Anaksagora: Ardhja ose largimi nga qenia është thjesht një përzierje ose ndarje e substancave që tashmë ekzistojnë
ANAKSAGORA
Filozof grek (greq Ἀναξαγόρας,
Anaksagóras), i lindur rreth 500 - 428 p.e.s,në veri të Miletit, Anadoll,
Lapsek,Turqia e sotme, ku një zhvillim të rëndësishëm mori filozofia me
paraqitjen e një interpretimi të ri të procesit se si lënda merr formën e
sendeve të veçantë.Kontributi i tij kryesor qëndron në dhënien e konceptit të
mendjes (nous), të cilin ai e dalloi nga lënda. Anaksagora ishte dakort me
Empedoklin, se ardhja ose largimi nga qenia është thjesht një përzierje ose
ndarje e substancave që tashmë ekzistojnë. Por, ai nuk ishte dakort me
konceptin e Empedoklit, sipas të cilit formimi i objekteve është produkt i
forcës së Dashurisë dhe Urrejtjes. Sipas Anaksagorës, procesi i ndryshimit
kërkon një shpjegim më gjegjës sesa shpjegimi me anën e elementëve të paqartë
dhe pothuajse mistikë të Dashurisë dhe të Urrejtjes. Bota dhe të gjithë
objektet atij i duken shumë të organizuar dhe me një strukturë të ndërlikuar,
që kërkojnë si parim të shpjegimit një qenie të ditur dhe të fuqishme.
Pikërisht, një parim i tillë racional është përmbajtja e konceptit të mendjes
ose nous që propozonte Anaksagora si parim që siguron rregullin tek lënda.
Sipas Anaksagorës, natyra e realitetit kuptohet më mirë si i
përbërë nga mendja dhe lënda. Lënda ekziston më përpara se sa mendja t'i japë
formë dhe aktivitet. Ajo ekziston si një përzierje e llojeve të ndryshme të
substancave materiale, të gjitha të pakrijueshme dhe të pashkatërrueshme. Bile
edhe kur kjo masë origjinale e lëndës është e ndarë në objektet aktuale, secila
pjesë përmban të kundërtat e të zezës dhe të së bardhës, por quhet e bardhë
vetëm sepse përmban atë që është në të gjithë realitetin; çdo send përmban
brenda tij një "pjesëzë" speciale të çdo gjëje.
Sipas Anaksagorës, procesi me anën e të cilit nga lënda
formohen sendet, është procesi i "ndarjes". Kjo ndarje në fillim
është arritur (dhe vazhdimisht ndodh) nëpërmjet fuqisë së mendjes. Në mënyrë të
veçantë, mendja prodhon nje lëvizje rrotulluese, e cila shkakton një vorbull që
shpërndan, ashtu sikurse mbështjell, gjithnjë e më shumë masa origjinale të
lëndës, duke shkaktuar një "ndarje" të substancave të ndryshme. Kjo
lëvizje rrotulluese në fillim shkakton një ndarje të lëndës në dy ndarje
kryesore; njëra masë përmban të ngrohtën, të lehtën dhe të rrallën, ndërsa
tjetra përmban të ftohtën, errësirën, të dendurën dhe lagështirën. Ky proces i
ndarjes është i vazhdueshëm dhe i njëtrajtshëm. Objektet e veçanta janë
gjithnjë kombinime të substancave, në të cilat disa substanca janë
predominuese. Duke përshkruar këtë proces, në një nga fragmentët e ruajtur në
librin e tij të fundit, Anaksagora thotë se " Nous vendos rregull në të
gjithë sendet, në ata që kanë qenë, në ata që janë dhe në ata që do të jenë. Ky
është revolucioni që tashmë rrotullon yjet, diellin, hënën, ajrin dhe eterin:
të cilët janë të ndarë". Në vazhdimësi ai thotë: "Revolucioni vetë
shkakton ndarjen, dhe dendësia ndahet nga e rralla, e ngrohta nga e ftohta, e
ndritshmja nga errësira dhe e thata nga lagështira. Kemi shumë pjesëza të shumë
sendeve". Duke theksuar përzierjen e vazhdueshme të sendeve, ai thotë se
"asgjë nuk ndahet plotësisht nga ndonjë gjë përveç Nous". Forcat, që
vënë në lëvizje vorbullen, çojnë në qendër të trashën dhe lagështirën, ndërsa
të hollën dhe të ngrohtën, siç janë toka dhe ajri, në periferi. Forcat
rrotulluese shkaktojnë, gjithashtu, shkëputjen nga toka të masës së gurëve të
nxehtë e të kuq, të cilët shpërndahen në eter duke formuar yjet. Toka, e cila
në fillim ishte llucë, u tha nga dielli dhe u bë pjellore nga embrionet që
gjendeshin në ajër. Çdo gjë, duke përfshirë jetën në planete dhe perceptimin e
qenieve njerëzore, vihet në aktivitet edhe sot nga mendja. Mendja është kudo,
ose siç thotë Anaksagora, nous është "kudo ku çdo gjë tjetër ështe në
masën rrethuese".
Megjithëse Anaksagora e konsideron nous si forcën lëvizëse
dhe kontrolluese të kozmosit dhe të trupave njerëzorë, sipas tij, roli aktual i
nous është i kufizuar. Për Anaksagorën nous nuk është krijuesi i lëndës, derisa
lënda është e përjetshme. Për më tepër ai nuk sheh tek nous burimin e ndonjë
qëllimi. Shpjegimi i tij mbi origjinën e sendeve të veçantë nëpërmjet procesit
të "ndarjes", duket se është një shpjegim mekanicist. Sendet akoma
duken se janë produkt i veprimeve të shkaqeve materiale, dhe mendja duket se nuk
ka rol të qartë përveç atij të lëvizjes fillestare. Aristoteli, i cili më vonë
u muar me dallimin e llojeve të ndryshëm të shkaqeve, ka shprehur një vlersim
të dyfishtë për pikpamjet e Anaksagorës. Duke e krahasuar Anaksagorën me
paraardhësit e tij, të cilët dëshironin " të merreshin kaq shumë me një
çështje [p.sh. origjna e sendeve] spontanisht dhe rastësisht", Aristoteli
shkruan se "kur [Anaksagora] thotë... se arsyeja është prezente - si tek
kafshët ashtu dhe në të gjithë natyrën- si shkaku i rregullit dhe i të gjitha
grupimeve, ai ngjan si një njeri me një mendje të mprehtë në dallim me bisedat
e rëndomta të paraardhesve të ti|". Por, shton Aristoteli, Anaksagora e vë
në përdorim konceptin e tij të nous vetëm "në një shkallë të vogël".
Kritika e tij është se "Anaksagora e përdor arsyen si një deus ex machina
për të formuar botën, kur ai do të tregojë shkakun e një diçkaje që nuk është
në gjendje ta gjejë, ai fut arsyen, ndërsa në të gjitha rastet e tjera ai i
përshkruan ngjarjet me diçka të ndryshme nga arsyeja". Anaksagora duket se
ka siguruar një shpjegim se si lënda tërhiqet në lëvizjen rrotulluese, duke e
lënë pjesën tjetër të rregullit natyror të jetë produkt i kësaj lëviz|eje. Më
tej ajo, që Anaksagora thotë rreth arsyes, ka patur pasoja të mëdha në
historinë e filozofisë, sepse ai futi parimin shpirtëror në natyrën e sendeve.
Ai diferencoi mendjen nga lënda. Megjithëse nuk e përshkruan mendjen si komplet
jo materiale, ai arrin të dallojë mendjen nga lënda dhe, kur ka punë me të
thotë se mendja, ndryshe nga lënda nuk përzihet me asgjë, por është e vetme, e
mjaftueshme për vetveten". Mendja dallohet nga lënda, sepse ajo është
"gjëja më superiore për gjithçka dhe kafuqinë më të madhe... "Kështu,
ndërsa lënda është e përbërë, mendja është e thjeshtë, por të dyja këto i
shohim të jenë të ndërlidhura, derisa mendja është "atje ku çdo gjë tjetër
gjendet..." Megjithëse ai nuk i përpunoi të gjitha mundësitë e konceptit
të tij nous, ky koncept ka qenë i destinuar të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm
në filozofinë e mëvonshme greke.
JETËSHKRIME – KURESHTI NGA JETA E ANAKSGORËS
* Anaksagora në Athinë, në vitet 30 zhvilloi veprimtari të
frytshme filozofike, mirëpo pas akuzës për ateizëm, arriti, në saje të mikut
Periklit, të ikë në Lampsak(Turqia e sotme) dhe të shpëtojë nga vdekja.
* "I besoni mendjes sepse ajo sundon botën".
Anaksagora
* Nga vepra kryesore e tij që atëherë mbante titullin e
rëndomtë "Mbi natyrën" janë ruajtur vetëm disa fragmente, të cilat me
siguri janë nga libri i parë i kësaj vepre. Anaksagora konsideron, sikurse
Empedokli, se në natyrë nuk ka as ekzistencë as zhdukje - ekziston vetëm
bashkimi dhe ndarja e grimcave të pandryshueshme të cilat i quajti sperma - e
të cilat më vonë Aristoteli i quajti homeomei. Me bashkimin e këtyre grimcave
krijohen gjërat e ndryshme, ndërsa cilësia e çdo gjëje kushtëzohet nga ato
grimca që dominojnë në përzierjen dhe që për këtë shkak mund të përceptohen.
Nga gjendja e parë kaotike, në të cilën në fillim ishin të përziera
homeomeritët, lindi kozmosi i rregulluar nëpërmjet mendjes (nus-it), që e vuri
në lëvizje masën inerte. Mirëpo pasi u dha impulsi i parë, roli i kësaj
mendjeje përfundon dhe çdo gjë pastaj rrjedh në mënyrë mekanike sipas ligjeve
kauzale rreptësisht të përcaktuara.
* Njohje ndijore, sipas Anaksagorës, kemi në saje të
ekzistimit të kundërshtisë që kemi në botën tonë të brendshme (p.sh. të ftohtit
mund ta ndiejmë vetëm atëherë kur trupi është i nxehtë). Ndërkaq, të vërtetën
nuk e njohim me anën e shqisave por nëpërmjet arsyes.
· Duke provuar rëndësinë e Anaksagorës në historinë e
filozofisë, Aristoteli thotë: "Filozofët para Anaksagorës mund të
krahasohen me ata endacakë që i quajmë natyralistë. Sikurse që, duke u
kolovitur, gladiatorët mund të japin edhe të goditura të qëlluara, por jo sipas
rregullave të shkathtësisë, gjithashtu duket se edhe këta filozofë nuk janë
aspak koshientë për atë që flasin". Anaksagora është i pari që - duke
thënë se mendimi i kulluar është e vërtetë - siguroi këtë koshiencë, kështu që
edhe sipas fjalëve të Hegelit ai dukej si "i padehuri midis të
dehurëve".
Comments
Post a Comment