Carlos Fuentes, Shkrimtari globe-trotter
Nga Maya Jaggi (The Guardian)
Romancieri më i madh i Meksikës është i habitur që në moshën
73- vjeçare mund të shkaktojë një skandal. Sipas ministrit meksikan të Punës,
Carlos Abascal, novela gotike e Fuentesit Aura, e publikuar së pari në vitin
1962, është fyese për vajzat e reja. Megjithëse, shumë në qeverinë meksikane e
marrin këtë ankesë si qesharake, një grua u pushua nga puna sepse ua mësonte
librin nxënësve të një shkolle katolike, ku shkonte edhe vajza adoleshente e
ministrit.
Fuentes-i ishte thelbësor, jo vetëm si romancier inovator,
por edhe si kozmopolitan, që e ka kaluar jetën në lëvizje. Shkrimtari amerikan
William Styron, një mik i ngushtë, e sheh atë si “posaçërisht të
mirëpozicionuar”, për të ofruar një “dhuratë të jashtëzakonshme: një
perspektivë të marrëdhënies mes Amerikës dhe Meksikës dhe rrjedhimisht ndërmjet
Amerikës Latine dhe pjesës tjetër të botës”. Sipas Jason Wilson-it, profesor i
studimeve latino-amerikane, në University College London, Fuentes ka qenë një
“urë ndërmjet pikëpamjes së Meksikës për veten dhe pikëpamjeve nga jashtë”,
duke qenë se meksikanët janë treguar armiqësorë ndaj portretizimeve të huaja,
si ato të DH Lawrence-it apo Graham Greene-t.
I martuar që në vitin 1973 me gruan e tij të dytë, Sylvia
Lemus, një prezantuese televizive meksikane (“Ajo më intervistoi dhe që atëherë
më ka intervistuar për 27 vjet”) Fuentes kalon rreth gjysmën e vitit në Meksiko
dhe gjysmën në Europë, ku ata kanë një apartament në Earls Court në Londër.
Një muaj në vit, ai e kalon në Amerikë ku është profesor në
Brown University në Rhode Island. “Karrierat tona nuk përplasen”, thotë ai.
“Kudo që shkoj, Sylvia mund të vijë me mua sepse gjithnjë gjen dikë për të
intervistuar për show-n e saj”.
Ky globe-trotting dhe kjo gjerësi kanë sjellë miqësi publike
me shkrimtarë, yje të kinematografisë dhe politikanë nga Bunuel-i deri te Bill
Clinton-i. (Ai ende është i afërt me García Márquez dhe Vargas Llosa-n,
pavarësisht antagonizmit dhe politikave kundërshtuese të dy miqve të tij). Ai
ka numëruar mes miqve të tij edhe Norman Mailer-in, Shirley MacLaine-in, Arthur
Miller-in, Philip Roth-in, Alberto Moravia-n, Milan Kundera-n, JK Galbraith-in
dhe Claire Bloom-in. Kritikët e eseve të tij autobiografike, unë me të tjerët
nuk pëlqyen atë që ata panë si “përdorim emrash”; kurse Angela Carter-i që i
admironte romanet e tij, vërejti në ta një “linjë bizare vulgariteti”.
Megjithatë Fuentes-i, i cili rrjedh nga “periferia”, ka pasur vetëbesimin për
të vendosur emrin e tij dhe të vendit nga vjen në hartë.
Çdo libër i shkruar është një akt ekzorcizmi, thotë Fuentes.
“Por ekzorcizmi mund të kthehet në profeci. Të gjithë djajve të Meksikos, që u
përpoqa t’u bëj ekzorcizëm te Christopher Unborn, u përjetësuan me një bonus:
ndotje, krime, korrupsion”. Vëllai i madh dhe i biri i Laura Diaz-it kanë
tiparet e të afërmve të Fuentes-it. Është sikur, thotë ai, romani “mbërthehet
nga vdekjet e dy njerëzve në familjen time: im ungj Carlos dhe im bir Carlos”.
Fuentes u lind në vitin 1928, në Panama City, nga prindër
meksikanë. Nëna e tij, Berta po shihte një film kur i plasën ujërat. I ati
Rafaeli, një diplomat, e mori familjen me vete në të dy Amerikat nga Quito në
Montevideo dhe më vonë u bë Ambasador i Meksikës në Itali dhe Portugali. “Unë pata
fatin e një familjeje të lumtur dhe të lidhur. Në shërbimin diplomatik duhet të
jesh i lidhur sepse vazhdimisht ndërron vendet, shkollat, shokët dhe gjuhët”.
Ungji i Fuentes-it ishte poet i talentuar që vdiq nga tifoja në moshën
21-vjeçare. “Ai la këtë trashëgimi: im atë më pagëzoi me emrin e tij dhe më
shtyu drejt leximeve e shkrimeve, si homazh për të vëllanë”.
(MAPO)
Comments
Post a Comment