Çarls Dikens, kumti i zëshëm i zgripeve
Nga Albert VATAJ
Dy shekuj janë një shkrepëtimë në universin e matshmërisë së
kohës në art. Janë jo më pak se një e djeshme, prej të cilës zgjohemi me ngut
dhe përplot kureshti, për të kumtuar dhe për të mëtuar atë që një e shkuar e rizgjuar
tek ne ngucatet të dëshmojë. Eshtë kjo kohë dhe hapësirë dimesioni, prej nga
erdhi në historinë e letërsisë, një korife mendimi dhe qëmtimi, një ngucatje
përvoje dhe dëshmimi, një jetë e tendosur dhe e mbushur me mbrëmje të trazuara
dhe netë të zymta, vrashpirtje e zemërthyerje. Oshnar i rrëfimi dhe delikat i
tematikët, sarkastik dhe ndërzyes. Ai nuk mund të ishte vetëm një emër i madh,
pas të cilit zvarget një galeri kryeveprash botërore, e që mundena me nxjerr
prej tyre dhe për ta sejdisur në memorien e shekujt prej jush “Pikuiku”, si
fillimtaria dhe tharmi i asaj britme frigane, e atij muzikaliteti të trishtë, e
tançkasë në zenith. Ishte dhe mbeti një zot i gjenialitetit dhe fatit,
kryerendës i kushtrimeve më të zëshme të kohës dhe tabanit ku ky naltësim do të
hovej.Ai la pas një univers të paanë krijimtarie, botoi një numër të madh
tregimesh të shkurtra, por edhe të dramave dhe novelave të mëdha, ku “Oliver
Twist” mbetet padyshim një nga kontributet më të jashtëzakonshme. Korpusi i
tij, natyrshëm prek edhe një tjetër majë, atë të “David Koperfildi”,”Pritjet e
Mëdha”, etj. Qëmtesat letrare, ato të sheshtat, të thukëtat dhe kreshpërueset,
ngasen të gjitha nga subjekte reale. Fillimtaria e moshës së shpërthimeve në
juglindje të Anglisë orvatet të mbart gjithë lëndën dhe pulsin që rreh në këtë
shtat vigani të letrave. Dikensi (1812-1870), është pa asnjë mëdyshje
romancieri më i mirënjohur e pa modesti mund të ngulmojmë se ai është ndër më
të rëndësishmit e botës së letrave angleze. Jeta e këtij gjeniu të letrave, do
të përçapej mes vështirësishë dhe nakatosjesh pafund, do të zvargej dhe çirrej,
gjakosej, përbaltej, derdhej dhe ngurosej.
Shumë pak njerëz ishin në dijeni të botës së tij
shpirtërore, me gjasa tre a katër. Dhe pikërisht ky grusht njerëzish pranuan që
të mos flitnin shumë për shkrimtarin në fjalë, duke mos e ngarkuar aspak me
faj. Është më se e vërtetë që “Oliver Tuisti” s’është veç një përzierje fort
çudane mes melodramës dhe realizmit; si realizmi, ashtu edhe melodrama janë
enkas të errëta dhe zymtake. Por humori dhe llahtara e tij mund të krahasohen
përnjëmend, dhe ai vërtet kishte dhunti për njëfarë lemerie, e cila në gjuhën e
popullit përkthehet të ushqehesh me frikën, të hovesh nga skutat më të errëta
të ferrit dhe të behësh me shkëlqimin e një ylli. Kjo gjallëri e shtypur, kjo
lojë me fatin dhe me brendinë,është për shkak të dashurisë që ai ndiente për
jetën, të cilën s’e humbi për asnjë çast; ndërsa dashuria për vdekjen, gjë që
s’është tjetër veçse dëshpërim dhe pesimizëm, ishte i pakuptimtë dha shpirt.
Kjo lloj llahtarie që më pas ngjizi vdekjen e Krukut tashmë gjendet tek “Oliver
Tuisti”, porsi përsëritja e padurueshme që buçet në veshët e vrastarit “do të
pastrojë njollat e baltës, njollat e gjakut” e kështu me radhë. Për pjesën e
mbetur, fabula është e pakuptimtë, kurse shkëndijat e haresë janë të
shkëlqyera, por gjithsesi të pakta; sidoqoftë, ekziston një aspekt tjetër i
librit që i jep rëndësi historisë së Dikensit. Dhe ky s’është vetëm romani i
tij i parë i maktheve, por gjithashtu edhe i pari i traktateve të tij
shoqërore.Megjithatë, mëtimi për të shkruar lidhur me gjithë llojet e shijeve
të njerëzve, çoi në krijimin e romanit seriozo-komik. Ata priteshin me padurim
të madh pikërisht si buletinet, dhe për kohën shkruheshin me të njëjtin
turravrap, si edhe njoftimet e gazetave. Ndryshimi ishte pjesërisht pasojë e
karakterit dikensian dhe pjesërisht pasojë e metodës së botimit. Por s’duhet
harruar një gjë, ekziston më shumë se një shembull që përngjet porsi një
ndryshim pozitiv i planit në historitë e Dikensit, i cili u mundësua nga ky
zakon i kryehershëm për të mos e krijuar veprën e artit më së ploti. Mbase këtu
struket edhe ajo pjesëz e së tërës së veçshmërisë së shkrimtarit.Disa kanë
hedhur mendimin se zvetënimi i Bofinit në krye të herës ishte menduar të qe i
njëmendtë, ndërsa fabula e tij e ngadaltë një ndërrim mendjeje, dhe e njëjta
ide gjendet edhe në rindërtimet e “Eduin Druidit”. Kumtoi pareshtur në kësi
shtresimesh dhe thepisjesh, për të mbetur vetëm ai. Çarls Dikens, ky dalzotës i
gjenialitetit dhe fatit, ky mjeshtër i trajtës së pavdekshme të ngulmit për të
kushtruar. Zëri dhe vepra, mëtimi dhe kumtimi, sharmi dhe ngjizja e dallojnë
këtë penë të mprehtë që me kryeveprën “Oliver Twist”, për t’u ngjitur në më të
epërmin tekstshkrim dhe më popullorin, “David Koperfildi”. Ai ishte, është dhe
s’ka gjas për t’u shkulur nga përmendorja e memories letrare.
Comments
Post a Comment