Vdekje e Pashmangshme pertej dashurise -Nga GABRIEL GARSIA MARKEZ



Senatorit Onesimo Sançes i kishin mbetur edhe gjashtë muaj e njëmbëdhjetë ditë jetë, kur takoi gruan e jetës. E njohu në Trëndafilin e Virrejit, një fshat i rëndomtë, i cili, natën ishte një skelë me goxha leverdi për anijet e mëdha të kontrabandistëve, kurse në dritën e diellit, – qoshja më e humbur e shkretëtirës, përballë një deti të shkretuar e pa pikë lezeti; dhe kaq i veçuar nga gjithçka, saqë askush nuk do të kishte menduar, se atje jetonte dikush, i aftë për t’i ndryshuar fatin dikujt. Madje, edhe emri i tij dukej qesharak, sepse të vetmin trëndafil që kishin parë në atë fshat, e solli vetë senatori Onesimo Sançes, po në të njëjtën mbrëmje që njohu Laura Farinën.
Trëndafili i Virrejit ishte një stacion dhe një ndalesë e pashmangshme për fushatën elektorale që zhvillohej çdo katër vjet.
Furgonat e trupës së artistëve endacakë kishin mbërritur qysh herët në mëngjes. Më pas, erdhën kamionët me hamenjtë indianë, që i sollën në fshat për të kryer punët e rëndomta. Disa minuta para orës njëmbëdhjetë, dha ballë makina ngjyrë lëngu luleshtrydheje e ministrisë, që shoqërohej nga fshatarët të cilët u binin veglave muzikore dhe hidhnin fishekzjarre.
Senatori Onesimo Sançes ishte i qetë; nuk qendroi gjatë në makinën e tij të freskët, dhe sapo hapi derën dhe bëri të dalë, i erdhi një afsh aq i nxehtë, saqë këmisha e tij prej mëndafshi natyral, u bë ujë nga djersët, dhe ai u ndje shumë më i vjetër dhe më i vetmuar se kurrë.
Zoti Onesimo, sapo kishte mbushur dyzet e dy vjeç; titullin e nderit, inxhinier metalurg e kishte marrë në Gotinga dhe ishte lexues i përkushtuar, sidoqë nuk kishte patur fat me klasikët latinë të cilët ishin përkthyer keq. Ishte i martuar me një gjermane rezatuese, me të cilën kishte pesë fëmijë; dhe të gjithë ishin të lumtur në shtëpinë e tyre, dhe ai, – më i lumturi nga të gjithë, – derisa një ditë, mjekët i dhanë lajmin fatal, se në Krishlindjet e ardhshme, ai do të vdiste, pa asnjë dyshim.
Përgatitjet për manifestimin publik po mbaronin, dhe senatori arriti të pushonte vetëm një orë në shtëpinë e rezervuar posaçërisht për të. Para se të shtrihej, vuri në një enë me ujë të pijshëm, një trëndafil natyral që e kishte ruajtur të pavyshkur gjatë shkretëtirës, hëngri ushqimin dietik që kishte marrë me vete, për të shmangur yndyrnat që e prisnin në tavolinat e bollshme të ditës, dhe mori ilaçe të ndryshëm analgjetikë, qetësues të mirë, sigurisht, para orës së parashikuar, në mënyrë që lehtësimi t’i fillonte përpara se ta zinin dhimbjet. Pastaj, vuri ventilatorin elektrik shumë afër hamakës, një lloj shtrati i veçantë i varur në litarë, u shtri lakuriq për rreth pesë minuta në gjysmëhijen e trëndafilit, dhe gjatë kohës që dremiste, u përpoq shumë të shpërqendrohej e të mos mendonte për vdekjen. Përveç mjekëve, askush nuk e dinte se ai ishte dënuar me një fund të paracaktuar, sepse kishte vendosur ta vuante i vetëm sekretin e tij, pa asnjë ndryshim në jetë; dhe kjo, jo thjesht, për modesti.
Ndiente, se e kishte veten plotësisht nën kontroll, kur, në orën tre, doli sërisht në publik, i shlodhur, i pastër, me pantallona linoje të rëndë e këmishë me lule të pikturuara, dhe me shpirtin që e mbante me ilaçet qetësuese. Megjithatë, gërryerja e vdekjes ishte shumë më e pabesë nga ç’e kishte imagjinuar ai. Prandaj, me të hipur në tribunë ndjeu një përbuzje e neveri të çuditshme për ata që iu shmangën rastit për t’i dhënë dorën, dhe nuk iu dhimbs, si herët e tjera, as vargu i indianëve të zbathur, që mezi e duronin rërën përvëluese në sheshin e hapur.
Senatori i qetësoi duartrokitjet e turmës me një lëvizje dore nervoze e gati me inat, dhe, ashtu, me trup të ngrirë në tribunë, zuri të fliste, duke i mbajtur sytë të fiksuar diku mbi sipërfaqen e detit që, edhe ai, dukej sikur shfrynte dhe dihaste nga vapa. Zëri i tij, i shtruar dhe i plotë, i ngjante ujrave të thella e të qeta, por fjalimi optimist, i parapërgatur dhe i mësuar përmendësh, siç e kërkonte skenari e spektakli, shumë optimist, deri për të kundështuar një sentencë fataliste të librit të katërt të kujtimeve të Mark Aurelit, u ndërpre e u copëtua disa herë, sepse në skenar nuk ishte shkruar edhe e vërteta e gjendjes shpirtërore dhe fizike të tij.
-Jemi këtu për të mundur natyrën! –nisi ai, duke u ngritur mbi vetveten. –Tani, nuk do të jemi më fëmijët e braktisur të atdheut, jetimët e Zotit, në mbretërinë e etjes dhe të stuhisë, të dëbuarit në vetë vendin tonë. Do të jemi të tjerë, zonja dhe zotërinj! Do të jemi të mëdhej dhe të lumtur!
Ishin sloganet e skenarit të parapërgatitur për mitingun. Dhe, ndërsa zoti Onesimo fliste, njerëzit e stafit të tij hidhnin në ajër grushta me zogj prej letre, kafshët e rreme rrotulloheshin mbi tribunë; më pas, sikur gjallonin e, bashkë me zogjtë e tjerë, iknin drejt detit. Ndërkaq, të tjerë ndihmës, nxirrnin nga furgonat disa pemë artificiale të bëra me një lloj stofi të trashë si shajaku, dhe i vendosnin prapa turmës në tokën me salnitër1. Në fund, ngritën një fasadë prej kartoni me shtëpi të pikturuara me tulla të kuqe e dritare xhami, dhe mbuluan me to baraket e rënuara aty rrotull.
Senatori e zgjati fjalimin me dy citime në latinisht, dhe vazhdoi të qendrojë në rol. Premtoi makineri për shiun, rezervuar të lëvizshëm për peshqit dhe shpendët, vajëra e kimikate të ndryshme që do të bënin të mundur rritjen në salnitër të perimeve dhe lulevjollcave. Kur u kujtua, se spektaklit i erdhi fundi, senatori bëri një shenjë me gisht.
-Kështu do të jemi, zonja dhe zotërinj! –thirri ai. -Shikoni! Kështu do të jemi!
Publiku lëvizi dhe ktheu kryet. Një transatlantik prej letre i pikturuar, u shfaq tek kalonte prapa shtëpive, dhe ishte më i lartë se shtëpitë, më i lartë se qyteti artificial. Vetëm senatori vuri re, se duke e ngritur e ulur herë pas here, duke e lëvizur e zhvendosur, nga një vend në tjetrin, dhe nga moti i keq, qyteza prej kartoni ishte prishur, dhe dukej kaq e varfër, e pluhurosur dhe e trishtuar, sa edhe vetë Trëndafili i Virrejit.
Për herë të parë pas dymbëdhjetë vjetësh, Nelson Farina nuk shkoi ta përshëndeste senatorin. Fjalimin e tij e dëgjoj nga shtrati i vet, në mes të copëzave të gjumit të drekës, nën tendën e freskët të një shtëpie me dërrasa të pazdrukthëtuara, të ndërtuar me duar e tij, me ato duar, me të cilat, me saktësinë e farmacistit bëri copa-copa gruan e tij të parë. Ishte arratisur nga burgu i Kajenës2 dhe erdhi në Trëndafilin e Virrejit me një anije të ngarkuar me papagaj të pafajshëm, me një zezake të bukur dhe blasfemuese, të cilën e takoi në Paramaribo, dhe me të cilën pati një fëmi. Zezakja vdiq pak kohë më pas, nga një vdekje natyrale, dhe nuk pati fatin e keq të së parës, copat e së cilës ushqyen kopshtin e vet me lulelakra, por atë e varrosën të plotë, dhe me emrin e saj hollandez në varrezat e zonës. Vajza e Nelsonit kishte trashëguar ngjyrën dhe përmasat e së ëmës, dhe sytë ngjyrë jeshile të hapur në të verdhë e të çuditur të të atit, dhe ky kishte arsye të mendonte se po rriste femrën më të bukur të botës.
Që kur e njohu senatorin Onesimo Sançes në fushatën e parë elektorale, Nelson Farina i kishte kërkuar ndihmë për të marrë një dokument identifikimi, sigurisht, të fallcifikuar, që të shpëtonte nga drejtësia. Zoti Onesimo, i sjellshëm, por i prerë, ia kishte mohuar. Për vite me rradhë, Nelson Farina nuk u dorëzua, dhe sa herë që iu dha rasti, ia ribëri kërkesën, me justifikime nga më të çuditshmet. Por, gjithmonë mori të njëjtën përgjigje. Kjo qe dhe arsyeja, që këtë herë, kur senatori fliste nga tribuna, ai qendronte në shtratin e tij, i dënuar të kalbej i gjallë në atë strofkë përvëluese piratësh. Kur dëgjoi duartrokitjet e fundit, zgjati kokën dhe i hodhi sytë përtej hunjve të gardhit, pas fasadës, atje ku ishte rekuizita: trarët që mbanin ndërtesat artificiale, skeletet e pemëve, iluzionistët e stafit të cilët të fshehur shtynin transatlantikun.
Këtu, shpërtheu zemërimi i tij.
-Merde –tha –c’est le Blacaman de la politique!3
Pas fjalimit, si zakonisht, senatori bëri një shëtitje nëpër rrugët e fshatit, mes muzikës dhe fishekzjarreve, i rrethuar nga njerëzit e fshatit që i qanin hallet e tyre. Senatori i dëgjonte me dëshirë, dhe gjithmonë gjente mënyrën për t’ia bërë qejfin, secilit nga pak. Një grua, e hipur në çatinë e një shtëpie, midis gjashtë fëmijëve të saj të mitur, arriti të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve në mes të asaj zhurme të madhe dhe shtëllungave të pluhurit.
-Senator, unë nuk kërkoj ndonjë gjë të madhe! –thirri ajo. -Unë dua vetëm një gomar për të sjellë ujë nga Pusi i Ahorkados.
Senatori i mbërtheu sytë tek gjashtë fëmijët, njëri më i dobët se tjetri.
-Ku e ke tët shoq? –e pyeti.
-Iku të kërkojë fatin në ishullin e Arubës! –ia ktheu gruaja me një nënqeshje. – Iku, dhe ajo që gjeti, është një e huaj, nga ato që vënë diamante në dhëmbë…
Përgjigjja provokoi një shpërthim të qeshurash.
-Punë e mbaruar! –tha senatori. –Ti do ta kesh që sot gomarin tënd.
Pak më vonë, një nga pjesëtarët e stafit të Onesimos, çoi në shtëpinë e gruas një gomar, në kurrizin e të cilit kishin shkruar, me bojë të fortë me efekt të përjetshëm, një slogan elektoral, që t’i kujtonte cilitdo, se ishte dhuratë nga senatori.
Në atë copë të vogël rruge, zoti Onesimo bëri edhe gjeste të tjera humanizmi: përshëmbull, një të sëmuri që kishte nxjerrë krevatin tek dera e shtëpisë për ta parë, kur të kalonte, senatori i dhuroi një lugë. Në kthesën e fundit, përmes gardhit të oborrit, pa Nelson Farinën në shtratin e vet dhe iu duk i mënjanuar dhe i trishtuar, por e përshëndeti, sidoqë, pa ndonjë entuziazëm të veçantë.
-Si je?
Nelson Farina u rrotullua në shtratin e vet dhe e la senatorin me trishtimin në sy.
-Moi, vous savez!…4
Sapo dëgjoi përshëndetjen, vajza e Nelsonit doli në oborr. Kishte veshur një këmishë guahiriane5 të zakonshme, të vjetruar, flokët i kishte të zbukuruara me kapse ngjyra-ngjyra, dhe fytyrën të lyer, që të mos e digjte dielli. Por, edhe në atë shkujdesje, mund ta merrje me mend, që nuk kishte femër më të bukur se ajo në botë.
Senatori mbeti pa frymë.
-E marrtë djalli! –psherëtiu i habitur dhe i befasuar. –Shiko, ç’i ka shkuar në mend Zotit!…
Në mbrëmje, Nelson Farina e veshi vajzën e vet me rrobat më të bukura, dhe ia dërgoi senatorit. Dy roja të armatosura me pushkë, qendronin tek porta e shtëpisë së marrë përkohësisht me qera. Rojat që tundnin qafat për shkak të vapës,e urdhëruan vajzën të priste në karrigen e vetme të hollit.
Senatori qendronte në dhomën ngjitur aty afër, në mbledhje me njerëzit më të njohur e më me influencë të Trëndafilit të Virrejit, të cilët i kishte ftuar për t’i njohur me detajet dhe të fshehtat e fjalimit që kishte mbajtur. Ishin po ato fytyra, po ata njerëz që merrnin pjesë në të gjitha fushatat e shkretëtirës, dhe senatorit i kishte ardhur në majë të hundës me të njëjtin këshill dhe të njëjtët njerëz përnatë. Këmisha i ishte bërë qull nga djersët dhe mundohej ta thante në trup me flladin e ngrohtë të ventilatorit elektrik i cili, zhurmonte si mizë helmuese, në qetësinë e dhomës.
-Ne, zotërinj, sigurisht, që nuk hamë zogj letre! –tha senatori. –Edhe juve, edhe unë, e dimë shumë mirë, se, ditën kur në këtë stallë lopësh do të ketë pemë, lule, gjithçka;se ditën kur në puse do të ketë peshq dekorativ dhe jo krimba; në këtë ditë pra, as juve, as unë, nuk do të kemi ç’të bëjmë më këtu. Apo, nuk është kështu?
Askush nuk u përgjigj. Ndërsa fliste, senatori shkëputi nga kalendari një fletë të stampuar dhe me të sajoi me dorë një flutur letre. E vuri në rrymën e ventilatorit, gati pa vëmendje e pa asnjë qëllim, dhe flutura, pasi u rrotullua disa herë brenda dhomës, doli përmes portës gjysmë të hapur. Senatori vazhdoi të fliste me vendosmëri, duke u përpjekur të merret vesh me vdekjen; të durojë dhimbjet cfilitëse dhe të harrojë fatalitetin e pashmangshëm.
Atëherë, – tha – nuk kam pse t’u përsëris atë që tashmë e keni të qartë: rizgjedhja ime është marrëveshje më e mirë për ju, sesa për mua. Sepse unë, deri këtu shkoj, tek uji i ndotur dhe djersa e indianëve. Ndërsa ju jetoni në këtë vend, dhe duhet ta bëni të tillë, që të jetohet dhe të jetoni sa më mirë.
Laura Farina po ndiqte me sy fluturën prej letre që doli nga dera. Vetëm ajo e pa, sepse rojen e hollit e kishte zënë gjumi ulur tek stoli, me pushkë të përqafuar. Pas disa rrotullimeve, flutura gjigande prej letre litografike, u shpërbë plotësisht, u përplas në mur dhe mbeti e ngjitur atje. Laura Farina u mundua ta shqiste me thonj. Njëri nga rojet, i cili u zgjua nga duartrokitjet që vinin nga dhoma ngjitur, vuri re përpjekjen e kotë të vajzës.
- Nuk mund të shqitet. – tha përgjumësh. -Ështe pikturuar në mur tani …
Laura Farina u ul sërish, ndërkaq, burrat zunë të dalin nga mbledhja. Senatori mbeti tek dera e dhomës, me dorën tek doreza, kur pa vajzën, tek qendronte e vetme në hollin bosh.
- Çfarë bën këtu?
- Më ka dërguar babai… – tha vajza.
Senatori e kuptoi. I hodhi një shikim hetues rojes se përgjumur dhe, më pas, Laura Farinës, bukuria përrallore e së cilës ishte superiore ndaj dhimbjeve të tij; dhe atëherë, ai vendosi që të ishte vdekja ajo që do të zgjidhte për të.
- Hyrë! – i tha.
Laura Farina mbeti e ngrirë dhe e mrekulluar tek dera e dhomës: mijëra kartëmonedha, të lëna diku aty, me ç’dukej për harxhime elektorale, fluturuan në ajër, duke fërgëlluar si flutura. Senatori nxitoi të fikte ventilatorin, dhe kartëmonedhat, tanimë të mbetura pa presionin e ajrit të pak çasteve më parë, ranë e u shpërndanë nëpër dhomë.
- Ja, e sheh? – tha senatori duke buzëqeshur. – Edhe muti fluturon…
Laura Farina u ul si në një stol shkolle. E kishte lëkurën të lëmuar e të tendosur, dhe me ngjyrën e shkëlqimit diellor të naftës së papërpunuar; flokët, i kishte si jelet e një mëzi; dhe tek sytë e saj të mëdhenj pasqyrohej i gjithë ndriçimi i botës.
Senatori ndoqi shikimin e vajzës i cili qendroi tek trëndafili i mbushur me pluhur salnitre.
-Është trëndafil, – tha ai.
-Po, tha ajo, – disi konfuze dhe e pavendosur –E njoha sepse i kam parë në Rlohaça.
Senatori u ul në një shtrat të vogël, si shtrat fshati, duke folur për trëndafilat; ndërkohë, zuri të zbërthente këmishën. Në anën e majtë të gjoksit të tij, atje ku është zemra, u shfaq tatuazhi pirat i një zemre me shigjetë në mes. Pastaj, ai hodhi në tokë këmishën e bërë ujë nga djersa, dhe i kërkoi Laura Farinës, që ta ndihmonte të hiqte çizmet.
Vajza u ul në gjunjë përballë shtratit. Senatori e ndoqi i menduar, dhe, ndërkohë që ajo zuri të zgjidhte lidhëset e çizmeve, ai po pyeste veten, se cili prej të dyve, do të kishte fatin e keq të ishte viktima në atë takim.
-Ti je foshnjë! – tha ai.
-As mos e mendo këtë. – tha ajo. – Në prill mbush nëntëmbëdhjetë vjeç…
-Ashtu?! – Zëri i senatorit ishte i tillë, që kërkonte të dinte diçka më tepër. – Çfarë dite?
-Më njëmbëdhjetë. – tha ajo.
Senatori u ndje më mirë.
-Jemi “dashi”, -tha, dhe, duke qeshur, shtoi: -Është shenja e vetmisë.
Laura Farina nuk i kushtoi vëmendje kësaj të fundit, sepse nuk dinte ç’të bënte me çizmet. Edhe senatori, nga ana e vet, nuk dinte ç’të bënte me Laura Farinën, sepse ai nuk ishte mësuar me dashuritë e papritura, dhe, për më tepër, ishte i ndërgjegjshëm, se kjo dashuri, nuk ishte aspak e denjë për karakterin e tij.
Vetëm e thjeshtë për të fituar kohë që të mendohej, e shtrëngoi Laurën fortë me gjunjë, e përqafoi, dhe u shtri me shpatulla në shtrat. Atëherë, ai kuptoi, se ajo ishte krejt lakuriq, poshtë fustanit: trupi i lëshonte një aromë, gati të papërcaktueshme kafshe mali, zemra e trembur i rrihte shpejt, dhe nga emocioni e sikleti, lëkura iu mbush me djersë të ftohta.
-Pse Zoti u tregua kaq i padrejtë me ne?! Askush nuk na do! – psherëtiu Onesimo.
Laura Farina deshi të thoshte diçka, por mezi mbushej me frymë. Ai e shtriu nga ana e vet për ta qetësuar, fiku dritën, dhe dhoma mbeti në gjysmëhijen e trëndafilit. Vajza e lëshoi veten. Senatori e përkëdheli mengadalë, dhe, pothuajse pa e prekur, kërkoi me dorë, por, aty ku shpresonte ta gjente, hasi në një pengesë hekuri.
-Çfarë ke aty?!
-Një dry… – tha ajo.
-Çfarë marrëzie! – gati thirri i tërbuar senatori, dhe pyeti për diçka që e dinte fare mirë: – Ku është çelësi?
Laura Farina mori frymë e çliruar.
-E ka babai im. Më porositi që të të thosha, se ka çuar një njeri të vetin, që të të kërkojë dhe t’i dërgosh me të, një marrëveshje të shkruar e të firmosur, për t’ia rregulluar atë punën…
Senatori u tërbua nga nervozizmi. “Qen francez!” – murmuriti i indinjuar. Pak më pas, mbylli sytë për të harruar e për t’u qetësuar disi, dhe u takua me vetveten e me vdekjen në errësirë: “Kujto dhe mos harro o njeri, që kushdo qofsh ti, herët a vonë, do të vdesësh, dhe nuk do të të mbetet as nami, as nishani”.
Priti sa t’i kalonin ethet e të dridhurat.
-Më thuaj diçka. Çfarë ke dëgjuar të thonë për mua? – e pyeti vajzën.
Vajzës i erdhi e papritur kjo pyetje.
-Të vërtetën dhe vetëm të vërtetën?
-Të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
-Mirë – mori guximin Laura Farina. –Thonë, se ju jeni më i keq se të tjerët, sepse ju jeni ndryshe.
Senatori nuk u zemërua. Bëri një pauz të gjatë me sy të mbyllur, dhe, kur i hapi sërisht, u duk sikur u kthye në instiktet e tij më të fshehura.
-Dreq! – vendosi. –Thuaji atij idiotit, që ke për baba, se do t’ia zgjidh atë çështjen…
-Në qoftë se do, shkoj vetë ta marr çelësin… –tha Laura Farina.
Senatori e ndaloi.
-Harroje çelësin -i tha – dhe fli për një çast me mua. Është mirë të rrish me dikë, kur je vetëm.
Atëherë, ajo e mbështeti në supin e vet, me sy të fiksuar tek trëndafili. Senatori e rroku për beli vajzën dhe fshehu fytyrën në sqetullën e saj prej kafshe mali; dhe pikërisht në këtë çast e kapi paniku dhe u ndje i terrorizuar.
Gjashtë muaj e njëmbëdhjetë ditë më vonë, ai do të vdiste i braktisur dhe me damkën e të turpëruarit për shkak të skandalit publik me Laura Farinën, duke qarë me lot të hidhur që pikërisht tani që e gjeti, do të mbetej pa të.
Përktheu nga origjinali:
VALBONA SELMANI
Shënime të përkthyeses:
1. Salnitër – Substancë e shkrifët në formë rëre që përmban nitrat natriumi,psh: salnitra e Kilit.
2. Kajena – Kryeqyteti i Guajanës, ish koloni franceze.
3. “Merde, c’est le Blacaman de la politique” (Fr.) – “Mut, ky është Blacamani i politikës”. Blacamani – personazhi i një tregimi të njohur të Markezit (“Blacaman el buen vendedor de milagros”), që simbolizon mashtruesin dhe jo shitësin e mirë të mrekullive, siç thotë titulli i tregimit.
4. “Moi, vous savez”(Fr.) – Unë, ju e dini.
5. Guahiriane – Tipike e Guahirës, zonë në veri të Kolumbisë.
(Balkanweb)

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk