Kultura e ujit të parajsës
Mbi
prapambetjen tonë në fushat e artit dhe mungesën e ndërkomunikimit cilësor
Shpëtim
Kelmendi
S’ka dyshim
se, përsa i përket arritjeve artistike në përgjithësi, jemi një vend vërtetë i prapambetur. Me këtë nuk bëj ndonjë zbulim. Por, meqë jemi
tek zbulimi, duhet ta pranojmë se pikërisht prirja aventureske për të bërë
zbulime e gjëra të reja, ka ndikuar në mënyrë fatale në mosecjen tonë përpara
në planin artistik. Në një parabolë sufi
të lindjes, rrëfehet për një beduin të panxënë, që ishte endur tërë jetën nëpër
shkretëtirë. I gjori beduin ishte mësuar të pinte vetëm ujë të njelmët, ndaj,
kur një ditë zbuloi një burim me ujë, nga ai që njerëzimi pinte normalisht prej
mijëra vitesh, u lumturua së tepërmi dhe thërriti me zë të lartë se kishte
zbuluar ujin e parajsës. Mbushi një rrëshek nga ky ujë dhe ia çoi mbretit. Ky i
fundmi, meqë i erdhi keq t’ia shpërbënte iluzionin e “zbulimit”, i caktoi një
rrogë dhe emroi si nëpunës të ujit të parajsës,
ujë me të cilin do t’ia shuante etjen falas të gjitha karvaneve që do kalin
aty. Mandej, mbreti thirri mënjanë një nga ata që do ta shoqëronin, dhe e
porositi: “Përcille këtë njeri të mirë, por kaloje nga porta e shërbimit, sepse
po e kalove nga porta kryesore, do t’i qëllojë të shohë lumin Tigër që ka aq
shumë nga uji që ka zbuluar ai, dhe do të tronditet”. Kështu, nganjëherë mendoj se ne jemi
pikërisht ky beduin i mirë dhe naiv që endet nëpër shkretëtirë dhe bën zbulime
të rëndësishme, nga ato që bota i sheh si gjëra normale. Ne bëmë për pesëdhjetë
vjet filma patetikë, teatër të llojit bjeri t’i biem, këngë lavdie
revolucionare, letërsi të tipit parullë, apo shkruaj shkruaj se diçka mbetet, e
plot trapllëqe të tjera. Dhe e bukura është se, të gjitha këto, i shpallëm si
zbulime të rëndësishme. Tashti, në epokën e re, që vetëm e re s’mund të quhet,
ndodhi diçka e lezeçme. Ata që i bënë këto marrëzira realsocialiste (hodhën
marrëzinë dhe fshehën dorën), e humbën vërtetë besimin dhe autoritetin e tyre
si krijues arti, por nuk e humbën si pedagogë, mësimdhënës, estetë, urtakë,
etj. Ata i mësuan dhe po i mësojnë nëpër auditore, artistët e rinj që orvaten
të bëjnë art modern. Këta mjeshtra po japin edukatë estetike, që po ia luajnë
pikat. Por, meqë thuhet se gjasat që nxënësi t’ia kalojë mjeshtrit, janë të
pakta, merreni vetë me mend se cila do të jetë ecuria e artit dhe e kulturës në Shqipëri. Përsa kohë që barërat
e këqija vijojmë t’i kositim e jo t’i shkulim me rrënjë, nuk lipset ndonjë
profeci e lartë për ta marrë vesh se si do venë punët. Kësisoj, jehona jonë
kulturore në vendet e zhvilluara europiane, për aq sa është jehonë, lidhet me
nivelin minimal të vlerësimit. Pra: “E mirë për Shqipërinë”. Nganjëherë mendoj
se, nëse ndonjë i huaj befasohet me punët tona artistike, kjo i ngjan mahnitjes
që i shkakton majmuni që ecën në një tel ekuilibri. Mahniten, sepse konstatojnë
që ne nuk qënkemi edhe aq për ibret sa ç’kujtonin ata. Në një bisedë të
paradisaditshme me të, përkthyesi i letërsisë shqipe, Robert Elsie, tha se, sa
herë vinte në Shqipëri, kishte ndjesinë e të kthyerit dy shekuj mbrapa. Dhe, as
mos kini dyshim se këtë ndjesi e kanë edhe të tjerë, por thjesht nuk e thonë
për mirësjellje. Kuptohet, kjo është panorama e përgjithshme kulturore në
vendin tonë, gjë që nuk përjashton arritje shumë të rëndësishme në rrafshe
individuale. Por, individuale ama, sepse në rrafshin kolektiv jemi thjesht
zbulues të ujit të parajsës. Meqë
kriteri më fatal, të cilin nuk e kemi përmbushur kurrë në art (përjashto rastet
individuale) është bashkëkohësia, do të ishte krejt normale që arti shqiptar
t’ia mësynte për ca kohë kah majmunëria, pra kah imitimi i arritjeve
bashkëkohore europiane. Kjo, derisa ta gjejmë zërin tonë, që edhe nëse do t’i
ngjante zërit të bretkosës, do të tingëllonte gjithsesi bukur. Në të vërtetë,
imitimi ekziston që ç’ke me të, por i përdorur në mënyrën më të papërshtatshme.
Ka piktorë që imitojnë dukshëm Pikaso, Miro, Shagall, për të mos thënë Van Gog,
këngëtarë e kompozitorë e këngëtarë që i referohen një muzike démodé, regjisorë
teatrosh e filmash që orientohen kah shkolla të tejkaluara, shkrimtarë që
imitojnë Remark, Sartër, Bodler apo Hygo, e kështu me radhë. Jo se ata nuk
ishin të mëdhenj, mor Zot, por tashmë janë të vdekur. Pra, edhe kur imitojmë, e
bëjmë në mënyrë të gabuar, me të paktën pesëdhjetë vjet vonesë.
Vëndet e
zhvilluara europiane janë shumë hapa para nesh, e kjo ka ndodhur kryesisht për
arsye se ata nuk i janë ndarë për asnjë çast komunikimit të ndërsjelltë
kulturor. Këtë duhet të bëjmë edhe ne: të komunikojmë. Përndryshe, është e
sigurtë se nuk do heqim dorë kurrë nga dëshira delirante për të zbuluar ujin e
parajsës.
Comments
Post a Comment