Johan Wolfgang von Goethe_Fausti
Pyll e shpellë
Fausti (vetëm)
Fausti:
O shpirt sublim, m’i dhe, m’i dhe të gjitha
Çka t’kam kërkue. Jo, kot, ti nuk u ktheve
Kah unë fytyrën tande flakë. M’ke lshue
Për mbretëni natyrën madhështore,
M’dhe forcën ta shijoj, e ta gëzoj.
Jo t’rrij e ta sodis me ftohtësi,
Por t’zhys shikimin n’gjinë e saj të thellë,
Sikur në parzmin e nji miku të dashtun.
Më sjell përpara vargun e pamatur
Të t’gjallëve, e më mëson të shikoj vllazën
Ndër shkurre t’qeta, n’ajër e në ujë.
E kur në pyll rreh e gjimon stuhia
Pishat vigane tue i hedhë përdhe,
Qi shkrepen me rrapllimë me trungjet fqinj,
E nga gjama e asaj ramje ushtojnë malet,
Ti m’prin e m’çon te shpella mâ e sigurtë
E më zbulon vetveten; at’herë shof
Visare qi rrinë mshehë në parzmin tim.
Përpara syve t’mij at’herë e kthjell
Ngrihet hana në qiell, e gjatë shkambijsh,
Përmbi kaçuba t’njoma, enden hijet
Veshun n’argjend t’nji kohe t’perendueme,
Qi zbusin t’vranten andje të mejtimit.
Ah, kurrë njeriu s’do mbërrijë përsosmërinë.
Tash po e kuptoj. Ti më ke dhanë se bashku
Me andjet qi m’afrojnë te Perënditë
Nji shok, nga i cili un s’shkëputem dot,
e qi, poshtnues e i akullt më përulë
para syve t’mij e me nji fjalë
m’i hedh n’asgjâ t’gjithë dhuratat tueja.
Ka ndezë ai n’parzmin tim nji zjarr mizor,
Qi më tërheq kah t’bukurat vegime.
Kështu kaloj nga nji didhirë ndër gzime
E n’mes gëzimesh m’përvlon dëshira.
(Mefistofeli hyn)
Mefistofeli:
Si nuk u ngope me ket jetë krejt bosh,
E je i kënaqun larg andjeve t’tana?
S’po them se âsht gjâ e keqe ta provosh
Nji herë, kur fluturon në tjera gjana.
Fausti:
Të bajsh diçka mâ t’mirë kishte me m’kande,
Se me trazue qetsinë ku ra un kam.
Mefistofeli:
Mirë, mirë; me qejf të la n’qetësinë tande;
Po s’e za besë se e ke tamam.
Me ‘j shok të vrazhdë, të çmendun si je ti,
Ndonji gjâ t’madhe s’jam tue bjerrë.
Ja, ditë për ditë me duert plot po vi,
Por çka i pëlqen zotnisë un kurrsesi
S’po mundem, sado lodhem, me ia nxjerrë.
Fausti:
Kështu ky flet gjithmonë. Më breu
Për t’gjallë e don t’ia dijë për nder.
Mefistofeli:
Po ti, o i shkreti bir i këtij dheu,
A mund t’jetosh pa mue nji herë?
N’rrëmujë t’imagjinatës, qi t’rrëmbeu,
Un t’erdha vrik në ndihmë;
Sikur t’mos isha un at’hera, heu,
Sa shpejt nga gjithë kjo botë do t’ishe fshimë!
Pse shpellash e në këto t’çame shkëmbinjsh
Posi nji buf i strukun t’rrish?
E si thithlopë surbon ushqimin tand
l’myshqesh të ndytë, ligatash an’ e kand?
Argëtim i bukur ky, për besë,
Përsri fillon doktori kryet të qesë.
Fausti:
A e kupton vallë çfarë force fiton jeta
Ime, tue u endë këso vendesh të shkreta?
Po ta kuptoje ket mirë
Ti, si nji Djall, s’do m’leje n’kaq endirë.
Mefistofeli:
Andje, me të vërtetë mbitokësore!
Të rrish natën me vesë visesh malore
e qiell e tokë n’ekstazë t’përfshish,
të fryhesh sa t’arrish në kulm hyjnish,
me flakë t’i futesh n’thelb të rruzullimit,
t’kalosh në shpirt gjashtë ditët e krijimit.
Të hapesh tan hare në gjithësinë,
Të çvishesh nga çkado qi ban njerinë,
E në fund të naltit intuicion
T’i japësh fund...
(me nji gjest) se as fjalët s’po më vinë.
Fausti:
Ptyh, faqezi!
Mefistofeli:
Nuk të pëlqen, e di
prandaj ma hjedh n’fytyrë ket: faqezi!
S’u dashka ta ndigjojnë të pastrit veshë
Çka çon zemrat e pastra aq fort peshë.
Po un t’uroj veten të rrejsh
Herë pas here e kënaqsi të gjejsh.
Mjerisht kjo t’mban vetëm nji çikë
Se persri flakesh gjetiu.
E n’kjoftë se vazhdon kshtu ti vetvetiu
Do bijsh në marrëzi, ngatërrim e frikë.
Mjaft për tashti. Dashnorja t’âsht ndrye mbrendë,
Veç terr e mjegull shef me sy,
Natë-ditë t’kujton, âsht tue u çmendë,
Kaq fort po digjet flakë për ty.
Dikur dashnija jote qe e furishme
Si prure ku ujt e borës krejt ka ra,
Ti ja ke derdhë n’zemrën e saj të ndijshme
E prroni yt âsht tha.
Ma mirë se sa t’mbretërojë n’kto vise t’thata
Do t’bante, them, zotnija jote
Sikur asaj te kryet t’i shkonte,
Se shumë po vuen, e ngrata.
I duket dita pa mbarim e gjatë;
N’dritare rrin, retë vren me kokën jashtë
Tue u endë mbi ledhe të qytetit t’lashtë.
“Të kishe ah, t’nji zogu krahtë!”
Gjith ditën kndon der në mesnatë.ndonjiherë âsht në gzim,
por t’shumtën e trishtuese.
Befas i derdhen mollzash lot të ngrohët,
Mandej sikur qetohet,
Gjithmonë e ke veç t’dashunueme.
Fausti:
Gjarpën, gjarpën i ndytë!
Përktheu Pashko Gjeçi
Comments
Post a Comment