Kultura si themel i vlerave qytetare


Shpëtim Kelmendi

Që asnjë qeveri shqiptare nuk do t’ia dijë fare për kulturën, këtë e dëshmon niveli i kësaj kulture, mendësia, roli,  dhe ritmet e zhvillimeve të saj. Por e dëshmojnë edhe shumë gjëra të tjera. Mund t’i shqyrtosh me vëmendje të gjitha arritjet e kulturës përgjatë tërë hapësirës kohore brënda të cilës kemi funksionuar si shtet më vete, e do vëresh se periudha më e shkretë, përsa i përket vëmendjes zyrtare dhe shtetërore, është ajo e demokracisë. Demokraci, është fjalë disi e ekzagjeruar kur e përfshijmë në një kontekst shqiptar, por në vetvete ky term është kulturor dhe estetik. Duhet pranuar se gjatë diktaturës, kultura u përdor për qëllime propagandistike dhe ideologjike, por, gjithsesi, e rëndë të thuhet, ky qëndrim ndaj saj duhet vlerësuar në një farë pikëpamjeje. Dua të them, se krerët e diktaturës kishin kuptuar diçka shumë të rëndësishme: që kultura është një mjet shumë i efektshëm për të ndikuar në vetëdijen e masave. Sigurisht, ata e përdorën kulturën në mënyrën më të ndyrë, por, prapë s’duhet harruar se  të paktën e njihnin rolin dhe fuqinë e saj. Na dhanë një provë se kultura ka peshë dhe ndikim të madh në formimin e njerëzve. Ata e panë kulturën si një armë. Po sikur ne, sot, ta shohim ashtu sikundër është realisht: një ushqim shpirtëror? Mendoni pak se sa fantastike do të ishte sikur, individët që e mbajnë më këmbë këtë sistem lirie që quhet demokraci duke vënë në lëvizje ingranazhet e saj, të mund ta kuptonin atë që kuptuan krerët e diktaturës: pra të njihnin rolin përcaktues që ka kultura në mbruajtjen shpirtërore të njerëzve. Kultura nuk është një portret i bukur që duhet varur në mur thjesht për t’ia mbushur mëndjen vetes se nuk jemi të privuar prej saj, por diçka e gjallë, një matricë që prodhon botëkuptim, mirëkuptim, liri, integritet, paqë, begati; pra kultura është mënyrë jetese e mënyrë të sjelluri. Ekziston një kulturë me të cilin lindemi, e cila është shumë e rëndësishme sepse përbën prirjen tonë pozitive ndaj gjërave, por mbetet e paplotë dhe e pamjaftueshme nëse nuk ia bashkangjitim edhe kulturën si diçka që mund të mësohet. Kulturë është term jashtëzakonisht i gjerë dhe gjithpërfshirës. Kultura është qytetërim. Kultura është ajo që mbetet e që ka atributin e të qënit e transmetueshme nëpër brezat që vijnë. Por, kjo gjerësi konceptimi, e ka gjithsesi origjinën tek kultura si veprimtari e gjallë dhe aktive.
Më duket paksa komike dhe arrogante poza që kam marrë për të shpjeguar diçka pothuajse të pashpjegueshme: domethënien e termit kulturë. Por, prapëseprapë, s’di pse kam idenë se shumica e atyre që kanë mundësi të vënë dorë mbi kulturën, nuk janë në gjendje të ofrojnë ndonjë përkufizim bindës mbi ç’është kulturë. Sigurisht që as unë, por as edhe ata që merren vërtetë  me kulturë, nuk mund të ofrojnë një përkufizim të pacënueshëm, por ama e dimë mirë se ç’nuk është kulturë. Të dish se ç’nuk është kulturë, do të përbënte një fillim të mbarë. Një gjë është e saktë dhe e padiskutueshme: Kultura e bën njeriun më të mirë, më qytetar, më të vetëdijshëm, më atdhetar, më të pranueshëm, më mirëkuptues, më të edukuar, më të lirë: pra e bën më njeri. Në këtë pikë, duhet reshtur së menduari se kultura është diçka pa të cilën mund të rrohet, sepse në shoqërinë e viteve 3000, kjo është absolutisht e pamundur. Kultura është baza e gjithçkaje që quhet ekzistencë njerëzore. Nëse kemi njerëz që nuk lexojnë libra, të çfarëdo fushe qofshin ato, që nuk shohin një shfaqje teatri, që nuk shkojnë në kinema, që nuk dinë gjë për historinë e vendit të tyre e më gjërë, që nuk ngacmohen farë nga asgjë që quhet kulturë, atëherë ky vend nuk ka për të bërë asnjëherë përpara dhe integrimi në Europë ka për të qenë një ëndërr e largët. Gabimisht na është krijuar ideja se bashkësia europiane na kërkon rrugë mirëqenie, liri e të të drejta qytetare, etj, duke i pare këto si qëllim më vete. Në të vërtetë, këto janë thjesht prova që vërtetojnë se kemi bërë hapa në aspektin kulturor. Sepse, nga kultura gjeneron gjithçka e mirë, kurse injoranca pjell vetëm injorancë. Pra, kultura duhet parë ashtu siç është në të vërtetë: si një promotor që vë në lëvizje vlerat njerëzore. Por, që të na ndihmojë, kultura do ndihmuar, duke i dhënë rëndësinë dhe pushtetin që meriton.
Një mbrëmje, diku rreth orës 21.00 më pati qëlluar të shihja një individ që përmirrte rrëzë një muri mu në mes të Tiranës. Dhe nuk ishte as hera e parë. Mendimi i parë që më erdhi në kokë, nuk ishte: ja një njeri i poshtër!, por ja një njeri i pakulturuar, i cili nuk ka kurrfarë lidhje me kulturën! E pranoj, ka njerëz që nuk kanë fare lidhje me kulturën si produkt të përkushtimit dhe janë prapëseprapë të edukuar, por a jeni të sigurtë se mund ta quajmë qytetar europian? Sapo t’i jepet rasti, sigurisht krejt pa të keq e me padjallëzinë më të madhe, edhe ai s’do të mendohej dy herë për të përmjerrë në një cep muri në mes të qytetit. Kultura s’duhet parë si një luks, por si një element bazë i formimit shoqëror, që garanton harmoninë dhe bukurinë e jetës në bashkësi. Pa kulturën njeriu është i paplotë.
Por, këto që thashë, të cilat edhe shumë të tjerë para meje i kanë thënë në mënyra të tjera, mbeten fjalë të kota e  krejt të pavlera për qeveritë tona që shkojnë e vijnë, gjithë duke ruajtur të njejtën moskokëçarje ndaj kulturës. Se sa rëndësi ka kultura për pushtetarët tanë sot, (nuk po marrim parasysh nivelin e fuksionimit të institucionit në fjalë) mjafton të shohim selinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Gjendet në Rr. Abdi Toptani, një rrugicë e dorës së dytë, dhe përballë ka një kazan gjigand plehrash. Një hap më tej eshte Drejtoria e Pergjithshme e Burgjeve. Ç’kombinim i shkëlqyer! Nejse, ministria jonë, gjendet mbas godinës madhështore të bashkisë. Ministria në fjalë është institucion që i përket tërë Shqipërisë, ndërsa bashkia vetëm një qyteti. E para gjendet në një vrimë miu, në një rrugicë pa pikë karakteri, ndërsa tjetra në një vend të përkryer, me fytyrë nga qendra. Pra, thjesht po të gjykojmë rreth vendndodhjes së ministrisë për të cilën po flasim, e kuptojmë qëndrimin zyrtar ndaj asaj që e quajmë kulturë. Kaq besoj se mjafton.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk