Figura e stampuar e mbinjëshit të tij mishëron pasqyrimin e vetetes për njëshin e vocërr
Njeriu i turmës nuk rri dot pa e parë dhe dëgjuar papushim e
kudo figurën e mbinjëshit të tij. Figura e stampuar e mbinjëshit të tij
mishëron pasqyrimin e vetetes për njëshin e vocërr dhe si e tillë tek kjo
figurë ai gjen kënaqësinë dhe dehjen më të madhe për veten e vet; kjo është
ëmbëlsia për shpirtin e tij të idhtuar. Karrikja dhe bëmat e sipërnjëshit i
krijojnë njëshit të vocërr një rrymë të atillë jehonash saqë pa atë rrymë as
makina njësh nuk punon e as njëshi nuk ndjen vetveten. Njeriu në turmë kthehet
në vogëlinë e fëmijërisë e tij kur ëndërronte të ishte i madh, mbinjësh i
frikshëm, dhe papërgjegjshmëria fëminore i jepte shijen e kënaqësisë pakufi.
Prandaj, besimi i tij shkon andej nga fryn era, andej nga burojnë valët e
tingujt që e mbajnë të vogël atë, andej nga shfryn sundimtari i turmës, andej
nga është kahu i fuqisë së turmës. Turma kërkon njerëz të vegjël, grimca rëre,
që të prodhojë furtunë. Si një vocërrak, ai gjykon vetëm duke thërritur për
ndihmë paragjykimet e paharrueshme të vogëlisë. Duke përfytyruar, ai e kthen
veten mbrapa në kohë dhe emocionalisht mburret me këtë. Kështu, me dashje e pa
dashje, ai e shuan zgjuarsinë e tij, bëhet i paaftë të dallojë dhe kuptojë të
vërtetën, e ul veten aq poshtë sa të mos njohë rrotën dhe të mos dijë sa bëjnë
1+1-1; dhe shpejt e shpesh bën keq dhe gabime. Njeriu në turmë e ka të pamundur
të kujtojë apo vrojtojë vetveten, e si rrjedhim ai e ka të pamundur të kujtojë
apo t'i lidhë veprimet e ndodhitë e shkuara. Kujtesa e njeriut në turmë është e
çastit, tepër e shkurtër. Ai kujton vetëm çfar dëshiron në çast të kujtojë ose
çfar i shkon për shtat shpresave dhe frikave të tij.
Comments
Post a Comment