Manjola Nallbani:Emrin e mirë apo jo, vendit ia japin njerëzit
Ilda Lumani
Të punuarit me të rinj (studentët) të
jep ndjesinë e rinisë së vazhdueshme. Por ndoshta në rastin konkret kjo është
thjesht diçka e zakonshme, një koincidencë e rastit, që nuk është aspak
tregues. E themi këtë, pasi artistja e mirënjohur Manjola Nallbani jo thjesht
ndihet e tillë, por shfaqet si e tillë, në formë të shkëlqyer fizike përherë, e
veshur gjithmonë me shije dhe në trend me kohën, e mbi të gjitha ka një energji
që do ta kishte zili kushdo. Përsos përkushtimit familjar, impenjimit në
universitet, kërkesave për koncerteve gjithmonë jashtë vendit; - dy të fundit
ishin në Kanada, Manjola vjen në këtë prag vere me dy këngë të reja: njëra kushtuar
Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe tjetra qytetit ku ajo u
lind dhe jeton, Tiranës. Mirënjohëse ndaj gjithçkaje që i ka dhënë ky vend dhe
veçanërisht publiku, i cili di t’i klasifikojë më mirë se kushdo vlerat,
këngëtarja, (një ndër të vetmet që interpreton në tre gjini të muzikës: të
lehtë, klasike dhe popullore), tregon në këtë intervistë për “Summer Time”,
ndjesitë që i fal ky moment pune, sadisfaksionin që ka marrë përmes koncerteve
ndër shqiptarë, si edhe marrëdhënien që ajo ka me vendin e saj. Të gjitha këto,
le t’i zbulojmë së bashku!
Manjola, për gjithë artistët prag vera
është koha e të rejave muzikore. Ju si e keni konsideruar këtë periudhë?
Së pari më uroni që kaloi dimri (qesh).
Nuk e dua fare as të ftohtin dhe as atë gjendjen që ndjejmë në atë stinë. Po të
më pyesnin në atë kohë si je; nuk e pëlqej fare, po dashuroj ditët kur fillon
të vijë pranvera e vera. Ndihem me energji në fakt jo pse kështu e di biznesi i
muzikës, por kam tjetër frymëzim në këtë periudhë për të krijuar. Mënyra më
ideale për të kaluar ditët e ngrohta në fakt do të ishte në det me pushime, me
udhëtime dhe pastaj në fund me ndonjë çikë punë (qesh)! Në këtë prag vere kam
realizuar dy këngë të reja, që do të jenë pjesë e albumit të ri, për të cilin
po punoj.
I keni kushtuar një këngë 100-vjetorit
të Pavarësisë. Mendoni se këngët patriotike janë më shumë se kurrë tendencë në
këtë jubile për çdo artist?
Të bëja një këngë për Shqipërinë ka
qenë një dëshirë e ime e hershme, por që ndoshta rastësisht apo simbolikisht u
realizua tani. Jam shumë mirënjohëse për këtë krijim të tre artistëve të
shkëlqyer shqiptarë: kompozitorit Prof. Zef Çoba, poetit Gjokë Beci dhe
kompozitorit Adrian Hila, për orkestracionin e këngës. Gjithsesi, është normale
që në këtë jubile, të ketë krijimtari të re kushtuar Shqipërisë apo 100-vjetorit
të Pavarësisë dhe e rëndësishme është që nga të gjitha këto krijime, në mos të
gjitha, disa do të jenë me vlera për t’ju shtuar fondit të muzikës shqiptare.
Keni menduar për mënyrën e promovimit
të saj, do të jetë një klip, apo do të prezantohet në koncertet kushtuar këtij
rasti?
Besoj që do ta promovojë shumë shpejt
në një nga programet televizivë që ndiqen më shumë nga publiku dhe pastaj,
natyrisht, nëse do të pëlqehet, do të jetë edhe pjesë e koncerteve që do të
organizohen në këtë përvjetor, ose mund të jetë edhe përmes një klipi.
Ju vetë sa krenare jeni për Shqipërinë?
Unë besoj që çdo njeri i kësaj bote
duhet të ndjehet ose jo krenar për atë çfarë ai përfaqëson, për vlerat e tij
dhe çfarë bën ai për t’i përsosur këto vlera dhe për t’i vënë ato në shërbim të
njerëzve të tij apo vendit. Nuk di nëse do të kishte gojë Shqipëria, a do të
ndihej krenare për ne?! Ne kemi një vend të mrekullueshëm, por, emrin e mirë
apo jo, vendit ia japin njerëzit. Unë besoj, pavarësisht të shkuarës sonë të
vështirë, si brezi ynë, ashtu edhe fëmijët që ne po rrisim, po e ndryshojnë dhe
do ta ndryshojnë për mirë këtë vend. Ne kemi një ndjeshmëri të veçantë në këtë
drejtim, për shumë arsye. Unë jam ndier dhe do të ndihem krenare që jam
shqiptare në çdo çast të jetës dhe mbi të gjitha ndihem mirënjohëse për çdo gjë
që më ka dhënë të jetuarit në vendin tim. Ashtu sikurse nuk e di si do të mund
të kishte qenë jeta në një vend tjetër…?!
Prej më shumë se dy dekadave keni dhënë
shpirtin tuaj artistik për këtë vend, a ju është shpërblyer investimi? A keni
marrë sadisfaksionin e merituar?
Para shumë vitesh ka pasur ndonjë
moment ku jam ndjerë e zhgënjyer dhe kam menduar se për profesionin tonë
ndoshta nuk duhej më diploma. Por ka kohë që gjërat kanë ndryshuar për mirë.
Shpirtërisht, jam ndjerë shumë e vlerësuar brenda dhe jashtë vendit nga
publiku, si gjatë koncerteve ashtu edhe në jetën e përditshme. Koncertet jashtë
Shqipërisë janë ato që sjellin edhe shpërblimin financiar. Ndërsa, këtu duket
sikur arti jo vetëm s’duhet shpërblyer si çdo profesion tjetër, por më shumë të
duhet të investosh për një këngë të re, ose dalje në skenë, se sa të fitosh.
Gjithashtu, një këngë e re do të jetë
kushtuar Tiranës. Çfarë sillni ju të re me këtë këngë, duke pasur parasysh që
edhe artistë të tjerë kanë realizuar këngë me këtë motiv?
Kënga e Tiranës është gjithashtu një
krijim i kompozitorit dhe këngëtarit të shquar Luan Zhegu, me tekst të një prej
poetëve më të mirë shqiptarë, Jorgo Papingji, dhe orkestrim të muzikantit të
talentuar Saimir Çili. Ishte një dëshirë e imja që të plotësoja një amanet të
babait tim, që t’i kushtoja një këngë qytetit më të dashur për të dhe për mua.
Tirana është sofra e madhe, e cila ka pritur me bujari gjithë shqiptarët.
Natyrisht që do të bëhen këngë, jo vetëm për Tiranën, por janë bërë dhe do të
bëhen këngë për dashurinë, për nënën, për vendin. Çdo artist dhe krijues sjell
një emocion dhe një formë ndryshe interpretimi.
Ju jeni ndër të vetmet artiste me
repertor të lehtë, klasik dhe popullor. A mund të tregoheni e sinqertë se cilin
prej tyre ju keni më për zemër?
Unë edhe në Universitetin e Arteve ku
jap, mësim i mësoj studentëve të tria gjinitë e muzikës. Dikur kur isha studente
pëlqeja më shumë muzikën klasike, sot vërtet më pëlqejnë të tria njësoj.
Pak ditë më parë keni qenë në një
koncert në Kanada. Cilat janë mbresat që do të ndanit me ne?
Po, e vërtetë, isha në Kanada, në dy
koncerte për shqiptarët që jetojnë në Toronto dhe Montreal. Pas mbarimit të
këngëve, publiku ngrihej në këmbë, ose këndonim bashkë dhe vërtet kishte
momente që unë isha më e emocionuar se ata dhe ti e kupton se sa e bekuar je që
ke një profesion të tillë, që ju jep njerëzve emocion të mirë dhe po atë lloj
emocioni dhe dashurie ti e merr nga ata.
A ndryshon publiku që gjetët atje me
atë çfarë takoni shpesh në koncertet në Europë, a Amerikë?
Në Amerikë, Kanada apo Australi publiku
shqiptar është pak më entuziast se në Europë, sepse largësia i bën ata që të
jenë më të përmalluar për çdo gjë që ju kujton, apo ju sjell pak Shqipëri.
Ju shohim gjithmonë në formë, sa për qind
është dhuratë nga natyra dhe sa për qind kontribuon Manjola vetë për këtë look
perfekt?
Nuk kam dëshirë të them po të njëjtat
gjëra, por përveç geneve të mira tregoj edhe kujdes për veten. Natyrisht këtë
besoj do të bëja edhe pa qenë artiste! Që e vogël shihja me admirim ato femra
që kishin kujdes për pamjen e jashtme dhe jo vetëm.
Mjaft komente në rrjetet sociale ju
cilësojnë si Jennifer Lopez shqiptar. Komenti juaj për këtë epitet?
Në fakt është artistja që më pëlqen më
tepër, kemi të njëjtën moshë, të njëjtën shenjë horoskopi, por shumë i bukur
për të qenë i vërtetë krahasimi!
Comments
Post a Comment