Statuja amerikane e Lirisë dhe shqiptari i Egjiptit


Nga Astrit Lulushi, SHBA

"Për skulptorin forma është cdo gjë dhe asgjë. Eshtë asgjë pa frymëzimin - me idenë ajo është gjithcka" - Victor Hugo
 Amerika ndoshta nuk do t’a kishte fituar pavarësinë nga Britania pa ndihmën e francezëve më 1776. Franca siguroi armë, anije, të holla dhe ushtarë per kolonitë amerikane. Disa francezë, ndër më të njohurit, markezi Lafajet, mik i ngushtë i Xhorxh Uashingtonit, madje u bënë edhe oficerë të lartë në ushtrinë amerikane. Ajo ishte një aleancë miqësie e respekti që francezi nuk do t’a harronte, shkruhet në librat e historisë.
 Thuajse 100 vjet më vonë, më 1865, Frederik August Bartholdi, 31 vjecar dhe skulptor i sukseshem, ndodhej mes disa intelektualëve francezë kundërshtarë të regjimit të Napolenit të III-të. Ata po diskutonin me admirim për suksesin e Amerikës, se si ajo kishte krijuar një republikë të suksesëshme dhe pas një lufte civile kishte zhdukur skllavërinë. TakimI kryesohej nga Edouard Rene Lefebvre de Laboulaye, jurist i njohur dhe udhëheqës i liberalëve, grup politik që përpiqej për krijimin e një republike franceze bazuar në modelin e kushtetutës amerikane.
Gjatë mbledhjes, Laboulaye shtroi pyetjen se “a nuk do te ishte mrekulli nëse populli francez t’i jepte Shteteve të Bashkuara një përmendore të përjetëshme për të treguar se edhe Franca ishte e përkushtuar ndaj idesë së lirisë njerëzore.?”
 Kjo pyetje e rastësishme tërhoqi vemendjen e artistit Bartholdi. Vite më vonë, ai do t’i shkruante Laboulayese se idea e tij i ishte fiksuar në mendje.
Skulptori Frederic-Auguste Bartholdi, autor i Statujës se Lirisë, sot mbizotëruese në brigjet e Nju Jorkut, lindi me 1834 në një familje të shtresës së mesme në Kolmar të Francës. I ati i vdiq kur Bartholdi ishte dy vjec dhe ai u rrit nën kujdesin e nënës, Charlote. Shumë historianë besojnë se Charlotte ishte modeli që Bartholdi përdori për Statujën e Lirisë. Por të tjerë besojnë se modeli i statujës ishte bazuar në skicat e herëshme kur Barthodit kishte plane për ngritjen e një statuje të ngjashme në Egjipt.
 Bartholdi e filloi karierën e tij si piktor, por arriti të bëhej i famshëm vetem si skulptor. Që në moshën 18 vjecare ai tregoi prirje për krijimin e skulpturave me përmasa të mëdha, por ishte një vizitë në Egjipt që do të ndryshonte perspektivën e tij si artist i skulpturave nga të mëdha në ato me përmasa kolosale, gjigande. Madhështia e piramidave dhe Sfinksit e mahnitën skulptorin e ri i cili në shënimet e tij do të shkruante se “ato shpërfillin të tashmen për t’u fiksuar në të ardhmen e pakufishme.”
Gjatë vizitës në Egjipt, më 1865, Bartholdi takoi një tjetër francez me ide njësoj të mëdha. Konti Ferdinand-Marie de Lesseps ëndëronte që ta ndante shkretëtirën me një kanal që do të lidhte Mesdheun me Detin e Kuq. Ndërkohe që të tjerët qeshnin me këtë ide, Bartholdi u frymëzua prej saj. Po ashtu, idea tërhoqi edhe vemendjen e sundimtarit të atëhershëm të Egjiptit, shqiptarit Ismail Pasha, i cili kishte plane për modernizimin e mbretërisë që ia kishte lënë gjyshi i tij, Mehmet Aliu. Si artist, Bartholdi imagjinonte një skulpturë gjigande në hyrje të kanalit që mendonte Lessepsi. Skulptura do të kishte formën e perëndeshës romake të Lirisë, “Libertas” dhe do të ngrihej dy herë më e lartë sesa Sfinksi.Në vitin 1867, ndërsa idea e Lessepsit, Kanali i Suezit, ishte afër përfundimit, Ismail pasha i kërkoi Bartholdit të paraqiste planet e tij për statujën. Skicat e Bartholdit tregonin se ajo do të ishte në formën e një gruaje me pelerine të hedhur krahëve, e cila në një dorë mbante librin, simbol i dijes, dhe në dorën tjetër të shtrirë lart drejt qiellit mbante një pishtar që simbolizonte dritën. Domethënia e skulpturës ishte Përparimi ose Egjipti burim drite për Azinë. Ky ishte projekti që Bartholdi i paraqiti Ismail Pashës, i cili i kërkoi skulptorit francez që t’i bënte disa ndryshime. Më 1869, Bartholdi ia paraqiti përsëri planin e tij pashait shqiptar, por megjithë ndryshimet, zbatimi i projektit u zvarrit. Mendohet që arsyet të kenë qënë, pjesërisht financiare. Në atë kohë, Ismail pasha kishte ndërmarrë projektin e rimodelimit të Kajros duke i dhënë pjesës perëndimore të qytetit një pamje thuajse si ajo e Parisit. Në Paris, Ismail pasha kishte kryer studimet dhe kishte shërbyer si ambasador pranë Napoleonit të III-të e pastaj pranë Papës në Romë, para se te trashëgonte fronin e Egjiptit, nga i ati, Ibrahim pasha, djali i themeluesit të monarkisë së Egjiptit, Mehmet Aliu, dinastia e të cilit zgjatim afro 150 vjet, nga 1805 deri më 1953.
Por arsyet e mos ngritjes së Statujës së Përparimit mund të kenë qënë edhe zhvillimet në Francë. Në vitin 1870, shpërtheu lufta franko prusiane dhe Bartholdi kthehet në atdhe, ku përkohësisht do të ndryshonte edhe karrierën. Bartholdi merr gradën e majorit në ushtrinë franceze dhe kur gjermanët aneksuan mbarë rajonin e Alsaces, idea e “dritës” dhe “përparimit” e lindur në Egjipt, u zevendësua me idenë e “lirisë”, që për skulptorin do të merrte një kuptim personal.
 Në vitin 1871, Bartholdi, vendosi të shkonte në Amerikë dhe para se të nisej i shkruante mikut të tij, Laboulaye, se shkonte atje për t’a cmuar dhe ngritur lart lirinë, me shpresë se një ditë kur të kthehej do t’a gjente atë përsëri në atdheun e tij.
 Udhëtimi nëpër Amerikë, ashtu si dikur udhëtimi në Egjipt e mahniti Bartholdin. Kudo që shkonte ai mbante me vete skicat e statujës dhe një model të vogël të saj. Bartholdi vuri re se amerikanëve u pelqente idea e një statuje kushtuar Lirisë, por ashtu si në mbretërinë e Egjiptit të Ismail pashës, askush nuk dëshironte të angazhohej për financimin e saj. Shqetësimi i Bartholdit ishte se projekti përsëri mund të dështonte.
Me kthimin në Francë, skulptori iu vu punës për një shtatore të francezit Lafajet, miku i Uashingtonit, të cilën ia paraqiti qytetit të Nju Jorkut si dhuratë nga Franca më 1875. Për Bartholdin ky ishte edhe rasti më i mirë për t’i ofruar Amerikës statujën e tij të Lirisë, duke thënë se Franca do të paguante për Statujën, ndërsa Amerika për piedestalin e saj. Dhe kështu idea u bë realitet. Shtatorja që në Egjipt do të ishte quajtur Statuja e Përparimit, në Amerikë ajo morri emrin Statuja e Lirisë.Vite më vonë Bartholdi do të mohonte cdo lidhje midis projektit mbi Statujën e Përparimit për Pashain me prejardhje shqiptare në brigjet e Suezit, dhe projektit përfundimtar të Statujës së Lirisë në brigjet e Nju Jorkut. Megjithatë, burimi i vërtetë i frymëzimi të Bartholdit për Statujën e Lirisë vazhdon të jetë mister dhe ka gjasa të mbetet i tillë.
--------------

Disa burime:
Belot, Robert; Daniel Bermond (2004) Bartholdi
Gschaedler, Andre (1966) True Light on the Statue of Liberty and Her Creator.
Moreno, Barry (2000) The Statue of Liberty Encyclopedia. New York: Simon & Schuster
Afaf Lutfi al-Sayyid Marsot, Egypt in the reign of Muhammad Ali University of Cambridge, 1983
Fahmy, Khaled. 1998. "The era of Muhammad 'Ali Pasha, 1805-1848" in The Cambridge History of Egypt: Modern Egypt, from 1517 to the end of the twentieth century.: Cambridge University Press
Vatikiotis, P.J. 1991. The History of Modern Egypt: From Muhammad Ali to Mubarak. Baltimore: The Johns Hopkins University Press.




Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk