Akenatori, prijësi i parë i madh që përkrahu monoteizmin, besimin në një fe
AKENATONI
Akenatoni (Akhenaton,ka lindur rreth vitit 1375 p.e.s.),
Akenatoni (Amenofisi IV) ishte i biri i Amenofisit III dhe i gruas së tij të
preferuar, Tiji. Haremi i Amenofisit përbëhej nga princesha të ardhura nga e
gjithë mbretëria, por Tiji, e cila nuk kishte gjak mbretëror, ishte dashuria e
tij e madhe. Ajo diti të ruajë pozicionin e saj si Gruaja e Parë Mbretërore dhe
djali i saj u zgjodh trashëgimtar. Nga dashuria e Amenofisit III për Tijin
kuptohet përkushtimi i Akenatonit ndaj Nefertitit, e cila luajti një rol të
rëndësishëm në jetën fetare dhe politike të mbretërisë: ka shumë të ngjarë që
ajo të ketë qenë sundimtare përkrah Akenatonit. Gjatë gjashtë vjetëve të parë
të mbretërimit të tij, Amenofisi IV qëndroi në Tebë, kryeqyteti tradicional i mbretërisë.
Në atë kohë ai e braktisi emrin e tij, i cili të sillte ndër mend Amonin,
perëndia më e dashur e faraonëve të Perandorisë së Re, dhe mori emrin Akenaton,
që do të thotë "Shpirti i Atonit", duke vendosur kështu kultin e
Atonit, Diellit. Ai themeloi kryeqytetin e tij të ri, i cili, gjithashtu, i
kushtohej perëndisë Aton: Akenaton -"horizonti i diskut diellor".
Disa historianë e kanë paraqitur Akenatonin si një pacifist,
të cilit nuk i interesonte shumë të ruante perandorinë, që paraardhësit e tij e
kishin fituar me aq vështirësi. Por një koleksion pllakash, të njohura me emrin
Letrat e Amarnës, tregojnë se mbreti mbante korrespondencë të rregullt me shumë
mbretëri në veri dhe se ishte mirë i informuar për çka ndodhte atje. Akenatoni
nuk drejtoi asnjëherë ndonjë fushatë ushtarake, por kjo nuk do të thotë se ai
nuk interesohej për perandorinë. Në varret private të Amarnës ka më shumë skena
lufte se në epokat e tjera dhe një numër i madh i oborrtarëve të faraonit
kishin funksione ushtarake. Në jug të perandorisë, trupat e Akenatonit
vazhdonin luftën tradicionale kundër Nubisë dhe është e qartë se, pa
mbështetjen e ushtrisë, Akenatoni nuk do të kishte mundur ta ruante fronin për
gjatë 17 vjet rresht.
Stili i ri artistik i Amarnës e paraqet Akenatonin me tipare
të ekzagjeruara dhe të deformuara: fytyrë të gjatë dhe të rreptë, ije femërore,
bark të madh. Disa kanë pasur mendimin se Akenatoni vuante nga deformime
trupore të lindura ose nga probleme hormonale, por në fillim të mbretërimit të
tij të gjithë pjesëtarët e familjes së Akenatonit kështu janë paraqitur, me
këtë stil, që ua ekzagjeron dhe ua deformon tiparet. Më vonë, një stil tjetër,
më pak i ndërlikuar, vihet re në trajtimin e portreteve të Tijit dhe të
Nefertitit. Këto portrete janë më realiste dhe të një bukurie të rrallë. Një
tipar tjetër karakteristik i artit të Amarnës ishte paraqitja e skenave nga
jeta private e mbretërve, ose duke luajtur me fëmijët e tyre, ose duke ngrënë
darkë. Tablo të tilla janë po aq të shumta sa edhe tablotë që paraqesin familjen
mbretërore duke adhuruar Atonin. Një skenë, që vlen të përmendet, paraqet
çiftin duke qarë për vdekjen e njërës prej vajzave të tyre.
Atoni ishte një perëndi diellore, e paraqitur në formën e
një disku, me duar të zgjatura, që është në vetvete simboli i jetës së
pafundme. Egjiptianët adhuronin shumë perëndi diellore dhe faraonët e disa
epokave janë identifikuar me një perëndi-diell. Faraonët e Perandorisë së
Vjetër e konsideronin veten "bij të Reit", ndërkohë që ata të
Perandorisë se Re parapëlqenin Amonin. Atoni dallohet nga perënditë diellore më
tradicionale në shumë aspekte. Asnjë perëndi egjiptiane nuk ishte paraqitur në
mënyrë aq abstrakte. Tradita u jepte perëndive egjiptiane formën e një kafshe,
të një njeriu ose të një qenieje të ndërmjeme. Atoni, më universal se të
tjerët, është quajtur "krijuesi i gjithçkaje", ai i jepte jetë
gjithçkaje, si "në vendet e largëta të huaja", ashtu edhe në Egjipt.
Himnet e cilësojnë Atonin si "perëndia e vetme"
dhe disa shohin këtu proven e një konceptimi vizionar të monoteizmit, besim te
një zoti vetëm. Por, po të njëjtat himne përmendin me respekt të thellë edhe
perëndi të tjera. Feja e re nuk i mohonte perënditë e vjetra, por e vendoste
Atonin mbi të gjitha hyjnitë. Me sa duket, vetëm faraoni dhe familja e tij e
adhuronin këtë perëndi drejtpërsëdrejti. Ndërsa populli adhuronte Akenatonin,
si të ishte një perëndi e gjallë. Dëshmitë historike na thonë se, me gjithë
neverinë e faraonit për tempujt dhe priftërinjtë e kulteve të tjera, shumë
egjiptianë vazhduan t'ua drejtonin lutjet e tyre perëndive tradicionale.
Lehtësia me të cilën u rivendos kulti i Amonit pas vdekjes së Akenatonit,
tregon se përbuzja mbretërore ndaj perëndive të tjera, nuk arriti t'i zhdukë
këto.
Sipas disa historianëve, mospranimi i perëndisë Amon nga
Akenatoni do të ketë qenë një strategji për t'i vënë fre ndikimit politik, në
rritje, të fesë mbi pushtetin. Dëshmitë arkeologjike tregojnë se Akenatoni e
adhuronte me sinqeritet perëndinë që kishte zgjedhur. Ai kompozoi për të himne
të bukura dhe të ndjera, që provonin ekzistencën e një lidhjeje personale
ndërmjet perëndisë dhe mbretit, gjë që është fare e pazakontë në fenë
egjiptiane. Është kjo lidhje personale që tërheq më tepër botën moderne dhe e
bën personazhin e Akenatonit kaq të çuditshëm. Ajo shpjegon, gjithashtu, përse
ky besim nuk i mbijetoi nismëtarit të tij. Priftërinjtë e Amonit e rivendosën
shumë shpejt pushtetin e tyre mbi faraonët e brezave të ardhshëm. Emri i
Akenatonit dhe ai i perëndisë së tij u fshinë nga monumentet dhe nuk patën
ndonjë ndikim të madh në Egjipt.
Akenatoni u martua me Nefertitin përpara se të hipte në
fron. Ka të ngjarë që kjo të ketë qenë një martesë me dashuri. Emri Nefertit,
që do të thotë "E bukura erdhi", tregon se ndoshta ajo ishte me
origjinë nga një vend i huaj. Njëkohësisht, disa mendonin se ajo ishte motra e
Akenatonit. Dukej se Nefertiti po humbiste pushtet dhe se mbreti kishte
marrëdhënie seksuale me Smenkerin, që ishte dhëndri i tij dhe trashëgimtari i
përcaktuar. Të tjerë pretendonin se Nefertiti dhe Smenkeri ishin i njejti
person, që bashkëqeverisi me faraonin në vitete fundit të jetës së Akenatonit
dhe që pastaj u bë faraon. Kjo hipotezë bazohet në përdorimin e një nofke,
kuptimi i të cilës është "dylberi i Atonit", për të folur pastaj pë bashkësundimtarin
e Akenatonit në vitet e fundit të mbretërimit të tij dhe për Smenkerin, që ka
sunduar pas tij. Ndoshta, tradita e mëvonshme, duke mos pranuar idenë e një
gruaje faraone, e korrigjoi historinë.
JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E AKENATONIT
* Akenatoni ka ngjallur më shumë polemika se cilido faraon
tjetër egjiptian. Duke braktisur politikën e luftës dhe duke hedhur poshtë
perënditë e paraardhësve të tij, ai iu përkushtua vetëm kultit të perëndisë
Aton. Besnikëria e tij ndaj një perëndie të vetme bëri që disa historianë ta
paraqesin si vizionar dhe si prijësin e parë të madh fetar që përkrahu
monoteizmin (besimi te një perëndi e vetme).
* Gjatë mbretërimit të Akenatonit ndodhën ndryshime të mëdha
në art, si në stil, ashtu edhe përsa u përket temave. Faraoni ndërtoi një
kryeqytettë ri në Tel el-Amarna dhe u vendos atje, bashkë më gruan, Nefertitin,
dhe me vajzat e tij. Pasardhësit e Akenatonit u orvatën ta zhduknin kujtimin e
tij, ndaj dokumentet që flasin për të janë shumë të pakëta. Madje, edhe historiani
grek Maneton, i pari që e ka ndarë historinë e Egjiptit në mbretëri dhe në
dinasti, nuk e përmend Akenatonin në listen e faraonëve.
* Himni për Atonin:
Ti shfaqesh me tërë shkëlqimin tënd në horizontin qiellor
Ti, Atoni i gjallë, fillesa e jetës!...
Kur ti ngrihesh në Lindje
Shkëlqimi yt lag gjithë tokën
Ti je i hijshëm, i madh, rrezatues dhe lart në qiell;
Rrezet e tua përfshijnë tokat deri në kufijtë që ti ke
fiksuar
Dhe përderisa ti je Re, amin në kufijtë e tyre më të
skajshëm.
Comments
Post a Comment