockas (Lev Tolstoi), – shkruante në ditar ajo më 1890, – lexova frazën: “Dashuria nuk ekziston. Ekziston vetëm kënaqësia e mishit e ajo racionale për të pasur një shoqëruese jete”. Po ta kisha lexuar 20 vjet më parë, nuk do të isha martuar me të”.Tolstoi ishte i obsesionuar nga ideja për të braktisur familjen, siç shprehet në shënimet e tij më 1963: “Është diçka e frikshme, e tmerrshme, pa sens të afirmosh se lumturia jote varet nga element material, një grua, fëmijët, shëndeti e mirëqenia. Zoti i çmendur e i varfër ka të drejtë, mund të kemi një grua, fëmijë, shëndet e gjithçka tjetër, por lumturia nuk është kjo”.


Vdekja  e 101 viteve më parë, ende vijon të kapët fort pas fijeve të vetëvrasjes së supozuar. Kjo dilemë vazhdon të sillet në shtjellën e kohës si një copëz ndërgjegje e sëmbuar në memorien e asohershme e të tashme. Gjithsesi, një vetëvrasje e parathënë përndiqte shkrimtarin e madh. Në moshën 50-vjeçare, i pasur, i famshëm e i njohur kudo në botë, Lev Tolstoi përfshihet nga një krizë e brendshme, që e shtyn të mendojë se jeta nuk ka kuptim. Asokohe ai i jep jetë një demoni vullnetplotë, i cili nuk do t’i ndahet këmba-këmbës deri në dhomën e rojtarit të stacionit të trenit në Astapovos. “Çështja se të qenit human përmban në përgjithësi edhe të drejtën e vrasjes, është një çështje e impostuar keq. Realisht problemi nuk duhet t’i përkasë “të drejtës” – në momentin kur qenia njerëzore ka të drejtën e vrasjes, ka edhe të drejtë ta bëjë këtë. Unë mendoj se dhënia e një mundësie të tillë vetëshkatërrimi përfaqëson një valvul pasigurie. Derisa qenia njerëzore mund të vritet, nuk ka të drejtë – e këtu ky term është në vendin e duhur – të thotë se jeta është e padurueshme. Në qoftë se jeta na bëhet e papërballueshme, mund t’i drejtohemi vetëvrasjes, derisa askush nga ne mund të ankohet për intolerancën e ashpër të jetës së tij. I është dhënë qenies njerëzore mundësia për t’u vrarë e, pra, mund ta bëjë e ka të drejtë ta bëjë. E vazhdimisht ai e përdor këtë të drejtë duke u vrarë në duel, në luftë, në supervese, o në alkool, duhan ose opium. Derisa qenia njerëzore konservon një frymë jete, mund të perfeksionohet e të jetë e vlefshme për njerëz të tjerë. Këta nga ana e tyre mund të bëhen të dobishëm për të tjerë njerëz akoma, vetëm duke u perfeksionuar, e munden të perfeksionohen vetëm duke u bërë të dobishëm ndaj tyre. Lev Tolstoi ishte dhe mbetim një mendimtar, filozof dhe avangardë e nevojës dhe mundësisë për të dëshmuar. Kumtesa letrare dhe tërësia e orbitës së tij njerëzore, rrëfimtare, e pse jo dhe promovuese deri në mërgim të njerëzores për shpirtëroren, mbeten tash e përgjithmonë një copëz e patëdytë e gjithëseçka ne na duhej. Amshimi nuk mbeti dhe aq rruga që ai i udhërrëfeu vetes, se sa ishte shenjtërimi. Kjo ngase ai dhe vepra e tij kumtuan pandalim filozofinë e një shpirti të lirë që luftonte pareshtur me trupin e skllavëruar dhe realitetin që i kishte futur thonjt në fyt, asaj të tashme që është e pakohë dhe e gjithmonshme për individë dhe shoqëri, për brezni.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk