A ka kritikë të sinqertë?
Nëse një kritik jep konkluzione, qortime, vërejtje, gjykime, qoftë për ndonjë pikturë, vepër letrare ose vepër muzikore, është mëse e obligueshme që së pari të jetë gjerësisht i informuar për problemin, e tek pastaj ta shpërfaq qortimin e sinqertë ndaj veprës së gabuar.
Fjala kritikë rrjedh nga greqishtja e lashtë
(kritikos=dikush që dallon, shquan), ose kritik - njëriu që sjell analiza apo
gjykime të arsyeshme. Shtrohet pyetja: Kush janë kritikët modern dhe cili është
roli i tyre?
Ata janë persona informativ të cilët gjykojnë apo shpjegojnë
krijimet, dhe veprat e të tjerëve, pa marrë parasysh cilës fushë arti i
përkojnë.
Ata shpesh nuk pajtohen me krijime të servuara, ose nuk
mbajnë qëndrim të njëjtë me autorin e veprës, dhe shpesh janë kundërshtues të
arsyeshëm.
Kritikët mund të shkruajnë për çfarëdo vepre dhe të shprehin
publikisht opinionet e tyre, mirëpo këto opinione gjithnjë duhet të jenë
personale, asnjëherë mendime kolektive ose të cituara në fillim të tekstit -
sikurse kemi hasur te shumë kritikë modern letrar të cilët akuzojnë vepra për
gabime të ndryshme, duke e kolektivizuar mendimin.
Jo, ky është gabim primitiv nga ana e tyre. Kritika, në
përgjithësi, është një gjykim demokratik që ka të bëjë me një çështje të
caktuar, ose me një kundërshtim autorial i cili na dërgon në përmbyllje të
debatit. Kemi kritika pozitive, si lëvdata ose mirënjohja; kritikë negative, si
qortimi ose vërejtja; kritikë ndërtimore, që ka për qëllim përmirësimin e një
gjëje; dhe vetëkritikë, një rishqyrtim ose pikëpamje vetjake.
Fatkeqësisht, në kulturën tonë ndodh vetëm kritika pozitive,
e cila shpesh shprehet edhe në vende joadekuate, sepse i përket qejfit të
krijuesit, ose për t’i forcuar edhe më tej raportet e ndërsjella mes krijuesit
dhe kritikut. Këtë e hasim shpesh në shfaqjet që janë nën nivelin artistik, por
që me vete kanë marrë buxhetin e majmë dhe prezantohen në festivale të
ndryshme. Ose tek filmi, ku artisti, duke krijuar, bënë vlerësimin e veprës së
tij – pra, ai është kritiku i parë. Kjo, në fakt, dëshmon se krijimtaria e tij
nuk është një raport armiqësie por miqësie, dhe në dobi të mëtutjeshme.
Por jo, ai nuk është i denjë për vetëkritikë, dhe ia lë
radhën kritikut që, po ashtu, fillimisht shikon anën shoqërore e mandej atë
krijuese. Këta krijues nuk e dinë se mendimi kritik për veprat e tyre është
shumë i dobishëm, por edhe i pamjaftueshëm sa për ta bërë të panevojshme
kritikën profesioniste.
Nëse marrim fushën e pikturës, shohim se në galeritë tona
hapen ekspozita të ndryshme, disa me vlera vërtet artistike, e disa të pavlera,
që shërbejnë vetëm sa për mbulimin e mureve ose për arsyetimin e buxhetit.
Këtu, gjithnjë pas hapjes së ekspozitës, drejtorët ose
përgjegjësit këtyre institucioneve, duhet të organizojnë debate ose kritika
publike për veprat e ekspozuara, e jo të kapërcehet çdo gjë në heshtje, me
lëvdata dhe kritikë pozitive. Kjo, për fat të keq, ka kafshuar të gjitha
galeritë në kryeqytet. Spektatorët që vijnë në galeri i shijojnë veprat
artistike, dhe s’mund të mos iu lindë një gjykim kritik për to. Çdo akt i
perceptimit artistik dyzohet dhe është patjetër edhe akt i përjetimit artistik
edhe akt i gjykimit kritik, pavarësisht asaj nëse spektatori e kupton ose jo.
Spektatori gjithnjë përpiqet të jep një kritikë
profesioniste, sepse mes spektatorit joprofesionist dhe atij profesionit
gjithnjë ka dallime. Spektatori i rëndomtë paraqet veprën në ombrellën e
kufizuar, ndërsa kritiku duhet ta përjetojë e pastaj ta shfaqë opinion e
sinqertë. E, fatkeqësisht, kjo nuk ndodh në ekspozitat tona.
Kemi pastaj edhe veprat letrare, të cilat e shohin dritën e
botimit duke u vërshuar nga kritika pozitive lavdëruese, edhe pse të zhytura në
gabime të mjerueshme. Secili nga ne, madje edhe ata që asnjëherë s’kanë shkruar
poezi, mund të bëhen poetë superlativë. Krejt kjo falë kritikës pozitive, e
cila pa hezitim dhe pa përtesë është në gjendje të hulumtojë shprehje sa më
lavdëruese për poetët e rastit. Secili mund të botojë libër pa u kontrolluar
nga askush, dhe ta publikojë atë në tregjet e banuara më shqiptarë. Kjo, sepse
nuk ekziston një kritikë a komision për ndalimin e veprës. Edhe pse krijimtaria
artistike ka lindur dhe ka ekzistuar para se të lindte mendimi kritik, vepra
duhet ta shohë dritën tek pas filtrimit kritik. Në shumë përurime librash,
tubime poetike, apo ndarje çmimesh për poezinë më të mirë, vlerësimet janë
shoqërore, të pasakta, asnjëherë të sinqerta, andaj vërshimet me nënvlerë
poetike janë gjigante.
Madje, edhe në sferën e muzikës kritika ka stagnuar dhe
hezituar jashtë mase. Vlera ka humbur identitetin, bukuria banale e jashtme
bëhet pjesë e vlerës së maskuar, dhe me epsh dominon në treg. Mendoj se kritika
ka një vend të gjerë në artin muzikor. Shpesh kritika është e paaftë të gjykojë
për një koncert, për solistin, orkestrën apo dirigjentin dhe veprën. Nga kjo na
del se kritiku nuk ka njohuri të mjaftueshme për arsyet e kësaj fushe muzikore.
Janë të mangët për futjen dhe hulumtimin e brendshëm emocional dhe artistik të
artistit. Ilir Muharremi
Comments
Post a Comment