Jorgo Bllaci ishte sfidanti estetik e prej këtu edhe filozofik
Nga Sadik Bejko
1. Sfida estetike
Jorgo Bllacin disa nga moshatarët e quanin mësuesi ynë (i
atyre të rinjve që filluan të shkruanin në vitet 55-60). Për poezinë e kohës
Jorgo Bllaci ishte sfidanti estetik e prej këtu edhe filozofik. Ishte për
formën e bukur, anonte nga Ali Asllani (pinte kafe me të dhe e quante xha Ali),
nga Lasgush Poradeci, nga romantikët. Kur koha donte hapjen gjer shqyerjen nga
vrazhdësia e vargjeve me ritmin e marsheve ala Majakovski, hapjen nga poezia më
politike e Majakovskit, Jorgoja shkonte te Pushkini, te Hajneja, te Esenini, te
Shevçenko dhe më pas, më pas, estetikisht edhe më “djathtas”, te Shelli e te
Keats, kur thirrja ishte: majtas, majtas, majtas eja në radhë.
Por Jorgoja nuk ishte nga ata që vihen në radhë. Ishte nga
ata që duan dhe i vënë bela kokës (V. Koreshi). Noli për librin e tij
Ligjërimet e pyllit, 1957, do të shkruante: jam i lumtur që pyjet e mëmëdheut
paskan bilbila të rinj që aq bukur ligjërojnë…( Letra Dhimitër Çanit). Në ditën
që u dha lajmi i vdekjes së Nolit, Jorgos i jepej pretenca e prokurorit që e
dënonte me njëmbëdhjetë vjet burg (bëri tre vjet burg dhe tridhjetë e tre të
tjerë pa të drejtë botimi). Shumë shkrimtarë atë ditë dhe vetë kryetari i LSHA
ishin në sallën e gjyqit.
Pas 80-tës poezia shqipe, si kishte kaluar nëpër përvojën
surealiste e futuriste, nëpër borinë e çarë të propagandistikes me forma të
lira, të shlira e të shtrira, do të tentojë të kthehet nga ligjërimi i bukur,
po themi nga ligjërimi i Jorgos, nga format e paqta që dikur i quante
romantizante, barishtore, intimiste. Por tashmë kishin shkuar (e vajtur, sa të
mos vijnë kurrë më) vitet e optimizmit politik të komunizmit. Jorgoja në këto
vite punonte si bojaxhi. Gjallë e i harruar.
2. Sfida filozofike e Jorgos
Atij i shkonte për shtat poezia e intimes, e së butës, e së
ëmblës, me aroma parfumesh që të lozin menç. E joshte çoroditsja, marramendsja,
shija e luksit dhe e luçiditetit intim, e ngatërruara, pasionalja, impulsivja,
e turbullta që ëmbël dhe egër gjer në kapriçozitet kthen nga liria e hapsirave
të intimes, e jetës së bukur për qejfin e vetes, bukuri si vlerë e pavarur dhe
e lodhur, por e adhuruar në vetvete e për veten. I donte femrat… Jorgoja donte
ta bënte më të bukur varfërinë materiale dhe shpirtërore të një jete, të një
vendi.
Një kohë që e shpallte erën e djersës si parfumin më të
mirë, që kishte për ideal murgërinë e thatë e të shterpët në plan personal, që
kallot në duart dhe në gishtat e rinisë i njihte për bukurinë më të çmuar sesa
brilantet, një kohë që e donte intimen si uniformën, si xhaketën dhe këpucën
ushtarake, si armë në transhenë e luftës së individit kundër individualitetit,
në emër të kolektivitetit, një kohë që bënte plenume për heqjen e vjershave të
dashurisë nga librat e poetëve…
Tonaliteti elegjak i librit Ligjërimet e pyllit u
interpretua si vizion pesimist mbi jetën (M. G., Nëntori, nr. 7, 1964 ). Vizion
pesimist? Hëm, hëm…guxon të jesh pesimist? Kjo iu përmend në aktakuzë e kjo do
të ishte baraz me burg.
3. Gjenitë, vdektarët, poetët e vërtetë
V. Koreshi, mik e moshatar, thoshte se ai veçohej nga të
tjerët; vinte në poezi si i mbushur me një pikëllim të pashërueshëm, të buruar.
Si tip ishte dhe shpotitës, dhe i përzemërt, dhe nga ata që zemërohen për
hiçmosgjë. Kishte lindur me shijen e së veçantës, të së kundërtës. Si bir
komunistësh dhe vëlla dëshmori, komunistçe, nga “biografia”, ai ishte i pastër,
por kjo siguri politike për tipin që kishte, e bënte më të rrezikuar. Edhe
Petro Markoja kishte një goxha biografi, por hoqi të zitë e ullirit.
Njeriu që vë zemrën në një punë, arrin më shumë nga një
tjetër që vepron i nxitur nga arsyetimi. Por në komunizëm zemra, zemërimi nuk
falen. Ai (si Petroja, si Jorgoja) që udhëhiqet si nëpër një pyll të errët
vetëm nga zemra e tij, nga impulsi i së brendshmes, shpejt a vonë, do të marrë
ca mësime të ashpra dhe: ose do të nënshtrohet, ose do të pajtohet, ose do të
heshtë, ose do të zhduket.
Komunizmit i mbijetuan pak prej njerëzve të artit. Së pari,
njerëzit e atij formati që rroknin vizionin e së padukshmes, shihnin përtej
epokës. Ky lloj njeriu, qoftë dhe intuitivisht, e kupton që koha e tij është e
dështuar, e rrezikshme: ndaj duhet të dish të bësh kompromise, pa të dish dhe
të mbetesh vetvetja.
Ky është një proces i ndërlikuar logjik e intuitiv dhe
arrihet kur njeh fillimin, ndërmend fundin dhe di si t’i lidhësh të dy bashkë.
Di dhe vijën e prerë, kufi, që nuk duhet kapërcyer…sepse rrezikon pa kthim në
të prapë. Të tillët (si Pasternak, Shollohov, Z. Herbert, Kadare etj) në dukje
u pajtuan, por me vepra ia gërryenin themelet asaj kohe. Drita e drotur që
bënin këta, e verbonte atë kohë dhe të gjitha kohërat. Ky lloj niveli i lartë
është dhuratë për pak vdektarë. Të pajtosh trurin me zemrën, fundin me fillimin
është gjellë për gjenitë. Të pajtosh vrazhdësinë me bukurinë, indet e çelikta
në tru e në zemër t’i bësh shufra diamantesh në hapësirat arkitekturore të
godinave të së bukurës dhe të ndriçosh kohët e fatkeqësisë…
Kishte dhe nga ata që ia kthyen kurrizin kohës. U bënë
përkthyes, arkivistë… Me gjasme këta jetonin në një kohë të tyren, në një kohë
ideale, të lartë. Kjo ishte më keq se sa një kompromis, për të kaluar lumin e…
për të vrarë kalin. Më tepër se kaq. Ishte mbyllje sysh: u përmbys bota?, le të
ndodhë.
Këta tipa siç thuhet në poemën e Lermontovit, Demoni,
pranonin krime e ndëshkime, urrenin me të ndrojtur, nuk dashuronin asnjë
thërrime, shtyheshin dhe e shtynin për të rrojtur.
Nga këta njerëz mbetet pako gjë. Me këta komunizmi mund të
rronte dhe një mijë vjet.
Pati dhe nga ata që pas 1990-tës thanë: “Ne, ne i shërbyem
komunizmit? Jo, ne e shfrytëzuam atë për veten tonë. Ata që iu kundërvunë,
vallë a qenë burra më të urtë nga ne?” Këta janë nga lloji i “mandarinëve”, i
elitave burokratike që i përshtaten çdo sistemi. Regjimet autokratike i duan
mandarinët se kanë vlera, por më shumë sepse u shërbejnë. Disa nga veprat e
tyre më me vlerë dalin përtej asaj kohe. Mandarinët e njohin të vërtetën, të
bukurën, të mirën, por sipas urdhërit të shefave, i përndjekin ato. Këta
mbushnin sallat e gjyqeve kur ndëshkoheshin Jorgoja, Maksi, Petroja etj.
J. Bllaci e kishte përcaktuar veten, siç thamë më sipër. Dhe
atë, siç pritej, ia vranë. Ai nuk kishte një projekt tjetër përmbi veten e për
veten. Kështu veprojnë e jetojnë shumica e poetëve. Janë zemra e dhembur,
shpirti i tronditur i kohëve, të lindur me shijen e së bukurës. Vetëm kaq.
Me një afinitet të madh nga letërsia ruse e traditës, të
cilën e solli mjeshtërisht në gjuhën tonë, Jorgoja shkëlqeu si përkthyes. Sipas
motivimit të dekorimit nga presidenti Boris Jelcin, ai ishte më i miri në botë
në përkthimet nga rusishtja në gjuhë të tjera. Dhe në rusishte ishte
autodidakt. Do ta rekomandonte Mitrush Kuteli për të përkthyer T. Shevçenkon.
Më pas, i ka qarë përkthimet e Eseninit, të Pushkinit. I ëmbli Esenin ngjiti aq
shumë në ato kohë tek ne, se ra si pika e shiut në zhguallin e tharë e të
shtufëruar të jetës sonë intime, të poezisë sonë.
Pas 90-tës punoi si përkthyes, botues, disa vjet diplomat në
Moskë.
Fundi: J. Bllaci vdiq në Moskë, i papunë, i sëmurë, pa një
shtëpi dikund, i vetmuar, me jetë familjare të prishur. Donte ëmbëlsinë…
bukurinë. Jetoi i përbaltur, i nëpërkëmbur në një kohë që donte vrazhdësi dhe
nënshtrim, nënshtrim të vrazhdësuar. Një poet, vetëm një poet… poet i vërtetë,
edhe pa qenë gjeni.
Qe fat i mirë që koha u kthye. Burgu ra. Jorgoja filloi të
jetojë po me atë pasion, po me atë etje të pashoqe për jetën e për artin. Mundi
ta lidhë fundin e jetës së tij me fillimin. Botoi poezitë, përkthimet. Me
gjallje i dha atë pamje që donte vetë krejt krijimtarisë së tij.
Për Petron… për Jorgon… për të gjithë… poetët
Poetët e Ballkanit… Fataliteti që i ndjek poetët e artistët
kudo në botë, në Ballkan mund të jetë skëterror.
P. Markos një politikan italian i pat thënë më 1944:
Ballkani ka qenë dhe do të mbetet bordello e ndyrë që nuk do të ketë kurrë
qetësi. Mos u kthe në Shqipëri, Petro (Era dhe gurët).
Kanë kaluar vite dhe Ballkani mbeti kështu… pa një pikë
qetësi. Prapë luftëra. Komunizmi me kohë ka rënë, bota, jeta duket se po
kthehen për së mbari, por këndej nga anët tona… prapë ia plas kaosi,
gjakderdhja… Në fund të shekullit që shkoi dhe në këtë fillim shekulli në
gjithë hapësirat shqiptare, (këtu, në Kosovë, në Maqedoni) ngallmuan trazirat
me armë, vrasjet, gjenocidi, eksodet. Në Kosovë dhe Maqedoni lufta ishte e
tepërt, por pritej. Kush mund ta mendonte luftën- tollovi (1997) dhe këtu tek
ne?!
Koha vërtetoi të thënën për Ballkanin …për Petron…për
Jorgon.. për të gjithë. Vende pa stabilitet, pa qetësi. Politika e përzier me
krimin, krimi që kap për fyti politikën, kalbësirat e fantazmat e së shkuarës
që helmojnë në gjak të sotmen…
Si mund të jesh në këto hapësira poet, poet naiv e i ëmbël,
të jesh i pajisur me çiltërsinë moskokëçarëse të një zemre të hapur pa mure e
pa mbrojtje, çiltërsi rebele në dherat e së panjerëzishmes, në një Ballkan ku
krimet thinjen e nxijnë? Duhet të jesh poet i shtetit, i klaneve në pushtet,
ose i mallkuar. Duhet të jesh o flijuar, o gjeni. Gjeninjtë dalin përtej
Ballkanit. I ikin atij edhe kohërave. Me të tjerët, me vdektarët e bukur,
poetët, me këta të shumtit ç’do të bëhet?
Jorgoja, sa i kaloi të 6o-tat, iku. Iku zemërplasur. Lista e
të ikurve kështu mund të jetë e gjatë. Para ca kohësh u fikën në vetmi, pa
njerëz, pa plang e pa katandi, Ilir Belliu, Piroja, Frederiku, Jamarbri… U
fikën në këto 20 vjetët e fundit. Kush e ka radhën tani? Kurrën e kurrës nuk ia
duam një ikje të tillë ndokujt tjetër. Por… kjo ndodh. Po ndodh… Dhe, pa një
dëshmim dikund tjetër, po i referohemi biblës. Aty shkruhet: Jeruzalem,
Jeruzalem po të paralajmëroj… do të ndëshkoj me shkretimin e shtëpive të tua ty
që i vret profetët dhe të dërguarit (Mateu, 23: 37, 38).
Prapë poezia buron, lind, merr frymë me pemët e me ujërat.
Poetët vetvetiu vijnë, rikthehen edhe nga vdekja. I do klima, i duan dherat, i
duan hidhërimet e tragjeditë që janë buka e këtyre dherave. Edhe Jorgoja
ngjallet, vjen, jeton me vargjet e tij. Ai është, është këtu me “personazhet” e
këngëve të tij, me bulkthat, qyqen, gjonin, harabelat… Zogj të tokës. Me krahët
pak në ajër. “Sa të çuditshëm janë këta zogj!” Kështu do të shkruante J.
Bllaci, sikur ta parandiente ç’fat e priste, atëherë, më 1957.
(Alb-Shkenca)
Profesor Sadiku...e ke thene mire...Jorgoja...poet ishte...poet mbeti....
ReplyDeleteI ndrite shpirti atje tek ka rene....e...po te permendim nje thenje te...V. Koreshit...."E lehte i qofte balta mbi varr..."