Diktatura e lumturisë
ESE nga Susana Tamaro
Edhe pse të gjithë flasin për lumturinë, era që
valëvitet mbi moshën dhe vitet tona
ështëpikërisht era e konfuzionit dhe dëshpërimit, një erë që na rrëmben për t’u
zhdukur më pas në atë vrimën e zezë që ne kemi brenda vetes. Këndvështrimi im
mbi realitetin nuk është njësoj me dikë që ka një lloj teorie dhe e interpreton
realitetin që i shkon për shtat asaj teorie. Unë përpiqem të përqendrohem
drejtpërdrejt tek realiteti primar i ekzistencës. Kjo mënyrë e të vështruarit
më imponon vëmendje tek ata që vuajnë rreth meje dhe më bën pesimiste. Disa
javë më parë isha ulur në një park tek një stol. Kishte shumë trafik. Pashë një
numër të madh kalimtarësh, që kalonin para syve të mi. Drita e fortë e diellit
shkëlqente tërë sheshin, si të ishte një fasadë e fortë e një kanioni.
Një avion reaktiv po zbriste në tokë, ndërkohë që
një çift zogjsh po fluturonin aty pari nën qiellin blu të mbrëmjes.
Në krah të stolit tim disa lule ngjyrë vjollcë
kishin dalë midis gjetheve të dy luleve delikate.
Gjithmonë më ka lënë pa mend aftësia e bimëve për të
mbijetuar midis asfaltit dhe mbeturinave. Po shihja vërdallë për të vënë re
nëse dikush tjetër e kishte shijuar këtë bukuri. Ishte e kotë.
Turma vazhdonte marshin e vet. Një vargan i zbehtë
dhe e ngrysur, indiferente si për lulet edhe për aromën e tyre, indiferente nga
vështrimet e të tjerëve dhe për atë pjesë qielli të mbushur me dritën e artë të
perëndimit të diellit, indiferente edhe për mëllenjat që ruanin që nga maja e
shkurreve në
një ujëvarë që e lëshonte ujin si një melodi kënge.
“Ky është territori im!”
Unë pyesja veten se kujt i përkiste ky territor? Nga
kemi ardhur në këtë botë? Ku jemi duke shkuar? Çfarë shohin ata, çfarë
dëgjojnë?
Më vonë teksa kthehesha me autobus për në shtëpi, më
erdhi një ide: ne jetojmë në një rrafshinë të madhe, nga e cila është
shfuqizuar historia.
Historia, tregimi, përrallat – çdo gjë ekzistenca e
të cilave është manifestuar nëpërmjet ndryshimeve progresive.
Asgjë që ndodhet rreth nesh nuk na e kujton të
kaluarën, asgjë nuk e ndërton të ardhmen.
Koha tashmë shihet si i vetmi funksion i momentit të
tanishëm të materiales dhe zotërimit, të konsumuar dhe të boshatisur.
Mendimet e mia u kthyen te romani i Gogolit,
“Shpirtrat e vdekur”. Klani ynë - klani i shpirtrave të vdekur – mendon se
është modeli më i madh i civilizimit përmes së cilës çdo individ shijon nivelin
më të lartë të lirisë, shembullin për gjithë botën që imiton.
Bëhu si ne dhe ke për të qenë i lumtur.
Ne jemi të këndshëm, tolerantë, të bindur për
mirësinë e lindur prej natyre të njeriut.
Duke e supozuar këtë, ne zemërohemi dhe lemerisemi
kur dikush prej nesh tradhton këtë mirësi duke u sjellë si kafshët e egra. Të habitur, ne pyesim veten “Si është e
mundur kjo?”. Kësisoj ne bëjmë gati thirrjet, nënshkruajmë manifeste,
organizojmë tryeza të rrumbullakëta për diskutime pa
fund; demonstrojmë civilizimin tonë superior përmes
çdo lloj masmediash.
Duke fashitur ankthin tonë me aktivitetin publik
pajtues, u kthyem të qetë në betejat tona të përditshme. Por, kundër kujt
luftonim? Kryesisht kundër celulitit, kolesterolit të lartë dhe heqjes së
barkut prej trupave tanë nën presionin e dyfishtë të kohës dhe forcës së
gravitetit.
Ne luftojmë për të mbetur të reja dhe të bukura,
duke pretenduar se jeta mund të jetë një e tashme e përhershme, një replikë e
polaroidit të përsosur.
Për të ndihmuar mashtrimin, ne modifikojmë
marrëdhëniet rreth nesh. Prindërit i lënë fëmijët që t’i thërrasin në emër dhe
gjyshërit në rastet më të mira shndërrohen në halla dhe xhaxhallarë. Askush nuk
do të jetë ai që është, që do të thotë se i është imponuar prej natyre.
Në vend të përmbushjes, ne zgjedhim imazhin, dukjen.
Në vend të pranimit të lidhjeve tona me të tjerët, ne zgjedhim lirinë personale
... ose atë që ne supozojmë të jetë e tillë, duke qenë se e vërteta dhe liria
mbeten të largëta.
Ne jetojmë në një botë antihistorike, një botë dogma
e së cilës është të shijojë momentin.
Ne e ngushëllojmë veten duke thënë se filozofia
lindore e pranon momentin e tanishëm si suprem, duke harruar që në këto
filozofira – Taoizmi, p.sh. – e mira supreme identifikohet me besnikëri ndaj qarqeve
natyrale themelore.
Ligjet harmonioze të tokës dhe parajsës janë ato ku
njeriu gjen përmbushjen e tij të tërësishme, jo duke rivalizuar me grupe majmunësh,
që jetojnë duke ulëritur në majat e pemëve. Njeriu perëndimor i ka shkëputur
tërësisht lidhjet me perëndinë dhe me misterin që e lidh atë me tokën dhe jetën
pas vdekjes.
Këputja e këtyre lidhjeve na ka drejtuar tek një
lloj verbërie. Ne nuk dimë të shohim, nuk dimë as të dëgjojmë, as si të ndjejmë
fort dhe të jemi të vëmendshëm. Mendimet tona dhe vullneti ynë janë të
drejtuara drejt një imazhi të vetes sonë, ashtu siç kemi menduar se jemi – ose
ashtu siç na kanë thënë se duhet të jemi – sipas diktatit të tërësisë së
papërcaktuar dhe pothuaj e gjithëfuqishme që administron moshën tonë:
komunikimi në masë.
Duke vëzhguar nga jashtë numrin e madh të lajmeve
dhe njoftimeve që na ofrohen prej radios dhe televizionit, nga gazetat dhe
revistat, interneti, mendoj se ajo që kemi krijuar është pak më shumë sesa një
dhomë bisede planetare.
Ndonjë ngjarje që ndodh në një vend të largët zapton
jetën tonë të përditshme, na shton zemërimin, na shqetëson thellësisht (kështu
imagjinojmë) duke i hequr vizën modestisë sonë të realitetit të përditshëm.
Ne jetojmë duke planifikuar një realitet virtual, të
manipuluar nga prirjet kalimtare të gazetarisë.
Nuk jemi më të aftë për një vështrim origjinal, për
të kuptuar se jeta jonë është unike, është një dhuratë dhe kështu, duhet të
përmirësojmë veten, jetën tonë dhe atë botë që na rrethon të gjithëve. Përgjegjshmëria
e vetme që njohim është ajo e të shprehurit të përbuzjes apo të lemerisë së
etapës së madhe ndërhyrëse para syve tanë. Të kthesh kokën pas me keqardhje në
të kaluarën, kjo është padyshim një konstante e shpirtit dhe e historisë
njerëzore. Kur arrijmë një moshë të caktuar, bindemi që shoqëria ka arritur në
një humnerë të një rënieje të pakthyeshme, që brezat e rinj janë breza
dembelësh, breza të paaftë, krijesa pa këllqe. Por njeriu nuk duhet të bjerë në
kurthin e kundërshtarit duke shpërfillur ndryshimet mes viteve. Vetëm duke
kuptuar ndryshimet, mundemi të mbërrijmë te kritika, një perceptim i asaj që
është pozitive, e asaj që ka vlerë.
Fraktura e madhe – thyerja që e shndërroi kontekstin
e tanishëm duke e bërë më komplekse – është ardhja e komunikimit në masë. Më
1957, 2 vjet pas shfaqjes së televizionit, nënshkruesit në Itali përbënin rreth
67,000 persona në një popullatë rreth 50 milionëshe. Sot praktikisht, çdokush
është përdorues televizori që pas lindjes. Çdo vit unë marr një letër nga
televizioni kombëtar, që më kërkon me edukatë që të paguaj taksën për aplikim,
për një gjë që ende nuk e kam në zotërim. Që dikush duhet të ekzistojë dhe të
mos zotërojë një TV nuk konsiderohet më një mundësi. Dalja e masmedias në
civilizimin tonë ka krijuar një lloj frakture në zhvillimin e njerëzimit, për
të cilën, sipas gjykimit tim, i kemi dhënë jo shumë vëmendje. Ka qenë një kohë,
në jetën e njeriut, kur momentet e heshtjes dhe parashikimeve ndodhnin në
mënyrë krejt të natyrshme.
Kjo nuk ndodh më. Kudo ne gjejmë veten, jemi të
mbështjellë në një zhurmë konstante, të trullosur prej teknikës që përthithim
me veshët tanë, nga perdja e imazheve që sulmojnë sytë tanë. Fjalët dhe imazhet
që asnjëri nuk i kërkon apo i dëshiron, me lehtësi modifikon kapacitetin tonë
për të perceptuar dhe për të analizuar.
Kjo na bën të mendojmë.
Njeriu modern është krijesë e copëzimit, që jeton në
mënyrë konstante në një etapë të caktuar, duke thithur mendimet dhe fjalët nga
një sufler i fshehur pas një ekrani. Prej vitesh kam thënë – një zë që qan në
një vend të shkretë! – se televizioni është një helm për fëmijët, sepse mendja
e tij është ende e paformuar dhe kësisoj, anulon mundësinë e të mësuarit. Paaftësia
për t’u marrë me një histori të caktuar na çon drejt paaftësisë për të
përfunduar një argument, për të kuptuar lidhjen midis lidhjeve dhe pasojave të
tyre. Për shumë intelektualë, televizioni është konsideruar si një nga dhuratat
e mëdha të shekullit të kaluar, e aftë për të hapur një dritare në gjithë
botën. Jam e vetëdijshme për degradimin e frikshëm të kohës së vëmendjes tek të
rinjtë. Edhe nëse ia dalin mbanë me formulimin, me përpjekje,fëmijët nuk kanë
më aftësi dhe as energji për të punuar për një problem të caktuar, për të dhënë
përgjigjen e duhur.
Kërkimi i kënaqësive të sipërfaqshme, e prezantuar
tek ne në mënyrë konstante nga masmedia si një vlerë e jetës, ndëshkon një
pjesë të madhe të civilizimit bashkëkohor drejt fatit të shkruar.
Kësisoj, fëmijët tanë që kanë shqetësime se po bëhen
adoleshentë, për shkak se nuk e kanë zhvilluar kapacitetin e të mësuarit dhe
pjekurisë, për të luftuar, për të kuptuar pasurinë e madhe të jetës, nuk janë
aspak të aftë të bëjnë gjë tjetër, veçse të ndjekin antenën gjigante të
masmedias që i urdhëron të shkojnë.
Në realitet, pavarësisht faktit që vazhdojmë t’i
thurim himne perëndisë për civilizimin e lartë demokratik, ne jetojmë në një
diktaturë të padukshme dhe të paepur: diktatura e Lumturisë.
Të jemi të lumtur. Po çfarë është lumturia?
Mesazhi na propozon nëpërmjet masmedias që lumturia
vjen nga posedimi dhe konsumimi i të mirave materiale dhe nga plotësimi i çdo
nxitjeje të enjëhershme dhe detyrimi.
Në këtë kuptim, shekulli ku po jetojmë për vetveten
është në të vërtetë e shenjuar nga një varfëri e jashtëzakonshme.
Poezia, piktura, muzika pothuaj janë zhdukur nga
horizontet e edukimit tonë.
Padyshim që ky është kapaciteti për të imagjinuar
bukurinë, për të riprodhuar dhe për ta njohur atë, kjo është veçantia dalluese
e qenies njerëzore.
Dimensioni i vetëm i jetës tashmë është pranuar si
materializim i thashethemit dhe dërdëllitjes.
Duke mos përjetuar lumturi dhe duke dyshuar se ky
përcaktim mund të vijë pikërisht prej nesh, nga brenda nesh nëpërmjet një
marrëdhënie normale dhe të shëndetshme, asgjë nuk mbetet – në ato pak hapësira
ende të lira nga pretendimet e argëtimit
– ndryshe nga dinamika e kohës sonë: pretendimi për të drejtat tona, mbrojtja e
vetes etj. Shpesh na lihet të kuptojmë se vendi ynë
është thjesht një koleksion i kaq shumë atomeve,
secila prej tyre ndjek parimin e paepur të vetë-referencës.
Duke mos patur më rregulla të brendshme, duke mos
ditur më si të lokalizosh fatin tënd në lidhje me qëllimin e madh të kozmosit,
duke mos njohur ndonjë ligj tjetër veç atij të kënaqësisë së instinktit, ne
jemi shndërruar në krijesa të varfra. Përtej kësaj varfërie, ne ndjejmë frikë.
Jetojmë duke mbrojtur veten nga çdo gjë dhe nga gjithkush, krejt të tendosur,
të mbërthyer prej ndonjë sulmi si një qen i uritur që mbron ushqimin e tij.
Por ky kusht është gjithashtu edhe një vetmi e
jashtëzakonshme, sepse nëse tjetri është armiku, atëherë kujt duhet t’i
besojmë?
Prandaj, kushti i madh për ne është që si fillim të
mund të komunikojmë me njëritjetrin, kudo, me të gjitha mjetet e mundshme.
Kështu do të mund të mbysim pak vetminë e
dëshpëruar.
Fabrika shoqërore është bërë krejt pluhur.
Ideja që i përket një sistemi të ndërlikuar civil,
ajo që kërkon pak përgjegjshmëri, bujari dhe pjesëmarrje për të ndërtuar një të
ardhme më të mirë është konsideruar në ditët tona një mbeturinë më vete që
është trashëguar nga shekulli i kaluar.
Një nga gjërat që më ka bërë shumë përshtypje dhe që
më ka sjellë edhe dhimbje për vendin tonë, është pikërisht mospërfillja totale
e brezave më të rinj.
Sistemi i edukimit, një viktimë e demagogjisë së
orientimeve politike të ndryshme praktikisht është shkatërruar.
Një pjesë e madhe e familjeve, qortuar prej
psikologëve, sociologëve, seksologëve dhe profetëve të masmedias e ka humbur
sensin edukativ.
Të rinjtë mund të duken më të sigurt për pjesën e
jashtme, por së brendshmi ata janë të brishtë, të paaftë për të luftuar, të
paaftë për përballje dhe për të parandaluar ndonjë dështim të mundshëm.
Ata jetojnë në një shtet të fjetur, të mbështjellë
në atë ngrohtësinë e një mjedisi, nga ku pret gjithçka.
Ata jetojnë duke pritur jetën që të vijë: një punë,
një shtëpi, martesa, pa e vënë re aspak që ndërkohë që janë duke pritur, jeta
për pjesën më të madhe ka ardhur dhe është duke ikur. Karakteri social i mbrojtjes
së pretendimeve, duke infiltruar botën e punës, ka krijuar kushtet për
copëzimin, sepse ky mjedis ka mohuar vlerat e rinisë së vendit dhe talentet e
tyre – studiuesit, shkollarët, artistët, shkencëtarët – shansin për t’u testuar
dhe për të aktualizuar potencialet e tyre. Të rinjtë duken se ekzistojnë vetëm
si konsumatorë apo si objekte të demagogjive të ndryshme elektorale.
Të rinjtë janë të mërzitur, të zhgënjyer, të
zemëruar dhe kanë të drejtë të jenë, duke qenë se shoqëria i ka trajtuar ata
gjithmonë si pjesë pa vlera.
Duke qenë se janë të rinj, mendjet dhe zemrat e tyre
janë goditur nga një valë batice vulgariteti dhe dhune. Ata besojnë se i vetmi
ligj është që më i forti fiton dhe se qëllimi gjithmonë justifikon mjetin.
Askush nuk duket se mban mend që një fëmijë është
një krijesë e brishtë, një qenie në formim e sipër dhe se në këtë formim varet
e ardhmja e shoqërisë.
Të skandalizohesh nga këto gjëra të vogla, është e
pafalshme, por kjo është mënyra më e mirë për të siguruar të ardhmen katastrofike
për veten tonë.
Si shkrimtare librash – edhe si lexuese – kam pasur
mundësinë që në këto vitet e fundit të njoh shumë njerëz që janë aktivë, të
aftë, pasionantë dhe që punojnë shumë për t’i ndryshuar për mirë gjërat. Këta
njerëz kurrë nuk shfaqen në shtyp, nëpër televizione, apo spektakle, në botën e
masmedias, por janë pikërisht ata që mbajnë vendin në këmbë: mësuesja që
dëshiron të mësojë nxënësit, doktori i ndërgjegjshëm, librashitësi që shet
libra, shumë vullnetarë që i kanë dedikuar energjitë e tyre dhe kohën e tyre jo
për t’u ankuar për të drejtat e tyre, por për të ndërtuar një komunitet me
standarde për të mirën e kujtdo.
Këta janë njerëzit që nuk i shkojnë pas lumturisë së
përjetshme, por që ndërtojnë sot për të nesërmen dhe që i përkushtojnë kohën e
tyre mbrojtjes së qenieve njerëzore.
Këta janë njerëzit që duhet të punojnë derisa të
mbillen farat e një mirëkuptimi të ri, e një përballje me jetën, duke siguruar
fëmijët dhe të rinjtë me justifikime të brendshme për t’i rezistuar ndikimit të
fuqishëm dhe fatal të masmedias.
Ajo që duhet të futet në shkollat tona, që nga ajo
fillore, përveç mësimit të anglishtes dhe kompjuterit, janë orët e heshtjes dhe
meditimit, orët e vëzhgimit dhe përqendrimit, sepse një mendje që fluturon sa
andejkëndej është si një papagall i frikësuar, është një mendje tërësisht e
padobishme.
Ne të gjithë kemi nevojë t’i kthehemi modeleve të të
rinjve, të admirojmë njerëzit, por edhe të rivalizojmë me to, të mos
katandisemi deri në degradim. Pa heshtje, pa etikë, pa aftësi për përmbushjen e
projekteve, njeriu nuk mund të ndërtojë plotshmërinë e qenies njerëzore.
Në kohët e negativitetit, si koha ku po jetojmë, ku
vulgariteti, fëlliqësia dhe shmëtia mbajnë skeptrin e bukurisë së mbretëreshës,
na nevojitet të rigjejmë në diskutime publike pikërisht atë këndvështrimin e
qenieve njerëzore si krijesa fisnike, që e njohin fatin e vet përmes
përfshirjes në të dhe që nuk degradohen me vullnetin e tyre. Njerëzit me
vullnet të mirë duhet të shfrytëzojnë ndikimin e tyre, secili në fushën e tij,
për të rishikuar kompleksitetin e njeriut dhe brenda këtij kompleksiteti,
pasurinë e tij.
Ata duhet të ripohojnë që për të ditur si të
zhvillojnë marrëdhëniet duhen njohur bazat e qenies njerëzore dhe të stimulohet
reagimi, aftësia për të pranuar dhe për të marrë, dhe jo për t’u zmbrapsur. I
pasur është ai që vëzhgon me habi gjërat që e rrethojnë, sepse habia është
kusht për këto këndvështrime, që i rinojnë ditë pas dite.
Përktheu:
Rudina Dahri
Comments
Post a Comment