Fatmir Haxhiun Piktori i përmasave të mëdha me sytë e kolegëve


Nga Ben Andoni
Për piktorin Fatmir Haxhiu, 10 vjet më vonë prej ndarjes së tij, ka mbetur kujtimi i njeriut të mirë dhe modeli i një njeriu tejet punëtor. Në fakt, kjo e gjitha, për të afërmit, kolegët dhe dashamirët, sepse për sa i përket një pjese tjetër, duhet të ketë pasur kënaqësi që puna e tij është sfilitur në atë lloj mënyre…
Një punë e stërmadhe dhe Skënderbeu mbi gjithçka. Muaj të tërë sfilitje, kërkime mbi anatominë e kuajve, veshjet e turqve. Kjo punë e Fatmir Haxhiut, vendosur në hollin e madh të Pallatit të Kulturës, tërhiqte vëmendjen e kujtdo, që kalonte aty pari në ekspozitën e vitit 1978. Ishte një ushqim epik, ndërsa më poshtë zbardhje e vërtetë e përfytyrimeve fëminore për përmasat e luftës heroike….Ishte puna e Fatmir Haxhiut, një nga etërit e pikturës historike shqiptare.
 “Tekstet mësimore, librat e ilustruar dhe revistat nuk mund t’i drejtohen fototekës së Marubit për të ilustruar një betejë të Skënderbeut, sigurisht as diletantëve tanë të kohëve të ndryshme. Hartuesit e këtyre botimeve janë të detyruar t’i drejtohen fantazisë dhe mjeshtërisë artistike të Fatmir Haxhiut, Nexhmedin Zajmit, Guri Madhit, Zef Shoshit, etj, artistë të shquar profesionistë që kanë përfshirë në krijimtarinë e tyre edhe temën historike. Ata mbeten të vetmit që kanë mundur të bëjnë të dukshme historinë. Është e qartë që një gjë të tillë nuk e bëjnë dot piktura metafizike, abstraksionizmi dhe as artet e tjera eksperimentale si art-objekti. Është e qartë, gjithashtu, që Shqipërisë do t’i duhen edhe më tej piktorë të tillë, artist të rinj, mjeshtër të tregimit piktoresk, por për këtë nuk po e vë njeri ujin në zjarr!”, do të shkruajë vite më vonë Llambi Blido, kritik dhe piktor i njohur. Duhet të ketë qenë e rëndë për piktorin, kur pas tridhjetë vjetësh punë, i kanë marrë studion e punës. Por duhet të ketë qenë dhe më e rëndë, kur veprat e tij iu shvarën nga Galeria e Arteve. Dhe, duhet të kenë qenë edhe më të rënda fjalët… . Në fakt, Fatmir Haxhiu s’kishte më kohë që të mblidhte veten nga goditjet e njëpasnjëshme. Ato qenë të fundit, pas një jete plot punë dhe të pastër familjare. Ishte viti i tij i fundit. Mars 2001.

Puna
Fatmir Haxhiu ka lënë një trashëgimi të madhe punësh, ku ato që i dhanë më shumë emër, mes kolegëve të tij, ishin punët e tij tërësisht monumentale kushtuar epopesë çlirimtare të vendit. Figura e Skënderbeut, personazheve të tjera historike dhe në vitet e socializmit dhe figura e Enver Hoxhës, e bënë atë që të kishte një përmasë të tijën në komunitetin e artistëve të pikturës. E filloi vonë punën si profesionist ndërsa fillimi dhe ecuria e karrierës së tij lidhet kryesisht me ushtrinë. Ndoshta në studimin e madh ushtarak, ai gjeti këqyrjen e duhur dhe pastërtinë e detajit, me të cilën shoqëroi më vonë të gjithë tablotë e tij të përmasave të mëdha. Gjithsesi, Fatmir Haxhiu, jo vetëm që do të gjente vetveten, por më shumë akoma në dimensionin epik do të tregojë se është i pandalshëm. Dhe punimet e tij, që iu kushtohen ngjarjeve të mëdha, mbesin vërtetë të paharruara:“Ai gjithmonë këtë subjekt (luftën) e trajtonte me shumë pasion për faktin se e kishte jetuar atë histori atë periudhë, ato ngjarjet dhe kërkonte ti përcillte ato në veprën e tij”, thotë piktori i njohur Hasan Nallbani, në një intervistë. Kujtim Buza do të shprehej për të se:“Ç’është e vërteta kabllot e Fatmirit janë beteja, çdo vepër është një betejë e fituar e tensionuar në rrafshe të mëdha monumentale me një shtrat filozofik kombëtar dhe të punuar me shumë vërtetësi dhe realizëm. Fatmiri nuk i merrte me kollajllëk veprat, ai thellohej shumë, konsumonte shumë energji për realizimin e saj dhe thellonte pastaj në detaje me të vërtetë me nivel. Fatmiri është realisti i shquar, një romantik ekspresiv i pikturës, ndonëse e punonte në kavaletë, por ka përmasat e afreskeve të mëdha, prandaj dhe ai doli dhe punoi vepra të rëndësishme monumentale siç është afresku, si të thuash origjinal në teknikën e afreskut në Muzeun Kombëtar Historik kushtuar figurës së Skënderbeut”. Ky ishte Fatmiri, që vetë me gojën e tij do të shprehej dikur në një intervistë se:” Unë kam dhënë maksimumin në një shkallë të caktuar, në një kohë të caktuar sepse është automatikisht e pranueshme që me kalimin e kohës, krijuesi gjithmonë në rrugën e tij të kërkimit, ai piqet, nxjerr konkluzione të reja për çdo vepër që ai ka mbaruar më parë. Kështu që nga kjo anë ,duke qenë se vetë krijimi është proces shumë i ndërlikuar, është konkret si realizim, ndërsa është abstrakt si rezultat, nuk të jep mundësinë që t’i vetë që e krijon veprën, të thuash: unë tani bëra një vepër arti. Kjo do të thosha, mund të ishte një moment disi jo i sigurt për artistin”. Modest dhe i thjeshtë në punën e tij, një ditë do ta mbyllte jetën. I vetëdijshëm. Kjo ndodhte plot 10 vjet më parë.
 (MAPO)

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk