Ismail Kadare në 75-vjetorin e lindjes


Nga Mimoza Cika-Kelmendi
Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare vjen në 75 vjetorin e tij me një veprimtari mjaft të gjerë, seri romanesh, me një komplet prej 20 vëllimesh të veprave të tij, si dhe dy çmime të mëdha ndërkombëtare.
Deutsche Welle: Veprat e Kadaresë vazhdojnë të përkthehen në mbi 30 gjuhë të botës. Edhe në gjermanisht shkrimtari ka rrjeshtuar mbi dhjetë romane, disa poezi dhe ese. Ja çfarë thonë për Ismail Kadarenë shkrimtari Agrom Tufa, dhe botuesi i veprave të Kadaresë, Bujar Hudhri:
Shkrimtari Agron Tufa: Në këtë përvjetor të Kadaresë do të veçoj tek vepra e tij mbi të gjitha emancipimin e vetëdijes shqiptare dhe po ashtu mundësinë që i ka dhënë lexuesit që të përjetojë historinë dhe problemet ekzistenciale me të cilat ndeshet shqiptari. Unë do të veçoja në mënyrë specifike aspektin e gjërë të emancipimit të vetëdijes shqiptare nëpërmjet leximit të veprave të Kadaresë. Ismail Kadare, si asnjë shkrimtar tjetër përgjatë shekullit 20 ka arritur në mënyrë të gjithanshme, t`ia servirë, t`i krijojë një letërsi mjaft komode lexuesit shqiptarë duke ia bërë të mundshme përjetimin e historisë në rradhë të parë këtij lexuesi, problemet ekzistenciale me të cilat ndeshet shqiptari në historinë e tij individuale, sociale, në kuptimin edhe më të gjerë ideologjik dhe nëpërmjet veprave të shumta, që krijojnë afreske si nga pikëpamja e ekzistencës së shqiptarëve në kontekstin e tyre historik, ashtu dhe në konjukturat e ndryshme, sociale dhe ideologjike duke krijuar variantet origjinale të ndeshjes së psikologjisë së shqiptarit dhe të krijojë gjithashtu refleksin e thellë ndaj këtyre ngjarjeve, në variante origjinale të përjetimit.
Në krijimtarinë e Kadaresë kemi një bllok veprash ku paraqitet një tablo e gjerë e metafizikës së historisë, jo të historisë në kuptimin e thatë por të metafizikës së një përjetimi të vetëdijes individuale dhe shoqërore në histori.
Shkrimitari Kadare është bërë shumë i dashur, sepse me të janë rritur breza të tërë. Kontributi më kapital që mund të japë një shkrimtar shqiptar në vitet e një thatësire ideologjike ka qenë pikërisht shpikja e një gjuhe të ndryshme nga gjuha lineare, nga gjuha totalitare e klishizuar nga gjuha e thatë dhe zyrtare propogandistike e shtetit, duke e konkuruar pikërisht këtë lloj gjuhe, me një dimension krej tjetër që është gjuha artistike. Dhe këtë më së miri e ka arritur Kadare me penën e tij.
Mendoj se ka një kontribut themelor kjo gjuhë, ku vjen një stad që e përgatit njeriun t`i kundërvihet sistemit, të projektojë një kënd alternativ të përjetimeve, një botë paralele, i kundërvihet me shumë sukses botës së thatë të përditshmërisë komuniste. Gjuha e Kadaresë edhe në një vepër që flet drejtpërdrejt për një realitet konkret të përditshëm, ka mjaft valvula shkarkimi që e thyen totalitetin e së përdishmes komuniste. Misioni më i madh që mund të luajë një shkrimtar është t`i kundërvihet gjuhës së shtetit me gjuhën artistike dhe kjo gjuhë artistike është e vetmja shpëtuese e vlerave shpirtërore e asaj nevoje, që e ka emergjente individualitetin në krizë. Dalja nga kriza gjithmonë në të gjitha epokat, në diktatura ka arritur të shpëtohet vetëm duke u kyçur vetëm në një rreth vlerash artistike, duke u mbyllur vetëm në një kullë të tilë për t`i shpëtuar gjuhës së demagogëve të turmës dhe çdo ligjërimi demagogjik, thotë studjuesi Tufa.

Deutsche Welle: Në këtë përvjetor Kadareja ka ardhur tek lexuesit shqiptar jo vetëm në Shqipëri; por kudo ku flitet shqip në Ballkan, Evropë apo deri në Amerikë, falë shtëpisë botuese Onufri. Kjo shtëpi ka rreth 15 vjet që e ka justifikuar pa dyshim privilegjin që ka për botimin e krijimtarisë së shkrimtarit tonë të madh. Drejtori i kësaj shtëpie Bujar Hudhri, nuk e fsheh krenarinë e këtij fati si botues i veprave të Kadaresë, përgjegjësinë, por edhe sfidat me të cilat ai përballet.
Bujar Hudhri: Ka qenë një përgjegjësi e madhe, përveçse nderim, një përgjegjësi e përhershme sepse duke qenë se shkrimtari një pjesë të madhe të kohës e jeton në Paris dhe lexuesi i tij në Shqipëri po edhe në vendet e tjera ku flitet shqip, rëndësia e botuesit në këtë rast merrte një vlerë të veçantë. Dhe kjo ishte që të ruhej sa më shumë komunikimi i drejtpërdrejtë i shkrimtarit me lexuesit e tij. Të cilët ishin rritur me dekada me veprat e tij. Unë jam i lumtur kur mendoj që me shkrimtarin tonë të madh kam botuar nga opusi i tij 70 tituj dhe në fund kemi realizuar krejt veprën e tij, kompletin e tij në 20 vëllime, i cili quhet si një botim testamentor sepse është tërë krijimtaria e Kadaresë nga fillimi deri tani. Sigurisht që edhe sfidat janë të mëdha. Sfida është, le të themi që unë më punën e botuesit të synosh që të jesh i barabartë me shkrimtarin që ti boton. Unë e di që kjo është një luftë e pabarabartë, që unë kurrë nuk mund ta fitoj, sepse kurrë nuk mund të gjendet i barabarti si Kadare në nivel botuesish. Pikërisht kjo luftë, kjo sfidë e përditshme ka pasur, ka dhe do të ketë një rezultante për mua fatlume, sepse më nxit dhe më bën çdo ditë që kurrë të mos kënaqem me punën time. Kështu që unë jam me fat që e kam Kadarenë dhe jo Kadareja mua.

Comments

  1. Mimoza Cika-Kelmendi...
    Sweetie, honey, my love...take care with your...Albanian.
    I mean...try using the standard version

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk