Askushmëria është një ndjenjë e skajshme shoqërore që në situatë paniku e fut njeriun në ankth dërrmues dhe e zvetnon
Njeriu në turmë shndërrohet në një makinë dhe si e tillë ai
nuk e njeh dhe nuk mundet ta njohë vetveten. Ashtu si makina, ai bëhet i
papërgjegjshëm për veprimet e tija dhe as dëshiron e as kërkon të dijë apo të
kuptojë. Kështu ai shndërrohet në një njeri mekanik me të cilin çdo gjë ndodh.
Duke qenë se skllavërimi shoqëror mbështetet mbi frikën, sundimtari i turmës ia
ushqen papushim asaj frikën dhe mospëlqyeshmërinë për çdo gjë ndryshe, të re
apo të panjohur. Makinat janë të verbëra dhe të pavetëdijshme; ato s'mund të
jenë ndryshe dhe veprimet e tyre duhet t'i përgjigjen natyrës së tyre. Njeriu
në turmë, njeriu mekanik, i plotëson këto veti të makinës. Si i tillë, ai nuk
është njeri i lirë. Që të çlirohet atij i nevojitet së pari të fitojë lirinë e
brendshme, të vetëdijshme, të ndërgjegjes dhe mëvetësisë së tij shpirtërore.
Përndryshe ai ngec i skllavëruar shpirtërisht sepse ai, para së gjithash, as
nuk e njeh dhe as nuk e kupton vetveten e tij. Prandaj njeriu në turmë e humb
dhe nuk e kujton vetveten, sepse ai edhe jeton e vepron duke qenë në gjumë të
thellë ndonëse me sytë hapur edhe nuk bën përpjekjet e duhura për t'u zgjuar.
Askushmëria është një ndjenjë e skajshme shoqërore që në
situatë paniku e fut njeriun në ankth dërrmues dhe e zvetnon. Nën ndrydhjen e
skajshme të shpirtit të tij, nën hutimin dhe kotësinë që pëson shpirti i tij,
nën zhvleftësimin e historisë në mendjen e tij, i dalldisur nga paarsyeshmëria,
fillon të ndriçojë në shpirtin e tij të tymosur një flakë pishe e zbehtë në
degëzën e askushmërisë. Askushmëria bëhet për të frymëmarrje, liri dhe shkak
veprimi. Ai bëhet kështu një makinë që nuk ka fillim e qëllim rruge, një makinë
pa busull, që përpiqet të ngahet dhe po qe e nevojshme mund të marrë një kthesë
e të ecë për aq sa i kërkojnë shërbim. Duke harruar me dashje ose pa dashje, ai
humb vetveten dhe fshin nga mendja vlerat dhe historinë në origjinën e tij,
rrënjët. Ai nuk e dallon më tjetrin. Ndërkohë ai kërkon të mbushet me vlera të
reja, por nuk arrin të kuptojë se ato janë të pathemelta tek ai, janë si
gjethet të cilat zverdhen dhe nuk dihet se ku i flak era.
Comments
Post a Comment