Zahiri dhe Unë, çshtë një shkrim si në jerm


“Zahiri dhe Unë” u dorëzua nga Andrew Harley në Konferencën “Borhesi, Koha dhe Mileniumi” mbajtur më 13 Dhjetor të vitit 1999 në New York City. Aktiviteti u organizua nga Shoqëria Amerikane (American Society) dhe u bashkë-sponsorizua nga Shtëpia Botuese “Penguin” (Penguin Books). Le të shpresojmë, kanë thënë botuesit, që kjo Esse nuk është në të vërtetë thjesht një parodi… Është një shkrim si në jerm, që mund të shijohet nga njohësit e mirë të Borhesit dhe që autorit duket se i ka kushtuar... deri në normalitetin e tij të jetës

 
Nga Andrew Harley*
Në Guajarat, në mbyllje të shekullit të tetëmbëdhjetë, Zahiri ishte një tigër. Ndërsa, në Java, ishte një i verbër që endej në xhaminë e Surakartës, murosur prej besimit të tij. Në Persi, ishte një astrolab, me anë të të cilit Shah Nadiri, hiqte udhë ndër dete. Në burgjet e Mahdisë në vitin 1892, ishte thjesht emri i një kompasi të vogël lundërtari, i cili maste mbi copën e leshtë marrë nga një turban, që e kishte prekur vetë Rudolf Karl von Slatin. Në sinagogën e Kordovës, duke iu referuar Zotenbergut, ai ishte një nga damarët e mermerit në një prej atyre sinagogave, mbështetur mbi 12.000 kolona?! Kurse në Geton e Tetuanit, ishte thjesht fundi i një burimi. Krejt habitshëm,  rreth vitit 1949, Zahiri u shfaq në Buenos Aires, por tashmë ishte transformuar në një monedhë të zakonshme njëzetë-centavosh. Ishte emërtuar me këtë emër që nga viti 1929 dhe një si biçim biçaku apo brisku rroje, ku rastësisht mbi të kishte zhgarravitur germat N. dhe T. bashkë me numrin 2. Kurse në New York, Londër, San Juan, Puerto Rico dhe në një qytet të vogël në Maryland, Zahiri ishte një poet i verbër ...që quhej Horge Luis Borhes.
Tashmë, kur po shkruaj, është dita e trembëdhjetë në Dhjetorin 1999. Në verën e vitit 1993, Zahiri, pas shumë andrallave mbërriti në duart e mia. Nuk isha atëherë... njeriu që jam sot, por sqaroj se jam ende në gjendje të kujtoj dhe ndoshta edhe të rrëfej...se çfarë më kishte ndodhur. Shkurt, quhem ende, megjithatë vetëm pjesërisht, Andrew Harley...
Dhe, ashtu, kam qenë që më parë- pjesë e Hermann Sörgel (Ky rast u raportua gjerësisht vite më parë  në të gjithë zhvillimet e tij në gazeta dhe mbeti me emrin Herman Sörgel) edhe pse të tjerët e kundërshtonin. Ata do të ishin pjesë të tij...dhe mes tyre...Unë shquaja mes tyre edhe vetë William Shakespeare. Ashtu si Sörgel, edhe unë kur u zgjova një mëngjes, nuk mund të dija më se kush nga ne të dy, pra Borhes apo Unë vetë, po flisnim me fjalët… Në fakt, isha unë- Ai- që po i flisja me vetë ato... përpara pasqyrës. Nuk e dija në fakt, se cili nga ne të dy, fliste tani me këtë logjikë mendimi. Pak kohë më pas, ndërsa ne futeshim në mijëvjeçarin e ri dhe ndërsa zerot e kalendarëve, do të shifronin më tej mundësinë që shtrihet drejt e deri në boshësi; për mua dhe për shumë të tjerë (E di mirë që ashtu si gjithë të tjerët, kur ishin të rinj, fati ynë, ashtu si edhe fati i të gjorit Edwin Williamson në këtë çmendinë në Edinburg... ishte i destinuar për të shkuar drejt qenies) kjo gjendje ishte akoma vetëm e pjesshme. Në fakt, edhe... ashtu si e mendoja me të gjitha...këto ishin të gjitha ato që përbënin bagazhin e një aktori të vërtetë... si Borhes.

Ajo që ndodhi tek unë
Historia e çdo njeriu me përqasjet e tij fatale është...në të vërtetë krejt e ndryshme. Kurse, ajo, që ka ndodhur tek mua... ishte sak kjo: Kisha marrë shembullin e jetës së një përkthyesi, ky autor mund të merrej si i tillë (apo ngandonjëherë edhe të tentohej të mbahej) edhe nga dyzina emra me autorë, copëza tekstesh, që kurrë nuk mendoheshin dhe që nuk mund të pozonin një rrezik të madh për shëndetin e tij mendor, gjumin dhe gjendjen e tij të vërtetë. Modest, i heshtur, fjalët në këtë faqe nuk do të mundnin kurrë ta paraqisnin atë si duhet, kuptohet përveçse disa prej ëndrrave të çartura, që u shkonin autorëve të marrosur pas një nate shoqëruar me verë dhe guacka deti. Këto të gjitha qëndronin kështu të miksuara apo edhe të përziera, ashtu si ndodh rëndom kur mbylleshin librat, e që nuk mund të rigjenin vetveten në rreshtat e padeshifrueshme dhe të papërkthyeshme. Të tilla si ato në Piramidat e tua (I drejtohem atij) të Kohës O apo “axaxas mlö” (kjo  mund të shqiptohet si e qeshura e egër e Borhesit, një e qeshur e yshtur me forcë), që përkthyesi duhet të përgatiste vetëm në mëngjes. Sqaroj se, për shumë jetë njerëzore, fjalët janë si ato kafshët e paqme të barrës që aviten, ndërsa dikush përpiqet t’i fusë nën zgjedhë. Por jo vetëm kaq. Këtë e them edhe për të ashtuquajturin: Borhesi fatal.
E kam thirrur atë (megjithatë, nuk kam të drejtë që të flas me këtë folje të shenjtë. Kjo i takonte vetëm një njeriu në tokë dhe ky njeri tashmë është i vdekur) në kohën që bashkë me gruan time sapo kishim marrë me qira një apartament në Austin të Teksasit, apo diku aty afër, në një vend ku Borhesi fatal (e përsëris)  kishte qëndruar vetëm pak muaj në vitin 1961. Ishte përsëri këtu, ai, ku në mënyrë diabolike dhe vetëm pak kohë më vonë... do të flladitesha me mitin e kthimit të përjetshëm dhe rrugët ciklike, mishëruar në kohë dhe në hapësirë. Ta kisha ditur vallë vetëm këtë…Kujtoj, p.sh. sesi ne ishim ulur në tavolinë pas një sille. E kishim humbur pothuaj gjithë konceptin e kohës, sepse ishim zhytur në një debat të gjerë… në lidhje me një nga mënyrat... sesi mund të shkohej për të bërë përkthimin e disa fjalëve apo të tjerave (i qëndroj besnik: Unë besoj se ishte ose ndoshta kishte boshllëqe) në Lunfardo apo duke bërë ndryshimet e nevojshme në fillim të shekullit të njëzetë liverpulian. Këtë po diskutonim mesveti dhe shestonim, me idenë sesi mundej vetëm dikush të mund të tregonte erudicionin e tij dhe në të njëjtin moment...të ruhej ajo maska e padukshme e përkthyesit. Ne zbuluam (vonë...pastaj natën... të tilla zbulime janë të paevitueshme) se kishte diçka monstruoze tek përkthimet në vetvete, për nocionin sesi ato shumëfishojnë më vonë shumësinë e librave. Kështu vazhdonte ideja, derisa gruaja rrekej të më kujtonte një thënie, që i atribuohej njërit prej njerëzve më të njohur të heretizmit në teorinë e përkthimit, Walter Benjamin. Ishte një pohim i mahnitshëm, megjithatë fjalë për fjalë dukej disi e padukshme. Ajo e kujtonte mirë këtë shprehje: “Çështja e përkthimit në vetvete duhet thënë se nuk është shumë larg jetës së... origjinalit. Ashtu si nga pasjeta do të mjaftonte përkthimi i një pune të rëndësishme të letërsisë botërore, i cili do të shënonte edhe stadin e një jete të vazhdueshme”. Teori kanibalësh, -vërejta unë. “Apo e vampirëve”,- ma ktheu ajo më një lloj ligësie.
I injorova hedhurinat, që përshkonin lirisht përmes trupit tim të veshur. “Efekt i orës dhe mostretjes”, -mendova (kisha pasur vetëm natën për të gatuar). Nuk e kuptova se ky ishte fillimi i një etheje të vërtetë. Atëbotë mendimi i parë që më goditi ishte se nuk mund të ekzistonte më ndonjë sajesë, e cila nuk do ishte ndonjë simbol i të gjithë trillimeve, të cilat përmes historisë dhe fabulave... ashtu si rrëfimet e  Borhesit... do të mund të qëndronin për të gjitha. Ja pse historitë e Sheherezades largonin vdekjen, kur vinte mëngjesi; dhe po ashtu shkonte edhe historia e ëndërrimtarëve të Efesit; apo kështu i ndodhte edhe që të çmendurit që ëndërronin tokën, e cila do të popullohej nga gjigandët dhe vasha të mrekullueshme si Dulqinja. Poeti i verbër dhe miku i tij hero, ecnin kështu- përmes oqeaneve me barrën e mendimit për tu kthyer...njësoj të lodhur dhe të vjetër, po aq sa edhe  lypësit në ditë-punën e tyre kur ktheheshin në shtëpi; apo rrathët koncentrikë të “Ferrit” të Dante Aligerit dhe Xhon Barth; romanet e gjenisë misterioze Herbert Quain me komplotet e tyre “regresive dhe plot me të ndara”; lojërat e pakryera të ekscentrikut Jaromir Hladik, të cilat kryheshin, ndërsa i gjori qëndronte gati i rrëzuar... përpara skuadrës së pushkatimit. Kjo i ngjante një rruge të vërtetë për të përgatitur vetveten dhe që do të më dërgonte pastaj në pritjen e shkuesve të punëve të Borhesit. Do të vazhdoja kështu me tregimet pafundësisht përcaktuese të Agatha Christie dhe Ellery Queen dhe gjithë të tjerët, pas këtyre- mbushur me vrasësit e tyre misteriozë në fillim, ngatërresat tejet të stërholluara të tyre, shoqëruar me  zgjidhjet e kënaqshme dhe të pakënaqshme dhe bashkë me krimet që përfundonin. Kështu vijonin në një farë mënyre... romanet pambarimisht tragjike të Pierre Menard, shtuar këtu me mungesat lokale plot ngjyra dhe rrëfimet e tëra të tregimeve shkencore. Të gjitha... mbushur me fjalë të ngjashme, që i shkonin monedhës me imazhin e një Zogu në njërën anë dhe e librave të tërë, mbushur me kokrrat e pafundme të rërës, dhe e fjalëve të ankthit, që plotësonin përkthyesit e tij. Këta të fundit luftojnë me mjetet, që njerëzit i shkruajnë në gjuhë... e që nuk mund të shikohen nga asgjë. Këto andralla janë bashkë me përfoljet e ndryshme apo me asgjë që shihet qartë... apo me mbiemrat apo asgjë tjetër që ndihet, emrat me zanoret e hequra, si..ato Arabike.

Dyzimi
Isha munduar shumë me këtë lloj rrobe në mëndje dhe ndaj vendosa të shtrihesha në krevat. Ndjeva se u futëm në krevat-të tre: Ne, pra.... Ishte vetë gruaja ime, Borhesi dhe Unë. Për atë që do përcillte ngultas ditën time...ky personazh, nënkuptonte se më kishte goditur krejtësisht.
Ditën tjetër, vendosa që të pihesha paq. Ky i mallkuar Sangre de Toro, -i thashë vetes- nuk e di që unë jam thjesht një njeri, i cili di dhe mundet të ecë vetë. Dhe, kjo më sillte në një gjendje, e cila nuk mund të më bënte më mirë. Akoma, ethet misterioze vazhdonin të më kaplonin përmes ditëve që mbuloheshin me anë mjegullës. Kjo ngrihej nga labirintet e ndërlikuara të gurëve dhe tullave dhe nga një metafizikë e çuditshme, e cila përgjatë natës- njerëzohej nga minotaurët, mbretërit dhe luanët, të cilët të gjithë banonin atje. Në muajt në vazhdim, unë kërkova pa mundur që të gjeja një fjalë të përshtatshme angleze për mbiemrin spanjoll “atroz”. Ishte një fjalë si përtej-mik, do të kuptoja më vonë. Ishte një si metaforë për vetë kushtet që po kaloja. Ngandonjëherë, dilja jashtë për ndonjë ecje, me të cilën shpresoja të qetësoja mendjen. Krejt papritur, ndodhte të gjeja veten orë më vonë në një dhomë referencash të ndonjë biblioteke, duke shfletuar gati si i verbër përmes njëmbëdhjetë botimeve të Enciklopedisë britanike apo duke kërkuar për numrat, sesi mund të gjendeshin punët e grumbulluara të Sër Thomas Browne. (Kujtoj se isha po kaq i thithur edhe me Urne Buriall). Tek e fundit, ndieja sikur gruaja ime më përshëndeste në derë. Derisa një ditë, më ka dhënë një goditje të fundit... atë që më shtangu, që vinte nga sytë e saj. Gjaku po më ngjitej në ballë, por unë nuk mund t’i tregoja kurrsesi asaj. Nuk e dija, pse më vinte kjo gjendje, nëse ishte thjesht nga shënimi i një sopraluçe-je që e kisha pastruar vetë, pasi isha ngjitur me shumë kujdes mbi shkallë apo nga imazhi i një shpate, e cila përdorej nga një prej karaktereve të tregimeve të ndërthurura të Borhesit, kushtuar kurajos dhe tradhtisë.
...Ajo më përcolli drejt një klinike në jug të Austinit, ku më zhveshën cullak prej të gjithave, ma ruajtën kokën dhe pastaj isha i detyruar që të qëndroja nën pushtetin e plotë të fashave të metalit në një tavolinë... dhe i goditur e i hutuar ndër drita verbuese. Në këtë gjendje... vetëm zemra dhe mushkëritë, dëgjonin sesi një njeri me maskë kirurgu orvatej të më godiste me një si grep në krah. Ndërsa, unë i pafuqishëm ngrihesha krejt i pështirosur dhe si i fashuar komplet. Gruaja më buzëqeshte krenare, duke më mëshiruar me fjalët se do të bëhesha mirë, se ata do të bënin “që të çlirohesha sa më shpejt nga virusi që më kishte prekur trurin”. Në atë kohë, si të thuash po përpëlitesha në mes të jetës dhe vdekjes. Ethet më çonin larg dhe ilustrimet nga “Libri i Qenieve Imagjinare” vishnin krejtësisht muret e anktheve të mia. Kur ditën e shtatë, fillova të kisha halucinacionet e vërteta, doktorët u përpoqën të më qetësonin duke më lexuar Zola-në, duke më krijuar idenë se ky gjithashtu ishte një përkthim. Të gjorët nuk po kuptonin se kështu, ata, vetëm po i keqësonin më tej simptomat e mia. Është afër mendsh se shpejt do të ndalonin. Këtë radhë më kanë sjellë një libër të ri të Tom Wolfe, i cili do të shërbente që të më largonte krejtësisht nga demonët. Një mëngjes ata u përpoqën madje edhe me Stephen Hawking, por ai më vrau më shumë, sepse fillova të qeshja pareshtur. Në fund, qoftë nga forca e dozave të forta të leximit apo nga një botë paralele apo edhe për shkak të kushtetutshmërisë time, ata kishin përshtatur një si farë posedimin tim. Vetëm në këtë moment, gjykova se tashmë kishte ardhur koha, që duhet të rikthehesha në shtëpi.
Ime shoqe, rrugës, kuptohet shumë më e përkujdesur nga më parë, më pyeti nëse do të doja të ndaloja si zakonisht tek “Starbuck”. Kisha javë të tëra, që nuk kisha gjerbur një filxhan kafe të vetëm, sepse në spital shërbenin vetëm Sanka. “Kafeina, siç e dini…”, më përsërisnin ata. Kur i kujtova asaj se do të merresha me ca miq (aludim për Borhesin-shënim përkth.), sapo shkuam në shtëpi- ajo shpërtheu sërish në të qara.
Copëzat e jetës sonë në muajt që unë dhe ajo do t’i jetonim në këtë dimër “plot fat” të vitit 1993- mund të konsiderohen njësoj... si do të përcillja veten apo mund dhe ta konsideroja atë si një rënie plot fat. Kjo ishte një kohë e lumtur-, por kuptohet se ka dështuar dhe ka mbaruar përfundimisht në pa kuptueshmëri. Ditët do të sillnin paskëtaj njëra-tjetrën, javët po ashtu dhe vitet shkuan kështu pa ngjarje. Të paktën, përjashta. Ndërsa brenda, unë vazhdova që të isha i shumanshëm. Ndieja ndotjen... brenda meje, karakteret e rrëfimeve të Borhesit, ndieja njësoj labirintet e ndërthurura të jetëve të tyre apo ndoshta edhe intrigat, që i ngërthenin shpesh ata. Disa ditë, isha gati vetja, por duhet thënë se shumë ditë të tjera isha një dikush tjetër që...kuptohet se gjithmonë përbënte një personazh tjetër. Nuk do të harroj kurrë ditën, që u përpoqa të bëja një vetëkontroll dhe konkludova se kisha shënjuar diku vetë “Emma Zunz”. Të nesërmen, do të ndieja se nuk isha kush tjetër, por  vetë një Juan Murana; një ditë më vonë, tmerri më ka  shpëtuar me figurën e Lazarus Morel. Në këtë mënyrë, kisha bërë një serial të tërë personalitetesh vrasësish-aq sa koncepti “tradutore, traddittore” (përkthyesi-tradhtar) nuk mund të quhej më asgjë duke e krahasuar me këtë gjendje...Gruaja ime, ajo shoqja ime besnike, që dikur kishte baritur me mua përmes labirinteve të kuqërremta të Londrës ashtu si dikur Ulrikke, përmes borës në York ...tashmë po shmangej. Kishte mbaruar koha kur libraritë e pafundme në Buffalo kishin ndjerë çapitjet tona të këmbëve, sepse ajo sapo kishte mbushur letrat për divorcin. Shpejt, do të më linte për të tjerët dhe kështu- do të isha i vetëm pafundësisht. Isha i  shoqëruar, ashtu si jam dhe tani. Në këtë mënyrë, duke harruar mënyrat e saj, kjo grua do ishte e zonja se më kishte thënë kështu - Borhesi ishte zgjedhur për të më shoqëruar në pjesën e mbetur të jetës, dhe përmes përkthimeve brenda meje, në mileniumin e ri dhe madje edhe më përtej akoma. Influenca e Borhesit kishte rënë për të shkuar në punë me fuqinë e errët e një brezi të ardhshëm të lexuesve dhe shkrimtarëve. Nuk do të ishte më shumë vetëm Calvino, Burgess, Barth, Rushdie, Auster, Robert Coover, Luisa Valenzuela apo  Alicia Borinsky, por edhe nga ata të tjerët  që mbanin zjarrin e errët të Borhesit drejt të ardhmes. Në fakt, ai vetë, duhet të kishte rrugëtuar përmes udhëve të degëzuara të këtij kujdesi të shumëfishtë dhe përmes imazhit të atyre pinjollëve të shkrimtarëve, ashtu si vetë pasardhësit e këtyre pasardhësve, ad infinitum.

Në vend të epilogut
Ndaj, përsëris se shpejt, e gjithë bota do të jetë Borhes. Shumë shpejt, asnjë nga ne nuk do ta kuptojë këtë, sepse për ne ai do të jetë thjesht një Borhes. Kontakti me Borhes, zakonet e Borhes, do ta shpërbëjnë ashtu si duhet në këtë botë, që jetojmë. Magjepsja pas rregullit të Borhesit, do të vazhdojë edhe kur njerëzimi të jetë harruar dhe do vazhdojë të harrojë. Madje, dhe kur ngatërresat e botës dhe e gjithë letërsia të marrë rrugë të tjera. Ndaj, gjuha e Borhesit (konjukturale) ka filtruar në shkollat tona dhe mësimi i biografive të goditura të Borhesit (mbushur me episode lëvizëse) kanë fshirë biografitë e Washingtonit, Lincolnit, Henry Jameës që kishin ndriçuar dikur të gjithë fëmijërinë time të hershme. Ai nuk mund të merret vetëm me një bisedim koktej... në të cilin ata të jenë kujtuar nga  thënia e zgjuar e vetëm një mësuesi. Një dinasti e tërë e shpërndarë dhe e dremitur, bashkë me përkthimet e Jorge Luis Borhes në prozë, poezi dhe tregime në çdo gjuhë dhe në të cilin librat mund të shiten me një numër shumë të madh për të justifikuar jo vetëm kostot e shtypjes, kam mendimin se kanë për të ndryshuar faqen e botës-dhe puna e tyre e nëndheshme do të vazhdojë. Nëse vizionet e mia janë korrekte, njëqind vjet nga tani dikush do të zbulojë edhe tre volumet e reja të Veprave të Zgjedhura të Borhesit-që do të quhen thjesht “Enciklopedia”. Njëherë do të mjaftojë vetëm një njeri...i cili do të thyejë traditën për të farkëtuar një tjetër, pos tij. Kështu ndjeva se Ai ishte bërë tashmë paraardhësi i shumëfishtë i traditave të përtejshme në letërsi, figurave të reja të kohës dhe hapësirave në jetë dhe histori. Njëherë, vetëm në mënyrë periferike dhe vetëm në Argjentinë, Borhesi, u duk se vetëm tani, përmes imagjinatave, shpërndau në eter një vend. Ai kaloi nga dora në dorë përmes një popullsie të tërë, duke lënë zanafillën e tij kudo që shkonte, apo ngjashëm me atë copëz njëzet-centavosh, që e infektuan vetë Borhesin në Buenos Aires në vitin 1949. Ndaj, dhe ai është transformuar sot në një Zahir të ri dhe fati ynë është që të prekemi edhe njëherë më shumë prej tij. Është e pamundur që të arratisemi prej tij. Ndërkaq, unë vetë jam në punë për një përkthim të ri vorticist (Art i një shkalle që influencohet nga futurizimi dhe përmban rrymat e civilizimit modern si bazë) apo të punëve të Ana Lydia Lope de Vega...
  
Andrey Hurley është Profesor i Anglishtes në Universitetin e Puerto Ricos në San Juan. Ai është ngarkuar më parë me detyrën e përkthimit të krijimtarisë së Borhesit dhe ka mundur që të sigurojë një përkthim të ri të gjithë punëve rrëfimtare të Borhesit për “Viking Book Jorge Luis Borges”
.
 Përshtati nga anglishtja: Ben Andoni

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk