Aristoteli është filozofi më i rëndësishme dhe mendimi më gjenial i antikitetit
ARISTOTELI
ARISTOTELI , filozof grek (384-322 p.e.r.). Lindi në Stagirë
të Trakisë, nxënës i Platonit. Me ftesën e mbretit të Maqedonisë Filipit bëhet
mësues dhe edukator i Aleksandrit (që më vonë u quajt i Madh). Në kohën kur
Aleksandri filloi pushtimet e veta jashtë Evropës, Aristoteli u kthye në Athinë
dhe këtu, duke ligjëruar në Lice, shkroi veprat kryesore të tij. Është
themelues i shkollës peripatetike në Athinë. I akuzuar për ateizëm ikën nga
Athina në Haleks («që athinasit për herë të dytë të mos e fyejnë filozofinë»),
ku së shpejti edhe vdes.
Aristoteli hyn në radhën e filozofëve më të mëdhenj të të
gjitha kohëve. Është mendja sintetike më e rëndësishme dhe në përgjithësi
gjeniu më i gjithanshëm i antikës. Duke rishqyrtuar në mënyrë kritike filozofinë
e mësuesit të vet Platonit, ai sistematikisht zhvilloi në një sërë veprash
kapitale filozofinë e re origjinale dhe grumbulloi njëkohësisht në mënyrë
enciklopedike të gjitha rezultatet e rëndësishme të filozofisë së vjetër greke
dhe të shkencave të veçanta. Të gjitha fushat deri atëherë të njohura si dhe
një sërë fushash të reja të aktivitetit mendor dhe të njohurive njerëzore të
disiplinave filozofike (logjika, metafizika, fizika, psikologjia, etika,
politika, astronomia, meteorologjia, zoologjia, poetika e tjera) janë objekt i
hulumtimeve gjeniale të Aristotelit.
Logjika e Aristotelit me disa teza të veta themelore ka
ruajtur vlerën e vet dhe deri sot ajo merret si model për themelimin e logjikës
elemetare, kështu që edhe Kanti mundi të vërtetonte se si logjika e Aristotelit
mori një formë aq të përsosur saqë pas saj nuk ka mundur të bëjë një hap
përpara, as nuk ka qenë e detyruar të bëjë një hap prapa. Logjika e tij, në
radhë të parë, shqyrton çështjet lidhur me nocionet, gjykimet (deklaratat,
fjalitë), përfundimet dhe argumentet. Nocionet janë esencë ose formë e sendit,
njohja e të cilit është qëllim themelor i të menduarit. Nocionet më të larta të
gjinisë, që përfshijnë në vëte të gjitha nocionet tjera janë kategoritë.
Kategori të tilla, sipas Aristotelit ka dhjetë: substanca, kuantiteti,
kualiteti, relacioni, vendi, koha, pozita, posedimi, veprimi dhe durimi. Në
veprat logjike të Aristotelit (të grumbulluara më vonë nga nxënësit e tij me
titull Organon) janë shqyrtuar hollësisht dhe jashtëzakonisht në mënyrë ekzakte
edhe disa probleme logjike fundamentale si janë parimet e të menduarit,
induksioni dhe deduksioni, përkufizimi, teoria e silogjizmave, argumentimi,
gabimet logjike etj.
Aristoteli konsideron se ekzistojnë tri parime të
përgjitshme të të menduarit: Parimi i identitetit, parimi i kontradiksionit dhe
parimi i përjashtimit të së tretës. Kushdo që dëshiron të mendojë në mënyrë
konsekuente nuk mund të mendojë në kundërshtim me kuptimin e këtyre tri
parimeve, sepse këto nuk janë farë zbulimesh rasti, por vlejnë për vetë
njëmendësinë. Përveç shpjegimit të hollësishëm të teori-së së silogjizmit
kategorik-asertorik (çka konsiderohet kontribut më i madh i tij në logjikë), në
veprat e tij e gjejmë edhe logjikën shumë të ndërlikuar modale si dhe fillimet e
shumë teorive logjike të mëvonshme. Dhe ndonëse Aristoteli në themel përpunoi
parimet e logjikës rreptësisht formale, prapëseprapë ai nuk i ndau në mënyrë
abstrakte format e të menduarit të logjikshëm dhe të drejtë nga vetë qenia. Për
të p.sh. edhe kategoritë janë jo vetëm predikatet më të përgjithshme të të
menduarit por njëkohësisht edhe përcaktimet më të përgjithshme të çdo gjëje
ekzistuese. Logjika për A. nuk është ndonjë qëllim i vetvetes dhe nuk merret me
abstraksione boshe, me for-ma «të kulluara» të mendimit, por niset nga sendi
real dhe e studion ashtu si shprehet në të menduarit. Lidhur me ketë,
Aristoteli në Hermeneutikë tregon se theniet e gjykimit janë në raport të
njëjtë sikurse sendet në njëmendësi, kështu që lidhja e nocioneve është tregues
i lidhjeve të vetë sendeve. Ndonëse fillimet e logjikës, madje edhe të
zgjidhjes së çështjeve të caktuara logjike mund t'i kërkojmë edhe te Sokrati e
Platoni, prapëseprapë, Aristoteli përgjithësisht konsiderohet themelues i
logjikës si disiplinë e veçahtë. «Filozofia e parë» (ose më vonë e quajtur
metafizikë për arsye se në përmbledhjen e veprave të tij është «pas fizikës»)
studion parimet e fundme, më të larta dhe më të përgjithshme të çdo gjëje
ekzistuese, andaj është më-sim mbi shkakun e parë, mbi qenien në përgjithësi.
Shkencat e veçanta studiojnë aspektin e caktuar të qënies, por jo edhe qenien
në vetvete. Prandaj, sipas Aristotelit, duhet të ekzistojë shkenca e cila duhet
të merret me parimet që janë themel për tërë kuptimin dhe njohjen e të gjitha përcaktimeve
të veçanta. Pikërisht këto parime i studion metafizika ose filozofia e parë,
kështu që objekt i saj i studimit është materia, forma, shkaku i lëvizjes,
qëllimi i ekzistimit e të tjera. Kjo disiplinë është njëkohësisht edhe më e
vështira, sepse është më abstraktja, por me vetë këtë fakt ajo është edhe
shkenca më ekzakte. Shumë teza metafizike të Aristotelit provojnë tendencën
realiste-materialiste me të cilën iu kundërvu botës së ideve të Platonit, duke
konsideruar se idetë janë imanente për vetë sendet dhe jo modele
transcendentale të sendeve. Me një varg argumentesh bindëse dhe spirituoze A.
në përgjithësi i hedh poshtë bazat e doktrinës së Platonit mbi idetë. Do të
duhej të kishte më shumë ide sesa sënde të veçanta meqë do të duhej të ekzistonin
idetë edhe mbi marrëdhëniet e tyre; do të duhej të ekzistonin idetë e
drobitjes, kurse kjo është në kundërshtim me vetë përkufizimin e idesë; si mund
të ekzistojë veçmas substanca dhe ajo nga e cila përbëhet substanca; në qoftë
se në të gjitha idetë qëndron burimi i lëvizjes, atëherë edhe ato lëvizin,
ndërsa nëse nuk lëvizin, prej nga atëherë lëvizja e të tjera.
Në njëmendësi, sipas Aristotelit, ekzistojnë vetëm sendet e
veçanta, vetëm këto përbëjnë substancën e parë. E përgjithshmja nuk ekziston
pranë ose mbi sendet por në to. Nocionet e përgjithshme (gjenerike), që
shprehin cilësitë e përbashkëta të sendeve të veçanta vetëm janë substanca të
rendit të dytë. Mirëpo edhe e veçanta ekziston pikërisht aq sa realizohet në të
e përgjithshmja. Sepse në qoftë se përveç sendeve të veçanta nuk ekziston
kurrgjë, atëherë nuk ekziston asgjë që do të mund të arrihej vetëm me njohje,
por tërë kuptimi do të varej nga perceptimi ndijor. Dhe ne në mënyrë ndijore
njëmend, për shembull,. nuk vërejmë se ekziston ndonjë shtëpi në përgjithësi
pranë shtëpive të veçanta. Mirëpo sendet e veçanta megjithatë manifestojnë
unitetin e tyre, dhe kategoritë e mendjes, të cilat tregojnë për këtë,
njëkohësisht reflektojnë raportet objektive të vetë sendeve. Substanca bën
unitetin e të veçantes dhe të përgjithshmes dhe së këtejmi (në «Metafizikë»
1,3) ajo «përse» reduktohet në nocion, sepse ajo që është vetëm është ngaqë në
të realizohet e përgjithshmja. Mirëpo për ta njohur të veçanten dhe për të
folur për të mendueshëm, nevojitet të theksohen katër shkaqe: materia, forma,
shkaku i lëvizjes dhe qëllimi.
Forma (morfë) me materien e pazhdukur (hyle) përbëjnë tërë
ekzistimin. Ndërkaq, materia e pa kurrfarë forme nuk ekziston në njëmendësi
(por vetëm në mendime). Qëllimisht lëvizja paraqitet në faktin se forma
zhvillohet gjithnjë më shumë në llogari të materiales, deri te mbarimi në
«formë të formës», në të menduarit e kulluar që ka vetëm veten për objekt të
vet. Materia e pacaktuar është vetëm mundësi e sendit, potencialitet, ndërsa
forma është aktualitet, realizim. Mirëpo kundërshtia ndërmjet formës dhe
materies gjithmonë është relative. Ajo që është ndaj diçkahit të papërkryer
forma, ndaj diçkahit të përkryer është materia. Guri i përpunuar, për shembull,
është formë ndaj gurit që gjendet në mal, që nuk është i përpunuar, por është
materie ndaj gurit që është murosur në shtëpi. Realizimi i mundësisë, kalimi
dhe zhvillimi i formës nga materia bazohet në lëvizje. Çdo lëvizje, ndërkaq,
domethënë ajo që lëviz, supozon atë që e vë në lëvizje, dhe kështu në fund e
supozon një shkak të fundit, shkakun e palëvizshëm. Të gjitha sendet
ndryshojnë, mirëpo duhet të ekzistojë edhe diçka që është shkak i ndryshimit.
Ky shtytës i parë, që duhet të jetë i palëvizshëm dhe së këtejmi vetëm një,
është formë e kulluar pa materie, akt i kulluar (actus parus), qenie
jomateriale, më e përsosur, hyjni.
Meqë lënda e metafizikës është jomaterialja, qenia e
amshueshme, atëherë edhe lënda e fizikës së Aristotelit është ajo që lëviz,
domethënë qenia materiale. Sipas Aristotelit ekzistojnë katër lloje të
lëvizjes: lëvizja substanciale (domethënë ekzistimi dhe shkatërrimi),
kuantitative (rritja dhe rënia), kualitative (shndërrimi i një materie në
tjetrën) dhe lëvizja hapësinore (dornethënë ndryshimi i vendit). Hapësira e
pakufi ekziston vetëm potencialisht (për shembull në numërimin) por jo
aktualisht, njëmendsisht. Lëvizja në hapësirë është e vazhdueshme, e
amshueshme, kurse vetëm qeniet e veçanta krijohen dhe zhduken.
Në veprën e tij «Mbi shpirtin» A. theksoi se njeriu nuk mund
ta njohë botën e jashtme sikur të mos kishte shpirtin. Pastaj as ndijat nuk
mund të përceptojnë kurrgjë në qoftë se nuk i kanë para vetes objektet e
jashtme. Në psikologjinë e Aristotelit ose në shkencën mbi shpirtin dominon
mendimi se vetë shpirti është i palëvizshëm, mirëpo njëkohësisht ai vë në
lëvizje trupin si formë dhe qëllim të tij të brendshëm dhe substancial, ai
është «entelehia e parë» e tij, parim i jetës dhe i organizimit. Ekzistojnë tri
lloje të shpirtit: shpirti vegjetativ (që konsiston në aftësinë e të ushqyerit
dhe të shumimit), pastaj shpirti animal (që ka edhe aftësinë e sensibilitetit
ndijor dhe të vetëlëvizjes në hapësirë) dhe së fundi shpirti njerëzor (që ka
aftësinë e të menduarit, arsyen, mendjen). Mendja pasive, që është e lidhur me aspektin
material është tabelë e zbrazët (tabula rasa), mbi të cilën ndijat regjistrojnë
thjeshtësisht atë që pranojnë. Kjo mendje është kaluese sikurse edhe individët,
ndërsa mendja aktive është e pavdekshme. Fryma aktive në shpirtin njerëzor,
fryma që krijon format, që bën çdo gjë (dhe jo që pranon në mënyrë pasive) dhe
që i vëren drejtpërdrejt të vërtetat më të larta, është me origjinë hyjnore.
Në parimet etike të tij, A. i kundërvihet rigorizmit
idealist të Platonit dhe virtytin e përkufizon si mes ndërmjet dy ekstremeve
(për shembull pavarësia dhe dinjiteti i frymës është mes ndërmjet kryelartësisë
dhe vetëpëruljes). Pos virtyteve etike (që kanë karakter të vullnetshëm), A.
analizoi edhe të ashtuquajturat virtyte dianoetike (virtytet intelektuale si
është për shembull mençuria). Pikëpamjes së Sokratit dhe të Platonit se ne
vazhdimisht dëshirojmë medoemos të mirën, A. kundërvë pohimin se shtytësit dhe
instinktet njerëzore, për të arritur të mirën, duhet vazhdimisht të drejtohen
nga konkluzionet e arsyes dhe se vetvetiu nuk duhet të jenë medoemos të mirë.
Në shqyrtimin e njohur mbi nocionin e miqësisë, Aristoteli theksoi tri lloje të
miqësisë: miqësinë e dobishme, të këndshme dhe të virtytshme.
Dhe derisa e para manifestohet më shpesh të njerëzit e
vjetër, e dyta te të rinjtë, e treta, miqësia e vërtetë në të cilën miku
përqafohet për shkak të vetë atij, është karakteristike për moshën e pjekur të
mashkullit. Realist dhe racionalist, A. në etikë është edhe përfaqësues i
imanentizmit, domethënë i tezës se nga vetë njeriu varet se a do të bëhet i
lumtur ose jo, a do të bëhet i virtytshëm apo shpirtlig.
Pikëpamjet politike dhe sociale të Aristotelit themelohen në
tezën se njeriu është për nga natyra qenie shoqërore, politike (zoon
politikon). Pas analizës së hollësishme të formacioneve politike (monarkisë,
oligarkisë, demokracisë e tjera), Aristoteli nxjerr përfundimin se rregullimi
më i mirë është republika demokratike e matur. Në shqyrtimet e veta politike
dhe shoqërore ai megjithatë e ruan në dimensionin të plotë institucionin e
skllavërisë, duke konsideruar se skllevërit janë të domosdoshëm për jetën e
«njerëzve të vërtetë», domethënë për pjesëtarët e qytetarëve të lirë. Ndërkaq,
për Aristotelin, përsosuria e shtetit nuk bazohet në aspektin teorik, por para
së gjithash, në atë empirik. Me fjalë të tjera, ai konsideron se dëshmi e
vërtetë për atë nëse shteti është rregulluar mirë qëndron, para së gjithash, në
faktin se «populli me vullnetin e vet mbetet në këtë rregullim shtetëror»,
domethënë se nuk ka shpërthyer kurrfarë «kryengritjeje që meriton të përmendet»
as nuk ka pasur tirani dhe keqpërdorim të pushtetit.
Në Poetikën e njohur të tij, Aristoteli përkundër Platonit,
çmon lart krijimtarinë e vërtetë artistike të kohës së tij sidomos autorët e
mëdhenj të tragjedive greke Eskilin, Sofokliun dhe Euripidin) dhe konsideron se
vlera e plotë e krijimtarisë artistike dramatike shprehet në katarsën e cila
pastron dhe fisnikon shpirtin e shikuesit. Arti që tregon atë që ka mundur të
ndodhë (pra, që ka gjasë se ka ndodhur), është «më i rëndësishëm për të se
historia që tregon vetëm për atë që njëmend ka ndodhur. Lidhur me këtë, A.
tregon ligjësitë e veçanta të sferës estetike të cilat janë të pavarura nga
njëmendë-sia historike, kështu që shumë interpretues (E. Grasi p.sh.)
konsiderojnë se, përkundër Platonit që pohonte lidhjen e ngushtë të artit me
realitetin politik, Aristoteli është themelues i estetikës si shkencë mbi një
veprimtari njerëzore të veçantë dhe autonome që ka normat dhe ligjsitë
imanente. Nga Aristoteli rrjedhin edhe normat mbi tri unitetet klasike të
tragjedisë greke (uniteti i vendit, i kohës dhe i veprimit) mbi të cilat më
vonë u bënë polemika të ashpra ndërmjet teoricienëve francezë dhe gjermanë
(Lesingu për shembull konsideronte se Aristoteli theksonte vetëm nevojën për
unitetin e veprimit, ndërsa unitetet e kohës dhe të vendit janë të kushtëzuara
vetëm nga mundësitë teknike të skenës së atëhershme greke). Klasik është edhe
përkufizimi i tij i tragjedisë mbi të cilin u shkruan studime dhe monografi të shumta;
«Tragjedia është imitim i veprimit serioz dhe të kryer që ka madhësi të
caktuar, me të folur që është elegant dhe i veçantë për secilin lloj në pjesët
e veçanta, në personat që veprojnë dhe nuk rrëfejnë, ndërsa duke shkaktuar
dhimbsuri dhe frikë kryen pastrimin e afekteve të tilla». Shkallën më të lartë
të mëshirës e nxitin ato ngjarje në të cilat miku i ka bërë keq mikut, ndërsa
më mirë zhvillohet ai veprim tragjik kur vepra bëhet nga mungesa e diturisë,
domethë-në në qoftë se faji në tragjedi është pikërisht faj pa faj. Rruga e
analizës së veprave artistike e Aristotelit dhe, para së gjithash, e një sërë
veprimeve dramatike të kohës së tij, niset nga këto vepra kah përfundimet e
përgjithshme teorike. Andaj Poetika e Aristotelit edhe sot mbetet model për ata
estetë dhe sidomos për teoricienët dramatikë që kërkojnë burimet e normave
estetike në vetë artin.
Me gjithë njoskonsekuencat dhe kundërthëniet e veta,
konstruksionet teologjike dhe idealiste, vepra filozofike madhështore e
Aristotelit është e pashoqe në tërë antikën jo vetëm për nga zgjidhjet e
thella, aspekti sistematik dhe gjithanshmëria e paraqitjes së disiplinave të
veçanta, por, para së gjithash, për nga shtruarja e një serë çështjeve
fundamentale filozofike, të cilat pikërisht si çështje janë edhe sot aktuale
dhe paraqesin vlerë të përhershme të trashëgimit mendor botëror.
Veprat: veprat e Aristotelit mund të ndahen në veprat
egzoterike, (kushtuar publikut të gjerë) dhe ezoterike ose akroanetike (të
brendshme, përkatësisht vepra për të dëgjuar). Veprat e para egzoterike, që me
siguri u shkruan në formë dialogësh, nuk janë ruajtur. Gjithashtu nuk janë
ruajtur as të gjitha veprat ezoterike, ndërsa të ruajturat mund të ndahen në
këto grupe: i.Veprat logjike të përmbledhura së bashku me titullin O r g a n o
n (domethënë vegël), që përmban këto vepra: Mbi kategoritë, Mbi interpretimin,
Analitika e parë, Analitika e dytë, Topika dhe Mbi përgënjeshtrimet sofistike.
2. Veprat nga fusha e shkencave natyrore: Fizika, 8 libra; Mbi qiellin, 41ibra;
Mbi ekzis-tencën dhe mbi zhdukjen, 2 libra; Mbi shpirtin si dhe di-sa vepra të
tjera që nuk janë relevante ( M eteoro1ogjia , Shtazë-r i a e tjera) ose veprat
autenticiteti i të cilave nuk është vërtetuar. 3. Vepra metafizike është
Metafizika (ose filozofia e parë e cila sipas renditjes në anuarin e Andronikut
u quajt kështu), 14 libra 4. Veprat etike: E t i ka e NikomakutlO libra (u
quajt sipas Nikomakut, të birit të Aristotelit); Etika e Eudemit, 7 libra (u
quajt sipas Eudemit nga Rodosi, nxënës i Aristotelit); Etika e m a d h e , 2
libra (ekstrakt nga dy veprat e para, por më shumë nga vepra e dytë); Mbi
virtytet dhe m b i v e s e t (për të cilën nuk dihet a është autentike); 5.
Prej veprave politike më e rëndësishmja është P o 1 i t i k a (8 libra, e
pakryer) dhe Kushtetutat shtetërore (Politike, 158 libra në të cilët paraqiti
kushtetutat e 158 shteteve 6. Veprat retorike: R e t o r i k a , 3 libra
(mirëpo për autencitetin e 3 librave dyshohet). Poetika (e cila me siguri ka 2
libra, mirëpo nuk është ruajtur në tërësi). Të gjitha veprat e rëndësishme
filozofike të Aristotelit (përveç Fizikës) janë përkthyer edhe në kroatishte.
Comments
Post a Comment