Johan Georg fon Han, gjermani, babai i albanologjisë
Shkencëtari gjerman Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn,
1811-1869) konsiderohet si babai i albanologjisë. Ai ka lindur në Frankfurt am
Main dhe studioi drejtësi në Gisen (Giessen) dhe në Hajdëlberg (Heidelberg).
Nga viti 1834-1843 punoi për ministrinë e drejtësisë së Mbretërisë së re Greke.
Nga 1843-1847 ishte konsull prusian në Athinë dhe pas kësaj periudhe u emërua
zëvendëskonsull austriak në Janinë, ku ra në kontakt me shqiptarët dhe filloi
të mësonte shqip. Në fund, më 1851, u emërua konsulli austriak në ishullin
Siros.
Gjatë viteve të qëndrimit në Janinë, Hani bëri tre udhëtime në Shqipëri
dhe mblodhi të dhëna për historinë, filologjinë dhe folklorin shqiptar. Ky
material u botua në veprën e tij themelore në tre vëllime “Albanesische
Studien” (Studime shqiptare), Jena 1854, e cila i hodhi themelet e
albanologjisë. Shquhet gjithashtu per vëllimin “Griechische und albanesische
Märchen” (Përralla greke dhe shqiptare), Lajpcig 1864, dhe për rrëfimet e
ekspeditave të tij në Ballkan: “Reise von Belgrad nach Salonik” (Udhëtim nga
Beogradi në Selanik), Vjenë 1861, dhe “Reise durch die Gebiete des Drin und
Vardar” (Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit), Vjenë 1867, 1869.
Në ekspeditën e fundit nga gushti në nëntor 1863 Hani dhe
bashkudhëtarët e tij udhëtuan nga Durrësi dhe Shkodra nëpër lumin Drin për në
Prizren në Kosovë, në Maqedoninë perëndimore. Pastaj duke kaluar luginën e
Vardarit erdhën në Selanik në detin Egje. Interesat e Hanit në Shqipëri dhe në
Ballkanin jugperëndimor ishin të shumëllojshme dhe, gjatë këtij udhëtimi,
përveç albanologjisë, i hodhi, mbase paditur, edhe themelet e historisë së
fotografisë në Ballkanin jugperëndimor. Ekspedita e vitit 1863 rezultoi në një
koleksion prej pesëdhjetë fotografish – nga më të hershmet në rajon.
Hani kishte filluar ta përgatiste ekspeditën në lumin e Drinit në
fillim të viteve 1860, kur tha: “…është më pak i njohur se të gjithë lumenjtë e
Evropës megjithëse derdhet në Adriatik jo më shumë se dhjetë milje nga kufiri
jugor i territorit perandorak (të Austro-Hungarisë). Askush para meje nuk ka
kryer udhëtimin njëzetditësh midis bregdetit dhe pikës ku bashkohet degat e
lumit.” Kryeduka Maksimilian (1832-1867), i cili më vonë do të bëhej Perandori
i Meksikës (mbretëroi 1864-1867), u entuziazmua me projektin dhe premtoi t’ia
siguronte mjete të thjeshta të lundrimit për atë. Më 23 qershor 1863, Hani i
dërgoi një letër Akademisë së Shkencave në Vjenë, duke kërkuar një fotograf
kompetent i cili do ta shoqëronte dhe do të bënte fotografi të qyteteve dhe të
terrenit malor. Akademia propozoi njëzetepesëvjeçarin Jozef Sekeli (Josef
Székely) dhe dha në dispozicion fondet e duhura për ekspeditën.
Jozef Sekeli
Fotografi vjenez, doktor Jozef Sekeli (1838-1901), ka lindur ne Shymeg
(Sümeg) afër liqenit të Balatonit në Hungarinë perëndimore dhe ndoqi shkollën
në Sombateli (Szombathely). Më vonë studioi në Universitetin e Vjenës të cilin
e mbaroi në vitin 1860 me një diplomë magister në farmakologji dhe në vitin
1862 me një doktoraturë në kimi. Ai dha mësim në universitet për një kohë të
caktuar dhe pastaj hapi një studio fotografike në Heinrichshof përballë
ndërtesës së operës në Vjenë. U bë fotograf profesionist me famë. Në vitin 1867
ai fitoi çmimin e bronxtë në Panairin Botërore në Paris (ndoshta me fotografitë
e Shqipërisë) dhe më 1878 fitoi në Paris çmimin e argjendtë.
Ekspedita
Johan fon Han u nis nga konsullata e tij në ishullin Siros dhe mbërriti
në Durrës më 12 gusht 1863. Aty shënoi: “Qyteti s’ka ndryshuar që prej vizitës
sime të fundit para trembëdhjetë viteve, as pesëdhjetë banorë më shumë nuk ka.”
Ai ngjiti luginën e Erzenit, duke kaluar Ndroqin, dhe vazhdoi nëpër fushën
bregdetare për në Shkodër. Aty më 31 gusht 1863, e gjeti Sekelin dhe togerin e
marinës Herman fon Shpaun (Hermann von Spaun, 1833-1919) të cilët kishin
arritur nga Tivari. Gjithashtu në grup ishin miku i vjetër i Hanit, Doktor
Auerbah (Auerbach), i cili prej vitit 1845 kishte qenë mjek familjar i beut të
Vlorës, si dhe prifti françeskan, Ëngjell Bardhi.
Në Shkodër, Sekeli bëri tetë fotografi të mahnitshme, pa dyshim
fotografitë e para të qytetit dhe të kalasë së tij hijerëndë. Pas kësaj,
ekspedita u nis në dy anije në lumin Drin, duke kaluar Dejën, Vjerdhën,
Shurdhahun, Komanin (dy fotografi) dhe Dukagjinin. Lumi u bë gjithnjë e më i
ngushtë dhe pranë Toplanës kalimi u bë i pamundur. Sekeli, i cili kishte sjellë
pajisje të rënda fotografike me vete, u detyrua të kthehej në Shkodër me anije,
kurse pjesa tjetër e ekspeditës vazhdoi rrugën me këmbë.
Grupi u ribashkua në Prizren i cili në atë kohë ishte qyteti më i madh
i Shqipërisë. Prizreni kishte rreth 46.000 banorë, prej të cilëve 36.000
myslimanë, 8.000 bullgarë dhe vlleh, dhe 2.000 katolikë. Kishte jo më pak se
njëzetegjashtë xhami, si dhe dy kisha ortodokse dhe një kishë katolike. Në
krahasim me të, Shkodra, Durrësi dhe Vlora ishin fshatra. Këtu, në fillim
shtatori 1863, Sekeli bëri pesë fotografi. Pas Prizrenit, ekspedita u kthye në
Drinin e Zi dhe vazhdoi në drejtim të jugut për në Dibër. Kjo krahinë ishte
krejtësisht e panjohur dhe gëzonte një nam të dyshimtë. Hani shkroi: “Po kaq e
panjohur se pjesa e poshtme e lumit Drin ishte edhe lugina e Drinit të Zi midis
qytetit të Dibrës dhe pikës ku bashkohen të dy degët e lumit. Thuhet se është
një çerdhe hajdutësh dhe prandaj shmanget nga fqinjët.” Megjithatë, Hani kaloi
rajonin pa probleme, veç që nuk mundi të kuptonte shqipen e banorëve aty. Kur
erdhën në Dibër më 21 shtator 1863, Sekeli bëri dy fotografi. Fotografimi ishte
një punë e lodhshme. Për të përdorur “makinën fotografike” dhe vagonin e pllakave
që kishte sjellë me vete, Sekelit i nevojitej dy orë e gjysëm thjesht për një
fotografi të një shkëmbi të madh romantik. Gjithë kjo i tregoi Hanit se
“fotografia s’është gjë që mund të kryhet shpejteshpejt. Ose mund të udhëtosh,
ose mund të fotografosh.” Nga Dibra, ata vazhduan për në Strugë në liqenin e
Ohrit.
Hani ishte i magjepsur nga liqeni dhe shënoi praninë e trembëdhjetë
llojërave peshqish. Ata vizituan manastirin e Kalishtës, qytetin e Ohrit me
shumë kisha të bukura ortodokse, dhe natyrisht manastirin e njohur të shekullit
të gjashtëmbëdhjetë, Shën Naum, në jug të liqenit. Hani dhe bashkudhëtarët e
tij kaluan dhjetë ditë në Ohër kështu që Sekeli kishte kohë për të fotografuar.
Në Ohër dhe rajon u bënë gjithsej njëmbëdhjetë fotografi. Fotografia e Shën
Naumit duket se është e vetmja foto e manastirit para se të digjej në masë të
madhe në vitin 1875.
Prej Ohrit, grupi udhëtoi për në liqenin e Prespës dhe vazhdoi me shi
të dendur për në Manastir. Tashmë ishte tetor. Manastiri ishte qytet i madh dhe
selia kryesore e ushtrisë osmane për rajonin. Aty Hani u mirëprit prej
Gjeneralit Faik Pasha, i cili kishte studiuar në Vjenë. Sekeli bëri disa
fotografi të një formacioni ushtarak para kazermës së madhe, ndërtuar në vitin
1839. Nga Prilepi udhëtuan për në Veles mbi lumin Vardar ku, pasi gjetën anije
të reja, u nisën nëpërmjet ngushticës së Demir Kapit (Porta e Hekurtë) për në
Selanik në detin Egje. Aty u bënë pesë fotografi. Prej Selanikut Hani dhe
Sekeli vazhduan për në Turqi për të parë Trojën.
Koleksioni i Sekelit
Johan Georg fon Han vlerësoi ndihmesën e madhe të Sekelit në ekspeditën
e tij. Theksoi se fotografitë “mund të krahasohen lirisht me fotografitë më të
mira të bëra ndonjëherë në këtë fushë.”
Për fat të keq, botimi i fotografive doli tepër i shtrenjtë për
Akademinë vjeneze dhe ato nuk u përfshinë në raportin e Hanit, botuar në vitet
1876 dhe 1869. Rezultati i kësaj ishte që koleksioni i Sekelit, ndër
fotografitë më të hershme të Ballkanit, u la në harresë. Në vitin 1889,
trembëdhjetë foto të Sekelit u botuan në vëllimin “Makedonien und Alt-Serbien”
(Maqedoni dhe Serbia e Vjetër) prej Spiridion Gopçeviqit (1855-1936), por pa
datë dhe pa emrin e fotografit, mirëpo, pas kësaj, koleksioni u zhduk për më
shumë se një shekull. U rizbulua në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë prej Mark
Kohenit (Mark Cohen) në vitin 2000.
Fotografitë e Jozef Sekelit të bëra në jugun a gadishullit ballkanik në
vitin 1863 kanë një rëndësi të madhe historike dhe artistike. Janë fotografitë
më të hershme të Shqipërisë, me përjashtim të një portretit të vetëm të
kryengritësit Hamzë Kazazi, të kryer prej fotografit shkodran Pjetër Marubi
(Pietro Marubbi, 1834-1903) në Shkodër në vitin 1858. Mund të jenë edhe
fotografi më të hershme të Kosovës dhe llogariten ndër fotot më të vjetra të
Maqedonisë.
Fotografitë e Koleksionit të Jozef Sekelit u botuan për herë të parë në
albumin fotografik: “ Dritëshkronja: fotografia e hershme nga Shqipëria dhe
Ballkani jugperëndimor”, Prishtinë 2007. Koleksioni ndodhët tani në Bildarchiv
të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë në Vjenë
Comments
Post a Comment