Kuriozitet-Sa libra ekzistojnë në botë? Përgjigjen e jep Google
Për çdokënd që ka pyetur ndonjëherë veten se sa libra
ekzistojnë në të gjithë botën, duket se Google ka një përgjigje: 129,864,880.
Kjo është shifra e dhënë nga Leonid Taycher, një inxhinjer i motorrit të
kërkimit Google, i cili po punon për projektin e kësaj kompanie për
dixhitalizimin e librave. Vlerësimi i librave të publikuar në të gjithë botën
është më shumë se sa thjeshtë kuriozitet për gjigandin e kërkimit në internet:
Ajo është një pikënisje për të kuptuar se sa punë është bërë dhe sa mbetet për
t’u bërë për të realizuar objektivin ambicioz të organizimit të të gjithë
informacionit të disponueshëm në botë.
“Kur bën pjesë në një
kompani që synon të dixhitalizojë librat e të gjithë botës, pyetja e parë
është: sa libra ka?,” – shpjegon Taycher në një blog të publikuar me rastin e
përfundimit të vlerësimit.
Për të dalë në një konkluzion, kompania filloi të punojë me
përmbledhjen e informacionit të disponueshëm në sisteme të ndryshme katagolizimi
si psh. Numri Ndërkombëtar Standard i Librit (ISBN). Megjithëse këto katalogje
janë të vlefshëm, ato nuk sigurojnë një llogaritje finale. ISBN-ja është
vendosur vetëm te librat e publikuar pas viteve ’60 dhe përdoret vetëm në
vendet Perëndimore. Inxhinjerët shkruan programe të posaçme për të kombinuar
rreth 150 sisteme të ndryshme katagolizimi si dhe për të eleminuar
dublifikimet. Google u detyrua gjithashtu të marrë vendime të vështira mbi
pyetjen se çfarë është një libër dhe çfarë nuk është. Për shembull, edicionet
me kapakë të hollë dhe kapakë të trashë të të njëjtit libër janë numëruar si dy
ndërsa versionet e ndryshme të kryeveprave botërore si Hamleti i Shekspirit
janë numëruar si libra të ndryshëm për shkak të parathënieve dhe komentarëve të
ndryshëm që mund të përmbajnë.
Deri në qershor, kompania ka skanuar 12 milionë libra. Këto
libra janë shkruar në 480 gjuhë të ndryshme (përfshirë edhe tre libra të
shkruar në gjuhën Klingon, që ka lindur nga Star Trek).
Google shpreson të përfundojë skanimin e librave që
ekzistojnë brenda një dekade. Në fund, koleksioni virtual besohet se do të
përmbajë katër miliardë faqe dhe dy trilionë fjalë. Sipas vlerësimeve të
kompanisë, rreth 20 për qind e librave të botës janë pa të drejtë autori. Rreth
10-15 për qind janë jashtë qarkullimi. Shumica dërrmuese e pjesës së mbetur
janë libra me të drejtë autori, por gjithsesi jashtë qarkullimit. Google ka
huazuar libra nga 40 biblioteka të mëdha në të gjithë botën për programin e vet
të dixhitalizimit.
(Shtepia e Librit)
Comments
Post a Comment