Njeriu në turmë kthehet pa e kuptuar në një narcist

Njeriu në turmë e ka të pamundur të pranojë se jo çdo gjë është apo i përket çdonjerit dhe jo çdo njeri është për çdo gjë. Një mendësi e tillë nuk arrin të pranojë se veç punës së tij egziston e duhet të egzistojë edhe puna e të tjerëve dhe nuk vozit në mënyrë të atillë që puna e tij të plotësojë punën e të tjerëve ose puna e tij të plotësohet prej të tjerëve. Për një shpirt të tillë i mirë është, domethëne duhet të egzistojë, vetëm guri i tij dhe jo muri i përbashkët. Ai vetëgjykon se është i pazëvëndësueshëm dhe ka edhe raste që ai përpiqet ta prishë murin e përbashkët, sepse ka një shpirt të pabesë me aromë kalbëzimi. Një shpirt i tillë nuk përcjell respekt për të tjerët e midis të tjerëve, biles për të nuk egziston dhe nuk duhet të egzistojë edhe mendimi ndryshe, aq më tepër të kuptojë se kur respektohet mendimi ndryshe edhe bashkimi është më i fortë. E thënë më gjërë, një shpirt i tillë nuk pranon ndryshimin dhe ndryshueshmërinë, domethënë harmoninë, dhe si rrjedhim nuk pranon përparimin, madje e urren atë.
Njeriu në turmë kthehet pa e kuptuar në një narcist. Si i tillë ai kërkon me këmbëngulje në turmë vetëm pasqyrime të vetvetes; të tjerët janë njësoj për të, duhet të jenë kështu ose përndryshe të shndërrohen në të tillë. Pëlqyeshmëria për vetveten duke parë dhe prekur vetveten nga të gjitha anët e në tërë turmën është e pakufijshme. Ndërsa narcistit të lashtësisë i duhej të qëndronte tërë ditën mbi një pellg të vogël me ujë të patrazuar për të parë vetëm vetveten e pasqyruar me qëllim që t’i avullonte kënaqësinë e pëlqyeshmërisë së vetvetes, për narcistin e turmës pasqyra e vetvetes shtrihet në të katër anët e pafundme për sa kohë që egziston turma e tij. Si e tillë kjo pasqyrë e nderë bëhet njëkohësisht mjaft e brishtë, lehtësisht e thyeshme dhe e thërmueshme nga çasti në çast për shkak të madhësisë e shtrirjes së saj. Një kënaqësi e tillë e dhënë nga një pasqyrë e pafundme nuk mund të lëshohet apo të harrohet. Për ta ruajtur këtë gjendje, mjetet e vetme të narcistit të turmes janë: vigjilenca, cmira, urrejtja dhe dhuna ndaj çdo drithërime të sipërfaqes së pasqyrës ujore, ndaj çdo tingulli sadopak të ndryshëm të dëgjuar, ndaj çdo njëshi tjetër në turmë dhe ndaj çdo ndryshimi që shfaq ky njësh. Në mënyrë të veçantë, narcisti i turmës hidhërohet thellë dhe mbushet me dëshpërim e urrejtje kur vëren ndonjë të mirë që i shkon apo i ndodh tjetrit. Për të, njëshat e tjerë në turmë nuk e meritojnë dhe nuk duhet t’iu ndodhin të mira. Ay i përqesh të tjerët kur shprehen e shfaqen ndryshe, i pengon ato të ndryshojnë dhe të përparojnë. Për të, vetëm sundimtari i turmës, idhulli i tij, vetvetja e tij e dëshiruar, meriton të mira, prarim, vezullim e lartësi.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk