Frang Bardhi, meshtar dhe shërbëtor i shqipes dhe shqiptarëve
Frang Bardhi zë një vend të veçantë në letërsinë e vjetër shqiptare. Duke ndjekur vazhdën e paraardhësve në veprimtarinë atdhetare, në fushën e krijimtarisë letrare i kalon caqet e përkthimeve fetare. Ai kishte interesa më të gjera. Bardhi bëri edhe përkthime fetare, por ato mbeten të pabotuara dhe humbën, prandaj ai ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare si leksikografi i parë shqiptar, si historian, folklorist e etnograf.
Bardhi studiohet në historinë e letërsisë sonë me dy vepra origjinale:
"Fjalori latinisht-shqip„ dhe "Apologjia e Skënderbeut„. Këto vepra e
lidhin atë më tepër me humanizmin shqiptar sesa me traditën e letërsisë fetare
të shekujve XVI-XVII.
Edhe për jetën e Bardhit dhe për veprimtarinë e tij kemi pak
të dhëna. Lindi në Kallmet të Zadrimës më 1606. Ai sikurse edhe Budi, krenohej
që i përkiste një familjeje pjesëtarët e së cilës nuk u rreshtuan me
pushtuesit. Studimet i kreu në Itali, në kolegjin e Loretos dhe pastaj në atë
të Propaganda Fides. Me 1635 u emërua peshkop i Sapes ( Zadrimë ). Në
veprimtarinë e tij politike Bardhi do te jetë në radhët e para të atdhetarëve
që i përkushtohen luftës për t'u çliruar nga zgjedha e huaj, zhvillimit dhe
përparimit të vendit dhe të gjuhës shqipe.
Gjendja e mjeruar e popullit nën sundimin e egër osman,
dëshira dhe përpjekjet për t'a ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri,
ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht Bardhin. Kjo duket edhe në
relacionet që i dërgonte herë pas here Papës. Ja si shprehet në relacionin e
vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë,
sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: "Dhjetë ose
pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë
e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i
shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre,
sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhet të lerë
peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta..."
Relacionet e tij kanë edhe më shumë të dhëna të tjera për
gjendjen shpirtërore të popullit, për zakonet, traditën e tij, etj.
Ashtu si edhe Budi, madje që në hapat e parë të jetës së
vet, si misionar i fesë, Bardhi hyri në konflikt të hapur me klerin e huaj,
madje edhe me ungjin e vet, Gjergj Bardhin, të cilin edhe do ta padisë si një
nga shkaktarët e vullnetshëm të mbytjes së Budit. Konflikti do të ishte aq i
ashpër sa me një letër drejtuar Vatikanit vetëm 4-5 vjet pasi kishte ardhur në
Zadrimë, do të shkruante: "Në qoftë se do të shpëtoj i gjallë nga telashet
që më shkakton kryepeshkopi, qoftë ai vetë, qoftë me anën e zotërinjve turq, do
të vij në Romë, për t'i treguar të gjitha dhe për të kërkuar ndihmë".
Bardhi e shikonte detyrën e peshkopit jo thjesht si të një
misionari kishtar, por edhe të përgatiste të rinj shqiptarë të shkolluar e t'i
vinte fre dërgimit të misionarëve të huaj në viset shqiptare. Ai kërkonte
klerikë të arsimuar shqiptarë, që t'u hiqeshin nga duart misionarëve të huaj
shkollat që ishin hapur në vendin tonë për qëllimet e tyre të mbrapshta. Ai
vetë, kishte nxitur dhe dërguar për studime në Itali, klerikë të vendit, të
cilët do të merrnin dorë drejtimin e këtyre shkollave.
Vitet e fundit të jetës së Bardhit në vend që të ishin vite
pune në lëmin e gjuhësisë e të letërsisë shqipe dhe të lëvizjes shqiptare për
t'u çliruar, siç pritej prej hartuesit të fjalorit të parë të shqipes,
përmbledhësit të parë të folklorit të parë të shqipes, prej mbledhësit të parë
të folklorit tonë dhe prej mbrojtësit erudit të shqiptarisë së Skënderbeut,
ishin vite lufte kundër pushtimit të huaj, ashtu edhe kundër synimeve të kishës
katolike të Romës, vite që e lodhën shumë. Duke u gjendur në pellgun e
kundërshtimeve dhe të intrigave që u thurrën kundër tij më në fund u dorëzua,
në mos drejtpërdrejt, tërthorazi. Vdiq fare i ri, në moshën 37-vjeçare, në një
kohë kur mund të ndihmonte shumë për zhvillimin dhe përparimin e vendit e të
kulturës shqiptare.
Megjithatë Bardhi mbetet një nga figurat më të shquara të
kulturës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai na la trashëgim dy vepra madhore
"Fjalorin latinisht-shqip„ dhe "Apologjia e Skënderbeut„.
"Fjalorin latinisht-shqip„ Bardhi e shkroi që kur ishte student dhe e
botoi më 1635 në Romë. Autori thotë se e shkroi këtë vepër që t'i ndihmonte
"…gjuhës sonë që po bdaret e po bastardohet sa me parë të ve …„ Bardhin e
brente kështu shqetësimi si ta ruante gjuhën shqipe që të mos prishej e të mos
humbiste me të kaluar të kohës në kushtet e pushtimit osman, dhe nga ana tjetër
t'u shërbente edhe klerikëve katolike shqiptarë që nuk dinin gjuhën latine.
Fjalori përmban rreth 2.500 fjalë shqipe. Krahas fjalëve, jepen edhe
togfjalësha që tregojnë përdorimin e tyre. Në këtë fjalor për herë të parë
gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë të përpunuar, siç ishte gjuha latine në
atë kohë.
Përkthimi në shqip mbështetet kryesisht në gjuhën popullore,
në fondin kryesor të gjuhës sonë, por shpeshherë Bardhi sjell në përdorim edhe
shume fjalë të lashta. Me këtë vepër zë fill leksikologjia shqiptare, ndaj me
të drejtë Bardhi quhet edhe leksikologu i parë në historinë e gjuhës shqipe.
( Fragment)
Tue pasunë ditë e përditë, të dashunitë e mij, mbassi hina
ndë Kolexhë, kujtuem(1) me qish(2) copë librë keshë me ndihmuem mbënjaanë
gjuhënë tanë, qi po bdaretë e po bastardhohetë saa maa parë të ve(3); e maa
fort me ndimuem gjithë atyne qi janë nd'urdhënitë Tinëzot e të shintesë kishë
katolike, e s'dijnë gjuhënë latine, paa të sijët askush s'munë shërbenjë si
duhetë paa të madh error(4) e faj hesaapetë(5), zakonetë ë ēeremoniatë e
shintesë kishësë Romësë; më ndy(6) jo pak mirë me marrë e me nkëthyesë n'gjuhët
cë lëtine mbë gjuhët t'arbëneshë një dicionar, qi tjetër s'ashtë veēëse nja
librë, qi kaa ndë vetëhe saa fjalë e saa emëna janë e gjindenë ndë këte pjesë
shekulli(7) posikuur me thanë të nierëzet e të shtazëvet e ujënavet e të
malevet e të fushavet e të saa tjera kafshëve(8), qi gjindenë ndënë qiellt,
ende mbë qiellt, posikuur të Tinëzot, të engjiet e të shintënet... I silli
librë më pëlqei e m'u duk se kishte me u qenë për ndoonja ndimë, ndoonëse të
pakë e të moritunë(9).
Prashtu, mbassi u daashë Kolexhiet cë Zonjësë ndë Lurijt e
ershë mb'Romë pr'urdhënit të Kuvendit Shint(10) e të ndriēmit nderueshimit zot
upeshkëpit Sadrimësë, tim ungjë, pr'emënë Gjeēi i Bardhë(11), fisit sinë e
ndoret sonë, shumë i urtë e i vëjyeshim, i cilli, prej së dashunit të Tinëzot e
së shintit Atë Papë Urbanit VIII, ashtë tash krijuem e baam argjupeshkëpi i
Tivarit; e hina në Kolexhë te janë shkollarëtë, oo ata qi xanë, me vonë
mbasandaj ndër të paafeet me ētuem shintenë e të vërtetënë feenë tanë,zunafijll
tue këthyem këtë dicionaar mbë gjuhët tanë, e këtheva nsi(12) gjithë qish
mujta; e mbassi e solla(13), m'u duk i pakë e i vogëlë, prashtu hina tue
kujtuem(14) e shkrova mbe gjuhët tanë maa parë do të falunazë(15), qi kanë
zakon e banjënë t'Arbëneshëtë kuur, së largu oo s'të këtje(16), mb'udhë
mpiqenë, tue vumë përngjat(17) tyne ende mbë gjuhët të Latinjet; ashtu ende do
proverbia oo të thana, ncë sijashit disa kanë zakon e i thonë Latinjtë e disa
Taliantë; do adverbia ende, e gjithë saa kafshë janë në këtë copëzë librë, i
vuna fjalë për fjalë, e maa parë mbë disa vuna latinisht, ani(18) përngjat oo
përfundit vuna arbënisht, e mbë të tjera vuuna maa parë fjalënë e rieshtnë
arbënisht, ani përfundit latinisht, ashtu qi ata qi të fëdigenë(19) e të duenë
më xanë gjuhënë latine maa mirë e maa udob(20) t'u vinjë ...
... Prej Rome, dit ndë maaj 30, ndë vietëtë Krishti 1635.
Shërbëtori i zotënijsë saaj, unë D.Frangu i Bardhë, shkollaar ndë Kolexhë të
Shintesë Fee.
Shënim:
"Parathënia ..." është nxjerrë nga origjinali, që
ruhet në Bibliotekën Kombëtare. Në këtë parathënie gjejmë disa te dhëna
kryesore mbi jetën e Bardhit.
Sqarime:
( 1) Kujtuem, sjellur ndër mend, menduar.
( 2) Qish, çfarë.
( 3) Saa maa parë të ve, sa më shumë shkon koha.
( 4) Error, ang. gabim.
( 5) Hesaapetë, tq. konceptet.
( 6) Mëndy, m'u duk.
( 7) Në këte pjesë shekulli, në këtë pjesë të botës, në këtë
vend.
( 8) Kafshëve, sendeve.
( 9) Të moritunë, të pakë, të dobët. Lurij (Loreto), qytet
në Itali, ku ishte një kolegj, me emër "Kolegji Ilirian", që
pergadiste priftërinj e misionarë edhe për Shqipërinë. Punën për fjalorin, B. e
filloi duke qenë akoma nxënës.
(10) Kuvendit Shint, Kuvendi i Propagandës së Shenjtë, një
si organizatë e Vatikanit për propagandën fetare në vendet e ndryshme. Mbasi
kreu studimet në Loreto, B. i vazhdoi ato në një seminar të Propagandës së
Shenjtë ("Propaganda Fide").
(11) Gjeēi i Bardhë, vdiq më 1647. Familja e Bardhajve duket
se ishte një familje priftërinjësh, që luajtën rol me rëndësi në kishën
katolike të vendit tonë, veēanërisht që nga pjesa e dytë e shekullit XVI e gjer
në pjesën e parë të shekullit XVII. Daja i Gjeēit, Nikolla, dhe Gjeēi vetë,
patën marrë pjesë në lëvizjet kryengritëse të vendit kundër Turqisë.
(12) Nsi, prej tij.
(13) E solla, e përktheva.
(14) Hina tue kujtuem, fillova të mendoj.
(15) Të falunazë, përdhëndetje.
(16) S'të këtje, së afërmi.
(17) Përgjat, pranë, përkrah.
(18) Ani, pastaj.
(19) Fëdigenë, lodhen, përpiqen.
(20) Udob, lehtë.
Comments
Post a Comment