Një shpirt i tillë njeh vetëm lirinë e tij të egërt e të pakufishme
Një shpirt i tillë i jep vlerë vetëm të qënit mundues për të
tjerët, i jep vlerë vetes vetëm duke ia ulur vlerën të tjerëve, i jep vlerë
vetes duke përdhosur vlerat qytetare, kulturore dhe kombëtare të shoqërisë që i
përket. Një shpirt i tillë njeh vetëm lirinë e tij të egërt e të pakufishme. Ay
është shpirtërisht pjesmarrës në krimin apo tradhëtinë që sundimtari
(Mbinjëshi) i tij kryen. Ai nuk arsyeton për këtë dhe nuk e arsyeton mbinjëshin
e tij, sepse ay vetë është sundimtari i ëndërruar pa qenë sundimtar. Ai dallon
vetëm të drejta për veten e tij; për të egziston vetëm liria e tij dhe jo e të
tjerëve. Biles, kur mbaron ai duhet të mbarojnë edhe të tjerët. Një shpirt i
tillë është i pangopur, i pakënaqur, i paqetë dhe rrjedhimisht mizor për të
mbajtur gjallë pangopshmërinë e tij. Ai vetmendon se është i pagabueshëm, i
pacënueshëm, me të drejta absolute e liri të pakufijshme. Ai nuk mban dhe nuk
ndjen përgjegjësi për veten dhe të tjerët; një shpirt i tillë është, bie fjala,
një Ali Pashë Tepelenë. Një shpirt i tillë synon që çdo gjë me vlerë të jetë
brenda derës së tij, ai dëshiron dhe përpiqet të ndërtojë vetëm ishullin e tij,
kullën e tij me frëngji. Atij nuk i intereson ambjenti përreth dhe madje ai e
sheh me armiqësi këtë ambjent, sepse atij nuk i interesojnë gjërat e
përbashkëta. Një shpirti të tillë i pëlqen të ndërtojë ishullin e tij të
thepisur; ai ngazëllehet kur prish urat lidhëse dhe pret telat ndërlidhëse për
të ndërtuar garth përrreth vetes së tij. Atij nuk i pëlqen bashkëjetesa
paqësore, sepse ai nuk respekton tjetrin dhe pjesën e tjetrit, ai është një
fqinj i keq, ai urren dhe i erren sytë për çdo ndryshim të vënë re tek “të
barabartët e tij”. Dhe njëkohësisht, ai vrojton se ç’bëjnë të tjerët për të
bërë të njëjtën gjë, për të mos ngelur mbrapa emocionalisht.
Comments
Post a Comment