Njeriu në turmë shndërrohet në një skllav me dashje

Njerëzit në turmë janë të egër e të dhunshëm. Shpirti i tyre dhunon dhe kërkon të dhunohet. Me fjalë të tjera shpirti i tyre është i skllavëruar. Skllavërimi i është bërë karakter, zakon, kërkesë, dëshirë dhe mënyrë të jetuari. Njeriu në turmë shndërrohet në një skllav me dashje; ai nuk rron dot pa vuajtur. Ai nuk ka nevojë më për zinxhirë që ta mbajnë të tillë, ashtu si fizikisht. Sa më shumë koha kalon, aq më shumë ai e adhuron skllavërinë e tij dhe aq më shumë krenohet me të. Meqenëse ky shpirt nuk pranon e respekton ndryshim tek “të barabartët” e mendjes së tij dhe ndërkohë kërkon të dhunohet, atëhere këtë dhunim e skllavërim e kërkon, e gjen si zgjidhje, dhe e pret vetëm nga sundimtari i pashpirt i turmës. Domethënë, e kërkon këtë nga idhuli i tij, nga i dëshiruari i shpirtit të tij. Meqenëse ky shpirt i egër është i pasjellshëm ndaj “të barabartëve të tij”, meqenëse ky shpirt nuk pranon të renë dhe ndryshimin e harmonishëm tek “të barabartët e tij”, ai ka vetëm një shtysë mendimi: skllavërimin, dhe vetëm një gjuhë veprimi: dhunën. Egërsia i shkakton dhimbje therëse në shpirt kur sheh harmoni në rrethin e “të barabartëve të tij”. Vetëm dhuna e më të fortit, e më mizorit, e më të egrit, e më të poshtrit, e atij që ka të drejtë të dhunojë e përdhosë të tjerët, e sundimtarit të turmës, mund t’ia fashitë dhimbjen e instikteve të egra të tij. Vetëm kjo dhunë madhore, vetëm ky sundimtar turme me të vetmen të drejtë fjale e veprimi, mund t’ia shtypë egërsinë, shkaktaren e dhimbjes, t’ia qetësojë shpirtin e tij dhe t’ia dehë emocionet. Ky shpirt nuk e kupton dhe nuk e kërkon mëvetësinë, ndryshimin në lidhje me të tjerët. Më e shumta që dëshiron ky shpirt është të bëhët një vasal mizor. Edhe kur e shtyjnë në liri të përkufizuar për të gjithë, ai nuk mund të shkëputet nga e kaluara e skllavërimit dhe dhunimit mbi të. Liria për të është dhuna, rasti për të shfryrë egërsinë e emocioneve të tij. Ai po me dhunë kërkon të kthehet në skllavërinë e shkuar, me të njëjtat kushte e mundësisht me të njëjtin sundimtar mizor për turmën. Shpirti i tij qan papushim për egërsinë e sundimtarit të shkuar. Shpirti i tij i idhnuar psherëtin për mungesën e munduesit të tij të egër, humbjen e të cilit e ndjen shumë herë më të madhe se humbjen e vetvetes apo “të barabartëve të tij”. Ai dëshiron gjithmonë që munduesi të ringjallet dhe shpreson në këtë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk