Arritën plebejtë ose psikologjia e partizanit Meke



Shpëtim Kelmendi

Na ishte njëherë një kohë kur zotëria ishte zotëri dhe plebeu ishte plebé. Kohë njëmend e mirë dhe, mjerisht e papërsëritshme. Kishte një hierarki shoqërore natyrale dhe secili e dinte vëndin e vet. Edhe tashti kohë e mirë është. Zotërinjtë janë prapë, e po prapë janë edhe plebejtë, veç me një ndryshim të vockël: në shumicën e rasteve zotëria i sotëm është plebeu i dikurshëm, ndërsa plebeu i sotëm është zotëria i dikurshëm.
Mendoj se Shqipëria jonë, së paku që prej gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, e në vijim, duhet të jetë një nga vëndet që ka vuajtur më së tepërmi nga sundimi dhe psikologjia e plebejve. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të flasim keq për plebejtë, por të përpiqemi të vëmë në dukje se cili është një nga shkaqet madhore që e dëmton një bashkësi a shoqëri njerëzore.
Përse mendojmë se plebeu nuk duhet të marrë assesi në dorë fatet e këtij vëndi në të gjitha fushat? Sepse plebeu arrin të perceptojë vetëm të sotmen, por jo të shkuarën, e sidomos jo të ardhmen. Po përse është e rëndësishme të kihet parasysh e shkuara? Sepse, qoftë dhe çdo send i çfarëdoshëm e ka trajektoren e vet kohore, e ka kujtesën e vet historike. Aq më tepër një njeri. Një njeri pa kujtesë vetiake historike familjare, fisnore, etj,  është i paplotë dhe si i tillë nuk meriton të paktën të marrë në dorë fatet e të tjerëve. Pse është e rëndësishme kujtesa historike familjare, fisnore etj? Sepse, mendojmë, sa më e cekët të jetë kujtesa e një individi, po aq e cekët ka gjasa të jenë edhe vetëdija, largpamësia, virtyti, ndjenja e lirisë, e ndjenja e përgjegjësisë për veprimet që kryen. Sidomos ndjenja e përgjegjësisë për veprimet që kryen. Pse? Sepse, veprimet e një individi të çfarëdoshëm, në rastin tonë veprimet e individit me kujtesë historike të cekët familjare fisnore etj, kanë ndikimin e vet edhe në bashkësinë që e rrethon, sidomos për dikë që ka në një farë mënyre në dorë edhe interesat e të tjerëve në një fushë të caktuar si, politikë, ekonomi, ndërtimtari, kulturë, sidomos kulturë. Në këtë rast, kultura është ajo që na intereson e që duhet të na interesojë kryesisht. Pra, ky individ pa kujtesë historike, nëse bën një veprim të pamatur (dhe në të shumtën e rasteve veprime të pamatura bën), turpëron shumë-shumë babain dhe gjyshin. Më përtej nuk shtyhet, sepse nuk mban mend. Nga ana tjetër, nëse është fjala për individin me kujtesë të mirë historike, ai e ka më të vështirë ta bëjë një veprim të pamatur, sepse në këtë rast do të turpëronte jo vetëm babain, jo vetëm gjyshin, jo vetëm stërgjyshin, jo vetëm katragjyshin, e jo vetëm babain e babait të katragjyshit. Ky është pak a shumë gjaku blu, një term simbolik që përvijon kujtesë të mirë historike, vetëdije, virtyt, përgjegjësi, fisnikëri. Në këtë rast, për ta divulguar disi konceptin mbi gjakun blu, e gjej me vend të përmend fjalët e fundit të Luigjit XVI, i cili mund të thuhet se ishte mbreti më i pazoti i Francës, por që gjith’ duke qenë i tillë ka kurajon të thotë para gijotinës: “Dashtë Zoti që gjaku im të shërbejë për të forcuar lirinë e francezëve”. E madhërishme, besoj.
Tashti le të shohim ç’ndodh në nahijen tonë shqiptare. Rastësisht i hodha një sy këto ditë poezisë së Dritero Agollit, me titull “Krevati i perandorit”.
Vite më parë mendoja se ishte fjala thjesht për një poezi pa asnjë vlerë estetike. Tashti mendoj ndryshe: “Krevati i perandorit” vijon të jetë një poezi pa asnjë vlerë estetike, por tashmë me shumë vlerë kur është fjala për të përshkruar mendësinë e plebeut të veshur me autoritetin që të jep një pushkë e gjatë, mendësinë e plebeut që po vjen në pushtet për të mos u shkulur kurrë më së andejmi. Dhe pushtetin e shtrin në të gjitha fushat e, merret vesh, edhe në kulturë. Edhe në poezi... Në poezinë e Agollit, ky partizani Meke, i cili nuk di pse po zbret nga mali, sikundër nuk mban mend as dhe pse u ngjit, përfundon tek pallati e mandej tek dhoma e shtratit të perandorit. Ndjehet e madhërishme krenaria e origjinës prej plebeu, në vargjet: “Partizani Meke kish opinga të rënda llastiku/, Kish opinga të rënda e pushkë të rëndë/ dhe në brez kish vezme me plumba belgjiku,/ dhe një kobure të vjetër me nëntë.../”.
Një poet jo-plebe nuk do ta kishte shkruar fare një poezi si kjo, por nëse do ta kishte bërë një gafë të tillë, do të thoshte së paku që partizani Meke duhej të dilte vërtetë në mal, po për të kullotur dhitë, jo të sorollatej me pushkë në krah; të lëronte arën dhe jo të sillej vërdallë tërë kapadajllëk. Por, problemi i madh i partizanit Meke, është se ai nuk ka dhi, nuk ka tokë, nuk ka asgjë, nuk ka gjë prej gjëje. Se, përndryshe pse duhej të dilte në mal? Por ai merr pushkën me shpresën (aspak të gabuar, që u realizua vërtetë) se një ditë, nëpërmjet pushkës do të mund të bëhej me dhi e me tokë e me katandi. Njëmend e tmerrshme: të ëndërrosh dhitë e tokën, sidomos tokën, nëpërmjet pushkës, duke e ditur mirë se toka është diçka që trashëgohet brez mbas brezi, sikundër emri i fisit, dhe nuk është normale të fitohet me një pushkë në krah e me një palë opinga llastiku. Tashti, në kuptimin figurativ, me një një njeri që nuk ka një tokë të tijën, kuptojmë njeriun që nuk ka një personalitet të vetin, nuk ka një identitet të mirëfilltë. Kësisoj e keni të lehtë të përfytyroni se ç’ndodh kur një individ i tillë merr në dorë edhe fatet e vendit. Duke mos patur vetë një identitet, ai vjen për t’i dhënë identitet gjërave, identitetin që në të vërtetë nuk e ka.  
Nga ana tjetër, partizani Meke duhet të mësojë pak edukatë higjienike: meqë është i veshur për ibret, me opinga të llangosura nga balta, me shpinën tërë zdralë që i kutërbon nga pisllëku disavjeçar, duhet të mësohet të mos hyjë në kurrfarë mjedisi që vetëtin nga pastërtia, e le pastaj  të hyjë në odën e gjumit një perandori, të perandorit Viktor Emanuel III, pinjollit të dinastisë njëmijë e ca vjeçare të Savojës!
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është përlëvdimi i pushtuesit dhe nëpërkëmbja e atdhetarizmës, -kurrën e kurrës-por thjesht vënia përkundrejt e dy tipave njerëzorë që përfaqësojnë dy shtresa shoqërore: një fshatar me pushkë dhe një perandor. Kemi pra, plebeun që hyn në odën e perandorit (të dinastisë, do theksuar: më se njëmijëvjeçare) dhe e quan “farë e keqe”. Dhe kë? Viktor Emanuelin e Tretë, i cili është mbiquajtur nga mbretër dhe perandorë të tjerë “Perandori ushtar”, ngaqë në Luftën e parë botërore ka qenë vijimësisht në front. Dhe këtë epitet ia kanë vënë perandorë dhe mbretër të tjerë.
Më pas, ky fshatari Meke i zëvendësoi opingat me këpucë të lustruara, veshi kostum e kravatë dhe iu fut punëve të mëdha të shtetit. I shumëfishuar në mënyrë marramendëse, ai mori nën kontroll gjithçka. Një pjesë e këtyre kopjeve u bënë politikanë, avokatë, studiues, njerëz të kulturës, sidomos të kulturës. Tashti mendoni pak se ç’kulturë mund t’i sjellin një vendi tipa si puna e ish-partizanit Meke. Për pesëdhjetë vjet Mekja dhe nënproduktet e tij folën e folën për kulturën derisa u lodhën, por veç kulturë nuk bënë. Ajo që na intereson më së shumti të marrim në konsideratë, është dëmi që lloji i Mekeve bënë në kulturën shqiptare, në artin shqiptar, kryesisht. Gjëma është e paparë. Në trashëgiminë pesëdhjetëvjeçare të asaj që po e quajmë “art i partizanit Meke” duhet të rrëmosh e të llangosesh gjer në grykë për të gjetur diçka të hajrit. Fshatari Meke ishte njeri i mirë, edhe i zgjuar, por mjerisht jo dhe aq i fisëm sa të rrinte në vendin që i takonte. Tanimë provincializmi, militantizmi dhe amatorizmi i fshatarit Meke është ulur këmbëkryq mbi kulturën shqiptare. Dhe dihet, kur në një vend ndodh kjo, është fundi. Fotokopjet e fshatarit Meke i shohim gjithandej në çdo nivel e instancë të kulturës. Sigurisht, nuk mohojmë se në ndonjë rast ndodh që njeriu i duhur të gjëndet në vendin e duhur, por kjo ndodh kaq rralllë sa mund ta quajmë ose ngjarje të madhe, ose rastësi, rastësi që fshatari Meke nuk është kujtuar se mund ta kishte edhe atë vend.
Me gjasë, dangat e baltës që la pas opinga e dikurshme e fshatarit Meke, nuk do të na ndahet kurrë më. Për turp, tashmë ato blana nuk janë në vetëdijen tonë; ato janë shalakatur jo veç në epokën e djeshme të diktaturës, jo veç në të sotmen, por edhe në të ardhmen tonë. Plebeizmi, provincializmi, amatorizmi e sa “izma” të tjera po e shurdhojnë realitetin shqiptarë si një zukamë e neveritshme mizash. Figura e fotokopjuar e fshatarit të patokë Meke, sundon botën shqiptare. Tashmë versionet e larmishme të fshatarit Meke i gjejmë gjithandej. E s’na mbetet tjetër veçse të psherëtijmë me pikëllim: arritën plebejtë!



Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk