shpirti i askushmërisë lind prej shpirtit të turmës dhe ndërthuret mjaft me të
Të menduarit turmor dhe askushmëria të para veçan dhe të
veçuara për njeriun e veçuar nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë. Por meqenëse
shpirti i askushmërisë lind prej shpirtit të turmës dhe ndërthuret mjaft me të,
atëhere kur shpirti i turmës dhe i askushëmrisë bëhen tipare shoqërore të
përhapura dhe të njëkohshme, atëhëre ai grup shoqëror është në rrezikun e madh
të mashtrimit dhe vetshkatërrimit. Rreziku bëhet akoma më i madh dhe pësimi
prej tij më i shpejtë kur armiqtë e këtij grupi shoqëror ia njohin atij këtë
shpirt dhe përkujdesen t’ia forcojnë pikërisht këto dy tipare shoqërore. Në
këtë rast, pasoja është e paqartë për çastin por e qartë pas një periudhe të
gjatë kohe. Si rrjedhim, ai grup shoqëror vetshkatërrohet, humbet vlera
njerzore, shpirtërore, kulturore dhe materiale, ose në rastin më të mirë
vazhdon të përtiqet në kufinjtë e mbijetesës duke ngelur i prapambetur, i
vetpenguar në përparim dhe i paqetësuar. Ngulmi i këtyre dy mendësive i mban
njeriut ndezur ëndërrën e barazitizmit dhe si rrjedhim ai cënon dhunshëm gjërat
që s’i përkasin ose që janë të ndryshme nga ëndërrimi i tij.
Veç shpirtligëve, njerëzit që janë në detyra zyrtare dhe i
përmbajnë në vetvete të dy këto mendësi bëhen shumë dëmtues për shoqërinë gjatë
marrjes së vendimeve. Biles, ato zhyten në krime dhe tradhëti nga të cilat nuk
dalin dot dhe njëkohësisht kujdestarët e tyre nuk i lenë të dalin por i zhytin
akoma më shumë. Njerëz të tillë bëhen kukulla qeverisëse dhe nga veprimet apo
goja e tyre mund të dëgjohen gjërat më të paarësyeshme. Me njerëz të tillë në
pozita shtetërore, veprimtaria armiqsore e huaj, sidomos ajo e fshehta, ka
fushë të lirë veprimi dhe pasoja të dhimshme për vendin. Historia shqiptare
vazhdon ta japë këtë mësim. Ato njerëz që thonë se nuk ka armik, ose e thonë
këtë nga mungesa e zgjuarsisë së tyre, ose e thonë këtë nga vetvetja për shkaqe
emocionale dhe qëllime të ngushta vetjake apo përfitimi, ose iu është thënë nga
armiqtë ta thonë këtë gjë (duke e ditur ose duke mos e kuptuar këtë); ose
shtyhen ta thonë këtë jo nga një shkak i
përmendur më sipër. Shteti i Shqipërisë zyrtare u shpartallua në fillim
të vitit 1997 pikërisht prej humbjes së armikut (një shembull i askushmërisë)
dhe veprimit të frymëzuar nga mendësia e turmës.
Të dyja këto mendësi ushqejnë njëra-tjetrën dhe përcaktojnë
sjelljen shoqërore të njeriut, e cila do të thotë para së gjithash si sillet
njeriu ndaj shoqërisë dhe çfar ka bërë për të. Egzistenca dhe nxitja e tyre nga
ato që i duan të keqen shqiptarëve i rrisin mjaft pasojat negative mbi
shoqërinë shqiptare, qetësimin, bashkimin dhe përparimin e saj. Ndikimi negativ
në shoqëri i të dyja mendësive zvoglohet nëpërmjet ndriçimit të shpirtit me
vlera dhe mendjes me ide, shkollimit matematik dhe shkencor, edukimit të
njeriut si e pse të përdorë arësyen, edukimit kombëtar dhe atij bashkësor. Të
gjitha këto kanë qëllim përparimin dhe përkufizimin e mirësjelljes shoqërore
ndaj vetvetes, të tjerëve dhe ambjentit në rrugën drejt një shoqërie të
udhërrëfyer prej arësyes dhe urtësisë, domethënë drejt një shoqërie që i përket
e vërteta dhe që e sheh atë nëpërmjet arësyes. Pra çeshtja shtrohet: të dihen
të metat e mendësisë shoqërore dhe të kundërveprohet butësisht për largimin e
tyre, apo të mos dihen por t’i dijnë armiqtë dhe të veprohet egërsisht për
thellimin e tyre. Meqenëse përmirësimi paraprak fillon tek vetë njeriu, fillimi
i largimit të këtyre dy mendësive në çdo rast është shumë i thjeshtë: njeriu
nevojitet të mos mendojë e të mos flasë me NE. Kështu ai do të fillojë të
zgjohet, të kujtojë vetveten, të shkuarën e rrjedhimisht të ardhmen, dhe do të
fillojë të egzistojë sepse do të fillojë të mendojë.
Comments
Post a Comment