Granit Zela, krijues, qëmtues dhe shqiptues ngadhnjyes
Granit Zela ka lindur në Bushat, (Bicaj), Kukës në 10.2.1979. Shkollën e mesme e ka kryer në Shkodër dhe Tiranë për gjuhë angleze. Është diplomuar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në degën “Anglistikë-Amerikanistikë” si dhe në Fakultetin Histori-Filiologji dega “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe” në Tiranë. Ka përkthyer ese të kritikës së letërsisë të mbi njëzetë autorëve britanikë dhe amerikanë, në revista dhe periodikë letrarë si Mehr Licht!”, “Aleph”, “Albania”, “Temp”, “Sfida” mbi autorë si Xhon Apdajk, Uilljam Folkner, Kathrin Anne Porter, Tomas Eliot, Xhejms Xhojs etj. Ka botuar dy libra poetikë “Apokalips” Mokra 2001 (Çmimi “Kënga e Parë”, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë) “Në studion time hermetike” Aleph 2003, dhe një libër me tregime “Vdekje me dëshirë”, Globus R 2002. Në vitin 2006 ka botuar romanin “Dodona” fragmente të të cilit janë botuar në revistën letrare Mehr Licht dhe mandej në revistën evropiane elektronike “Eurozine”. Është specializuar për gjuhë angleze në SHBA, Gjermani, Slloveni, Ukrahinë, dhe Kanada. Qysh prej vitit 2003 është pedagog i gjuhës angleze në Universitetin Ushtarak “Skënderbej” në Tiranë.
Analiza e krijimtarisë së tij
Nga Agron Tufa*
Granit Zela është një
ndër krijuesit më të rinj të fundviteve nëntëdhjetë dhe që në fillim të viteve
2000 shfaqet aktivisht në periodikët letrarë, derisa e shohim të përqendrohet
kryesisht në të përjavshmen kulturologjike ‘FjalA’. Ka botuar mjaft dendur ese
kulturologjike origjinale dhe përkthime nga eseistika anglo-amerikane, tregime,
poezi dhe shkrime problematike kulturore. Librin e parë me poezi ‘Apokalips’ e
boton më 2001, ku mbizotëron kryesisht tematika e apokaliptikës individuale. Ka
mjaft situata makabre, të dëshpëruara dhe toni disi patetik mbizotëron, duke i
dhënë vëllimit një diptik bardh-e-zi si në vizatimet me plum ose grafikë.
Në prozë Zela boton më 2002 vëllimin me tregime ‘Vdekje me
dëshirë’ –një narracion gjysmëfantazmagorik dhe baladesk i realeve nga
Verilindja, temat intime dhe, përgjithësisht, përjetime metafizike
pseudoromantike. Kjo ka marrë ngjyra të përndezura në vëllimin e dytë të poetit
- ‘Në studion time hermetike (Aleph 2003), si një nga librat më të suksesshëm
të autorëve më të rinj që shkruajnë sot. Libri të bën për vete jo vetëm me
bashkëkohësinë e përjetimit, por sidomos, me nivelin e pjekur artistik, me
shkallën virtuoze të zotërimit të intonacionit, diksionit të qashtërt,
organizimit strofik dhe imazhit të brendshëm të poezisë të orkestruar me një
organicitet harmonioz.
Romani “Dodona”
(2006) është një prozë e ndershme, një
prozë që ka një tekst tepër të kujdesshëm, të skalitur me të gjitha parametrat që përbëjnë tekstin letrar. Një tekst jo ordiner, pra jo
një tekst me elemente të huaja, përftuar me mënyra të pandershme, dhe kjo
ndoshta është edhe pika më e fortë e autorit Granit Zela që na jep më në fund
romanin me të gjitha rravgimet idealizmat, zhgënjimet e tij nëpërmjet një
simbolike të pakufishme.
Ploja e Kukësit të vjetër (Poezi)
Granit Zela
Medet ç’kob i madh qytetin e gjeti
i bënë dhunë atij qytet hyjnori
përtokë flaku skeptrin bija e hënës, bir i diellit
plot dhimbje e fjalë u delnin për zori
lindi binjaku i tij Qyteti i Ri, tjetri
që s’është veç hije e të parit
u mbulua ai prej harrimit e territ
u ngrit mbi dhunën, gjakun e zjarrin
u dëgjua përmbytja e shkaktuar zhurmshëm
u vërsul me rropamë ujanë e rrëmbyer
e egër, e pashpirt si kafshë e ndërkryer
bujshëm rrahën krahët shpezët e tmerruara
gjeth e lule llumi thellë i rroposi
foletë ua prishi turri i ujit të tërbuar
një gjarpër i zi prej Drinit të Zi doli
iu ngjit shpinës malit ditën për diell
kahmos tejembanë helmin e volli
ra heshtje varri… zë nuk u dëgjua
hije u panë në shpinën e malit të lartë
harrim i tyre i kobshëm ishte shkruar
veç kujtimet do mbesin për qytetin e artë.
FREDERIK RRESHPJA NË VDEKJE
Ka vdekur ai
sa dëgjova për ikjen heshta
pastaj qava
në një dhomë të errët qava nëpër terr
terri ishte i terrtë atë natë
qirinj ndeza për ty Frederik
ndenja me orë të tëra duke qarë
pastaj dola jashtë duke u rrëzuar nëpër shira
jashtë…
kishte më pak vjeshtë
më pak stinë
më pak muzgje
shumë më shumë trishtim.
Desha të bie në gjumë. Natë.
isha i trazuar, përpëlitesha. Pashë në ëndërr
te shtëpia jote në një rrugë të humbur të Tiranës
ishe i vetmuar në odën e pritjes pafund
atje të gjallët kishin hapur varre
gjeta një varr në zemrën time prej njëzet e shtatë vjeçari
malli më kishte marrë për Ty.
Tash Kali i Pikëllimit nuk qas pranë njeri
nuk pi ujë, tagjinë
nuk e prek
ka nisur të grah si i shastisur rruginave
në kërkim të të Zotit
që me vdekjen mbet
të gjallët nuk kishin kohë për ty
më mirë me vdekjen
më mirë aty
harrimi
harrimi, harrimi
do të na tëharr të gjithëve
por Ti e kalove Portën e Harrimit
hipur Kalit të Zi.
E tash në Përjetësi
sërish i mallkuar të jesh në vetmi
në gjak e ke mallkimin Frederik
s’mund t’i shprishësh gjakun që të rrjedh në deje
ik tani
më mirë ik!
I VETËM NË JETË
I VETËM NË VDEKJE.
Comments
Post a Comment