Shpirti i Turmës bashkëjeton me njeriun
Shpirti i Turmës bashkëjeton me njeriun dhe është tipar i
historisë njerëzore, sepse njeriu në mënyrë të natyrshme është qenie shoqërore
që kërkon përherë të shoqërizohet. Porse njohuria për të, përkujdesja ndaj
këtij shpirti dhe mbi të gjitha shfrytëzimi i tij për qëllime të caktuara
përbën anën tjetër të medaljes. Çeshtja madhore është se sa i theksuar është
shpirti i turmës në shoqëri, sepse njeriu i brymosur me një mendësi të tillë ka
në themel të mendjes së tij çiftin Sundimtari dhe Turma. Kjo është çeshtje
madhore sepse mendimet dhe ndjenjat janë shfaqje të shpirtit të njeriut dhe
janë pikërisht ato që përcaktojnë sjelljen e tij shoqërore, domethënë kufirin
ndarës çfar quhet e mirë dhe çfar quhet e keqe. Sjellja dhe puna e njeriut janë
dy gjëra të ndryshme por që njëkohësisht plotësojnë e bashkëshoqërojnë njëra
tjetrën, ngase në fund të fundit ato bashkëshoqërojnë njeriun. Sjellja
shoqërore është ajo që përcakton ngjarjet shoqërore, sepse njeriu bën atë që
dëshiron të bëjë.
Njeriu në turmë ka një shpirt të ndrydhur, të pa lirë e të
pa larmishëm dhe duke qenë në gjendje të tillë ai kundërvepron duke i lindur
dëshira në skutat e shpirtit të tij për ta parë veten në krye të turmës.
Shpirti i tij ngashëron, kredhet
përqark, i friksuar mban sytë e veshët hapur te të tjerët, frigon e idhtohet
nga e mira e tjetrit, i sheh të tjerët detyrimisht të barabartë me vetveten,
sheh në të tjerët aspak ndryshim nga vetvetja ose në rastin më të mirë ndryshime
të parëndësishme. Ai ndjehet njësh me “të barabartët e tij” dhe vetpërfytyrohet
si përfaqësues i tyre. Ky shpirt i ngujuar në mënyrë natyrale kërkon hapje,
liri dhe vet-dallueshmëri. Prandaj ai e anon ndërgjegjen e tij drejt njëshit,
drejt unit, drejt vetkuptimit me ndjenja të forta që ky vetnjësh kështu nuk ka
vlerë dhe si rrjedhim i mbin dëshira që të duket mbi të tjerët ose, e thënë
sipas mendjes së tij, mbi “të barabartët e tij”. Zgjidhja më e lehtë për të
është mburrja ose bërja e tjetrit me turp. Ai gjithmonë është në kërkim të
rastit për t’u mburrur ose bërë tjetrin me turp, sepse ai ndjehet keq dhe i
turpëruar kur nuk mburret apo kur nuk e turpëron tjetrin. Me ligësi, ai
gjithmonë është në kërkim të thashethemit për tjetrin, sepse edhe vetë ai është
një thashethem. Kështu, njeriu në turmë harxhon pa ndërprerje vëmendje dhe
energji e tij për emocione të panevojshme dhe hamendje të papëlqyeshme, për
ngacmime nervore të nxituara, për ëndërrime me sy hapur dhe thashetheme të
pashtershme.
Comments
Post a Comment