Njeriu në turmë arsyeton mbi bazën e vetarësyes së shtypur të njëshit
Njeriu në turmë arsyeton mbi bazën e vetarësyes së shtypur
të njëshit. Domethënë, ai kërkon njësha për mendjen e tij të ngathët, sepse ai
e ka frikë njëshin, mundimtarin e mundshëm të tij, dhe mendon se edhe ai njësh
e ka frikë atë për të njëjtën arësye. Ay është një sundimtar i gurosur, sepse
vetëm kështu mund të jetë njësh, dhe si i tillë nuk pranon të dallohen njësha
të tjerë në turmë. Kur ia dënojnë të këqijat, ai kërkon vetëm njësha, sepse me
dashje ose padashje nuk e kupton se pse i sulen. Një shpirti të tillë nuk i
intereson bashkëpunimi dhe harmonia, atij i intereson vetëm mbinjëshi që ta
sundojë në shpirt. Pavarësisht sa larg është, ai gjithmonë vigjëlon që
mbinjëshi, sundimtari i tij me të cilin i mburret vetvetes, të mos cënohet, të
mos iki, të jetë i përjetshëm e i paprekshëm, i gurosur, i lartë deri në qiell,
sepse vetëm kështu ai mund të ngrejë sytë lart. Urrejtja e bën atë gjithmonë
gati të bashkohet me shpirtra të tjerë të tillë për t’iu sulur mizorisht “të
barabartëve të tij”, për t’i plaçkitur e përdhosur ato, për t’i tradhëtuar ato,
sa herë i del rasti apo dëgjon se mbinjëshi iu kërkon një gjë të tillë. Lëvizja
barazitiste (komuniste, e thënë jo shqip) në Shqipëri mori përmasa epidemike
gjatë Luftës II Botërorë, sepse njerëzia u josh nëpërmjet thënies “Ngrihuni
t’iu biem atyre që janë ndryshe dhe t’iua marrim atë çfar kanë”.
Njeriu në turmë nuk ka forcë shpirtërore dhe gjithnjë bëhet
akoma edhe më i pa aftë të pyesë apo të gjykojë vetveten, të shkëputet prej
kthetrave të brendshme, të shmangë varësinë nga të tjerët, të mos përjashtojë
vetveten, të përdorë ndonjë dritëz kuptimi prej vetvetes; të ketë kureshtje
kush është, nga vjen e ku shkon dhe pse. Njeriu në turmë është një askush. Ai
mendon sipas modës së turmës, sipas propagandës zyrtare shtetërore apo
botërore, dhe përqesh çdo gjë që është ndryshe nga ajo modë. Njeriu në turmë i
ngjan një cifle hekuri të cilën vetëm fusha magnetike e mbinjëshit e mban drejt,
të ngritur lart. Pa këtë fushë magnetike jetike, ai bie përdhe e shkon me
pluhurin. Prandaj njeriu në turmë guroset pas mbinjëshit dhe shndërrohet në
fanatik, domethënë ai e ka të pamundur të ndryshojë mendjen dhe përmbajtjen.
Një njeri me shpirt të tillë është qenie emocionale, nervore, një tifoz, një
spiun, një madhni që përgjërohet për naltmadhninë e tij. Ay qëndron në turmë
për shkak të urrejtjes që ka ndaj të tjerëve, ndaj atyre që njeh apo ndaj
fqinjit. Mbinjëshi është shpirti i tij, emocioni dhe kënaqësia e tij, sepse
prej hyjniut mbinjësh dhe urrejtjes që ai mbjell egziston turma ku mund të bëjë
pjesë. Urrejtja dhe pickimi i emocioneve që i shërbejnë kësaj urrejtje janë ato
që e mbajnë turmën bashkë, sepse tek mbinjëshi ai gjen urrejtjen e dëshiruar
dhe pickimin e nevojshëm të emocioneve. Pa këtë pickim emocionesh njeriu i
turmës nuk do ta ndjente vetveten, nuk do ndjehej mirë, dhe do idhtohej duke u
rropatur deri sa të gjente një turmë ku helmi i mbinjëshit t’i ëmbëltonte
emocionet. Turma e tij është bota e tij, e kuptimtë për të egzistuar, në
brigjet e së cilës përplasen botë (turma) të tjera, të huaja dhe armiqësore.
Comments
Post a Comment