Sharl Bodler, heretiku që u dogj në ferrin e anatemës


Nga: Albert  VATAJ

Sharl Bodler ishte dhe mbeti kumti i zgripit të një epoke, çarja e pllakës tektonike të romantizmit që po praronte dhe modernizmit që ngjizej në fetusin e një France të ngërthye nga empirikët, e shpirtrat e lirë që ngriheshin flatrim mbi katakombet e të atëhershmes dhe të së kaluares, për nga horizontet që davariteshin prej mjegullave.Në truallin e thepisur të asaj kohe, poeti u miklua nga tançka, dhe u kapërtheu prej hazdisë që ishte në anën e kundërt të rrjedhës. Çmimi i këtij dedikimi të çartun e degdisi atë në portat e ferrit të anatemës. Koha që e ngjizi dhe kapërcyelli ku ngarendte Franca, e cilësoi atë si “heretik”, “mëkatar”, “pervers”. Kjo ishte shpaga e një artisti që dashurohej me lirinë, po aq shumë sa dhe me femrat. Krijimtaria e tij kumtonte një perceptim të qartë përnga konkretja që gjente si mjete shprehëse një metaforë të thukët e të ngjeshur, “plot ndyrësi” dhe “makabritet”. Ajo përvojë e kumtuar prej Bodlerit, e anatemuar asohere në Francën e ligjvënësve të Napolionit të III, gjehej e pikënisur nga realitete horror, makabër, pervers, t’përjargët e çmosndrysh, që mbushte boshllëkun e një zgafelle pasioni, që s’kishte të ngopur me eros, afsh dhe ofshamë, mish e kafshime, puthje e linja që treten para syve që i flakadan testosteroni, e trupa që fashiten përnën ndërzimin e dëshirave të shpenguara e përplot me ngulm. Një atributi të horizonteve me caqe në infinit, i’u dedikua dhe u mbrujt ai që do trazonte me fjalën e lirë kryqendrën e shtjellave të gatimit të dimensionit të vlerës, Sharl Bodler. Ai nuk ishte, por mbeti një ndër poetët më të rëndësishëm, krijimtaria e të cilit plazmoi gjurmët e para të modernizmit, dhe hodhi hapin vendimtar të një ndryshimi epokal në Francën që druhej nga amoraliteti dhe duhej të ndryshonte.Ishte shekulli XVIII, e përfshirë nga shtjella historike më rrapëllitëse që koha kishte hedhur si një shtërngatë egrashe mbi kokën e poetit rebel dhe kritik fin,Sharl Bodler. Një jetë me fëmijëri të cergët, e cila do të zbonte më pas një rini dhe në tansi, një kapërcyell mes njeriut dhe artistit, plot vese të Bodlerit. Ishte Franca, padyshim ajo e artit avangard dhe e mendimit iluminist, e kolosëve të letërsisë, mbi tabanin e të cilit po ngrihej një sistem vlerash dhe shijesh estetike.Për poetin, trazirat do të troshisnin jo vetëm krijimtarinë, por edhe integritetin e tij. Gjithçka do të ndryshonte. Ose e thënë më troç, tançka do të lindte e do të formësohej përsi nevoja e qënsisë së tij të garrametshme. Ai dukej se kishte ardhur për të jetuar në stuhi dhe për të lundruar në shterngatë. Dhe gjithë këtë për të mbushur zgavrrat e thella prënga dëgjoheshin ulërimat e bishave të pasiont që e ndërsenin. Ai krijoi në poezi, dhe në gjithçka tjetër që bëri, kritikë arti,përkthim, por veçmas në poezi, një raport vlerash të ndryshëm mgase botkuptimi frëng kishte pranuar deri asokohe. Guxoi të ishte i pari, i lirë, veprues, dhe u bë dëshmitar e një ndryshimi fundamental dhe sentimental, etik dhe estetik. Anipse një stuhi që do të tërbohej në opinionin frëng, nga poezitë e tij “heretike”.  Trumbetat e moralit dhe kushtrimet tërsëllitëse, kapën qiejt. Duhej të ndodhte që jo vetëm fatalitetet që e përndiqnin, por edhe shtypi e më pas drejtësia ta anatemonin atë dhe kryeveprën e tij, e cila qëndronte e varur midis dy botëve asaj të perëndisë dhe të djallit, “Lulet e së keqes”. Më 1857, botimit të parë të paralajmëruar të “Luleve të së keqes” gjykata i përgjigjet me një gjobë prej 300 frangash, për krimin e përdhosjes së moralit të shoqërisë, duke i hequr botimit gjashtë poezi. Një penalizim i tillë për një borxhli si Bodler, do të ishte shokues dhe për shpirtin e tij të lëshuar hoveve dhe zjarreve të pasionit e lirisë, skarcimi i 6 poezive që përbënin “vertebrën” e kësaj kryevepre, do të ishte gjithashtu një anatemë që do ta ndiqte si një re e zezë përgjatë gjithë fluturimit. Në këtë kohë perëndon edhe ylli i artistes M. Sabatier të frekuentuar prej 5 vjetësh e fortësisht të idealizuar nga Bodleri, deri në atë pikë sa shumë biografë besojnë se kjo mund të ketë qenë shkaku i thyerjes së raportit të tyre. Dëshmi të shkrimtarëve bashkëkohorë që vizitonin të njëjtin sallon me poetin, e përshkruajnë atë si një grua me një inteligjencë të jashtëzakonshme e një bukuri të rrallë. Dënimi për përdorim fjalori të turpshëm si edhe fyerje të moralit publik i shkaktoi vëllimit poetik “Lulet e së Keqes” të njëjtën shkrepëtimë të zjarrtë në qiejt e bruztë të Francës, apogje fame, e humbëtira zhurme e dyshimi, ashtu siç ndodh jo rrallë herë edhe në ditët tona, ndaj persekutimit të krijimeve të ashtuquajtura pornografike. Poeti Artyr Rambo thoshte për Bodlerin se … ai qe vetë Perëndia!, ndërkohë që gjykatësit e Napoleonit të III-të shihnin te ai vetë Djallin dhe e dënuan të hiqte prej vëllimit në fjalë,gjashtë poezi, nënë akuzën se ato paraqisnin pamje të turpshme e fjalor të ndyrë, te cilat fyenin rendë moralin shoqëror. Pas kësaj, vetë Bodleri këmbënguli e protestoi duke kërkuar që libri, duhej gjykuar në tërësinë e tij dhe, jo në poezi të veçanta,se blasfemitë i drejtoheshin qiellit e jo Zotit, por më kot … Në fakt, procesi ndaj përmbledhjes së famshme “Lulet e së Keqes”, një nga kryeveprat e poezisë franceze dhe botërore, kish nisur dhjetë ditë pas botimit të tij të parë me 1.300 ekzemplarë, pikërisht më 5 korrik 1857, me një artikulli të gazetës “Le Figaro”. Ku ndër të tjera, shkruhej se: “… është e palejueshme që, një person si autori i librit, i cili i ka kaluar të tridhjetë, të shkruajë një vepër të tillë monstruoze … Ka momente madje, kur mund të dyshohet edhe për vetë gjendjen e tij mendore … Kurrë s’kemi parë kaq shumë puthje e kafshime gjoksesh, kaq shumë demonë, djaj, kufoma, mace e krimba … Ky libër është një spital i hapur për çdo lloj idiotësie e fëlliqësie të shpirtit njerëzor”. Pas kësaj, Ministria e Brendëshme e hodhi librin në gjyq, ndërkohë, gazeta “Le Figaro” e vazhdoi edhe më tej fushatën kundër Bodlerit. Dhjetë ditë pas procesit, Viktor Hygo, që prej ishullit Guernesey,ku ndodhej në egzil, në një letër drejtuar Bodlerit, ndër të tjera i shkruante:“Lulet tuaja të së Keqes, vezullojnë e rrezatojnë si drita e yjeve. Pa dashje,regjimi, ju ka dhënë një prej dekoratave të tij më të vyera. Drejtësia ju dënoi në emër të atij, të cilin ajo e quan moral e kjo është edhe një medalje tjetër më tepër për ju …”. Më 1924 botuesit, të cilët kishin edhe të drejtën e autorit, publikuan për herë të parë edhe poezitë e dënuara, por libri u hoq përsëri nga qarkullimi.Vetëm 92 vjet më pas, më 31 maj 1949, Gjykata e Kasacionit në Paris e anuloi vendimin e procesit të zhvilluar më 1857, duke rehabilituar kështu për herë të parë dhe përfundimisht, të gjashtë poezitë e mallkuara.

Apologjia e Bodlerit
Shkrepëtimat e tij, të një apologjie sokratiane vijojnë për të mbëtur një sintezë e gjithçkasë që përfaqësonte krijuesi dhe pseudomoralit që mbronte drejtësia. Ai si dhe vetë Sokrati, para një drejtësie të shurdhër tha: “Libri im, pra, duhet të gjykohet në bashkësinë e vet, në tërësinë e tij estetike e pas kësaj del edhe morali i tij i ”tmerrshëm”. Në fakt, ka shumë lloje moralesh. Kemi moralin pozitiv dhe praktik, të cilit duhet që gjithë bota t’i bindet por, ka edhe një moral të artit.Ky i fundit është krejt i veçantë e atë, arti e ka përjetuar qysh prej fillimit të jetës njerëzore. Sepse, ka edhe disa lloje lirish, ka liri për Gjeniun, ka edhe një liri të kufizuar për Njerëzit e Mbrapshtë”. Procesi u zhvillua në Dhomën Korrektuese ku zakonisht gjykoheshin mashtrues, vjedhës e prostituta. Seanca gjyqësore u mbajt në 20 gusht 1857. I pari që foli kundër librit të Bodlerit qe zv/prokurori Pinard, i cili një vit më parë kish drejtuar edhe procesin ndaj romanit Madame Bovary të Gustave Flaubert. Ai mori në mbrojtje moralin fetar dhe insistoi se, libri në fjalë, përveç të tjerash, përbente edhe krimin e fyerjes së moralit publik. Pastaj, ai këmbënguli që autori të denohej e goditi ashpërsisht jo vetëm atë, por ngriti zërin për ndëshkimin edhe të gjithë “ tendencave të tilla në rritje, kësaj etheje të semurë, të mbrapshtë e të ulët e cila i shtyn njerëzit të pikturojnë e të shkruajnë ç’ti u vijë ndër mend, sikur morali publik të mos egzistonte fare…“. Në fakt, procedura gjyqesore u be shpejt, sa për të thenë, sepse nga Minstria e Brendëshme vërejtjet e komentet, kishin ardhur të egra e të padiskutueshme. Përfundimisht, trupi gjykues urdhëroi ndalimin e poezive të më poshtëme Stolitë, Metamorfozat e Vampirit, Leteja, Asaj, të lumturuarës, Gra te mallkuara dhe. Bodler, autori i poezive Lulet e së Keqes, teksa po dilte nga salla e audiencës, iu përgjigj kështu një mikut të tij, i cili e pyeti në se priste që gjoba edhe mund t’i falej : Të më falin ?… Përkundrazi !… Unë pres që nderi im të vihet në vend !…

Poeti i mallkuar
Titulli i “Lulet e së Keqes”, paraqet një estetikë të re “moderne” ku, e bukura,sublimja, që simbolizohet nga termi “lule”, mund të provokojë në sajë të gjuhës poetike, realitete banale të natyrës dhe sensualitetit të mishit, të “mëkatit” që simbolizohet nga e keqja. Me këtë lloj “materie”, mund të nxitësh frymëzimin, të bashkosh krijimin e imtë mbi gjuhën poetike, përdorimin e formave tradicionale si soneti dhe vargjet klasike. Pikërisht kështu, Bodleri “revolucionarizoi” edhe universin estetik, duke marrë jo vetëm spunto nga tradita, sipas së cilës vepra e artit duhej të qe e hijshme e me subjekte fisnike, por mbi të gjitha duke realizuar sintezën mes dy zgjedhjesh estetike deri asohere të pakonceptueshme për diçka të tillë, pra gërshetimin e lirizmit romantik me punën për një formë sa më të përkryer.Tematika e “Lulet e së Keqes” shtrihet në një të tashmë të dëngur e pa një metrikë dhe një fill përkujdesi moralizimesh fetare, anipse ishte qartazi e dukshme se ende nuk i kishte shuar flakët e ferrit të inkuizicionit edhe pse në agoni. “Spleen dhe Ideali” vë në plan të pare”spleen”-in domethënë mërzitjen, trishtimin, në kuptimin e ankthit metafizik, nëpërmjet të cilave, vuajtja e poetit dhe frymëzimi i tij aspirojnë drejt “idealit”, drejt një infiniti sublim ku mbretëron njeriu. Për të dalë nga gjendja e “spleen” – it, poeti përpiqet të gjejë shpëtim përmes gjuhës poetike, e cila është edhe e vetmja mënyre që ka aftësinë t’u japë kuptim e të përçojë realitetet më banale e më të shëmtuara të jetës në art.

Deti i trazuar i poetit
Sharl Bodler është konsideruar si i fundmi i romantikëve dhe i pari i modernëve. Ai,mbahet gjithashtu si me i madhi ndër poetët francezë. Lindi me 9 prill 1821 në Paris. Në vitet 1831-1836 Bodler vjen të mësojë në Kolegjin lokal mbretëror. Një emërim i ri, ku Bodleri do të frekuentojë liceun e famshëm “Luis-le-Grand”. Në vitet 1839-1842: Sharli hyn për pak kohë në Fakultetin e Drejtësisë, por është tërësisht i tërhequr pas letërsisë, sidomos pasi është njohur me artistë të tillë si Balzak e Verval. Spikat fort dëshira për një jetë të çrregullt, dëshirë kjo që e detyron familjen ta nisë për një udhëtim të gjatë turistik në Indi. Bodleri, pasi qëndron pak kohë në ishullin Maurice, e ndërpret rrufeshëm udhëtimin dhe kthehet në Bordo.Në Francë hyn në zotërim të trashëgimisë së të jatit e lidhet me artisten mulate Jeanne Duval. Bukuria ekzotike, sensualiteti epshëror, magjia turbulluese, janë tema të shumë lirikave të pjesës së parë të librit. Nga 1845 deri më 1846 debuton si kritik arti me dy vepra; ndërkaq vazhdon të bëjë një jetë të shthurur e me mjaft shpenzime, duke eksperimentuar së bashku me miqtë e tij artistë, rebelë si vetë ai,efektet e hashishit dhe pasioneve më të shfrenuara të ndjenjave. Fillojnë të shfaqen vargjet e para në shtypin e përditshëm, së bashku me studime dhe artikuj të temave të ndryshme. Në vitin 1847 boton novelën “Fanfarlo” që përbën një lloj autoportreti ironik dhe përkthen poemën e famshme “Korbi” të shkrimtarit amerikan E.A Poe, me të cilin ndjen një afërsi të theksuar, e për të cilin do të shkruajë ese mjaft të bukura e analitike, pasi mendonte se kishin shume gjëra të përbashkëta. Suksesi saj i madh do t’i jepte një shtysë akoma më të fortë pasionit të tij për poezinë.Ndërkaq, forcon një lidhje dashurie me artisten me “sy të gjelbër” Marie Daubrun,shpesh e pranishme si burim frymëzimi në pjesën qëndrore të librit “Lulet e së Keqes”.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk