Mungesa e debatit kulturor
Shpëtim
Kelmendi
Një nga
shkaqet madhore që niveli ynë kulturor dhe artistik është kaq i ulët, mendoj se
ka të bëjë, veç tjerash, me mungesën e
plotë të debatit në vendin tonë. Nëse flas rreth nevojës së domosdoshme të
debatit, nuk kam këtu fare parasysh prirjen për të shfaqur protagonizëm,
egoizëm, cmirë, urrejtje, përbuzje dhe mospranim të vlerave të të tjerëve.
Është fjala, mbi të gjitha për një akt qytetar, që nxit ecjen përpara. S’ka
dyshim se në shumicën e rasteve, marrëdhëniet mes njerëzve që merren me punët e
artit e të kulturës janë jo veç të sëmura, por edhe pothuajse perverse. Nëse
ndokush mban një qëndrim të caktuar në lidhje me një libër, ekspozitë, shfaqje
teatrore, koncert apo diç tjetër, kjo duhet parë në mënyrë të padiskutueshme si
një akt shumë i vyeshëm kulturor, artistik e qytetar. Përsa kohë që kemi të
bëjmë me një aktivitet apo produkt artistik që i serviret një publiku të gjerë,
atëherë duhet të kuptojmë se fjalët që autori thotë apo shkruan, i nevrikosur ose
jo, për të mbrojtur punën e vet, nuk nuk kanë më kurrfarë vlere. Sepse, puna e
tij, vepra, aktiviteti, quajeni si të doni, flet vetë. Puna që kanë bërë i
madhëron ose i zhvlerëson. Fizionomia e çdo artisti është vepra e tij.
Pozicioni i avokatit mbetet gjithmonë qesharak dhe diletantesk. Sepse, këtu nuk
është fjala për të mbrojtur shtëpinë, kopshtin, bahçen, magazinën apo atdheun.
Pra, vlera e artistit është e barazvlefshme me arritjet e tij. Artistët
shqiptarë, po i jap një ngjyrim shumë proletar termit, sa herë që ia këpusin
kot dhe bëjnë budallallëqe, të cilat mandej i quajnë art, zemërohen kur ndokush
ua qorton punën. E atëherë, në vend që të mundohen t’i bëjnë punët më me
seriozitet e përkushtim, bëjnë të kundërtën: vihen në kërkim të një fajtori. E
kuptoni sa e tmerrshme është? Kërkojnë fajtorë për gomarllëqet që i kanë bërë
vetë, me dëshirë e me passion e me përkushtim. E. pra, askush s’u ka faj për
këto gomarllëqe. Sepse, janë ata vetë që i kanë bërë, e fajtorë janë po ata.
Them se artistët shqiptarë ende nuk e kanë kuptuar se jetohet në një shoqëri të
lire. Po ta kishin kuptuar, nuk do të tërboheshin fare nëse ndokush do jepte
gjykim mbi veprën e tyre. Sepse një gjë është e sigurtë: në këtë rast tërbim do
të thotë amatorizëm. E, nëse je amator, je gjithashtu i prirur për të ndërruar
zanat, nëse të ofrohet një më i mirë. Nëse dikujt i gjykohet puna e tij
artiistike dhe vendos të reagojë në mbrojtje të saj-gjë që gjithsesi s’do të
ishte e udhës-, le ta bëjë këtë me shumë edukatë e kulturë, e sidomos duke
përdorur një gjuhë të pastër estetike, e jo të vjellë gjithfarë marrëzish duke
e paditur kësisoj mungesën e plotë të talentit. Nëse je i bindur se puna jote
është vërtetë artistike, atëherë edhe reagimi yt duhet të jetë po artistik. Një
gjë tjetër e shëmtuar, është edhe personalizimi i debatit. Fillohet në mënyrë
pak a shumë normale, e përfundohet në ofendime e sharje personale. Merren me
pamjen, me mënyrën e ecjes dhe të ngrënit, me strukturën fizike, e me gjithfarë
paçavuresh të tjera. Edhe kjo, dihet se ç’është: amatorizëm. Një gjë është e
sigurtë: nëse thua fjalë të mira për punën e tjetrit, nëse lëvdon, nëse
përjargesh duke thurur gjithfarë lajkash, autori kënaqet, ti kënaqesh, ata që
lexojnë kënaqen dhe ne shndërrohemi në një popull të kënaqur që budallepset
dita ditës. Kështu, zhgërryhemi në batakun e vetëkënaqësisë dhe erektimit
kolektiv. Ky është fundi. Do të ishte në nderin tonë që t’i jepnim fund njëherë
e mirë marrëdhënieve të sëmura, servilizmit, hipokrizisë dhe nënshtrimit, në
këtë proces të gjatë e të pafundëm të krijimit të vlerave artistike. Kuptohet,
nëse duhet të rritemi. E nëse duam vërtetë të rritemi, duhet të heqim dorë nga
pësh-pëshet e bareve, nga llomotitjet kokë më kokë e nga prapaskenat, e t’u
japim zë pikëpamjeve tona, gjith’ duke e ditur se kjo është e vetmja mënyrë për
të dalë nga bataku ynë artistik e kulturor ku po zhytemi përditë e më thellë.
Në këtë vend nuk ka diçka që shkon mirë. Në këtë vend nuk ka vend për fjalë të
mira. Në këtë vend duhet të vlojë medoemos debati i fjalës së lirë, qoftë kjo
artistike e qoftë qytetare. Ky është një realitet i hidhur, të cilin, që të
mund ta ndryshojmë, duhet më së pari ta besojmë se egziston i ulur këmbëkryq në
ndërgjegjet tona.
Comments
Post a Comment