Empedokli: Fenomeni i lëvizjes është në të njëjtën kohë po aq i dukshëm për t'u pranuar, sa edhe i detyruar për t'u mohuar
EMPEDOKLI
Empedokli ka lindur në Agrigjentas të Siçilisë, filozof grek
(greq.Ἐμπεδοκλῆς) rreth 483 - 423 p.e.r.
Kishte kulturë të gjerë dhe veproi në jetën politike si ithtar i demokracisë,
ndërsa në mesin e bashkëqytetarëve që e çmonin shumë, gëzonte famën e një
poeti, të një oratori, të një profeti dhe të një mrekullibërësi. Nga ana e
aristokracisë që mori pushtetin u dëbua në Peloponez ku së shpejti vdiq.
Per Empedoklin si argumentët pro, po ashtu dhe ata kundra
lëvizjes dhe ndryshimit, kanë disa merita. Në vend që të merrte ndonjërën anë,
ai me mendjemprehtësi kombinoi të dyja pikëpamjet. Këtu ne shohim përpjekjen e
parë për të sintetizuar kontributet e mëdha filozofike të paraardhësve. Ai
zbuloi një mënyrë të qëndrueshme, duke thënë se ndryshimi ekziston dhe në të
njëjtën kohë pohon se realiteti është, në thelb, i pandryshueshëm. Ai ishte një
figurë e shquar e vendit të tij të lindjes, Agrigentum të Siçilisë. Interesat e
tij përfshijnë një gamë të gjerë; nga politika tek mjekësia, nga feja tek filozofia.
Ai e shkroi filozofinë e tij në formën e poezisë, nga e cila vetëm një pjesë e
vogël ka mbijetuar. Nga kjo nuk zbulohet ndonjë filozofi origjinale ose e re,
por më shumë një mënyrë e re e vendosjes së bashku të asaj që paraardhësit e
tij tashmë e kishin thënë.
Empedokli ishte dakort me Parmenidin, se qenia është e
pakrijushme dhe e pashkatërrueshme, se ajo thjesht është, duke thënë se
"derisa nuk ekziston urtësi tjetër, ashtu si është e pamundur që diçka të
vijë në qenie, po ashtu është e pamundur të realizohet dhe të mendohet që qenia
të shkatërrohet plotësisht, sepse ajo do të jetë gjithmonë atje ku ndonjë e
vendos sipas rastit". Ndryshe nga Parmenidi, Empedokli nuk është dakort që
qenia përbëhet thjesht nga Njëshi. Pranimi i nocionit të Njëshit do të kërkonte
nga ai që të mohonte, realitetin e lëvizjes. Për Empedoklin fenomeni i lëvizjes
është në të njëjtën kohë po aq i dukshëm për t'u pranuar, sa edhe i detyruar
për t'u mohuar. Ai mohoi idenë e Njëshit dhe argumentoi se, megjithëse
Parmenidi kishte të drejtë kur thoshte se qenia është e pakrijueshme dhe e
pashkatërrueshme, qenia nuk është Një, por shumë. Është e shumta që është e
pandryshueshme dhe e përjetshme. Empedokli mendon se eksperienca dhe ajo çfarë
shikojmë, tregon se objektet lindin dhe gjithashtu shkatërrohen, dhe ky
ndryshim dhe kjo lëvizje është e mundur, sepse objektet janë të përbërë nga
shumë pjesëza materiale. Kështu, megjithëse objektet mund të ndryshojnë, ashtu
siç thoshte Herakliti, pjesëzat, nga të cilat ata janë të përbërë nuk ndryshojnë,
por janë, ashtu siç Parmenidi thotë për qënien, të pandryshueshme. Nuk ka shumë
objekte që janë të pandryshueshëm, por ka shumë pjesëza, nga të cilat janë të
përbërë objektet, të cilat kanë këtë atribut të pandryshueshmërisë. Por nga se
janë të përbëra këto pjesëza?
Empedokli i përshkruan pjesëzat si elementë materialë me
natyrë të përjetshme. Këtë ide ai e zhvilloi duke riinterpretuar filozofët e
Miletit, Tales dhe Anaksimeni. Talesi thoshte se lënda, nga e cila është e
përbërë çdo gjë, është uji, ndërsa Anaksimeni kish përcaktuar si lëndë të tillë
ajrin. Të dy këta filozofë u përpoqën të shpjegonin marrëdhëniet midis Njëshit
dhe së shumtës, duke e gjetur të shumtën tek Njëshi; duke thënë për shembull,
siç thoshte Thalesi, se llojet e ndryshëm të objekteve e kanë burimin tek uji,
ose se një lloj e lëndës mund të transformohet në një lloj tjetër lënde. Në
kundërshtim me këtë pikëpamje, Empedokli thotë se duhet të jenë forma të
caktuara të lëndës, siç janë uji dhe ajri, të cilave ai u shtoi edhe zjarrin
dhe tokën, duke i bërë katër; të ciiat janë të pandryshueshme dhe të
përjetshme. Këto asnjëherë nuk transformohen në diçka tjetër. Ky nocion, se
janë katër pjesëza elementare, nuk duhet të ngatërrohet me teorinë e mëvonshme
të Demokritit, i cili argumentoi se të gjitha sendet përbëhen nga grupe të
ndryshme të atomeve. Pra, ajo, që shpjegon lindjen e objekteve, nuk është
transformimi i ndonjë prej këtyre katër elementëve materialë bazë, por thjesht
përzierja e tyre, sepse ekziston "vetëm një përzierje dhe bashkëndryshim i
asaj që ka qënë përzier". Toka, ajri, zjarri dhe uji, megjithëse janë
pjesëza të pandryshueshme, përzihen së bashku për të formuar objektet, duke
bërë të mundur atë që ne, në eksperiencën e përditshme, e shohim si ndryshim.
Empedokli mendonte se është e nevojshme, që jo vetëm të
shpjegohet baza e ndryshimit të objekteve, nëpërmjet përzierjes së tipeve të
ndryshëm të pjesëzave materiale të përjetshme, por gjithashtu të tregohen
forcat specifike, që e aktivizojnë procesin e ndryshimit. Jonianët pohonin se
lënda e natyrës thjesht transformohet vetë në objekte të ndryshme. Vetëm
Anaksimeni kishte bërë ndonjë përpjekje specifike për të analizuar procesin e
ndryshimit me teorinë e tij: se ajri transformohet në sende të ndryshëm
nëpërmjet procesit të kondesimit dhe të rrallimit.
Në kundërshtim me këtë, Empedokli pohon se ekzistojnë në
natyrë forca pozitive, që ai i quan Dashuria dhe Urrejtja, ose Harmonia dhe
Disharmonia. Këto forca fizike dhe materiale janë ato që shkaktojnë përzierjen
dhe më vonë ndarjen e katër elementëve. Forca e Dashurisë i bën elementët të
tërhiqen me njëri-tjetrin dhe të formojnë format ose personat e veçantë, ndërsa
forca e Urrejtjes shkakton prishjen e sendeve. Duke shprehur këtë proces të
pafund në stilin e tij poetik, Empedokli shkruan se "ky proçes duket qartë
në të gjithë masën e gjymtyrëve të vdekshëm: ndonjëherë, nëpërmjet dashurisë,
të gjithë gjymtyrët, që ka trupi, bashkohen në një, në fillim të lulëzimit të
jetës; në një kohë tjetër ato përsëri shkëputen nga urrejtja, dhe enden disa
herë nga valët e bregut të jetës. E njejta gjë ndodh me shkurret e fushave dhe
peshqit ne strehinat e tyre ujore, me bishat në strofullat malore dhe me zogjtë
që fluturojnë me krahë." Në fillim të çdo cikli të ndryshimit, të katër
elementët janë plotësisht të përzier së bashku dhe janë në harmoni, në sajë të
veprimit të parimit të Dashurisë. Në të njejtën kohë, forca e urrejtjes është e
fshehur diku dhe, kur ajo pushton, sendet, pjesëzat bien në disharmoni dhe
fillojnë të shpërndahen, derisa të katër grupet e pjesëzave; të ajrit, të
tokës, të zjarrit dhe të ujit veçohen në grupet e tyre, duke u bërë gati për të
filluar një cikël të ri, sapo forca e Dashurisë kthehet për t'i tërhequr
elementët në kombinime harmonike, dhe ky proces vazhdon pa fund.
JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E EMPEDOKLIT
* Për t'u kujtuar si i shenjtë, dëshira e Empedoklit ishte
që të hap një traditë të re duke i dhënë fund jetës me hedhjen në kraterin e
malit Etna, duke shpresuar se, duke mos lënë gjurmë të trupit të tij njerëzit,
do të mendonin se ai ka shkuar në qiell.
* Sipas Empedoklit, bota u krijua në mënyrë që dashuria për
shkak të elementeve të ndara shkaktoi lëvjzjen, vorbullën që gradualisht
përfshin më shumë elemente. Kur dashuria pushton çdo gjë, bota gjendet në
gjendjen e qetësisë së plotë të "sferës botërore", të lumturisë
fatbardhe. Por pas një kohe të caktuar nga periferia fillon për shkak të
urrejtjes ndarja graduale e elementeve. Pas disa periudhave të caktuara, sërish
gjithmonë dhe në distanca ciklike lindin krijime të reja permanente të botës.
* Në teorinë e njohjes Empedokli përkrah tezën se e
ngjashmja njihet me të ngjashmen, subjekti dhe objekti në esencë nuk janë të
ndryshme dhe kjo mundëson njohjen.
* Sipas Empedoklit, qeniet organike janë krijuar me
bashkimin e disa pjesëve organike (të duarve, të këmbëve, të kokës e të tjera),
dhe u ruajtën vetëm ato përbërje që ishin të afta për jetë.
· Veprat kryesore: Empedoklit i atribuohen dy vepra
kryesore: "Mbi natyrën" dhe "Spastrimet " që përmbanin afër
pesë mijë vargje nga të cilat janë ruajtur afër 450.
Comments
Post a Comment