Filozofia e daljes nga një epokë
Nga Astrit Lulushi
Megjithëse viti 1990 ka hyrë në histori si periudha e
përmbysjes së komunizmit apo si kufiri midis dy epokave, jeta vazhdon e
rrethuar nga pikëpamje e mendesi kryesisht të vjetra. Në fakt, në disa raste
është vështirë të dallohet fillimi i epokës së re ashtu edhe identifikimi i
fundit të së vjetrës. Në shekullin e XVI, Evropa kishte mbërritur në kufirin
(qui-fines) e errësirës. Përtej këtij muri imagjinar ndodhej drita, ndriçimi
(Iluminizmi). Çeshtja ishte si të arrihej atje. Filozofi britanik Tomas Hobs
(1588-1679) thoshte se shoqëria është si një makinë gjigande. Kur bota shikohet
e tillë, ateherë ajo mund te drejtohet a përdoret për të mirën e njeriut, në të
njëjtën mënyrë si edhe makina.
Sipas Hobsit, njeriu në gjendjen e tij natyrale përpiqet
vetëm për interesin e tij, për të kënaqur veten dhe nje individualizëm i tillë
çon në luftë a konflikt. Kjo është gjendja e tij e natyrëshme dhe “të ndjesh
gjithmonë të njëjten gjë është njësoj si të mos ndjesh asgjë”, thoshte ai,
“prandaj njerëzimi ishte më mirë të jetonte me liri të kufizuara sesa në anarki
të plotë”.
Edhe filozofi holandez Baruk Spinoza (1632-1677) besonte se
njeriu është i prirur drejt vet-ruajtjes dhe përderisa nuk është në gjendjë ta
arrijë këtë në kushte izolimi, ai krijon grup, shtet, komb që nepermjet nje te
ashtuquajture “kontratë shoqërorë” mund të qeveriset në tre forma; mbretëri
(pushtet i individid), aristokraci (pushtet i një pakice të privilegjuar, dhe
demokraci (pushtet i përfaqësuesve të zgjedhur). Por ndërsa Hobsi mendonte se
monarkia ishte forma më e mirë qeverisëse, Spinoza këmbengulte se demokracia
ishte më e suksesshme.
Ndërsa, filozofi anglez, Xhohn Loku (1632-1704) iu përqas
kësaj çështjeje nga një drejtim krejt i ri. Ai thoshte se njeriu lind me mendje
të zbrazët (tabula rasa) pa asnje ide a ndjesi dhe truri i tij fillon të
mbushet me koncepte e imazhe kur provon ndjenjat e shijes, nuhatjes, dëgjimit,
prekjes dhe veçanërisht shikimit. Si rrjedhim të gjithë njerëzit lindin me
aftësi të barabarta dhe së sjellja dhe zhvillimi i një individi a shoqërie
varet nga mjedisi ku jeton.
Nisur nga kjo, Loku mendonte se mbi çdo gjë tjetër, arsimi
ishte përgjegjës për krijimin e karakterit moral dhe intelektual të individëve.
Ndryshe nga Hobsi, Xhon Loku besonte se përderisa të gjithë
njerëzit vinin në këtë jetë me aftësi të barabarata, kjo do të thoshte se
pabarazia ishte rezultat i panatyrëshëm i mjedisit ku njeriu ishte i detyruar
të jetonte dhe kjo është arsyeja, që njerëzit janë të prirur (instinktivisht)
të ruajnë e mbrojnë barazinë dhe pavarësinë, pasi këto jane aspekte të natyrës
së tij njerëzore.
Për Lokun, njerëzit hyjne në kontratë shoqërore vetëm për të
zgjidhur mosmarrëveshjet midis individëve e grupeve dhe se fuqia absolute është
një zhvillim jo i natyrshëm në historinë njerëzore dhe përbën shkelje të kësaj
kontrate. Qëllimi i autoritetit është mbrojtja e barazisë dhe lirive mes
individëve dhe kur ky pushtet heq dorë nga kujdesi për mireqënien, pavarësinë
dhe barazinë e tyre, kontrata quhet e anuluar.
Xhon Loku i botoi këto ide në Two Treatise, menjëherë pas
revolucionit të vitit 1688 ne Britani; ngjarrje qe ka hyre ne histori si
“revolucioni pa gjak” dhe që i dha fund pushtetit absolut të mbretit Xhejms i
dyte duke i hapur rrugen zhvillimit të demokracisë parlamentare ne
Britani.
Comments
Post a Comment