Prurjet e dialekteve dhe shqipja


Nga Tomor Osmani
Në një mesazh më shumë se 70 vjet më parë, gramatikani Kostaq Cipo, kur nuk kishim gjuhën standarde, shkruante: “Naimi shkroi në dialekt të kulluar dhe bëri mirë, se dialekti është gurra e gjallë e popullit, se aty janë fshehur thesaret e gjuhës.” Zhvillimi politik, ekonomik, kulturor dhe arsimor i vendit rrit kërkesat për pasurimin e gjuhës me fjalë, fraza, frazeologji, terma etj. Për këtë qëllim gjuha do të kërkojë burime për t’iu përgjigjur këtij zhvillimi, prandaj duhet gjurmuar dhe interpretuar.
Marrëdhëniet e shqipes me dialektet kanë qenë një dukuri e hershme. Le t’i referohemi librit të parë të gjuhës shqipe, “Meshari”. Leksiku i kësaj vepre përbën një gur themeli për leksikografinë tonë. Në kushtet e pushtimit osman, kur shqipja kishte huazuar shumë fjalë arabo-turke dhe të vendeve fqinje, në këto rrethana, autorët e vjetër, të vetëdijshëm ose jo, u përpoqën ta pastrojnë leksikun e shqipes nga fjalët e huaja dhe t’i zëvendësonin, kryesisht me fjalë të burimit autokton. Me botimin e leksikut të autorëve të vjetër, nga prof. Kolë Ashta, është e mundur të shfrytëzohet ajo pasuri gjuhësore e një të kaluare të largët. Por problemi nuk ndalet këtu. Kujtojmë Pjetër Bogdanin, e folmja e të cilit nuk i përmbushte kërkesat e një gjuhe kulture, prandaj, siç thekson vetë autori, “m’anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndrequnë ndë dhé të Shkodërsë” dhe për të mbledhur “fjalë plaka e të harrueme”, që ishte një aspekt i ndërlidhjes gjuhë e folur – gjuhë e shkruar. Nëse Buzuku hapi një shteg, Bogdani hapi një rrugë.
Në rrethanat kur gjuha duhet të pasurohet dhe të pastrohet nga ndikimet e huaja, qoftë në strukturë, por kryesisht në leksik, ajo patjetër ka nevojë për ligjërimet dialektore dhe për veprën e shkrimtarëve që shquhen në veprimtarinë e tyre letrare për një ndikim nga gjuha e popullit. Dihet se standardi ushtron presion mbi dialektet, ndonëse edhe ata, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë forcën e tyre për të ushtruar presion, sado i vogël që mund të jetë dhe çfarëdo disiplinash gjuhësore që mund të prekë. Por a janë situatat të njëjta sot, që të mund të themi se dialekti është me të vërtet një burim pasurimi? Ndodhemi edhe para një fakti të tillë. Përveç presionit, siç e theksuam, që standardi vepron mbi dialektin, por me ndryshimet politike në Shqipëri pas vitit ‘90, krahas një varianti tradicional dhe një varianti të ri, vërejmë se me urbanizimin e lirë kemi shpërngulje jo vetëm nga qyteti në fshat, por edhe nga njëra krahinë në tjetrën, deri edhe në lëvizje të tilla nga Veriu në Jug dhe anasjelltas. Kjo ka bërë që të folmet e zonës së banuar të ushtrojnë ndikimin e tyre, duke çuar shpeshherë në një përzierje kodesh që e çoroditin gjuhën. Për këtë duhet ditur sesi të shfrytëzohet dialekti apo e folmja, pasi gjuha nuk duhet të shkruhet ashtu siç flitet.
-Ndër vite studiuesit janë qarë për depërtimin e strukturave dhe fjalëve të huaja, dukuri që nuk vërehet vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët e tjera europiane. Po ta vërejmë historikisht këtë problem, do të vëmë re se me zhvillimin e shoqërisë, me rritjen e kontakteve në mes popujve, si në kohën e sotme edhe me veprimin e globalizmit që po reflektohet çdo ditë e më shumë në gjuhët e ndryshme, çështja e pasurimit dhe pastrimit nga skemat dhe strukturat e huaja, e në veçanti e leksikut, mbetet detyrë parësore e shoqërisë së sotme, por edhe e shkrimtarëve dhe e gjuhëtarëve. Vitet e fundit gjithnjë e më shumë ky problem po rrihet në konferenca e sesione shkencore, por gjithnjë me konstatime, duke theksuar se anglicizmat, kryesisht në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe në trevat shqipfolëse; dhe italianizmat po ia marrin “frymën” gjuhës. Në këtë aspekt sytë do t’i drejtojmë edhe te dialektet dhe të folmet qoftë të Veriut apo të Jugut, duke i konsideruar si një burim i pashtershëm dhe i domosdoshëm për pasurimin e gjuhës Në radhë të parë ajo siguron pasurimin e leksikut, përmirëson raportin fond-vendas dhe fond i huaj, si dhe e afron, siç është theksuar, gjuhën e folur me gjuhën e shkruar.
Cilat do të ishin rrugët për zgjidhjen e këtij problemi? Kjo është cekur shekuj më parë edhe në gjuhët e tjera. Dhe në këtë aspekt një ndikim të fuqishëm ka pasur teoria e filozofit dhe e shkencëtarit gjerman Gotfried Laibnic (1646-1716) për pasurimin e gjuhës dhe të leksikut të saj, që me shpejtësi u bë dukuri e kohës dhe u kushtëzua nga periudha të caktuara të historisë së popujve, siç ngjau edhe te ne, kryesisht gjatë Rilindjes sonë Kombëtare.
Rrugët për pasurimin e gjuhës, sipas Laibnicit, ishin këto:
Kërkim dhe përhapje e fjalëve ekzistuese, por pak të përdorura dhe pak të pëlqyeshme;
Ringjallja e fjalëve të vjetra, të mbetura në harresë, por të ruajtura në kujtesën e popullit;
Mënjanimi i fjalëve të huaja, kur nuk duhen;
Formimi i fjalëve të reja sipas rregullave të analogjisë; në një anë kompozitat, në anën tjetër fjalët e prejardhura.
Ndonëse Laibnici i përket shek.XVII, shumë shpejt teoria e tij, siç e theksuam, u bë pronë e një pjese të mirë të shkrimtarëve dhe gjuhëtarëve të mëpastajmë. Nuk po shkojmë shumë larg, por një shekull e gjysmë më parë me iluministin Naum Veqilharxhi. Roli i tij për pasurimin dhe pastrimin e leksikut të gjuhës shqipe është vlerësuar nga gjuhëtarët tanë. Me të nis ajo rrymë që do të fuqizohet më shumë në vitet që vijnë pas. I bindur se shqipja ka marrë shumë fjalë e kuvise të huaja, por ajo duhet t’i zëvendësojë ato. Dhe ai e nis një punë të tillë duke derthtuar = krijuar fjalë të reja në përputhje me natyrën e gjuhës shqipe, “ndonëse mund të tingëllojënë keq, siç thoshte Veqilharxhi, por koha do t’i ëmbëlsonjë”, si edhe duke gjallëruar disa fjalë të vjetra si gërbje për kullë. “Këtë kuvënt gërbjë, që do të thotë pirg edhe kullë, siç e themi ne sot, e kam gjetur mbë një vent të shkruar pa andaj e vura që të ikënj nga e thëna pirg e kullë, që janë të dyja kuvise të huaja.” Po kështu, mund të shënojmë e nisur në kuptimin nismë, që do të krijohet më vonë. Vërejmë se marrja e fjalëve të rralla në ligjërimin popullor dhe në dialekte shoqërohet, siç vëren prof. Çabej, me të shtënët e tyre në përdorim të përgjithshëm, shpeshherë duke i ngritur më lart në punë të nivelit kuptimor. Sillet si shembull fjala lëndë-landë=dru, kuptimi konkret dru si material ndërtimi, por nga Rilindja e këtej edhe për “materie”, ‘subjekt” , “temë” etj.
Edhe Martin Camaj në krijimtarinë e tij letrare ka pasur parasysh që të shfrytëzojë gurrën popullore. Dhe këtë e deklaron kur thotë: “Kam përdorë (në veprën time letrare, T.O.) edhe fjalë që s’gjinden në fjalorë, por të cilat përdoren në Dukagjin.”
Ideja jonë është që ne nga krijimtaria popullore duhet të dimë të zgjedhim. Kjo varet shumë nga shkrimtari që do ta vërë në përdorim këtë leksik të përzgjedhur, por themelore është që ai të ketë kulturë dhe një përgatitje filologjike, që jo për hir se nuk gjenden në fjalorin e gjuhës shqipe, por ato duhet të jenë fjalë të burimit vendës, në përshtatje me natyrën e gjuhës shqipe dhe të jenë të kapshme nga shqipfolësi. Për këtë qëllim na ndihmojnë botimet e fjalorëve krahinorë, që për një periudhë 70-vjeçare janë botuar mbi 14 të tillë dhe që kanë vazhduar me rubrikat në revista Fjalë nga krahinat dhe që vazhdojnë edhe sot në vjeljen dhe hartimin e fjalorëve, ku janë përfshirë edhe mjaft fjalë me burim dialektor, si dhe fjalorë për autorë të veçantë. Për pasurimin e leksikut të shqipes mund të shfrytëzohen edhe këta fjalorë, duke vjelë ato fjalë që janë në pajtim me kriteret e përmendura më sipër.
Sa janë pasqyruar në fjalorin e gjuhës shqipe krahinorizmat? Sipas leksikologut akad. J. Thomaj, në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe të vitit 1980, nga 40 800 fjalë, 1076 njësi leksiko-semantike janë shënuar si krahinore; ndërsa për gjuhëtarin Thanas Feka, numri i fjalëve me burim krahinor të përfshira në këtë fjalor është më i madh, po të kemi parasysh se shumë njësi të tilla nuk janë shënuar si krahinorizma. Megjithatë, mendoj se ky raport mund të përmirësohet. Edhe në Fjalorin e Gjuhës Shqipe të vitit 2006 ka raste që disa fjalë krahinore nuk jepen si të tilla. Kështu, për fjalën hulli jepet kuptimi leksikor dhe sinonimi me brazdë, e njëjta gjë bëhet edhe me fjalën brazdë. Mendimi im është që ato duhet të dallohen në fjalor.
Me të drejtë është theksuar se përfshirja e leksikut dialektor në standard krijon mundësi për zhvillimin e përsosjen e normës leksikore, duke e pastruar atë nga elementet e huaja nëpërmjet zëvendësimit me fjalë dialektore ose krahinore të huazimeve prej gjuhëve të tjera fqinje ose jofqinje. Nuk janë pak ata shkrimtarë të së kaluarës dhe të sotmes që i ka shqetësuar dhe i shqetëson përfshirja e fjalëve të huaja në leksikun e shqipes, duke zëvendësuar fjalët vendëse. Për romancierin e parë shqiptar Ndoc Nikajn (1865-1951), vërshimi i fjalëve të huaja e frikësonte shumë autorin, pasi e varfëronin leksikun autokton. Do të ndodhë, sipas Nikajt, “ mbas disa vjetve fjalët shqype nuk kanë me mbetë as dy për mij e giuha shqype ka me kenë nji pshesh i përziem me gjith nduer koklash e me perjashtim të fjalve shqype.” Kaq e rëndë ishte kjo dukuri edhe për shkrimtarin Martin Camaj, sa deklaronte: “Kur vdes një fjalë në gjuhën shqipe, vdes diçka në trupin tim.”
Është e domosdoshme të studiojmë në veçanti krijimtarinë e atyre shkrimtarëve, qofshin nga Veriu apo Jugu, që vepra e tyre ka qenë e ndaluar gjatë regjimit monist dhe që kanë një leksik të pasur. Ta vjelim atë dhe të përzgjedhim ato fjalë-leksema, të cilat mund të përfshihen në fjalorin aktiv të gjuhës së sotme shqipe.
Të marrim poetin Gjergj Fishta. Vepra e tij është konsideruar “Përmendore e gjallë e gjuhës shqipe”. Vargu i Fishtës përmendet për plasticitet, zhdërvjelltësi, ndërsa fjalori i tij është shumë i pasur dhe shquhet edhe për përdorimin e një leksiku dialektor të trevave të Veriut të vendit tonë dhe në mjaft raste vishet edhe me një ngjyrim të veçantë stilistik. Autori, gjithashtu, përdor mjaft leksema me një kuptim të dytë, ndonëse kjo do të përbënte një objekt të veçantë studimi. Ka një frazeologji të gjetur, të pasur dhe të larmishme, të vjelë nga populli, por edhe të krijuar nga poeti. Përdor me mjeshtërí sinoniminë, e cila, siç thoshte Karl Gurakuqi, edhe sinonimia jo vetëm që është pasuri gjuhësore, por i jep edhe bukuri shprehjes.
Sidoqoftë, fjalë të tilla nga vepra e Fishtës janë me interes gjuhësor, si pliroj = kur nxjerr gjak një njeri, lingë = kumbonë e vogël, nig = lloj mjegulle etj., apo frazeologji të tilla: Ka me ra ndonji ditë ngusht / ka me kapë kryet në grusht; Shtri m’njanë bri, duhan tue pi / mendt te fiku ferliku; Ka pasë kenë nji trim i çartun/me e pasë randë toka me e bajtun / E t’ia shtinë t’dy kambt’n’nji kpucë / pak gja kush me pasë me i ngucë. Duhet theksojmë se në rrafshin e pasurimit gjuhësor përfshihet edhe frazeologjia.
Dhe mbështetja në gjuhën e popullit dhe në leksikun e tij ka qenë një veprim i ndërgjegjshëm i Fishtës. “Fishta, tregonte At Justin Rrota, të parit ia lexonte krijimin e tij Fratel Ndout (Fra Ndout), rojtarit të kishës, një malësor tipik i maleve tona. Kur ma kupton kangën time Fra Ndou , qeshte poeti, atëherë ma kupton i gjithë populli.”
Por edhe shkrimtarët e tjerë të shekullit XX, si: V. Prendushi, L. Poradeci, E. Koliqi, M. Kuteli, M. Camaj, J. Xoxa etj. në veprimtarinë e tyre letrare kanë përdorur krahinorizma, të cilat me shumë efekt i kanë përdorur në veprën e tyre. Por ngandonjëherë është e vështirë të vesh cakun për autorësinë e mjaft fjalëve të trashëguara, si i plajtë (= i shtrimë), mên (=hesht), vrumulis (=të lëvizë), shqymb (= u shua), shoshëloj (= sharje e tepruar), periqên (= shkak talljeje), mujshí (= forcë), terratis (= errëson) etj.
Ne kërkojmë të zëvendësojmë fjalët e huaja, por jo gjithnjë, pasi kemi një kategori fjalësh që kanë fituar të drejtën e qytetarisë në leksikun aktiv të gjuhës shqipe, si : xhep, karrocë, rrugë, oborr, zakon, shëndet, qytet etj. Në këtë rrafsh përshihen edhe ndërkombëtarizmat, si: diktaturë, ideologji, gramatikë, portret, teatër, balet etj…
Në përfundim të këtij shkrimi, le të kujtojmë porosinë e prof. Eqrem Çabej, që thoshte: “Një ndër detyrat e gjuhësisë shqiptare… është dhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona.”
 (MAPO)

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk